Feride Istogu, Gillesberg: Kujtimet e diplomatit Hajdar Muneka: Kina dhe Shqipëria në dekadat e fundit, vështruar nga perspektiva e sotme e nismës “Brezi dhe Rruga”

549
Sigal

KINA DHE SHQIPËRIA NË KUJTIMET E NJË DIPLOMATI SHQIPTAR

Kina dhe Shqipëria në dekadat e fundit, vështruar nga perspektiva e sotme e nismës “Brezi dhe Rruga”

Një intervistë e znj.Feride Istogu Gillesberg me Ambasadorin Hajdar Muneka, e cila paraprihet nga prezantimi i Ambasadorit dhe librit të tij të fundit “Dritëhijet e një miqësie që çuditi botën”. Zonja Feride është nënkryetare e Institutit “Schiller” në Danimarkë. Intervista është botuar në revistën “EIR”*.

Hajdar Muneka, është një diplomat shqiptar i karrierës, publicist dhe studiues i çështjeve të Kinës. Më parë ka punuar gazetar në Radio Televizionin shqiptar (1979-1991).

Libri i tij “Dritëhijet e një miqësie që çuditi botën”, i botuar në fund të vitit të kaluar në Tiranë, i kushtohet i gjithi marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën, që nga fillimi i tyre, deri në vitin 2000. Në të autori tregon për fillimet e marrëdhënieve shqiptaro – kineze; si lindi Revolucioni Kulturor kinez; tensionet midis Kinës dhe Bashkimit Sovjetik, që çuan në ndarjen midis dy vendeve më të fuqishme të kampit të atëhershëm socialist; si Kina dhe Shqipëria ishin aleatë të vetëm të njëri-tjetrit për një periudhë relativisht të gjatë kohe.

Botimi i këtij libri ka ardhur në kohën e duhur. Ai u promovua në vigjilje të 70- vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës – një marrëdhënie që ka reflektuar një lidhje të veçantë, një lidhje që duhet të rikrijohet me përkushtim të plotë, veçanërisht nga pala shqiptare.

Marrëdhëniet e veçanta midis Kinës dhe Shqipërisë kanë filluar në vitin 1956. Ato u bënë më të ngushta kur Bashkimi Sovjetik ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, në vitin 1961. Në atë kohë aleati i vetëm i Shqipërisë ishte Kina, dhe, për një periudhë, edhe Shqipëria ka qenë aleati i vetëm i Kinës në Evropë. Paradoks është se, pavarësisht nga të gjitha problematikat e shkaktuara nga Revolucioni Kulturor, Kina e ka ndihmuar Shqipërinë për të zhvilluar ekonominë e saj.

Nga ana e saj, Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm në kthimin e Republikës Popullore të Kinës si një anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, gjë që u bë e mundur në tetor të vitit 1971. Kina është treguar shumë mirënjohëse ndaj Shqipërisë për këtë përpjekje. Autori shkruan se, për shkak të kësaj, Shqipëria fitoi diçka që nuk mund ta blinte me para – dashurinë dhe respektin e popullit kinez. Kultura, muzika dhe filmi shqiptar u promovuan në të gjithë Kinën. Shqipëria ishte, dhe madje është akoma, në një farë mënyre, shumë më e madhe në ndërgjegjen e popullit kinez, se sa madhësia e saj reale gjeografike e vendit.

Ftohja e marrëdhënieve të ngushta midis Shqipërisë dhe Kinës erdhi si rezultat afrimit të Kinës me SHBA, sidomos pas realizimit të vizitës së presidentit amerikan Nixon në Pekin. Regjimi shqiptar i Enver Hoxhës e konsideroi këtë si tradhëti ndaj ideologjisë dhe idealeve marksiste – leniniste. Pas kësaj, Hoxha filloi të sulmonte Kinën fare hapur.

