Flasin Bashkim Sulçe dhe Kozma Gjini/ Bubullima e Lushnjes, fshati rekord në Shqipëri që ka nxjerrë 240 mësues ndër vite. Dashuria për kulturë dhe dijen,familjet e para mësuesit e dekoruar dhe ata “rrebelë”

1619
Sigal

Arsimi/ Bubullima ka nxjerrë 240 mësues ndër vite, një rast unikal në shkallë vendi.

Me siguri, ka qënë dashuria për arsimin, kulturën dhe dijen, inteligjencia e madhe, ajo që e ka ngritur kaq lart emrin e fshatit.

Etimologjia e fshatit,  familjet e para, mësues të dekoruar dhe mësuesit “rrebelë”

BUBULLIMA, FSHATI REKORD  I MËSUESVE NË REPUBLIKË

Bashkim SULÇE &Kozma GJINI

VËSHTRIM NË HISTORI

“Në krahun e majtë të autostradës Lushnjë-Fier, nën hijenlindore të Manastirit të Ardenicës, thuajse në distancë të barabartë mes dy qyteteve, (18.7 km nga qyteti), si një apendiks, shkëputet një rrugë e asfaltuar me gjatësi rreth 3 km, që ecën në drejtim të lindjes e të çon në qendrën e Bubullimës, këtij fshati të madh me një histori të lashtë. Bubullima shtrihet në një zonë fushore, me toka pjellore mjaft të përshtatshme për kultivimin e kulturave bujqësore. Kufizohet në veri me fshatin Kamçisht, në veriperëndim me Rrapëzën, në perëndim me Kolonjën, kodrën e Ardenicës dhe Manastirin, nga lindja me Gjonasin dhe Imshtën, kurse në verilindje me fshatin Eskaj… “Kështu do ta fillonte librin e tij, mësuesi dhe djali i Bubullimës, Llazar Prifti, (sot në pension), të cilit ia puthi duart ish-ministri i arsimit i viteve ’70, për kopshtin model dhe oborrin me bimë, lule e pemë dekorative që krijoi në shkollën Kashtëbardhë (Jeta e Re) të Lushnjës. Bubullima. Rruga ishte shenjë qytetërimi, sepse lehtësonte qarkullimin e njerëzve nga fshati për në qytet, por e nevojshme edhe për transportin e prodhimeve. Ajo lidh Bubullimën me rrugën nacionale. Banorët e kësaj zone Bubullima, Eskaj, Gjonas, nëpërmjet kësaj rruge lidhen me qytetin e Lushnjës, Fierin etj. Është fshati me numër më të madh mësuesish në shkallë republike.

240 mësues ka nxjerrë Bubullima ndër vite

Një rast unikal në shkallë vendi. Me siguri, ka qënë dashuria për arsimin, kulturën dhe dijen, inteligjencia e madhe, ajo që e ka ngritur kaq lart emrin e fshatit. Bubullimasit ishin njerëz të etur për dije. Prindërit ishin të zgjuar nga natyra që u siguronin fëmijëve një shkollim të preferuar,  siç ishte arsimi në atë kohë. Kultura dhe arsimi janë treguesit e emancipimit të një shoqërie.

Nga Bubullima kanë dalë e vazhdojnë të dalin të rinj e të reja të arsimuar në fusha të ndryshme për: agronomë, ekonomistë, financierë, infermierë, mjekë, juristë, mekanikë, shoferë, inxhinierë, mësues, profesorë etj. Që në hyrje e theksojmë se ai ishte një fshat i rëndësishëm, pa është përfshirë edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar  të asaj kohe. Për korrektësi, në fjalor shkruhet: “Bubullima. Fshat në rrethin e Lushnjës (J), në të majtë të rrugës Lushnjë-Fier.Qendër e fshatit të bashkuar, që përfshin edhe fshatrat: Ardenica, Bitaj, Eskaj,Gjonasi, Halilaj, Kolonja. Popullsia gjithsej 6100 banorë.(fsh.i bashkuar). Përmendet në burime historike në shek.XVII. Shkolla shqipe u hap  më 1913. Këshilli NÇL u krijua më 1943. U çlirua më 18.10.1944. Kolektivizimi i bujqësisë u bë më 1948, më 1963 u përfshi në kooperativën e bashkuar, ndërsa më 1973 u kthye në KTL. Drejtimi kryesor i ekonomisë është prodhimi i drithërave. Bubullima ka shkollë 8-vjeçare, muze, grup folklorik, qendër shëndetësore, pika shërbimit tregtar e komunal ” -Fjalori Enciklopedik Shqiptar-1985, fq.123”.

