Flet poetja, ish-maturantja Zyra Ahmetaj: Ju rrëfej çdo detaj të tragjedisë së datës 31 gusht 1975 në “Majë Malthi”.

241
Sigal

Flet poetja Zyra Ahmetaj: Ju rrëfej tragjedinë e maturantëve të Tropojës kur po ktheheshim nga aksioni në Metalgjik. Si përfunduam 60 gjimnazistë në greminë, ku 4 persona humbën jetën ndërsa unë mbeta e paralizuar

  • Si 60 gjimnazistë përfunduan në greminë, katër humbën jetën.
  • -Si e mabajti të fshetë regjimi këtë tragjedi!
  • -Dhe pse ishim të persekutuar dëshira për arsim ishte e madhe. Atë kohë shkolla kishte ëdo fshat.
  • – Si këndonim siç ka qënë një këngë atëherë: -A do vish sivjet në plazh,… Nuk do të vi, se kam tranazh.
  • -Në atë sistem ishte motoja: Mësim, punë prodhuese, edukim ushtarak ndaj na ëuan në Elbasan.
  • – Kur u kthyem në autobus vendosëm 3 flamuj: flamurin e Aksionit si Brigada më e dalluar, një flamur për kulturën dhe një për sportin.

Aleksandër Ndoja

Zyra Ahmetaj e datëlindjes 14 prill 1956 është nga fshati Kepenek, Lokaliteti Pac, Tropojë. Ka mbaruar me rezultate të larta në mësime. Shkollën e Mesme Bujqësore “16 Tetori”, në Tropojë. Është invalide paraplegjike që nga 31 korriku i vitit 1975. Është krijuese letrare dhe ka botuar 6 tituj libra poetik. Ka në proces botimi një libër studimor për etnosin kulturor të Tropojës, një libër në prozë dhe një tjetër me poezi. Ka botuar në gjuhën italiane një libër me poezi të zgjedhura nga krijimtaria e saj. Është e apasionuar pas leximit, studimit autodidakt, pas formimit të një koleksioni rrobash dhe plot kostumeve të reja kombëtare të rrethit dhe më gjerë si stiliste e këtyre kostumeve. Sot është aktiviste shoqërore në drejtimin e Shoqatës, Para dhe Tetraplegjike të Shqipërisë, për Qarkun Kukës. Ka realizuar për 7 vite një kurs falas të Gjuhës Angleze për dy grupe nxënësish si kordinatore vullnetare e K.O.A.SH.etj..

-Në kontaktin e parë, ju u shprehët se keni respekt të jashtëzakonshëm për Mirditën dhe se në dejet tuaja rrjedh gjak mirditasish. Pse dhe si e kujtoni ngjarjen e 31 korrikut 1975 që për kohën u mbajt sekret?

Unë kam dashuri pa kufi për çdo molekulë të Atdheut tim real, për Iliridën tonë të lashtë me një komb të fortë, me gjuhë Perëndie, me kulturë të hershme dhe me plot resurse historike.

Vërtetë jeta ime ka rilindur më 31 korrik 1975, pas aksidentit që pësuam, ne nxënësit e Shkollës së Mesme Bujqësore “16 Tetori” Tropojë, duke u kthyer nga aksioni kombëtar në Metalurgjik të Elbasanit, si pasojë e të cilit humbën jetën 4 veta; tre të rinj; Hasan Qelia, Drane Nikaj, Hatixhe Mulgeci dhe shofer Meti. Unë kisha plagë të shumta dhe njërën në pulpën e këmbës shumë të thellë që do të kisha ndërruar jetë nga gjakderdhja e tyre, po të mos ishte angazhimi maksimal i personelit mjeksor dhe sidomos vullnetarizmi i popullit mirditor që sapo morën vesh për aksidentin tonë, erdhën si diej shpëtimi, për të na dhuruar gjakun e tyre. Ishim të shumtë ata që kishim nevojë për gjak dhe spitali, një katastrofë të tillë aksidentale, nuk mund ta përballonte me gjakun që kishte gjëndje. Unë i shpëtova vdekjes prej fisnikërisë dhe bujarisë ekselente të mirditorëve që më dhanë gjakun e tyre. Kështu unë e kam gjakun e përzier me Mirditorët, por e kam krejt jetën, fal fisnikërisë së tyre. Kudo kam rastisur me mirditor, ju kam treguar me mirënjohje dhe dashuri që kemi gjak të përbashkët.

