Flet studiuesi Ylli Myftiu: “Ju tregoj të pathënat e Kongresit të Lushnjës”

42
Sigal

-Nga Kozma GJINI-

Z.Ylli Myftiu është historian e studiues i njohur jo vetëm në trevën e Myzeqesë, por edhe në shkallë kombëtare. Ai ka mbaruar arsimin e lartë UT për Histori-Gjeografi dhe disa kurse kualifikimi brenda profilit. Ka kryer detyra të ndryshme drejtuese në arsim dhe në administratën lokale si: mësues i thjeshtë, drejtor shkolle, përgjegjës i kabinetit pedagogjik, drejtor i ZA Lushnjë dhe kryetar i Bashkisë së Lushnjës në vitet 2000-2003. Karrierën e mësuesisë e mbylli në detyrën: drejtor i gjimnazit “18 Tetori” të Lushnjës. Është autor i mjaft shkrimeve publicistike dhe i librave studimore. Kohët e fundit botoi librin për një nga ngjarjet më të rëndësishme që hodhi themelet e shtetit shqiptar, “KONGRESI i LUSHNJËS, BRITMA QË ZGJOI NJË POPULL”. Në prag të ditës së Kongresit Kombëtar të Lushnjës i morëm zotit Ylli një intervistë ekskluzive për lexuesit e gazetës “Telegraf”.

Z.Ylli. Libri juaj i fundit “Kongresi i Lushnjës, britma që zgjoi një popull”, a ka një informacion shterues për Kongresin, ngjarjen madhore kombëtare, e cila hodhi themelet e shtetit të ri shqiptar? Njëherësh a kemi këtu një informacion të papublikuar më parë?

Kanë kaluar 104 vjet nga koha kur u mblodh Kongresi Kombëtar i Lushnjës. Për këtë ngjarje madhore të historisë sonë kombëtare, ka shumë shkrime shkencore dhe publicistike. Veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore janë zhvilluar sesione e konferenca shkencore kombëtare e lokale. Studimeve të kryera i shtohet edhe libri im, për të cilin s’pretendoj të jetë shterues. E reja që jam përpjekur të sjell është informacioni pa kufizimet e kohës së komunizmit dhe nxjerrja në pah e vlerave të jashtzakonshme të Kongresit.

Cilat ishin kushtet historike dhe gjendja e brendshme në Shqipëri, Ballkan dhe Evropë në periudhën e viteve ‘20?

Gjatë Luftës së Parë Botërore Shqipëria e humbi Pavarësinë e shpallur pas shumë përpjekjesh më 28 Nëntor 1912, sepse u pushtua nga ushtritë e dy aleancave ndërluftuese. Në përfundim të luftës, më 11 nëntor 1918, territori i saj vazhdonte të mbahej i pushtuar nga shtetet fituese, të cilat mbështesnin lakmitë e shteteve fqinje për ta copëuar. Lëvizja kombëtare organizoi një kuvend në Durrës më 25 dhjetor 1918. Ndërkaq, në janar të vitit 1919 filloi Konferenca e Paqes në Paris, e cila pritej të ishte “gijotina” që do të ekzekutonte përfundimisht Shqipërinë.

 

A kishte Shqipëria figura të shquarar apo personalitete të rëndësishme me ndikim në politikën evropiane dhe botërore? Cilët ishin këta?

Në këtë kohë Shqipëria nuk kishte personalitete me ndikim në politikën ndërkombëtare. Ndryshe ndodhte me fqinjët. Greqinë e përfaqësonte kryeministri E. Venizellos, që politika evropiane e vlerësonte si burrështetasin më të madh grek që nga koha e Perikliut. Jugosllavia kishte kryeministrin N. Pashiç, një “dhelpër” me përvojë politike. Delegacioni i qeverisë së Durrësit kryesohej nga kryeministri Turhan pashë Përmeti, diplomat karriere në nivel ambasadori, pa përvojë në qeverisje. Harold Nikolson, anëtar i delegacionit anglez për paraqitjen e Turhan pashës para Këshillit të të Dhjetëve në konferencë shkroi: “Shumë, shumë i vjetër dhe i trishtuar. Të Dhjetët llomotitnin dhe qeshnin, ndërsa ai fliste. Për të ardhur keq”.

A kishte bashkëpunim mes patriotëve vendas dhe të diasporës për thirrjen e Kongresit të Lushnjës?

Inisiativën për thirrjen e një Kuvendi Kombëtar e mori organizata “Krahu Kombëtar”, e cila, pas formimit të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, bashkëveproi me të. Diaspora shqiptare veçanërisht në SHBA, por edhe në vende të tjera, u angazhua fuqimisht për mbrojtjen e çështjes kombëtare. Rolin kryesor për organizimin e Kongresit e luajtën patriotët, që vepronin brenda vendit, pavarësisht pushtimit të huaj.