Lexuesi mund ta bëjë vetë analizën krahasuese të ndryshimeve deri më sot.

MBI ETIMOLOGJINË E FSHATIT

Historikisht, banorët e parë që u vendosën në fshatin që do të merrte emrin Bubullimë, sipas burimeve arkivore, datojnë shekullin e XIV. U gjend ky vend si më i përshtatshëm për shkak se “aty pranë asaj nahije kalonin dy degë lumore,  delli, (degë e Devollit) dhe një e Osumit.(Struga dhe Metoqi janë atavizma të tyre).Të dy këta “lumenj të vegjël”, bënin “potere të madhe” kur kishte reshje, sepse mbingopeshin  me ujë, dilnin nga shtrati e përmbytnin tokat e shtëpitë e fshatit kudo që gjarpëronte, derisa shkarkohej përtej Bitajt, në det. Uji i turbullt në ecjen e tij të nxituar merrte ç’gjente përpara dhe bënte një zhurmë karakteristike të frikshme që fshati e shprehte me emrin foljor “gurgullimë”, por që më pas mori përparësi sinonimi, “burbullimë” nga ( bubullon). Me kalimin e viteve, gjatë shqiptimit të fjalës “burbullimë”, ka rënë r-ja dhe ka mbetur emri “bubullimë”. Kur shtrohej pyetja: ku po shkon? dhe fjala ishte drejt këtij vendi, jepej përgjigja: “Po shkoj atje ku bubullon! Po shkoj te bubullima. Sinonimet që lidheshin me zhurmën që bënte uji kur derdhej me furi, (gurgullon e bubullon), gradualisht përcaktuan identifikimin e vendit që  në gojën e popullit do të thirrej “Bubullimë”. Është ky një nga versionet më të besueshme. Në këtë mënyrë, fshatit i mbeti emri Bubullimë. Dikur qendra e fshatit ka qenë tek kisha. Fshati ka një popullsi prej 2150 banorë dhe sipërfaqe prej 780 ha.

FAMILJET E PARA

Banorët e parë (familjet e mëdha) që  erdhën në Bubullimë e u vendosën në vende të ngritura, sope, që të mos përmbyteshin nga lumi, ishin gjashtë, sipas shënimeve që na ka lënë mësuesi Petro Muzaka:

1.Bardhenjtë. Janë me origjinë nga Dardha e Korçës. Lagjja e tyre zinte pjesën lindore të fshatit. Shtëpitë e Simon Bardhit shtriheshin në lindje të fshatit. Kanë ruajtur traditat dhe ishin vendosur në tokë shtetërore.

2.Gjokajt. Këta banonin në pjesën veriore të fshatit.

3.Nikollajt. Banonin pranë fushës së Kotes dhe zotëronin një pjesë nga qendra dhe anën perëndimore.

4.Mihalajt. Jetuan aty ku ndodhen sot. Zotëronin pjesën Jugore të fshatit.

5.Prençajt. Lagja e tyre ishte në buzë të lumit. Tokat e tyre zgjateshin në pjesën Perëndimore të tokave të Manastirit te Ardenicës.

6.Bitrajt. U vendosën për herë të parë në lagjen Ristaj, tek shtëpitë e Spiro Bardhos.

