Naim Frashëri, Rilindas i përjetshëm, autori i poemës epike “Istori e Skënderbeut”

1704
Sigal

Ai u bë themeluesi i një letërsie të re me përmbajtje atdhetare e njerëzore

175-vjetori i lindjes

Naim Frashëri është figura qendrore e letërsisë së Rilindjes dhe një nga përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes kombëtare, njeriu që u pagëzua për së gjalli si “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbili i gjuhës shqipe”. Lindi në Frashër të Dangëllisë, ku mori mësimet e para nga hoxha i fshatit. Me shpërnguljen e familjes në Janinë, pranë vëllait të madh Abdylit, që shërbente si nëpunës atje, Naimi hyri në gjimnazin Zosimea të qytetit, ku mori një kulturë të gjerë për kohën. Përveç njohjes me kulturat klasike, përveç se përsosi njohuritë në persisht dhe mësoi edhe gjuhë të tjera, si greqishten, frëngjishten etj. Naimi atje ra në kontakt me idetë e iluminizmit frëng, që i hapi udhën Revolucionit të vitit 1789: lexoi Rusonë e Volterin, për të cilët ruajti një admirim të veçantë gjatë gjithë jetës, ashtu si e ruajti edhe për shkrimtarët e mëdhenj të shkollës së romantizmit francez, Hygonë, Lamartinin e të tjerë. Naimi u ndodh kështu në kryqëzimin e dy kulturave, të kulturës lindore e të kulturës perëndimore, të cilat lanë gjurmë në formimin dhe në veprën e tij, pa mundur të shtypin natyrën e saj vendase.
Pasi kreu më 1870 gjimnazin, Naimi shkoi në Stamboll për të gjetur punë, por klima nuk i shkoi shëndetit të tij të dobët dhe u kthye në Shqipëri, ku punoi për dhjetë vjet si nëpunës dogane në Janinë, në Sarandë e në Berat. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll pranë vëllait, Samiut, ku edhe mbylli sytë më 20 tetor 1900. Atje ai u bë shpirti i Shoqërisë së Stambollit që e kryesonte Samiu.
Por në vitet e Lidhjes së Prizrenit Naimi u ndodh në Shqipëri dhe mori pjesë aktive në ngjarjet e saj, sidomos në organizimin e mbledhjeve që u bënë në Frashër e në Janinë për mbështetjen e përkrahjen e Lidhjes. Më 1880 shkroi të parën vepër shqip me përmbajtje atdhetare, poemthin “Shqipëria”, e cila u prit me entuziazëm në rrethet patriotike. Në këtë poemë ai shpalli poetikisht të gjitha idetë që do të formonin më tej trungun e veprës së tij atdhetare dhe të gjithë poezisë atdhetare të Rilindjes.

 


Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti një rol të dorës së parë për zgjimin e vetëdijes atdhetare te bashkëkombësit. Ai u bë themeluesi i një letërsie të re me përmbajtje atdhetare e njerëzore, me forcë artistike dhe me vlera të shquara stili, duke zgjeruar jo vetëm tematikën dhe problematikën e saj, por duke i kthyer fjalës shqipe forcën e saj estetike, duke i dhënë shqipes fytyrën e një gjuhe të lëvruar të kulturës moderne të shqiptarëve. Me poemat e vjershat e tij lirike Naimi i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve. Por ai zbuloi edhe të fshehtat e shpirtit njerëzor duke medituar për jetën dhe vdekjen, bukurinë dhe dashurinë, qenien dhe mosqenien, perëndinë dhe gjithësinë, në frymën e panteizmit poetik e filozofik që karakterizon mendimin e tij. Një himn të pashoq i thur Naimi dashurisë për atdhe e mallit për të, bukurive të natyrës shqiptare e krenarisë kombëtare në poemën “Bagëti e Bujqësija”. Me këtë vepër Naimi krijoi poezinë e madhe të atdheut dhe me një gjuhë magjepse poetike shprehu ndjenja e emocione që s’kishte mundur t’i krijonte para tij poezia shqipe. Ai shpalli mbi të gjitha ndjenjën e krenarisë kombëtare, përmes vargjeve: “Ti Shqipëri më ep nderë, / Më ep emërin shqipëtar; / Zemërnë ti ma gatove / Plot me dëshirë dhe me zjarr”.
Naimi pohoi me gjuhën e artit qenien e atdheut e të atdhetarizmit shqiptar, duke krijuar imazhin poetik të mëmëdheut që u mungonte shqiptarëve, që e kishin dhe nuk e shikonin ose nuk e ndienin se e kishin ashtu të bukur e madhështor, ashtu si e përshkruan poeti, të ringjallur së vdekuri me një dashuri të përgjëruar prej fjalës poetike. Ky imazh i ftonte shqiptarët të ktheheshin në atdhe. Metafora e madhe e kthimit, e pranishme jo vetëm në këtë poemë të Naimit, por në gjithë letërsinë romantike të Rilindjes, nuk është e njëjtë me ëndrrën romantike për t’u kthyer në viset ekzotike, ose në gjirin e jetës së lirë e të papërlyer nga sëmundjet e qytetërimit modern; nuk është thjesht një arratisje romantike larg rrëmujës e rrëmetit të jetës urbane, por një mall për atdheun e humbur dhe një thirrje qytetare për t’iu kthyer vlerave të vendlindjes, për t’i ringjallur ato e bashkë me to për të ringjallur kombin. Ky ishte misioni i poezisë së Naimit, i cili u njëjtësua në vetëdijen e kombit me qiririn që digjet për njeriun dhe për lirinë.

 


Historia, sidomos epoka e Skënderbeut, përbënte për rilindësit një trashëgim të çmuar dhe një dëshmi të identitetit e të së drejtës së shqiptarëve për të jetuar të lirë në atdheun e tyre. Me vetëdijen e ndikimit të madh të së kaluarës për formimin e ndërgjegjes kombëtare dhe për zgjimin e ndjenjave liridashëse, Naim Frashëri krijoi poemën epike “Istori e Skënderbeut”.

Rilindja dhe liria e kombit në mendimin e Naimit

Naim Frashëri ishte njeri i Rilindjes dhe Rilindja Shqiptare bashkonte në vetvete idealet politike qytetare të rilindjes së kombit dhe idealet humane të rilindjes së njeriut. Rilindja e kombit dhe liria e kombit në mendimin e Naimit është e lidhur me rilindjen e njeriut e me lirinë e njeriut, me zgjimin e pasurimin e tij mendor e shpirtëror, me përsosjen e tij morale. Në këtë vështrim përjetimet lirike të Naimit të shprehura në vjershat e “Luleve të verës” synojnë të afirmojnë një botë të re ndjenjash njerëzore, aspiratën e poetit për emancipimin e njeriut dhe për pohimin e individualitetit e të personalitetit të tij. Këto motive i sollën një risi e një pasuri artistike të panjohur më parë poezisë shqipe; me to Naim Frashëri themeloi stilin e mirëfilltë lirik në letrat shqipe dhe ngriti fjalën shqipe në rrafshin e poezisë e të artit të vërtetë. Vepra e Naim Frashërit sintetizoi prirjet më të mbara të zhvillimit historik e kulturor kombëtar të shqiptarëve dhe bëri epokë duke e nxjerrë në një udhë të re letërsinë e tyre. Duke vënë në bazë te gjuhës së poezisë gjuhën popullore, Naim Frashëri e emancipoi shprehjen poetike nga konvencionalizmi dhe i çliroi fjalët nga inercia e një tradite të ngurtësuar prej gjuhës së konsakruar të librave të dogmës, ose prej trysnisë së modeleve të huaja poetike. Me veprën e Naimit letërsia shqiptare mohoi në thelb traditën e zhvillimit të saj të varur nga ndikimi i letërsive dhe i kulturave të tjera; ajo nisi të zhvillohej në mënyrë të pavarur si letërsi e kombit shqiptar, me tiparet e veta. Naimi e afroi kështu letërsinë me proceset e zhvillimit shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve dhe e bëri shprehëse të njëmendtë të ndërgjegjes së tyre morale e estetike.