Cili ka qënë roli i SHBA për fatet e kombit shqiptar?

-Për hir të së vërtetës, duhet theksuar, se edhe SHBA fillimisht u dakortësua me planet për copëtimin e Shqipërisë. Pas këmbënguljes së Italisë për zbatimin e Traktatit të fshehtë të Londrës, kryeministrat e Anglisë dhe Francës i propozuan Italisë më 13 janar 1920 një kompromis për copëtimin e Shqipërisë midis Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë. Ky qe një kompromis tinzar pas shpinës së delegacionit amerikan. Të fyer, amerikanët nuk e pranuan këtë rrugë. Të informuar edhe nga përfaqësues të shquar të diasporës në SHBA, për padrejtësitë që po i bëheshin popullit shqiptar, qëndrimi i delegacionit amerikan ndryshoi kryekëput. SHBA me presidentin Uillson u shndërruan në faktorin kryesor ndërkombëtar për shpëtimin e Shqipërisë.

A ishte Shqipëria një minierë pasurie që lakmohej nga fqinjët ?

-Po. Pasuritë e vendit tonë nëntokësore e mbitokësore lakmoheshin nga fqinjët dhe më gjerë. Gjatë Luftës së Parë Botërore në Shqipëri ishte zbuluar naftë, gjithashtu ishte rënë në gjurmë të disa mineraleve, ndërkohë që fushat pjellore të vendit ishin të pashfrytëzuara.

Qarkullonin mendime që kongresi mund të mblidhej në Tiranë, Elbasan apo dhe në Krujë, por në fakt u mblodh në Lushnjë. Si e argumentoni ju këtë?

-Përpjekjet në Tiranë dhe në Elbasan dështuan për shkak të pengesave që hasën organizatorët nga pushtuesit italianë, qeveria e Durrësit dhe përkrahësit e tyre në këto qytete, ndërsa zhvillimi i kongresit në Krujë ishte një diversion i ministrit Mustafa Kruja ndaj kongresit që do të mblidhej në Lushnjë. Letra e 7 janarit 1920 drejtuar komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” e tregonte qartë pse u mblodh në Lushnjë: “Paria e Lushnjës tregoi në krahasim me vendet e tjera një kurajë civile më të madhe, prandaj duhet me i çue asaj një letër falenderimi e mirënjohje.”

A ishte një rastësi prezenca e konsullit anglez M. Iden në mbledhjen e zhvilluar në Teqen e Karbunarës, në prag të Kongresit?

Konsulli anglez M. Iden ishte një mik i çmuar i popullit shqiptar. Gjatë qëndrimit në Shqipëri ai u shndërrua në një katalizator që nxiti shqiptarët për t’u bashkuar e për t’i dalë vet zot hallit të madh që i kishte zënë. Prania e tij në mbledhjen e Karbunarës nuk qe e rastësishme. Duhet theksuar se ai nuk kishte ardhur si i dërguar i qeverisë britanike, por përkrahja dhe qëndrimi i tij ishte vetiak, si dashamirës i shqiptarëve.

Si u lajmëruan delegatët? Cilat ishin disa nga vështirësitë e ardhjes dhe pritja e sistemimi i tyre në bazat e Lushnjës?

Patriotët lushnjarë krijuan Komisionin Organizator të Kongresit, i cili më 1 janar 1920 u dërgoi thirrjen për mbledhjen e kuvendit kombëtar, të gjitha bashkive të vendit. Prej tyre kërkohej që të dërgonin nga dy delegatë në Lushnjë, në datën 21 janar 1920. Mes vështirësive të shumta të shkaktuara nga Qeveria e Durrësit dhe dimri i egër, delegatët erdhën në Kongres dhe morën vendime shpëtimtare për Shqipërinë. Komisioni Organizator i sistemoi delegatët më së miri në shtëpitë bujare të popullit të Lushnjës.

Si u proçedua për zhvillimin e punimeve të Kongresit? A binte në sy ndonjë organizator?

Më 21 janar Lushnja ishte zbukuruar me flamurë kombëtarë si në ditë feste. Për zhvillimim e Kongresit ishte caktuar shtëpia dykatëshe e Kaso Fugës. Mbledhja filloi me një lutje fetare të mbajtur nga Sheh Ibrahim Karbunara e më pas, në emër të popullit mikpritës të Lushnjës, Ferid Vokopola i uroi delegatët për mirëseardhjen. Pas ceremonisë së fillimit, u caktua një komision për verifikimin e mandateve. Rezultoi se shumica e delegatëve mungonin, prandaj Kongresi nuk

mund të vazhdonte. Me mbërritjen e delegatëve të tjerë Kongresi rifilloi punimet në datën 28 dhe vazhdoi deri më 31 janar 1920. Cilët ishin disa nga vendimet e Kongresit Kombëtar të Lushnjës ?