RELIKE NGA TOPONIMIA

Në Bubullimë qarkullojnë edhe sot mjaft toponime që të çojnë në kohën e shkuar. Të tillë mund të përmenden: “Stani”, “Metoq”, “Struga”, “Delli”  “Pylli i Frashërishtes”, “Vidhi i Kondës”, “Plaçka e Monajve”, “Plaçka e Bardhenjëve” e të tjerë.

-Rrapi i Zonjës një lloj peme drusore, e fortë, me trung të madh e degë që krijojnë një kurorë për hije gjatë verës. Nën hijen e tij, argëtohej në lëkundës gruaja, zonja e beut. Pazar, vendi ku mblidheshin banorët (shitësit dhe blerësit).Cepi i Belikes, quhet fundi i udhës së madhe ku shtriheshin fushat afër Kolonjës. Metoqi, fushë ku ishin grazhdaret, depot, hambarët e drithrave të manastirit. Vidhi i makinës, Pemë, dru i fortë. Ndodhej në oborrin e mullirit të blojës. Ishte shumë i madh me degët deri në tokë, i mbushur plot me fole e cicërima trumcakësh. Mëni i beut, pemë drusore e mbjellë me porosinë e beut, buzë rrugës lokale. Struga-tokë moçalore, me ujë të ndenjur që mëvonë u bë tokë buke.  Depozita, ndodhej në krye të rrugës nacionale. Vendi ku ruheshin mjetet e ndërtimit të rrugës si: karroca dore, lopata, bela, kazma, tokmak etj. Dy janë fushat që e veçojnë Bubullimën e hershme. Krahasuar me fshatrat e tjerë:

FEJA DHE ARSIMI

Bubullima ka nxjerrë tre dhespotë nga më të shquarit në trevë, të cilët kanë drejtuar Mitropolinë e Beratit. I pari ka qenë  Metodi (Markoja) hirotonisur prift më 1720, i dyti ishte “Josaf Plaku” dhe i fundit, “Josafi i Ri”. Kjo treshe e drejtoi për mbi 60 –vjet, Mitropolinë e Beratit.

Kryesisht pranë ose brenda territorit të kishave të trevës së Myzeqesë, funksiononin skoli greke në të cilat jepnin mësim  edhe  mësues shqiptarë e në rastin tonë, në zonën e Bubullimës, mësues nga Bubullima ose fshatrat përreth.  Mësuesit e parë që kanë dhënë mësim në greqisht ishin: Aleko Rista, Nikolla Prifti, Dhaskal Xhoxhi, Sotir Buska, Todi Prifti, Kozma Prifti, Ndin Ziu, Gor Ziu, Vasil Sota, Dhaskal Gribi, Ndin Xhunga, Nas Gjini, Minush Koçi,Vasil Poshnja, Mikail Papamihali, Vllas Pastenasi dhe  Rrapi Mërtiri. Ndikimi i ideve patriotike të rilindasve, bëri që në kishat ku shërbenin mësues shqiptarë, të punohej që t’u mësonin fëmijëve gjuhën e mëmës. Kjo fillimisht u bë fshehurazi, sepse për ata që kapeshin, kishte masa të rrepta deri në burgim. Në këtë  kapërcyell të përpjekjeve për mësimin e gjuhës shqipe, kur ende nuk ishin hapur shkollat në gjuhën shqipe, (shkolla e parë shqipe në Myzeqe u hap në Libofshë më 1908),  shohim se patriotët myzeqarë morën parasysh edhe masat ekstreme dhe nuk rreshtën për t’u mësuar shqipen djemëve të popullit.

Në numrin e madh të mësuesve që ka nxjerrë Bubullima, do të veçonim tre më të hershmit: Theodhor Pali Rista, Petro Sako Muzaka dhe Aleko R. Rista. Janë tre ndër mësuesit që morën pjesë edhe në Kongresin Kombëtar të Arsimit në Lushnjë, gusht,1920.

Theodhori Rista.

