Sakip Cami: Skënder Cala, në gjerdanin e artë të kulturës kombëtare

920
Sigal

Elita e artistëve të skenës, ekranit e muzikës, në promovimin e librit kushtuar “Mjeshtrit të Madh”, Skënder Cala

Në gjerdanin e artë të kulturës kombëtare

Sakip Cami

  • Ky event i organizuar nga Shoqata “Bashkësia Dibrane” dhe Shtëpia Botuese “M&B”, të dielën e 10 nëntorit, me moderator mjeshtrin me aftësitë të rrallë artistike Prof. Dr. Bujar Kapexhiu – “Nderi i kombit”

Me prezencën e ish-Presidentit Bujar Nishani dhe të elitës së artistëve të skenës, ekranit e muzikës, si: Robert Ndrenika, Guljem Radoja, Dervish Biba, Zef Çoba, Edmond Zhulali e Arif Vladi u promovua libri i 15-të i publicistit dhe shkrimtarit Halil Rama, “Në gjerdanin e artë të kulturës kombëtare”. Ky libër i kushtohet artistit të mirënjohur Skënder Cala, regjisor, këngëtar, aktor që ka interpretuar përkrah të mëdhenjve Sandër Prosi, Marie Logoreci, Stavri Shkurti, Rajmonda Bulku etj., në filmat e ish-Kinostudio “Shqipëria e Re”, “Skënderbeu”, “Çeta e Vogël”, “Bardhësi”, “Përballimi”, “Kërcënimi” etj., që ka themeluar Teatrin Profesionist të Peshkopisë ku ka vënë me sukses dhjetëra premiera si regjisor dhe aktor. Në kuadrin e 80-vjetorit të lindjes së tij në sallën e madhe të Muzeut Kombëtar, qindra personalitete të artit, kulturës e letrave ndoqëm me interes e vëmendje edhe dokumentarin me të njëjtin titull të autorit Halil Rama. Dokumentari qe mjaft mbresëlënës për faktin se artistë të njohur evidentonin vlerat e Skënder Calës si këngëtar, regjisor e aktor, ndërsa në mbyllje jepen çaste nga dekorimi i tij me titullin “Mjeshtër i Madh”, ku Presidenti i Republikës Bujar Nishani, pasi vlerëson aftësitë artistike dhe ato njerëzore të këtij artisti, të cilat janë shijuar edhe vlerësuar si brenda edhe jashtë vendit shprehet se: “Vlerat e Skënder Calës shkojnë përtej kontributit të artit shqiptar. Ai mbi të gjitha kontribuoi në zbulimin e artistëve të rinj, i cili i përgatiti duke iu dhënë shumë nga vetja e tij, në mënyrë që ato të ishin të përgatitur për të konkurruar në skenën e artit shqiptar por edhe më gjerë. Dhe sot ata, duke ecur në hapat e mjeshtrit të tyre, profesorit të tyre kanë një emër në jetën artistike si brenda ashtu edhe jashtë vendit”. Ky event i organizuar nga Shoqata “Bashkësia Dibrane” dhe Shtëpia Botuese “M & B” të dielën e 10 Nëntorit, u moderua me mjeshtri të rrallë artistike nga Prof. Dr. Bujar Kapexhiu – “Nderi i kombit”. Për vlerat e librit dhe të dokumentarit folën: znj. Dhurata Çupi, ish-deputete e PD, piktori i mirënjohur Buron Kaceli, ish-nënkryetar i Bashkisë Tiranë; administratori i Shtëpisë Botuese “M&B” Bujar Karoshi, redaktori i librit Ramazan Kica dhe recensentja Dr. Gidiola Hysa. Pas interpretimit të këngëve me motive dibrane nga këngëtarët e talentuar Vera Laçi e Sherif Dervishi, pjesëmarrësit i përshëndeti protagonisti i këtij eventi, artisti 80-vjeçar Skënder Cala. Ai tha se monografia “Në gjerdanin e artë të kulturës kombëtare”, veç të tjerash prezanton jetën artistike të një qyteti, në të cilin gumëzhitën qindra amatorë e profesionistë, që në 40 vite mbajtën gjallë jetën artistike të Dibrës në përgjithësi e të Peshkopisë në veçanti. “Në këtë 80-vjetor të ditëlindjes sime, Zoti më la dhe më freskoi memorien, për të dëshmuar për bashkëkohësit e mi artistë, që me kontributin, sakrificat dhe emocionet e tyre, bënë që Dibra të gëzonte në dekada, 4 trupa profesioniste: Estradën, Teatrin e Kukullave, Ansamblin gjysmë profesionist dhe në Maj 1984, Teatrin Dramatik – trupa artistike profesioniste këto që bënë emër edhe në shkallë Republike”, tha ndër të tjera z. Cala. Në këtë rast kaq solemn, ai u bëri homazh artistëve që nderuan veten dhe Dibrën me artin e tyre, por që nuk i kemi më midis nesh: Shkondranit Tefë Krroqi, Tonin Rrota, Munir Shehu, Adil Shehu, Hazis Ndreu, Vera Nura, Hiqmet Elezi, Muharrem Zajmi, Fatime Bojaxhiu, Haxhi Mata, Bajram Mata, Izet Dardeshi, Xhevat Fana, Vehap Isaku, Ymer Seferi. Duke mos ndaluar jo vetëm tek artistë dibranë që kanë “pushtuar” skenat, sa brenda, aq edhe jashtë vendit, Z. Cala falënderoi dashamirësit e tij, që me urimet dhe përgëzimet e sinqerta i ngrohën shpirtin në këtë 80-vjetor të ditëlindjes dhe të gjysmë shekulli martese me Ferihanë, njëkohësisht dhe bashkëpunëtore e tij. Një falënderim të veçantë ai bëri për autorin e librit monografik Halil Rama, gazetar & publicist dhe prej disa vitesh shkrimtar, autor i 15 librave, në të cilat i bën jehonë historisë sonë, të luftërave e të punës…dhe jo vetëm të Dibrës. “Falënderimi ndaj tij është i pafund, ashtu sikurse dashamirësia e tij për artistët e Dibrës, ka qenë dhe ka mbetur pa kushte dhe pa interesa. Urtësia e tij prej gjurmuesi e hulumtuesi ndaj vlerave kulturore, artistike dhe historike, bëri që me librat e tij të rrënjosen në memorien tonë përjetësisht dhe në funksion të edukimit të brezave”, u shpreh “Mjeshtri i Madh” Skënder Cala. Pasi falënderoi edhe shokët dhe miqtë që bashkëpunuan me autorin H. Rama dhe ndihmuan që monografia dhe dokumentari të marrin jetë, ky artist i madh i skenës dhe ekranit, mes emocionesh të pa përshkruara u shpreh se “Dashuria dhe përkushtimi i derdhur në faqet e këtij libri më shton adrenalinën për të qenë aktivë edhe në të ardhmen”.

