Ramiz Alia njeriu që jetoi në tre epoka të rëndësishme të historisë sonë

383
Sigal

Si udhëheqës komunist mban krahasimin Jago, për liberalizëm krahasohet si Gorbaçov

 

President i Parë pluralist i vendit

Udhëheqësi i fundit komunist, Ramiz Alia është një nga personazhet më kompleks të historisë së Shqipërisë. Njeriu që jetoi në tre epoka të rëndësishme të historisë sonë do të jetë për një kohë të gjatë objekt i studimeve të historianëve të këtyre 70 viteve të fundit. Pra jeta e tij mbetet jeta më interesante e një ish udhëhqesi komunist. Ramiz Alia mbetet ende një enigmë për mënyrën e të folurit, zërin karakteristik, gjakftohtësinë në momente të vështira, dhe mënyra se si zëvëndësoi Enver Hoxhën…..Alia lindi në kohën e Ahmet Zogut, u bë protagonist gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte një udhëheqës në hije gjatë viteve të para të komunizmit, arriti të bëhej krahu i djathtë i Enver Hoxhës. Më pas mori drejtimin e shtetit pas vdekjes së Hoxhës, dhe me ndryshimin e sistemit iu desh të jetonte disa kohë në burg e më pas derisa vdiq u tërhoq tërësisht nga jeta publike. Ishte cilësuar si një kuadër me të ardhme, ishte cilësuar si një ministër i qëndrueshëm, si  një byroist konsekuent, është cilësuar si pasuesi më i denjë i Enver Hoxhës, por edhe është akuzuar për prapaskena me krahasimin Jago, liberalizëm me krahasimin Gorbaçov, e deri tek shkaktar i kaosit të vitit 1990-1991, ai pothuajse është nga të vetmit personazhe që i ka provuar të gjitha.

Një jetë e tërë e mbushur me ecejake, ulje-ngritje, që, nëse vihen në kandar çdokush mund të dallojë vetë se kush ishte Ramiz Alia. Ramiz Alia lindi më 18 tetor 1925 në Shkodër dhe vdiq më 7 tetor 2011 në Tiranë pasi vuante nga një komplikacion në mushkëri, (trenboembolia pulmonare). Ramiz Alia u varros në varrezat e Sharrës pranë gruas së tij, Semiramiz Alia. Kjo ishte dhe dëshira e Alisë. Ramiz Alia ishte ndër të rrallët politikanë që jetoi tre epoka në Shqipëri. Atë të Luftës Antifashiste si partizan, të Sistemit komunist si kuadër i Partisë e deri në udhëheqës i gjithë sistemit, si dhe atë të demokracisë, si President i parë pluralist i vendit. Detyrat më të rëndësishme të Ramiz Alisë kanë qenë, ajo e sekretar të Parë të KQBRPSH (1949-1955), ministër i Arsimit dhe Kulturës (1955-1958), anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i KQ PPSH-së për ideologjinë (1961-1985), deputet, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982-1990), sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991) dhe kryetar i Këshillit Presidencial (1991).

