Ergys Alushi: Haberet nga Vlora

637
Sigal

Kur Vlora do të furnizonte me ujë të pijshëm Leçen!

Kostua e ujësjellësit që do të kalonte mbi fundin e detit Adriatik nga Vlora për Tore del Orso, ishte parashikuar 3.300 miliard lireta. Ai do të ishte i gjatë 195 km, i instaluar deri në 350 m thellësi dhe do të përfundonte brenda 4 vjetëve. Bisedimet nisën më 3 korrik 1992 në hotel Ticiano të Leçes. Gjithçka në letra ishte gati Gazetat italiane të kohës i kushtuan një vëmendje të veçantë këtij projekti.
Historia vazhdon….

U hoq rrethimi te “4 topat” në Sheshin Kombëtar të Flamurit!

Simboli më shumë se 80 vjeçar i Vlorës.  I katër vilajeteve shqiptare bashkuar në një Shesh Historik. Të shpresojmë të mos “rrethohen” më, ndërkohë që Sheshi ka nevojë të sistemohet.

Kur Monumenti Kombëtar i Shpalljes së Pavarësisë do të jetë njësoj si 5 Heronjtë e Vigut apo vepra të tjera.

Pa bazamentit- piedestal, i cili u ndërtua pas një konkursi kombëtar, me qëllimin për ta dalluar nga veprat e tjera për vet rëndësinë e madhe që mbarte ngjarja historike. Ai nuk u ndërtua as për podium mitingjesh dhe as për të bërë shurren pas tij, ndaj dhe këto nuk janë arsye për prishjen e bazamentit! Kështu do të ndodh dhe me 4 topat dhe Varrin Monumental të Ismail Qemalit.
Historia vazhdon….

 

 Kur ndërtohej bazamenti i monumentit të Pavarësisë!

Më 17 gusht të vitit 1972 do të fillonte rrethimi dhe ngritja e bazamentit për ngritjen e monumentit të pavarësisë në Sheshin e flamurit. Skulptorët janë Kristaq Rama, Muntaz Dhrami dhe Shaban Hadëri. Monumenti po ngrihet mbi një shkëmb të vendosur mbi bazamentin. Në qendër do të jetë Ismail Qemali. Qytetarët shkojnë në mëngjes në punë dhe është e pamundur të kalojnë para atij kantieri e të mos kthejnë kokën.  Gurëskalitësit kanë ardhur nga Korça, si Vangjel Jorgji me shokë. Me këta gurë të skalitur bukur nga duart e mjeshtrave do të vishen shkallët anësore të shkallëve, të cilat do punohen me mermerin gri me rrëmba të bardha të sjellë nga Priska. Punëtorët e NSHN “Perlat Rexhepi” po vendosin pllakat e mëdha prej guri, që do të mbulojnë atë pjesë sheshi rreth monumentit. Monumenti peshon 35 tonë.  Punohet edhe natën.  Aty ka vinça, kamiona që shkarkojnë gurë e mermer.  Sot, 50 vjet pas ndërtimit, bazamenti rrezikon prishjen! Çfarë pune u prish ai bazament, që lartëson veprën e madhe të Ismail bej Vlorës dhe patriotëve të tjerë shqiptarë?! Përse duhet të prishet?! Kudo ku ndërhyhet për sistemimin e Qendrave të Vjetra Historike, ndodh që e reja i përshtatet të vjetrës, simboleve, ato nuk lëvizin nga vendet ku janë, sepse ç’kuptim do të kishte! Çfarë impakti më shumë do të ketë për turizmin dhe historinë, zbritja në shesh e Monumentit të Pavarësisë?!
historia vazhdon….

 

 “Vlora si qytet tregtar, industrial, bujqësor, klimaterik e piktoresk”

Ky është titulli i një analize të gjatë që një autor me emrin “Panxha” ka botuar në një gazetë të kohës, pas një vizite të kryer në qytetin e Vlorës.
Jemi në shkurt të vitit 1938
“Ç’dobi ka për vlonjatin se Vlora ka një det? Ay e ka për turp të merret me gjuhëtinë e peshkut, ay e ka për turp të merret me mjjeshtërinë e varkarëve. Ç’do të dëmtohej vlonjati po qe se për atë punën e gjuhëtisë të merrte ay fitimin? A është më mirë kështu apo fukarallëk i ndihmuar prej qeverisë apo në punë dhe i ushqyer prej djersës së tij, kush duhet të jetë më krenar? Vlora është një qytet bujqësor produktiv, qytet tregtar me të gjitha favoret për t’u pasuruar. Syri sheh dëndur toka të majme të papunuara dhe të mbuluara prej bari por përveç ash thamë, nji vend i pasur dhe nga pemët e ullinjve, vetëm për këto po të kushtohej pak orë në ditë kur ndiejnë nevojën e dorës së njeriut do t’ishte mjaft për ta që të ronin me begati. Fatkeqësisht dhe këto i kanë lënë të shkretohen. Këto përsa i përket jetës së këtij vendi, në faj të njerëzve, por vetëm me këto nuk kemi numëruar as ndofta nuk kemi filluar nevojat kryesore që ka ky qytet. Kemi të themi dhe për mjaft punë të tjera…”
Historia vazhdon…