  1. Muneka u kthye në kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë nga studimet e tij në Pekin (1973-77) pikërisht në momentet kur kishin filluar tensionet midis dy vendeve. Ai ka jetuar fazën përfundimtare të Revolucionit Kulturor në Kinë dhe personalisht ka parë kapërcimin e Kinës në rrugën drejt reformave të “socializmit me karakteristikat kineze”, të cilat hapën shtegun për fillimin e zhvillimit ekonomik për popullin kinez. Ishte për të ardhur keq për Shqipërinë që qeveria e Hoxhës vazhdonte të qëndronte e mbyllur në ideologjinë e saj. Ndërsa Kina filloi procesin e reformave të hapjes drejt botës, me synimin për të realizuar një zhvillim ekonomik për të gjithë popullin, Shqipëria e izoloi veten edhe më shumë, duke mbetur pa asnjë aleat.

Sot, kur shohim Kinën dhe zhvillimin e saj të vrullshëm ekonomik, mendojmë se është koha që Shqipëria të shohë nga një këndvështrim i ri mundësitë që orfohen nga bashkëpunimi me Kinën.

=====

Feride Istogu Gillesberg

Intervistë: Kina, Shqipëria dhe Brezi e Rruga

EIR*:  -Zoti ambasador, së pari ju urojmë për librin tuaj, të sigurtë se ai do të ketë një pritshmëri të lartë jo vetëm nga lexuesit shqiptarë, por edhe nga të huaj të tjerë, që janë të interesuar të dinë diçka më shumë rreth Kinës, kinezëve, por edhe për marrëdhëniet dikur aq të ngushta midis dy dy vendeve e popujve. Në periudhën 1973 – 1977 ju keni studiuar gjuhën kineze në Pekin dhe u magjepsët nga kultura e lashtë kineze, nga filozofë të tillë si Konfuci dhe nga historia e Kinës. A mund të na shpjegoni se çfarë ju ka emocionuar më shumë?

Hajdar Muneka: -Kina ngjan me një oqean të madh që, sa më larg ikën, aq më i thellë dhe enigmatik bëhet. Unë kam patur fatin të bëhem pjesë e oqeanit kinez, madje qysh në moshë të re. Kam konstatuar se kinezët e duan historinë e tyre, e cila është shumë e pasur dhe paksa e veçantë. Edhe pse ka jetuar më shumë se 2500 vite më parë, Konfuci me filozofinë e tij, është aq i pranishëm në përditshmërinë e jetës kineze, sa të krijohet përshtypja se është akoma gjallë. Kështu ndodh edhe me dijetarë të tjerë të atij kombi. “Arti i Luftës” i Sun Zi ka shërbyer për shekuj si busull orientuese për dhjetëra dinasti kineze dhe vazhdon të aplikohet edhe sot. Veçantinë e kulturës kineze e gjen të mishëruar në art, në sport, në kuzhinë, në mjekësi e kudo. Tani shumë gjëra kanë ndryshuar, por kur unë shkova për herë të parë për studime në Kinë, m’u krijua përshtypja se çdo gjë në atë vend kishte vulën kineze e se ndikimi i kulturës botërore ishte mjaft i vogël.

Hajdar Muneka

EIR: -Në 30-40 vitet e fundit Kina ka nxjerrë rreth 700 milionë njerëz nga varfëria ekstreme dhe synimi i saj kombëtar është që, deri në fund të këtij viti, të zhdukë të gjithë varfërinë ekstreme. Kjo duhet të jetë një nxitje për kombet e varfra, të tilla si Shqipëria, që t’i bashkohen Kinës në nismën e saj “Brezi e Rruga”. A është e mundur që Shqipëria ta bëjë këtë?

