Fitim Çaushi: Ansambli Shtetëror Shqiptar në Maqedoninë e Veriut  “pronë” e partive!

147
Sigal

Me shumë punë, u bë strukturimi i Ansamblit dhe organizimi i veprimtarive artistike brenda Maqedonisë së Veriut dhe jashtë saj. Në drejtim të këtij Ansambli serioz, u vendos këngëtari me potenciale artistike madhore, me një repertor të pasur muzikor në veprimtarinë e tij koncertale, veçanërisht në fushën e epikës, zëri i të cilit e përmban fuqishëm shpirtin heroik dhe qëndresën shekullore të këtij populli, duke evokuar atë histori, sa të vështirë aq edhe të lavdishme

Është konsideruar një arritje e madhe në fushën e kulturës kombëtare dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, krijimi i Ansamblit Profesionist Shtetëror Shqiptar. Me shumë punë, u bë strukturimi i Ansamblit dhe organizimi i veprimtarive artistike brenda Maqerdosnisë dhe jashtë saj. Në drejtim të këtij Ansambli serioz, u vendos këngëtari me potenciale artistike madhore, me një repertor të pasur muzikor në veprimtarinë e tij koncertale, veçanërisht në fushën e epikës, zëri i të cilit e përmban fuqishëm shpirtin heroik dhe qëndresën shekullore të këtij populli, duke evokuar atë histori, sa të vështirë aq edhe të lavdishme. Një këngë e Shkodran Toles, barazohet me dhjetra leksione për historinë dhe qëndresën e popullit shqiptar.
Por me zgjedhjet e reja, projektohet heqja e Shkodran Toles nga drejtimi i Ansamblit, sepse e ka “vënë partia e parë”! Këtu ka një keqtrajtim të problemit. Partia e parë nuk vuri drejtor një militant politik të partisë, vendosi drejtor një artist të popullit, një profesionist që i ndez zjarr zemrat e spektatorëve. Si mund ta zëvëndësojë këtë artist, Partia, me një administrator të rëndomtë, pa kontribute krijuese ose propaganduese në fushën e artit dhe estetikës? A nuk është interesi i partive shërbimi ndaj popullit dhe kulturës kombëtare? Ç’të keqe ka, se një ministër, duke qenë artist kalibri do të këndonte në mbrëmje para popullit në sallën e koncerteve dhe në mëngjes të vazhdonte punën në zyrën e tij në Ministri? Ç’të keqe po të kishte një ministër me të dhëna të mëdha aktoreske, që të interpretonte rolin e protagonistit në një dramë a tragjedi dhe në mëngjez të ndodhet në zyrën e tij të punës administrative dhe organizative? Çfarë autoriteti bie dhe çfarë tradite prishet, kur një administrator e vë talentin e tij në dispozicion të popullit, krahas punës administrative?! Kush mund ta drejtojë më mirë punën artistike, një artist i afirmuar në popull, apo një llafollog zyrash e kafenesh?
Veprime të tilla janë shërbime në ndihmë të militantëve dhe jo ndjenjë përgjegjësie dhe qytetarie në ngritjen e mëtejshme të nivelit të kulturës sonë kombëtare. Po kalojmë çerekun e shek të XXI dhe i trajtojmë shqiptarët sipas interesave që sjell vota e tyre në interes të admistratës partiake dhe jo sipas vlerave intelektuale dhe sasisë së forcave krijuese që reshton artisti në thesarin e kulturës kombëtare.