-Le të kthejmë pak në kohë, një vajzë nga fshati Kepenek që është dy orë me makinë, pa llogaritur që atëherë komunikacioni ishte shumë i vështirë, fillon shkollën e mesme në Tropojë si konviktore? Sa e inspiruar ishit nga prindërit tuaj?

Prindërit tanë kanë qënë shumë arsimdashës dhe nga gjendja jonë politike që na kishin etiketuar si të prekur politik, ngaqë xhaxhai i babait qe detyruar të arratisesh në Kosovë, që ishte nën pushtetin jugosllav, prej një pabesie që i bënë pushtetarët e asaj kohe, vetëm se ishte i arsimuar dhe shumë më i zoti se ata. Prindërit e mi kanë luftuar shumë për të na siguruar vazhdimin e shkollave. Vërtetë ishte koha kur nuk preferonin shumë t’i çojnë vajzat në shkollë, por babai im thoshte, (akoma s’ishte provuar me pengesat për t’ju dhënë të drejtën e studimit vëllezërve, pasi vëllezërit janë pas ne dy motrave), që çikat kam qef t’i çoj me patjetër në shkollë, mbasi po mësojnë mirë dhe të kenë një zanat, se edhe si femra që janë, kanë më pak forcë fizike për të punuar. Vetëm mua dhe vëllait të vogël na dhanë të drejtën e studimit për shkollën e mesme, pa patur pengesa.

-Çfarë kujtoni nga jeta shkollore, përpara se të vinte viti i fundit, viti fatal për disa nga maturantët tuaj?

Kujtimet janë të shumta, kujtime të një jete në moshën më të bukur dhe të një jete të përbashkët me shoqet dhe shokët, pasi ishim konviktorë në Tropojë, ne që kishim ardhë nga fshatrat e rrethit tonë ,që ishin pak më larg nga fshati Tropojë. Unë jam rritur në një familje të virtytshme, shumë punëtore, e ndershme dhe e vërtetë. Prindërit tanë na mësuan me jetën e tyre si të jetojmë, si të sillemi. Në atë konvikt dhe atë shkollë ishim si vëllezër dhe motra. Bënim një jetë shumë aktive, me sport, gjimnastikë, sapo ngriheshim nga krevati. Organizonim shpesh mbrëmje vallëzimi dhe për këto mbrëmje shpesh, unë i kam organizuar, pasi më pëlqen muzika, vallëzimi dhe kultura. Ne bënim edhe eskursione të ndryshme. Shpesh bënim aksione ditore. Kushtet e konviktit ishin shumë të vështira. Muri mbante shumë lagështirë. Kur ngriheshim në mëngjes dhe e vinim dorën sipër batanijeve kishte bula uji lagështire. Kemi patur grupin tonë artistik të kompletuar. Edhe të dielën që disa shkonin në shtëpitë e tyre, se i kishin më afër, unë shkoja te dajat e mi në Viçidol, pasi nuk premtonte koha dhe nuk kishte automjete për të shkuar brënda një dite në fshatin tim. Në shkollën tonë mësuesit kanë qënë shumë të pregatitur si Osman Islami që na befasonte kur thoshte për regjimet e vendeve të tjera që kan regjimin e tyre, pa u distancuar, apo pa i etiketuar siç na mësonin në ato vite për kapitalizmin dhe revizionizmin. Ali Bajraktari ka pas realizuar një kabinet biologjie që ka qënë vlerësuar si ndër më të pasurit në shkallë vendi. Kishim mësues Bashkim Ramën, që ishte një arsimtar korrekt me shfytëzimin e orës së mësimit dhe një vlerësues i drejtë ndaj nesh. Kishim mësues, Musa Goçin në vitin e parë për matematikë. Ndërsa më vonë kemi patur mësues Hazir Berishën. Mësuese rusishtje kishim Time Dautin, një zonjushë fantastike, Rrustem Dervishin nga Tirana, Kemi patur mësues Sadri Oruçin. Mësues Muçin etj. Drejtor kemi patur Selim Berishën. Ne bënim përveç lëndëve të mësimit edhe lëndën e stërvitjes ushtarake. Ishte e mundimshme, por në atë kohë njerëzit thoshin:-Jemi shokë zbori ushtarak që do të thoshte, shokë vështirësish. Me shaka këndonim siç ka qënë një këngë atëherë: -A do vish sivjet në plazh,… Nuk do të vi, se kam tranazh…..Vetë isha e vendosur të dalë me rezultate të mira dhe të vazhdoj studimet e larta dhe nuk u dashurova me ndokënd, përveç ndonjë simpatie, por kur dashuroheshin të tjerët, i kam parë me simpati dhe ka ndodhë që më tregonin nga njerëzit e parë që ju thoshin.