Hajdar Muneka: -Kina është ndër vendet e pakta në botë që ka trashëguar një varfëri absolute. Zhdukja e varfërisë ka qenë beteja kryesore e të gjitha qeverive të saj pas shpalljes së RP të Kinës. Qeveria aktuale është më e suksesshmja në këtë drejtim, ndonëse objektivi për ta zhdukur atë brenda këtij viti është shumë i vështirë, por jo krejt i pamundur. Nëse realizohet, do të ishte çudia kineze e radhës. Për sa u përket vendosjes së objektivave dhe realizimit të tyre, çdo krahasim i një vendi tjetër me Kinën (aq më tepër i vendit tim, Shqipërisë) do të ishte i pa goditur. Jo vetëm pse Kina ka kapacitete të jashtëzakonshme financiare e njerëzore, por edhe nga aftësitë e tyre profesionale, nga përkushtimi dhe kërkesa e llogarisë. Kjo në vitet e fundit është edhe më e theksuar për shkak të tolerancës zero ndaj fenomenit të korrupsionit. Pjesëmarrja e shumë vendeve, sidomos atyre relativisht të varfëra, si Shqipëria, në nismen “Brezi dhe Rruga”, është një mundësi e artë për zhvillimin e tyre, por edhe kjo kërkon angazhim serioz, madje edhe kontribut financiar nga ana e vendeve pjesëmarrëse. Si nismëtare e kësaj inisiative, Kina ofron shumë, por secili duhet të investohet seriozisht e me kapacitete të plota për zhvillimin e vendit të tij. Treni kinez ecën me shpejtësi të jashtëzakonshme. I fituar është ai vend që arrin të ndërtojë një stacion të këtij treni në vendin e tij.

 EIR: -Duke parë Shqipërinë sot, dhe modelin ekonomik që është aplikuar në Kinë, a është Shqipëria e gatshme për një marrëdhënie të re të veçantë me Kinën, bazuar në atë model të ri ekonomik?

Hajdar Muneka: -Çdo vend që dëshiron të përparojë ekonomikisht do të donte të kishte marrëdhënie të ngushta me Kinën. Shqipëria, për shkak të marrëdhënieve shumë speciale të dikurshme, ka një avantazh të madh krahasuar me vendet e tjera. Kina e sotme drejtohet nga një brez udhëheqësish që kanë akoma ndjenjë të veçantë për miqësinë e dikurshme midis dy vendeve. Një udhëheqje e zgjuar shqiptare  do të përfitonte nga ky fakt, nisur edhe nga logjika se kinezët e kanë në natyrën e tyre respektin e konsideratën për miqtë. Ata shquhen për kujtesën e gjatë. Fatkeqësisht ky fakt, nuk është shfrytëzuar sa e si duhet nga ata që drejtojnë Shqipërinë. Nuk është fjala vetëm për udhëheqësit aktualë shqiptarë, por për të gjithë ata të 30 viteve të fundit.

Shqipëria luftoi për Kinën në KB

 

EIR: -Ju ishit ambasador në Kinë gjatë luftës tragjike të Kosovës. Kjo ishte një kohë kur keni punuar shumë për të rindërtuar marrëdhëniet shqiptaro-kineze. Në atë periudhë, krejt jashtë çdo parashikimi, Maqedonia  vendosi marrëdhënie diplomatike me Tajvanin dhe NATO bombardoi ambasadën kineze në Beograd. Ju e përshkruani këtë periudhë tensioni në librin tuaj, kur Pekini ishte nën presion. Duket qartë se Kina nuk niset nga termat gjeopolitikë, por përkundrazi, është më e përqendruar në mënyrën e zgjidhjes së problemeve. Dëshironi të thoni diçka në lidhje me këtë aspekt?

Hajdar Muneka: -Ajo ka qenë një nga periudhat më të vështira në karrierën time diplomatike, por edhe më mbresëlënëse, gjithashtu. Edhe pse unë isha ambasador i Shqipërisë dhe jo i Kosovës, me këtë të fundit kishim një flamur, ishim një komb. Edhe në shtypin kinez nuk flitej për kosovarë, por për shqiptarë të Kosovës. Më është dashur të punoj fort me autoritetet kineze për të shpjeguar se shqiptarët nuk ishin terroristë, por viktima të terrorizmit serb. Jam shumë i kënaqur se, edhe falë kontributit  tim, qeveria kineze nuk u bë asnjëherë pengesë për avancimin e procesit të Kosovës. Natyrisht që bombardimi i ndërtesës së ambasadës kineze në Beograd ishte një akt i dënueshëm, dhe për këtë më vonë, ka kërkuar falje edhe administrata amerikane.