“Shkolla e parë shqipe në Bubullimë nisi me mësimet e para në ambjentet e kishës së fshatit “Shën Mëhilli”, më 16 shtator 1913, falë guximit e ndjenjave patriotike e arsimdashëse të rilindësve e patriotëve të trevës e kryesisht me kontributin e Theodhor Ristës. 4 vjet më pas, Bubullima do të shpallej komunë. Në kishë, në vitet ’70-80 të shek XIX,  mësuesit Kostandin Xhunga, bubullimas, Vasil Sota, Halilaj, Kostandin Kola Kamçisht, Themi Kozarja nga Kozarja, Thoma Josifi i Libofshës etj, u mësonin fshehurazi gjuhën shqipe djemëve të fshatit.

Theodhori, pas mësimeve në gjuhën greke që mori në Manastir, më 1908 dha mësim në greqisht në fshatin e tij. Në formimin e Theodhorit ndikuan mësuesit patriotë: Jani Minga, Jovan Ndreko, Ikonom Kozma Dhima, Naun Prifti, (Doko), Ikonom Zegali, Thanas Nushi, Lami Shtëmbari etj.

Më 1911 pushohet nga puna. Më 1918-21transferohet nga Bubullima në Krutje si mësues i gjuhës shqipe.Shtëpia e tij ishte bazë e LANC. Mban titullin “Mësues i merituar”.

Petro Muzaka (1895-1969).

Mësimet fillestare i mori në Manastirin e Ardenicës. Më 1909 shkoi në Normalen e Elbasanit të cilën e mbaron me rezultate të mira. Më 1913 emërohet mësues në Vanaj të Fierit, ku edhe hapi shkollën e parë shqipe. U lidh me mësuesit e zonës si: Jovan Ndreko e Anastas Laska. Në këtë kohë IkonomDhima ishte mësues në Manastir.Më 1916 emërohet mësues në Bubullimë.Më 1925 e gjejmë mësues në Ngurrëz.Mbane tre mbiemra, sepse ndiqej nga qeveria e Zogut U bashkua me patriotët: Llazar Bozo, Elmaz Boce e Naun Prifti. Punoi në disa shkolla të Myzeqesë si: Halilaj, Ngurrëz, Këmishtaj etj. Arrestohet më 21 shkurt 1942 dhe burgoset si antizogist në burgun e Beratit, edhe pse  për të mos rënë në dorë të armikut mbante tre mbiemra: (Muzaka, Sako dhe Bualli). Një taktikë e kohës kjo, siç na thotë edhe shkrimtari e studiuesi  Naun Kule në librin “Njeriu me tre mbiemra”, monografi për  “Mësuesin e Popullit”, Jani Nushi.Për t’u shpëtuar përndjekjeve. Pas çlirimit Petro ka qënë mësues e drejtor në shkollën e Bubullimës. Është ”Qytetar nderi i Lushnjës”, mban medaljen “Naim Frashëri” dhe shkolla e fshatit Halilaj mban emrin “Petro Muzaka”.

Aleko Rista:1895-1945

Mësimet e para i mori në gjuhën greke në Bubullimë. Shkollën e mesme e ka mbaruar në Vlorë. Emërohet mësues i gjuhës shqipe në Manastirin e Ardenicës e më pas në Bubullimë.Ka punuar mësues në disa fshatra si: Bubullimë, Halilaj, Ngurrëz, Karavasta, Gradishtë, Këmishtaj, Bishqethëm, Imshtë etj. Pushohet nga puna prej regjimit të Zogut se ishte antizogist i flaktë.

Alekoja kishte miqësi me Naun Priftin (Doko), dhe mësues të tjerë patriot të shoqërisë “Bashkimi”. Alekoja i kërkoi ministrisë së arsimit frekuentimin e shkollës edhe nga vajzat dhe kjo u realizua. Kështu, ai nisi hapat e para të demokratizimit të shkollës dhe emancipimine femrës. Familja e Alekos u lidh me LANÇl. Ai është dekoruar nga ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor  me Urdhërin “Naim Frashëri”. Studiuesi Petraq Dhana citon se  “Shkolla e Vanarit ka qënë e hapur pranë kishës, si shkollë greke, qysh në vitet ’70-’80  të shek XIX,  me mësues të greqishtes: Kovi e Spiro Saqellari, Ikonom Kozma Dhima, Tuni Gjergji, Vasil e Anastas Laska e patriotëtë tjerë, të cilët u mësuan fshehurazi nxënësve të tyre gjuhën shqipe. Mban  Urdhërin “Naim Frashëri”.