Diplomimi dhe rruga e karrierës

Ai u diplomua në shkollën e Partisë në Moskë (1954). Alia është një nga figurat më të rëndësishme të Partisë së Punës së Shqipërisë, i cili udhëhoqi Shqipërinë mes viteve 1984–1990. Gjatë kësaj periudhe Ramiz Alia ka kryer detyra të larta në drejtim të PPSH-së, rrjedhimisht edhe të shtetit shqiptar. Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake në Shqipëri të zhvilluara më 31 mars 1991, parlamenti i ri pluralist i dominuar nga deputetët e PPSH-së, më 30 prill 1991 me propozim të PPSH e zgjodhi Ramiz Alinë, President të Republikës. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 22 marsit 1992 ku fitoi koalicioni i opozitës i udhëhequr nga Partia Demokratike, më 3 prill 1992 Alia dha dorëheqje nga posti i Presidentit. Ramiz Alia ishte Presidenti që firmosi ligjin që lejonte krijimin e partive dhe shoqatave politike. Ky akt i firmosur më 12 dhjetor 1990 formalisht i dha fund sistemit monopartiak dhe krijonte mundësinë e pluralizmit të partive dhe shoqatave të tjera në vend.  Që nga rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, në shkurt të 20 shkurtit 1991, shënoi dhe prishjen e marrëdhënieve mes Ramiz Alisë dhe bashkëshortes së diktatorit, Nexhmije Hoxha. Dy njerëzit që mbajtën për gjashtë vite sistemin nuk folën më kurrë me njëri-tjetrin.  Për 40 vite me radhë do të ishte në krah të Enver Hoxhës. Të tjerë para tij e provuan të ishin në krah të diktatorit dhe nuk arritën të mbyllnin jetën me lavdi. Ndërsa Alia jo vetëm ishte më i besuari dhe i mbijetoi intrigave të kupolës, por për gjashtë vite ishte dhe pasuesi i Hoxhës. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, më 11 prill 1985, Ramiz Alia u betua se do e mbante sistemin komunist përjetë. Në fakt ai e udhëhoqi vetëm për pesë vite 11 muaj e 22 ditë, deri në dorëheqjen e tij, më 3 prill të vitit 1991. Për nëntë vite, nga 1982 deri më 1991 ka mbajtur funksionin e Kryetarit të shtetit në regjimin komunist. Në këto vite posti i presidentit funksiononte si organ kolegjial dhe quhej Presidium i Kuvendit Popullor. Alia e mori këtë post pas Haxhi Lleshit.  Ramiz Alia është President i parë i dalë nga një parlament shumë partiak. U zgjodh në 30 nëntor të vitit 1991 dhe e mbajti këtë detyrë për 11 muaj e 21 ditë, deri në zgjedhjen e pasuesit të tij, Sali Berisha, më 9 prill 1992.  Është i pari zyrtar i lartë i komunizmit që pranoi të largohej nga pushteti me zgjedhje demokratike. Edhe sot zgjedhjet e vitit 1992, mbahen më pak problematiket me gjithë tensionin që shoqëruan një eveniment të tillë. Alia dha dorëheqjen më 3 prill të vitit 1992.  Ka meritën se ndërrimi i sistemeve nuk u polarizua në një shkallë të tillë që mund ta kthente atë në një luftë civile. Edhe pse në këndvështrime të ndryshme, akti i lejimi të pluralizmit me një vendim byroje tregonte një emancipim për gjithë vendet e Evropës Lindore.  Ramiz Alia u akuzua për korrupsion dhe për dhunim të të drejtave njerëzore në vitin 1993. Bashkë me të u arrestuan Nexhmije Hoxha, Zylyftar Ramizi, Hajredin Shyti, Shefqet Peçi, Aranit Çela, Hekuran Isai.  Gjyqi për ish-funksionarët e lartë të Partisë së Punës e dënoi me 9 vite burg, për dhunim të të drejtave njerëzore. Në vitin 1997 çështja e tij u pushua dhe Ramiz Alia fitoi sërish lirinë.  Më 12 shtator të vitit 1992, ndaj Ramiz Alisë merret masa e arrestit në shtëpi. Akuza ishte shpërdorim detyre. Së bashku me të u arrestua dhe ish-kryeministri Adil Çarçani; avokati i tij ishte Kleanthi Koçi; ndërsa prokurori i çështjes, Arben Qeleshi; hetues, Maringlen Rrapi.  Më 19 gusht arrestohet në shtëpinë e tij me urdhër të prokurorisë. Tre policë e shoqërojnë për në burgun 313 në Tiranë. Protesta e tij në ato momente ishte, “se një kryetar shteti nuk mund të arrestohej nga tre policë të thjeshtë, pa avokat dhe pa prokuror”.  Alia u dënua me nëntë vite burg, në 21 maj 1994, në ditën e Kurban Bajramit. Një koincidencë që vetë Alia e vë re te kujtimet e tij, 10 anëtarë të Byrosë u dënuan gjatë Krishtlindjeve të vitit 1993. Ndërsa Fatos Nano në ditën e Pashkëve. Ramiz Alia ishte ndër të paktët anëtarë të Byrosë Komuniste që fjalimet i shkruante vet në letra të vogla formati, pa ndihmën e këshilltarëve. Ishte ndër të rrallët drejtues shteti në Byronë Komuniste që kishte kapacitete intelektuale të admirueshme. Ramiz Alia është i pari kryetar shteti që pas 45 vitesh vizitoi Amerikën. Më 1989 bëri vizitën historike në Asamblenë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Më shumë domethënës sesa fjalimi që mbajti atje, ishte fakti që një komunist vizitonte qendrën e kapitalizmit. Kur Ramiz Alia fliste në 28 shtator të vitit 1990, në Asamblenë e OKB-së përpara ndërtesës ishin grumbulluar me qindra shqiptarë të Amerikës që protestonin kundër Alisë, si pasuesi i diktatorit Enver Hoxha. Ndërsa në lokalin e amerikano-shqiptarit, Anthoni Athanas, mbështetësit e Alisë dhe kundërshtuesit e tij u përleshën.

Enigma

Natyrisht kur ishin në jetë emrat e Beqir Ballukut, Hysni Kapos, Kadri Hazbiut apo Mehmet Shehut, nuk mund të mendohej apo të merrej me mend në opinionin publik dhe jo vetëm se trashëgimtar i pushtetit të Enver Hoxhës mund të ishte Ramiz Alia. Ndërkohë që dënimi i Kadri Hazbiut mbetet misterioz. Ka shumë hipoteza lidhur me dënimin e tij. Ato që më shumë duket se kanë zënë vend, janë hipotezat e frikës së Hoxhës për marrjen e pushtetit nga një njeri. i cili dilte nga sfera e influencës së tij. Mendohet se Hoxha si pasardhës të tij kishte parashikuar Hysni Kapon. Por vdekja e tij në vitin 1979 prish planet dhe në skenë del ideja e Ramiz Alisë. Për të trashëguar pushtetin tek Ramiz Alia, sigurisht duhej të largoheshin njerëzit më të fortë siç ishin Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu. Po ashtu misterioze ngelet dhe vdekja e Hysni Kapos në Francë. Shumë herë është thënë se për shëndetin e tij është kujdesur Ramiz Alia, i cili mendohej se do të ishte pasues i Hoxhës vetë në rast se nuk do të jetonte Hysni Kapo. Vrasja e Mehmet Shehut nuk lidhet direkt me ndonjë akuzë për Ramiz Alinë, por fakti që Shehu ishte njeriu më i fortë pas Hoxhës lind dyshime të forta se dijenia e Alisë ka qenë e madhe për atë çka po ndodhte në Bllok në atë kohë. Alia në gjithë deklaratat e tij, por dhe në librin me kujtime e deklaron si një vetëvrasje atë të Shehut dhe në një farë mënyre e denigron si veprim.