Dua të theksoj këtu se, edhe pse Kina nuk e ka njohur akoma pavarësinë e Kosovës, çfarë lidhet me çështje të brendshme të saj, ajo ka hapur një përfaqësi në Prishtinë dhe mes dy vendeve ka shkëmbime të konsiderueshme tregtare. Jam i sigurtë se ajo pengesë do të hiqet sapo Beogradi ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Ju e përmendet gabimin e pajustifikuar që bëri Maqedonia në fund të viteve ‘90 lidhur me njohjen e Taiwanit. Ishte një aventurë nga ana e disa personave në udhëheqjen e atij vendi, e nisur nga interesa thjesht, personale. Në atë kohë u fol shumë se edhe Shqipëria do të bënte të njëjtën gjë. Unë i kam siguruar disa herë zyrtarët kinezë se, vendi im nuk do ta bënte kurrë një gabim aq të trashë. Pavarësisht nga ndryshimi i sistemeve në Shqipëri në dekadat e fundit, qëndrimi ynë ndaj ekzistencës së një Kine, nuk ka ndryshuar e nuk mund të ndryshojë.

EIR: -Në fund të librit tuaj, ju paraqisni një përmbledhje të historisë së diplomacisë kineze, e cila është e rëndësishme për vendet perëndimore – SHBA dhe Evropën – pasi tregon se Kina është një vend paqësor, çfarë dëshmojnë edhe 2,000 vjetët e historisë së saj. Kinezët kërkojnë t’i zgjidhin problemet me mjete paqësore, edhe nëse kjo do të bëhej në një mënyrë pragmatike. A mund ta shtjelloni pak më gjatë këtë çështje?

Hajdar Muneka: -Gjatë historisë së saj pesë mijë vjeçare Kina ka njohur zhvillime të jashtëzakonshme, por edhe rënie drastike. Por vlen të theksohet se kinezët nuk kanë zhvilluar luftëra grabitqare dhe nuk kanë dërguar ushtri për të pushtuar vende të tjera. Përkundrazi, disa herë janë sulmuar dhe pushtuar nga fuqi të tjera. Edhe kur kanë qenë tej mase të fuqishëm ata kanë preferuar të qëndrojnë në shtëpinë e tyre. Duhet të theksojmë se Muri i Madh kinez është ndërtuar për t’u mbrojtur nga sulmet që i vinin Kinës nga jashtë. Kjo është pjesë e filozofisë kineze, e hedhur aq bukur nga dijetari Sun Zi në “Artin e Luftës”. Por duhet pasur parasysh se sa të ndjeshëm janë ata në respektin ndaj të tjerëve, aq shumë e kërkojnë edhe qetësinë për veten e tyre. Udhëheqësi legjendar kinez Mao Zedong, e ka përmbledhur këtë filozofi në një fjali të vetme: “Nëse nuk më ofendoni, unë nuk ju ofendoj, nëse më ofendoni, unë jam i detyruar  të kundërveproj”. Gjithsesi, kinezët janë njerëz mjaft pragmatikë, madje aq shumë sa, të krijohet bindja se, pragmatizmi ka lindur në Kinë. Kjo i ka bërë ata edhe negociatorë të talentuar. Kur flasin për artin e luftës ata nuk kanë parasysh luftën me armë, por një fitore pa shkrepur asnjë fishek, pra fitore që vjen paqësisht, nëpërmjet bisedimeve.

Një hap përpara për të kuptuar Kinën

 

EIR: -Zoti ambasador, a keni një mesazh përmbledhës për lexuesit tanë ndërkombëtarë?