37 premierat e teatrit ku ka interpretuar Skënder Cala

 

  • Flakë Kashte -1969
  • Drita -1969
  • Rrënjët -1971
  • Cuca e Maleve -1971
  • Ai vdiq në këmbë -1972
  • Një dimër i shkurtër -1972
  • Ethet e Olimpiadës -1973
  • Çifti i lumtur -1974
  • Gjëmimi i atij dimri -1974
  • Përmbytja e Madhe -1975
  • Duke u gdhirë viti ’45 -1975
  • Përse mendohen këto male -1975
  • Ah kjo traktoristja -1976
  • Shpartallimi -1976
  • Doktori pacient -1979
  • Shoku Niqifor -1980
  • Natë pa gjumë -1981
  • Tokë e ndezur -1981
  • Kështu të dua -1982
  • Pas provimit -1982
  • Suksese në premierë -1983
  • Përballë vetes -1984
  • Moshë e ngarkuar me provime -1984

24- Qyteti i akuzuar -1985

25- Pallati 176 -1986

26- Pranvera që s`vonoi -1986

27- Ankohen personazhet -1987

28- Nesër është vonë -1989

29- Përshëndetje minatori -1989

30- Bidermani dhe Zjarrvënësit

31- Maturant

32- Më fal baba

33- Shënomëni dhe mua

34- Hija e tjetrit

35- Rri urtë Kristofor!

36- Marrëzia e Madhështisë

Në këtë listë nuk renditen mbi 100 premiera të estradës profesioniste të regjisorëve Tef Krroqi e Inajet Shehu nga të cilët, 20 premiera janë me regjinë e S. Calës. Jashtë kësaj liste janë edhe mbi 50 premiera të lëvizjes amatore të qytetit dhe fshatit. Shfaqjet plot humor e ngjyra të tyre gjallëronin në ato vite jetën e një qyteti dhe të një rrethi të varfër në pasuri, por të madh në shpirtin e tij artistik e njerëzor.