-Pse u vendos që nxënësit e shkollës tuaj të shkonin në aksion veror? Kush ua komunikoi një vendim të tillë?

Në fakt në ato vite të gjitha shkollat e mesme bënim një muaj punë prodhuese, për të plotësuar trekëndëshin:-Mësim, punë prodhuese dhe edukim fizik dhe ushtarak. Ne të shkollës tonë e kishim bërë muajin e punës prodhuese brënda vitit shkollor, por nga vitet e treta tonat shfaqën inisiativën për të shkuar në aksion. Gjimnazistët nuk e kishin realizuar muajin e punës prodhuese dhe ishte planifikuar t’i çonin ata në aksion, por ata të seksionit të arsimit dhe Komiteti i Rinisë së rrethit tonë, na çuan ne, dhe shlyhesh puna e atyre. Na e komunikuan nga drejtoria e shkollës sonë.

Kur u nisët në aksion dhe ku përfunduat, Çfarë bënit në aksion dhe sa qëndruat aty?

Mbrëmjen e maturës e bëmë me 30 qershor, duke festuar gjer në ora 4 të mëngjesit, jemi ngritur në ora 6 të mëngjesit dhe u nisëm për aksion, ne maturantët dhe nxënësit e dy viteve të treta që sapo e kishin mbaruar vitin shkollor. Në aksion ishim shumë brigada aksionistësh nga shkollat e mesme të të gjithë vendit. Ne vajzat e Tropojës ishim në një dhomë me vajzat e Librazhdit. Ne punonim në hekurudhën brënda Kombinatit Metalurgjik; hiqnim materialin e ngritur me eskavator për të shtruar shinat pastaj. Mbajti mot i nxehtë dhe uji i pishëm ishte shumë i nxehtë. Kur pinim nga një gurrë e gjerë, pinim aq shumë si devetë që sigurohen me ujë për një kohë. Në aksion bënim edhe konkurse historike, kulturore dhe sportive. Na organizonin mbrëmje vallëzimi. Na jepnin 4 herë për të ngrënë pasi puna ishte e lodhshme. Në brigadën tonë kishim komisar Z. Gani Dizdari dhe zëvendës, mësuesin tonë Sadri Oruçi.

Çfarë kujtoni në momentin e nisjes për t’u kthyer në Tropojë. Sa autobuzë erdhën për t’ju transportuar. Sa aksionistë ishit aty?

Ishim rreth 60 nxënës. Natën e fundit, para se të niseshim u shpërndanë vajzat pas darkës dhe mbetën enët të palara. Unë me Xhemile Isufin si më të përgjegjshme, qëndruam dhe i lamë enët, duke na marrë kjo gjë shumë orë të gjumit dhe kemi pushuar shumë pak. Nga Elbasani u nisëm me autobus që na ishin caktuar heret për të na sjellë në Tiranë dhe në ballë të Autobusit i vumë 3 flamuj; Flamurin e Aksionit si Brigada më e dalluar, një flamur për kulturën dhe një për sportin. Ishte në rregull ajo pjesë, por pasi erdhëm në Tiranë, nuk po gjenim autobus. Organizatorët e aksionit nga Tirana dhe pasi qëndruam gjatë duke pritur, na vunë në një autobus të Tiranës gjithë sa ishim, 68 veta krejt. Me ne ishte kujdestarja e Konviktit, mësuese Nurie Kortoçi, një person që punoi me gjithë shpirt në atë aksion. Kishim edhe rojën e natës së konviktit veteranin Isuf Zeneli, Komisarin e Brigadës dhe zv, e tij. Erdhën me ne edhe një moshatar i yni Nuredin Musa që ishte në shkollë mjekësore në Tiranë dhe pak pasagjerë që do të vinin për Tropojë, pasi nuk kishin gjetur makinë.