Gjergj Koçi e Thoma Papa, janë me të njëjtin status, me arsim të mbaruar në vitet ‘20-’30 dhe që kanë punuar skajeve të Shqipërisë. Thoma Papa ka qënë instrumentisti i parë i arsimuar në një shkolllë profesionale si violinist e që ka kontribut të shquar në qytetin e Lushnjës. Një përjashtim edhe për dëshmorin  Dhimitër Mino: Dhimitër Mino (1920-1944). Ishte ndër dhjetra e dhjetra mësuesit e dalluar për veprimtari në kohë të ndryshme. Mësuesi normalist, poeti Dhimitër Kostë Mino është dëshmor i atdheut. Emrin e te cilit mban sot shkolla e mesme e mesme e fshatit Bubullimë. Pas shkollës fillore në vendlindje, më 1942 mbaroi Normalen e Elbasanit dhe u kthye në Bubullimë. Ishte një djalë i urtë, i drejtë, i dashur, kujdestar klase në normale. Më 9 shtator 1943 u rreshtua në grupin partizan të Myzeqesë. Mori pjesë në veprimtaritë antifashiste në fshat. Në shtator 1942,  caktohet mësues në Korishtë të Prizrenit, Kosovë. La mësimin dhe rroku armën e doli partizan. Ra në “Operacionin e Dimrit”,  në Tomorricë të Skraparit. Ishte shok i ngushtë  i Xhorxhi Robos. Shpallur dëshmor i atdheut me vendim të ish-komitetit ekzekutiv. dt 25.10.1971.

Kishte filluar të shkruante poezi që në shkollën normale. Ja disa vargje:

…Çeli bilbil, çeli ata sytë e larë,

Fol me gjuhë të ëmbël, gjuhë virgjërore,

Se në vendin tim, çeli lulja e parë,

Gonxhet sumbullore.

Mark Gurakuqi na ka lënë këto vargje për Dhimitër Minon:

…Kaluan shumë vite, o shoku im,

Që kur re në prag të jetës së re,

Ti re si mund te bjerë veç një trim,

ti re, që jetën ta gëzojmë ne.

Bubullima ka nxjerrë me qindra  kuadro e specialistë të cilët kanë punuar e punojnë në fronte të ndryshme brenda e jashtë vendit.Është e vështirë të shkruash për cv e secilit prej tyre, sepse nuk do të na mjaftonin faqet e gazetës, por në këtë shkrim do të cekim disa nga vlerat e njerëzve, kulturën e tyre, zhvillimin dhe emancipimin e vajzës myzeqare, virtytet e larta të mikpritjes dhe etjen për t’u arsimuar e cila ka qënë edhe baza e nisjes, që ky fshat të dilte mbi të gjithë fshatrat e Shqipërisë,për numrin më të madh të mësuesve që ka nxjerrë në shkallë republike.(shih listën në fund)

 