Ky Kongres ka meritën historike të zgjidhjes përfundimtare të dy detyrave themelore të lëvizjes kombëtare: Së pari, të rishpalljes së Pavarësisë dhe të ruajtjes së tërësisë territoriale të vendit dhe së dyti, të krijimit të shtetit shqiptar me institucione demokratike. Delegatët, unanimisht hodhën poshtë pretendimet grabitqare të shteteve fqinjë dhe planet poshtëruese të Konferencës së Paqes për copëtimin e Shqipërisë. Në vazhdim të ditës së dytë, Kongresi vendosi rrëzimin e qeverisë së Durrësit dhe krijimin e një qeverie të re me kryeministër Sulejman Delvinën. Ministra të tjerë ishin: Ahmet Zogu, Sotir Peci, Ndoc Çoba, Mehmet Konica dhe Hoxha Kadri. Më pas u zgjodh Senati, apo siç u quajt më vonë, Këshilli Kombëtar, i cili do të ushtronte funksione legjislative. Në çeljen e katërt të Kongresit u shqyrtua forma e përkohshme e regjimit që do të kishte shteti shqiptar. U përgatit një dokument i titulluar “Bazat e Kanunores së Këshillit të Lartë” i përbërë nga 6 nene. Megjithë përmbajtjen e shkurtër, ai hodhi themelet e shtetit demokratik. Kongresi zgjodhi Këshillin e Lartë të përbërë nga 4 anëtarë: (Aqif pashë Elbasani, Abdi Toptani, Mihal Turtulli dhe Luigj Bumçi). Ky këshill do të kryente përkohësisht funksionin e kryetarit të shtetit deri në ardhjen e mbretit. Pra Kongresi i Lushnjës u shpreh në favor të monarkisë.

Pjesëmarrja e Zogut në Kongres, bëri që në monizëm të lihej në hije rëndësia e Kongresit të Lushnjës. Pyetja është, a ishte Zogu një figurë kontraverse?

Në Kongresin e Lushnjës, përveç A. Zogut, morën pjesë edhe shumë figura të tjera që komunizmi më pas do t’i luftonte, por mendoj që nuk ishte pjesëmarrja e tyre shkaku kryesor që Kongresi i Lushnjës mbeti disi në hije. Për pushtetin komunist, shteti shqiptar fillonte me Kongresin e Përmetit. 24 maji i vitit 1944 ishte i shënuar në simbolin e republikës. Zogu ishte një politikan i ri, vetëm 24 vjeç dhe kishte ambicje të mëdha për pushtet, të cilat i realizoi duke krijuar pas vitit 1925 një regjim autokratik.

Si reaguan të huajt për këtë ngjarje?

Konferenca e Paqes me arrogancë nuk i përfilli vendimet dhe protestat e Kongresit të Lushnjës, ndërsa pushtuesit italianë, kur e kuptuan qëllimin e Kongresit, kërkuan shpërndarjen e tij.

A ishte gjithëpërfshirës Kongresi i Lushnjës dhe cili ishte roli i fesë ?

Kongresi i Lushnjes ishte produkt i lëvizjes kombëtare shqiptare, e cila përballë rrezikut të një copëtimi të ri të territorit shqiptar dhe humbjes së pavarësisë, u bashkua si asnjëherë më parë. Delegatët, që për shkak të vështirësive të krijuara nuk qenë të pranishëm në Lushnjë, i firmosën pa asnjë ngurim vendimet në Tiranë. Gjithëpërfshirja si në asnjë kuvend të mëparshëm me përfaqësues nga çdo krahinë e Shqipërisë i bëri të ligjshme e fuqiplote vendimet e tij. Për delegatët e Kongresit ishte e qartë se nuk mund të ketë autoritet publik pa fe, e cila do të ndikonte pozitivisht për bashkimin e shqiptarëve të ndarë në 4 komunitete fetare.

  1. Ylli. Pranohet nga të gjitha palët politike se Kongresi Kombëtar i Lushnjës hodhi themelet e shtetit shqiptar dhe akoma kjo datë nuk është festë zyrtare kombëtare, pavarësisht mbledhjes së mijëra firmave të qytetarëve nga mbarë vendi dhe propozimit të legjislativit të bashkisë Lushnjë. A ju duket ju normale kjo? Opinioni juaj?

-Unë argumentova më sipër rëndësinë jetike të Kongresit të Lushnjës për kombin shqiptar. Shteti i vërtetë shqiptar fillon me zbatimin e vendimeve të këtij Kongresi dhe këtë e pranojnë të gjitha forcat politike. Data 21 janar 1920 është pikë kulmore në historinë e popullit tonë. Fakti që nuk bëhet festë kombëtare, do të thotë që ende nuk është kuptuar rëndësia e tij.

Ju faleminderit, z.Ylli!         -0-