A kujtoni ndonjë moment të veçantë gjatë rrugës pa mbërritur në Shpal?

Në fakt gjatë rrugës kemi kënduar, pothuaj gjithë kohën. Në qytetin e Rrëshenit kemi zbritur dhe kemi marrë shalqin për tua sjellë njerëzve tanë kur të vinim në Tropojë. Unë edhe pse kisha pak lekë, i kisha blerë që në Elbasan, nga një dhuratë të vogël vëllezërve dhe prindërve që kisha qënë larg.

Çfarë kujtoni nga nisja e momentit fatal për aksionistët? Çfarë po diskutonit në kthesat e forta të Shpalit?

Shokët, sidomos njëri Ali Ukalia, që merrte vesh nga drejtimi i makinave u ul afër shoferit nga pasioni i atij zanati dhe siç tregojnë, ka thënë që në disa raste kishte parë një funksionim jo normal në drejtimin e autobusit. Ka patur një rast të takimit të pasqyrës në shëndrrimin me një makinë që vinte nga ana tjetër. Në një rast ka hyp pak sipër bordurës së një ure. Siç thashë më lart, rrugës kemi kënduar. Ndërsa pak më përpara aksidentit, ramë në heshtje dhe ndonjëri po flinte. Ndërsa unë isha në mendime, se si do të zbrisja në stacionin tim që ishte i pari, pasi at’herë udhëtonim nëpër Vas Pac dhe më dukej e rëndë ndarja ashtu, duke zbritur dhe tundur shaminë e aksionit dhe të ndahesha me shokët dhe shoqet që kishim ngrënë bukë, katër vite së bashku, në rrugë, pa u ndarë si ka hije.

Kur e mendove se nisi rreziku, çfarë bëre ti, po aksionistët e tjerë?

Vetë isha ulur në sedilen poshtë derës së autobusit. Fare pak më përpara më thanë shoqet dhe shokët që isha zverdhur, ndoshta edhe ngaqë nuk kisha fjetur taman, dhe a mos më ka zënë rrugëtimi?!  Edhe pse ju thashë që jo, u ngrit veterani, Isuf Zeneli që të ma lëshonte vendin në sedilen dyshe pas fatorinës, si vend. I thashë jo, por meqë po ngulni këmbë, shtyjuni pak dhe po ulem në cep me ju. U pyetëm me Isufin, vëllain e nënës, Hysen Berishën që e kam patur shok klase si dhe me të tjerët të ulur sipër motorrit që po merakoseshin se po më mundon makina, biles ju thashë që po doni të më fusni në merak sikur atij që i kanë thënë po vdes. Pastaj kam hedh vështrimin përpara. Në mendjen time ka mbetë fotografia e asaj rrugës në ngjitje dhe thepit ku sapo ta kalonim, do të ndodhte fatkeqësia si dhe më tërhoqi vemendjen sjellja e shpejtë e timonit, nga shoferi. E kuptova nga tronditjet e autobusit dhe mënjanimi i tij që hymë nën rrugë. Ai moment m’u duk tragjik dhe nuk mendova për vete, as për prindërit që sigurisht më kishte marrë malli, por mendova se si ka mundësi të hyjmë në mëshirën e fatit gjithë këta të rinj?! Kam vënë dorën sipër mbështetëses së sediles dhe kam parë me tmerr të gjithë të ngritur në këmbë të lebetitur.

Çfarë mban mend nga ajo situatë tragjike?