Mendimtar dhe iluminist

Naim Frashëri, si mendimtar dhe iluminist, në rend të parë të dëshirave të veta e ka vënë atdheun, kurse gjërat tjera materiale e persona i ka vënë në rend të dytë. Arkitektura artistike dhe kreative e veprimtarisë së tij, është e lidhur dhe ndërtuar me shumë segmente dhe kahe të gjithanshme motivuese, por ky motivim sensibilizues nga aspekti kreativ  është shumë i përgjithësuar për lexuesin, sepse brenda tij përfshinë plastificitet të kapshëm shpirtëror romantik, e që në esencë të kapjes figurative bëhet tërheqëse për të gjithë të tjerët, që me kujdes e perceptojnë vazhdimisht krijimtarinë e këtij poeti nga kënde të ndryshme të dizajnimit të saj  gjuhësor, vizual dhe atraktiv. Edhe pse ‘’lulet’’ i takojnë simbolit të vjetër të letërsisë botërore, por këto’’ lule e lisa të gjatë’’ te vargjet e Naimit ngërthejnë në vete një ndjenjë sovrane, të lirshme, autokoktone, ashtu siç donë ai ta pispillos e fasadoj artistikisht atdheun e vet të dashur. Edhe pse poeti ka shërbyer nëpër shumë administrata të sistemit politik të kohës, ku edhe ka pasur shumë mundësinë reale për të shfrytëzuar e të ngritur për vete ndërtesa e gjëra materiale të leverdishme dhe të përkohshme, gjoja përfitime të mundshme pasurie të merituara, që dhëmbi i kohës gjatë viteve mund edhe t’i rrëzonte shumë lehtë, megjithatë mundësi që kishte, ai me vetëdije përzgjodhi dhe ndërtoi kullën poetike e ideologjike të tij të lartë, që nuk mund ta shemb asnjë tërmet i kohës nëpër shekuj. Poeti ndërtoi piramidën e ‘’gjuhës së Mëmëdheut’’, e cila për poetin ishte një ‘’Zonjë që mund të të ndritojë’’ nëpër shekuj. Por edukata e tarikatit bektashian nuk ia lejonte poetit këtë luks material të përkohshëm të pasurimit, se brendia asaj bindje të madhe spirituale që e kishte kultivuar dhe edukuar drejtë që nga fëmijëria, shpirti naimjan, qëndronte fortë në kujtesën e tij, si vetëdije edhe më e lartë njerëzore e atdhedashurisë së palëkundshme. Bektashianët përnderojnë mistikët ‘’sufi’’ që janë më të afër shpirtit të tyre, për ata vlerë është ndërgjegjja dhe shpirti i çiltër dhe jo pasuria materiale. Prandaj jo rastësisht në kulturën e shqiptarëve vepra e Naim Frashërit  “Fletore e Bekteshinjet” merrej si baza konfesionale e kombit shqiptar. Tërë veprimtaria e poetit ka një taban të theksuar kombëtarë që nxitë dhe aludon tërësisht në individualitetin e përsosur njerëzor, pasi ajo veti njerëzore e ndërtuar në këtë mënyrë të vendosur, shpalon kulturën e intelektualit të ngritur me dije e mençuri, që spontanisht e lidh njeriun me tokën dhe të mirat e saj. Në këtë vorbull ‘’ëndërrimtar’’ e mistik të tij, sensibilizohet shpresa për të ardhmen e vendit dhe atdheu bëhet më afër vetes.

 