Hajdar Muneka: -Në 47 vitet e marrëdhënieve të mia me Kinën, kam arritur në konkluzionin se problemi më i madh që kanë sot vendet e popujt e ndryshëm të botës në raport me të, është mungesa e njohjes ndaj saj. Në botë qarkullojnë mijëra libra për Kinën. Një pjesë janë shkruar nga autorë që e njohin atë vend e atë popull nëpëmjet dokumenteve e arkivave. Disa të tjerë të përkthyer nga gjuhë të treta, dhe shumë pak drejtpërdrejt nga gjuha kineze, e cila (gjuha e shkruar) është shumë e vështirë të vijë tek lexuesi i huaj me gjerësinë e thellësinë e saj në të shprehur. Ka edhe një arsye tjetër. Për vite e dekada të tëra, njerëzit e kanë lënë Kinën në letargjinë e saj, ndoshta edhe duke u nisur nga thënia e dikurshme e Bonopartit “China is a sleeping giant. Let her sleep, for when she wakes she will move the world”. Në fakt, Kina asnjëherë nuk ka fjetur. As në periudhën e saj më të errët të Revolucionit Kulturor. Nga vështirësitë e saj ajo ka dalë edhe më e fortë. Sepse në vetëdijën e thellë të çdo kinezi është durimi dhe besimi në të ardhmen. Ata hartojnë plane afatgjata. Ndërsa të gjithë përgjithësisht punojnë për të sotmen, kinezët mendojnë për të ardhmen. Plani për modernizimin e sotëm të Kinës është hartuar 40 vite më parë, tani ata po punojnë për dekadat që do vijnë.

Duke qenë një studiues i çështjeve të Kinës për rreth një gjysëm shekulli, mendova që Kinën që më është krijuar brenda meje, ta nxjerr jashtë, t’ua tregoj të gjithëve, ashtu siç e kam njohur unë. Unë vërtetë kam përfaqësuar atje një vend të vogël, por për një farë periudhe shqiptarët ishin pothuajse të vetmit të huaj që hynin në Kinë. Ndaj nga kinezët ne shikoheshim si pjesa tjetër e botës, bota jo kineze. Ajo se çfarë bënin ose nuk bënim ne, për kinezin e thjeshtë nuk ishte një mesazh vetëm shqiptar. Tek ne ata shikonin botën, atë botë që shumë syresh, deri vonë nuk e dinin se kishte ekzistuar.

Pa asnjë dyshim, shekulli i 21-të, është shekulli i Kinës. Kinezët janë shumë, ndaj edhe hapin e hedhin të madh e të sigurtë. Sa më mirë t’i njohim, aq më tepër do të përfitojmë prej tyre. Shpresoj që, me librin tim “Dritëhijet e një miqësie që çuditi botën”, të kem ndihmuar të gjithë ata që janë të interesuar të hedhin një hap më përpara drejt njohjes së Kinës. Libri im është një ftesë për të hyrë pak më thellë në oqeanin kinez me plot enigma e kuriozitete, por edhe me sfida. Në të ka edhe një mesazh të qartë: Shumë shpejt Kina do të ketë ekonominë më të zhvilluar në të gjithë botën. Si e tillë ajo nuk duhet injoruar, por duhet marrë seriozisht në të gjitha kapacitetet e saj. Gjigandi aziatik tashmë është zgjuar nga letargjia shekullore.

EIR: -Dukeni që e keni me shumë pasion kur tregoni për Kinën. A keni ndonjë plan për të ardhmen?

Hajdar Muneka: -Rrëfimi im për Kinën nuk mbaron kurrë. Unë kam kaluar në atë vend një pjesë të madhe të jetës sime. Edhe  dy fëmijët e mi, në Kinë morën bazat e edukimit shkollor. E thashë që në fillim se Kina është si oqeani.  Sa më larg shkon, aq më i thellë e enigmatik bëhet. Aktualisht jam në përfundim të një libri tjetër. Edhe ai i dedikohet i tëri Kinës. Lexuesi do të gjejë aty shumë të dhëna e fakte për gjuhën kineze, për traditat dhe kulturën e atij vendi. Janë mbresa të përjetuara nga unë.

EIR:- Duke ju falenderuar për këtë intervistë interesante, zoti ambasador, ju urojmë edhe njëherë për librin tuaj të sapo botuar e, për tjetrin që do ta botoni së shpejti. Unë shpresoj se librat tuaj shumë shpejt do të botohen edhe në anglisht e në gjuhën kineze, në mënyrë që edhe njerëzit që nuk dinë shqip të përfitojnë nga njohuritë tuaja unike.

Hajdar Muneka: -Edhe unë ju falenderoj që më dhatë mundësinë të komunikoj me një numër kaq të madh lexuesish, duke shpresuar të kem përmbushur sadopak interesin e tyre për Kinën, por edhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me atë vend.

 

======

*EIR është një revistë….