Në një moment e kam parë veten në pjesën e sipërme të autobusit, sipër një shoku me triko bojëqielli, Ali Balishës, dhe në atë moment kam bërë të ngrihem që të dal prej autobusi, jam kapur në kornizën e xhamave të para, pasi ato ishin thyer, por nuk priti puna. Autobusi po rrotullohesh dhe nuk e di më se ku më ka hedhur dhe çfarë ka ndodhur me mua.

Kur more ndihmën e parë dhe nga kush, nëse ju kujtohet?

Mua nuk më kujtohet, por Hyseni, daja që ishim bashkë, menjëherë që është ngritur në këmbë i tmerruar, ka parë, se ku isha unë dhe ka ardhur që të më ndihmojë. Unë i kam harruar këto momente, pasi kam rënë herë pas here pa ndjenja. Ai më paska pyetur se si jam dhe i kam thënë:

-Jam këputur dhe çom në këmbët e mia, në qofsh me qënë kurrë për mua! Ai ma ka ngjit mua të më peshojnë dhe në atë moment e ka kuptuar që e ka krahun e thyer. Ka ecur pak hapa dhe i ka ra edhe atij të fiktë. Kanë treguar që ka rastisur një mjek që po udhëtonte pas nesh që ka dhënë një ndihmesë të madhe dhe të rëndësishme, duke shqyer këmishat e njerëzve të tjerë që na erdhën në ndihmë, edhe të veten për të na i lidh sadopak plagët dhe ndalur gjakderdhjen. Ai quhesh Korab Shehu, kuksian. Më tregojnë që më kanë parë në buzë të rrugës të nxjerrur nga plazhistët e Tropojës, me Hysen Papën që u takuan me ne të parët, pasi po ktheheshin nga plazhi, për në Tropojë.

A ishit në gjëndje koshiente gjatë udhëtimit tuaj për në spitalin e Rrëshenit?

Kam qënë pa ndjenja, veç më kanë treguar se më kanë vënë ulur në sedile të ambulancës, duke më mbajtur një person që ka qënë me ne dhe e kam larë atë rrugë me britma lemeritëse që më dilnin pa kontroll, prej shpirtit tim. Një transport shumë i dëmshëm për rastin tim.

-A jeni në gjëndje të përshkruani situatën në këtë spital, rolin e mjekëve dhe stafit?

Kam qënë pa ndjenja. Pasi më futën gjak, erdha pak në vete dhe e mbaj mend që po pyeste gruaja e Hysen Papës, që është bijë prej fshatit tonë të vogël, dhe e dinte që isha në autobus, pasi kam qënë moshatare me djalin e saj Skënder Papën që ishte në gjimnaz, dhe jam përgjigjur: –Këtu jam oj Mereme, por jam këputur. Prapë kam rënë pa ndjenja.

-Shumë qytetarë të Rrëshenit, në një shkrim homazh të botuar nga ana ime disa vite më parë, janë shprehur mbi këtë situatë. Sa dhe si i konfirmoni këto?

Siç e thashë dhe në fillim, siç keni shkruajtur ju, por edhe siç kanë shkruar herë pas here në gazeta, pas rënjes së diktaturës, biles një shkrimtar i yni, Asllan Osmani ka shkruajtur me detaje një libër të tërë, të titulluar “PASAPORTA E MAJMALTHIT”, populli i Rrëshenit e ka përjetuar me tronditje të thellë aksidentin tonë. Ata kanë ardhur dhe kanë dhënë gjakun e tyre me një përkushtim të paparë, me dëshirën e madhe të na shpëtonin jetën sa të mundnin. Kontributi i tyre ka qënë vendimtar në shpëtimin e shumë jetëve tona. Vetë kam qënë pa ndjenja, por qëndrimi i tyre ka qënë heroik, fisnik dhe shumë vëllazëror. Sa për mjekët nuk gjenden fjalë të përshkruhet puna e tyre vitale, sakrifica e tyre e madhe duke qëndruar dy ditë dhe netë në spital, pranë të rinjve dhe personave të tjerë të atij aksidenti. Shteti asaj kohe e mbajti të fshhtë gjarjen. As ne nuk flisnim shumë për të më pas. Donin ta kalonin në heshtje.