PUNUAN NË ÇDO SKAJ TË VENDIT

  1. Arben Bame, drejtori i shkollës së mesme “Dhimitër Mino” të Bubullimës, të cilin e falenderojmë publikisht për ndihmesën, na informon se sot shkolla ka 30 mësues, me mbi 70% të të cilëve janë bubullimas. Shkollë vartëse, “Petro Muzaka”, ka 7 mësues. Mbulohen në total 6 kopshte fëmijësh me personel me arsim përkatës. Shkolla e Bubullimës frekuentohet nga nxënës të fshatrave Bubullimë, Kamçisht, Eskaj, Gjonas dhe Halilaj. Nxënësit e të mesmes vijnë edhe nga fshati Imshtë. Gjithsej  shkolla ka 335 nxënës. Deri më sot shkolla e mesme ka nxjerrë 30 matura. Në mirëkuptim, do të mjaftoheshim  me disa nxënës ekselentë si: Lutfie Hyra, Oriada Hëna, Emanuel Mërkuri, Eliot Prifti, Marinela Mone, Kejsi Bame, Mirela Prifti, Friskida Bardho, Ilda Prifti, Elvira Marku, Anisa Xhunga, Evgjeni Prençe, Kristiana Çuko etj.“.Mësuesit e fshatit Bubullimë kishin shkallë të ndryshme arsimore. Kjo nuk i ka penguar ata që të bëheshin mësues të aftë në profesion dhe me autoritet përpara nxënësve të tyre, prindërve dhe shoqërisë. Grupi i parë i mësuesve i përket periudhës para Luftës së Dytë Botërore. Këta ishin mësuesit që hodhën themelet e shkollës. Mësuesit që kishin mbaruar Normalen e Elbasanit apo shkolla e kurse kualifikimi  të ndryshme, iu përgjigjën thirrjes për t’u bërë mësues dhe për të punuar kudo që do të caktoheshin, në çdo skaj të vendit, ashtu siç ishin edhe mjaft vullnetare që punuan në Veri të vendit si: Liri Bardhi, Drita Qose,Vara Mësonjësi etj

 

NË PËRGJEGJËSINË E DREJTORIT TË SHKOLLËS

Mjaft nga mësuesit që treguan shkallë të lartë kualifikimi, aftësi organizative, virtyte të larta morale, që zotëronin respektin e trupës pedagogjike, që zotëronin artin e mësimdhënies dhe të komunikimit me kolegët, u dalluan dhe morën përgjegjësi drejtuese në institucione të ndryshme si dhe në drejtimin e shkollave. Të tillë ishin mësuesit: Loni Mino 23 -vjet drejtor, Vangjel M. Bardhi, dr. shkolle, dr. muzeu dhe inspektor, Vasil A. Rista, dr. shkolle, inspektor e shef i seksionit të arsimit, Uani B. Mësonjësi, 20- vjet drejtor, Tonçi P. Muzaka 23- vjet drejtor, Rrapi V. Halili, dr. shkolle, kryetar i ish-koop. së bashkuar, Irakli Papa, Kroni Rina, Niko Prifti, Gjergji U. Koçi, Vangjel Aleko Prifti, Llazar Aleko Prifti, Bani M. Mita, Halit Z. Alushi, Andrea Gj. Mone, Sotir Bardho, Llazar Bardho, Llambi Qose, etj. Bubullima ka nxjerrë poetë e artistë si: Dhimitër Mino, Loni Papa,Irakli Papa e artisti Kristaq Papa etj.Vajza e Bubullimës, Prof. Sila Mësonjësi, ka studiuar në ish-Bashkimin Sovjetik dhe ka qenë pedagoge. Djali i Bubullimës, Sotiraq Xhunga, ka qenë pedagog në Universitetin Bujqësor Tiranë. Po kështu, Vangjel Mita ka qenë ambasador në disa vende. Disa faktorë që ndikuan në zhvillimit inteligjencës në fshat ishin:

Pazari që organizohej në fshat me tregtarë nga shumë anë, sillte edhe kulturë e qytetërim;

rruga nacionale që lidhte fshatin me qytetet; statusi i komunës së Bubullimës si qendër administrative në zonë;  kisha e fshatit; ekzistenca e ujit të ftohtë e të pijshëm nga pusi i stanit;  pse jo, dhe kultura e zakonet që sollën ardhja e vllehëve.

Nesër do të lexoni:

  • Mjaft nga mësuesit e Bubullimës janë vlerësuar me stimuj moralë
  • -Bubullima kishte mësues “rrebelë ekspresivë, përparimtarë dhe kërkues i lindur për transparencë
  • Nëse Bubullima u bë një fshat me kaq emër, u bë se kishte prodhuar një armatë mësuesish që dinin të punonin dhe rrezatonin kulturën