Nga Kastriot Islami
Reforma zgjedhore duket se ka dështuar fatkeqësisht pa nisur, sepse mbi të gjitha, Rama s’është i interesuar për atë. Ai gjykon se dështimi i saj është në favorin e tij dhe se ajo s’do ti sillte asnjë përfitim, veçse kokëçarje.
Po ashtu ai mendon se angazhimi serioz për të kryer sa më shpejt reformën zgjedhore do të mund të rriste oreksin e kundërshtarëve për zgjedhje të parakohshme. Por, nga ana tjetër, Rama i ‘detyruar’ nga ndërkombëtarët, do të tentojë ta përdorë gjoja-reformën, për të përçarë opozitën, duke tentuar njëkohësisht të fajësojë atë në sytë e ndërkombëtarëve. Po ashtu, Rama s’shqetësohet aspak për faktin se mos kryerja e reformës zgjedhore pengon hapjen eventuale të negociatave vitin e ardhshëm, sepse edhe hapja e negociatave s’përbën prioritet për të.
Kurse opozita e vërtetë, jashtë parlamentit, ndonëse ka përgatitur një platformë relativisht të gjerë për realizimin e një reforme të thellë zgjedhore, s’ka asnjë mundësi të pengojë dështimin e saj. Përfundimisht mund të thuhet se shanset e kryerjes së një procesi reformues konsensual me Ramën, qoftë edhe për disa nga çështjet e ndryshimit të kodit zgjedhor janë pothuajse zero.
Ndryshe, kjo do të thotë se gjasat më të mëdha janë që reforma të dështojë, ndonëse ajo mund të shitej ndryshe nëse do të bëhej diçka minimale në minutat e fundit. Po ashtu, duket se s’ka asnjë shans të ndërtohet një proces bashkëveprimi në funksion të rritjes së besimit reciprok mes opozitës e maxhorancës për të realizuar reformën zgjedhore e më tej për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme.
Reforma duhet bërë domosdoshmërisht. Rëndësia e kësaj reforme qëndron më shumë në procesin e reformimit të kodit zgjedhor, që do të mundësonte ndërtimin e besimit reciprok mes palëve, sesa në përmbajtjen e ndryshimeve në kodin zgjedhor, ndonëse edhe këta të fundit janë të rëndësishme. Eksperienca shqiptare ka treguar se nuk është automatik përfundimi se zgjedhjet do të mund të jenë të lira e të ndershme nëse kryhet reforma zgjedhore.
Sepse reforma zgjedhore sado e përkryer qoftë, ajo asnjëherë s’ka mundur të imunizojë zgjedhjet nga manipulimet të cilat veçse janë sofitikuar pas ndryshimeve në kodin zgjedhor. Manipulimi i rezultatit zgjedhor, sidomos gjatë zgjedhjeve të viteve të fundit, ka ardhur sepse ka munguar vullneti politik nga Rama për të zbatuar ndershmërisht kodin elektoral të reformuar me konsensus.
Eksperienca e zgjedhjeve të fundit ka treguar se gjithnjë janë bërë tentativa diabolike për të gjendur hapësirat për të ndryshuar rezultatin zgjedhor përmes blerjes së votës e kërcënimit të votuesve. Ndërkohë që dukuritë e blerjes së votës dhe kërcënimit të votuesve konsiderohen edhe nga praktika botërore vështirësisht të zbulueshme e pothuajse të pamundura për tu eliminuar përmes ndryshimeve ligjore në kodin zgjedhor nëse s’ekziston vullneti politik për zgjedhje të lira e të ndershme.
Pavarësisht të gjithë këtyre argumenteve, reforma zgjedhore mbetet e rëndësishme sepse nga njëra do të ishte një proces i testimit të vullnetit politik të palëve dhe nga ana tjetër do të përbënte një mekanizëm efikas për ndërtimin e besimit reciprok mes palëve që do të mund të garantonte fillimisht një reformë zgjedhore të suksesshme e më tej një proces elektoral të ndershëm ose të paktën një rezultat zgjedhor të gjithëpranuar.
Në çdo rast, reforma zgjedhore do të mbështetej mbi dy shtylla: i) së pari, procesi për të kryer reformën dhe ii) së dyti, përmbajtja e ndryshimeve në kodin zgjedhor. Suksesi i procesit reformues do të varej nga vullneti politik dhe besimi reciprok mes të gjithë aktorëve politikë e me publikun. Në kushtet aktuale kur Rama s’ka vullnet për të kryer reformën zgjedhore dhe tenton ta përdorë reformën zgjedhore si taktikë politike për të përçarë opozitën, janë të ulta gjasat për të ndërtuar një proces reformimi të suksesshëm.
Nga ana tjetër, ndërtimi i besimit reciprok mes palëve, në kushtet e një krize të thellë shumëpërmasore që ka çuar në mosbesim e konflikt të ashpër politik duket pothuajse i pamundur. Ndonëse mund të duket sikur ekziston ‘një mirëkuptim minimal’ për disa çështje të periferike të përmbajtjes së reformës zgjedhore, gjasat më të mëdha janë që reforma zgjedhore të dështojë sepse besimi reciprok mes palëve është i dëmtuar në mënyrë të pariparueshme nga Rama, i cili për më tepër s’ka aspak vullnet për ta kryer atë.
Përsa i përket procesit për kryerjen e reformës zgjedhore e veçanërisht në kushtet kur refuzohen nga Rama zgjedhjet e parakohshme si e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën e thellë shumëpërmasore, për më tepër që opozita gjendet jashtë parlamentit, do të duhej të përcaktoheshin me vullnet të mirë (që nuk ekziston) dhe me konsensus (që s’mund të arrihet) të gjithë hapat për i) ngritjen e mekanizmit reformues, që do të mundësonte veton e opozitës e të maxhorancës dhe ii) për përcaktimin e mënyrës sesi do të realizohej në parlament miratimi i draftit të ndryshimeve të kodit zgjedhor.
Ndërkohë që në diskutimet për përmbajtjen e reformës zgjedhore do të duhet të përshiheshin ndër të tjera i) rekomandimet e OSBE/ODHIR, si dhe cështjet ii) e financimit të partive politike e fushatave zgjedhore; iii) të administrimit të zgjedhjeve, konkretisht të përbërjes së komisioneve zgjedhore; iv) të identifikimit biometrik e votimit/numërimit elektronik; iv) të pjesëmarrjes së balancuar të medias në procesin zgjedhor; v) të mos përdorimit të mjeteve dhe mekanizmave administrative; vi) të penalizmit të manipulimeve elektorale; por edhe vii) rishikimi eventual i sistemit zgjedhor apo; apo viii) pjesëmarrja e emigrantëve në zgjedhje.