Fjala e përzgjedhur poetike

Te poezia e Naimit fjala e përzgjedhur poetike zhytet thellë në brendinë e poetit dhe pastaj shpërthen vrullshëm, me rrezatim, si ndonjë meteor i ngulitur në tokë, duke ndriçuar vendin dhe kohën me një lirizëm të ndjeshëm, kryesisht për t’i plotësuar dëshirat dhe nevojat e lexuesit. Kjo mjeshtëri ndikuese e identifikon poetin si të veçantë,  dhe ne, tani, si pasardhës të tij, pa veprimtarinë e Naimit nuk do të ishim të plotë në kujtesë, sidomos nuk do të kishim mundësi sublimonin dashurinë për atdheun ashtu siç duhet dhe siç e kërkon nevoja e kohës. Ai na orientoi dhe frymëzoi shumë qartë artistikisht se kah të ngjitemi nëpër rrjedhat e historisë, me fjalë të tjera, Naimi e ktheu mesazhin e tij filozofik në traditë dhe trajtë kombëtare si duam edhe ne.  Një perceptim kozmik dhe artistik të kapshëm për Naimin Frashërin shfaqën edhe shumë poetë pasardhës të kombit, sidomos janë të fuqishme vargjet poetike të Anton Zako Çajupi dhe Lasgush Poradecit, Dritëroit etj. Ata duke e ngritur shumë lartë talentin dhe dashurinë imanente të tij, e cila, pa dyshim, si e tillë ishte tërësisht patriotike dhe e pa zëvendësueshme. Ai ka qenë poet shumë dimensional dhe me përgjegjësi personale të angazhuar në ngjarjet kohës. Ky disponim real shihet qartë dhe vrullshëm te poezitë  ‘Gjuha  shqipe’, “Korçës”, 1887,  “Bagëti e bujqësi” . Pastaj poeti nga kjo vetëdije me një frymëzim magjik e kozmik i këndoi natyrës e dashurisë te poema  ‘’Bukuria’’ (1980), kurse te poema ‘’Historia e Skënderbeut’’  na fton në një marsh kolektiv e patriotik, të përgjithshëm, për të treguar të bëmat dhe shkathtësitë e mëdha të heroit tonë kombëtar. Këtë poemë të fuqishme poeti e artikuloi rrjedhshëm dhe bukur sipas qasjes historike të Marin Barletit, por menjë gjuhë të përzgjedhur dhe me afinitet ritmik të rrallë, që mban vlera të rralla artistike. Prandaj mund të themi me bindje e fakte se Naim Frashëri është krijuesi romantik më i plotë i Rilindjes kombëtare. Themi kështu pasi veprimtaria krijuese dhe atdhetare e tij është e ngjizur artistikisht dhe përfshihet realisht nëpër të gjitha lëmitë e jetës. Ajo krijimtari bëhet udhërrëfyese e të gjitha gjeneratave për t’i njohur madhështitë e vendit dhe popullit të vet. Nuk ka shkrim dhe varg të poetit, që do të paraqes atdheun të shëmtuar dhe të pa durueshëm, te ai hiperbolizohet gjithënjë dashuria për atdheun dhe gjuhën e këtij populli. Ky romantik i spikatur nuk është si romantikët tjerë evropianë, që donin të largoheshin nga vendet e tyre, për të kërkuar qetësinë e shpirtit, Naimi përkundrazi, duke u dalluar nga ata poetë të njohur, vendosmërisht nuk i adhuronte dëshirat aventureske të romantikëve evropianë e botërorë, ngase ai kërkonte e dëshironte gjithnjë që harmonia dhe qetësia shpirtërore të kërkohet në vendin e lindjes. Poeti si ndonjë alkimist i sprovuar e kthen vetëdijen e tij kah bukuritë e paprekura të natyrës dhe vendit të lindjes, i cili vend i ka të gjitha të mirat për të qenë i mrekullueshëm dhe i dashur. Naim Frashëri kërkon me këmbëngulësi nga populli i vet që ta ndërtoj e ndriçoj këtë vend që i ka të gjitha mundësitë për të qenë i kërkuar dhe i preferuar për qetësinë e shpirtit. Kështu, për këtë vend, në një aventurë të çuditshme do të veproj edhe Bajroni, duke ikur nga vendi i vet për të përjetuar madhështitë dhe njerëzit e kësaj toke të veçantë në Ballkan.

Vetëm kultura erudite e Naim Frashërit ka mundur t’i kapë këto veçori madhështore të atdheut tij, kryesisht duke e portretizuar dhe personifikuar atë madhështi tokësore artistikisht dhe duke lartësuar atë në mënyrën sa më të kapshme për njerëzit, në rend të parë me qëllim sublim prej atdhetari, e pastaj, si përgjegjësi artistike prej poeti e shkrimtari, duke lënë gjurmë të pashlyer në vetëdijen e një kombi.