“SHKËMBI I DOKTORIT”

Nga Theodhori Prroko

Askush s’e di se ç’ka ngjarë
Te ky shkëmb kohë më parë.
Cili ishte ai njeri
Që i dha emrin e tij?!
Edhe deti që ish dëshmitar
Të vërtetën e fsheh nën valë.
Veç kushdo që shkon dhe sot
Në atë vend te “Uji i Ftohtë”
“Shkëmbi i Doktorit” – i thotë.

Zgjedhjet në varfëri janë të rrezikshme për Demokracinë!

Histori shqiptare që përsëritet e përsëritet, pa vënë asnjëherë mend!
Nga kriza në krizë. Vetëm emrat e regjimeve dhe të drejtuesve të tyre, ndryshojnë
E mjera Shqipëri.
Të shkretët shqiptarë!

Ishte marsi i vitit 1944,

Ndërsa lufta ishte në kulmin e saj, në Vlorë po ndërtohej një kinema e re nga doktor operator Shyqyri Çupishti dhe Kodhel Luari, tregëtar, në krye të rrugës “Zogu I” Kinemaja ndërtohej pasi më shumë se një vit më parë ishte djegur kinema “Nacional” që ndodhej në mes të rrugës Vlorë-Skelë Ndërkohë, lulishtja e madhe në sheshin e flamurit kishte tre porta dhe në çdo afërsi porte kishte nga një pus të thellë me ujë që shërben për vaditjen e lulishtes. Qytetarët kërkonin ndërhyrjen e bashkisë për sistemin e puseve pasi gryka e tyre është në nivelin e tokës dhe përbëjnë rrezik. Në ditët e fundit të marsit, një kompani partizanësh sulmojnë në mënyrë të befasishme godinën e prefekturës dhe burgun e qytetit. Qëllimi ishte për t’ju dhënë zemër banorëve të qytetit, të cilët ishin nën terrorin gjerman, të arrestimeve e internimeve të kryera prej tyre. Njësitet guerrile që kishin “lulëzuar” në periudhën e pushtimit Italian, nuk e kishin më organizimin që kishin gjatë asaj kohe. Shumica ishin arrestuar, vrarë apo kishin dalë malit. Njeriu më i pushtetshëm në qytet ishte prefekti Vizhdan Risilia, ndaj të cilit ishte organizuar dhe një atentat në banesën e tij, ku kishte mbetur i vrarë babai i tij.
Historia vazhdon…

 

Nuk ka qenë e lehtë në Vlorë, të ishe mësues i gjuhë shqipe!

Për mësimin dhe shkollën shqipe është derdhur gjak!
Turq e grekë, ishin bërë bashkë për t’i penguar vlonjatët që të mësonin gjuhën shqipe.
Musa Çakërri – dëshmori i parë i shkollës shqipe
Në shtypin e kohës, fundi i shek. XIX – fillim i shek. XX, ai cilësohet si një nga “pishtarët e Vlorës”, për përhapjen e gjuhës së shkruar shqipe.  Kjo u bë shkak edhe për ekzekutimin e tij nga turqit më 22 prill 1905. Vrasja shkaktoi hidhërim dhe zemërim të ligjshëm, si për një nga themeluesit e vetëdijes patriotike e civile në qytet.
Vrasja e Llukë Papajorgjit (berberit)
Lluka ishte anëtar i klubit patriotik “Labëria” e një nga aktorët e dramës “Vdekja e Pirros”. Atdhetar fanatik, siç e tregojnë; Lluka u dha me mish e me shpirt pas përpjekjes për lëvrimin e shqipes, të cilën e shihte si shenjë të dinjitetit të vet.  Gazeta “Korça” (nëntor 1909), shkruante për ngjarjen e ndodhur në Vlorë, kur një klient doli nga berberhania e tij duke përshëndetur “kali nikta” dhe ai iu përgjigj “natën e mirë”: “…mi këto, tjatëri i kundrështohet me disa fjalë të ndyra, të cilat u bënë ngajë që të vijnë në duart”.  Më 1912, kur Vlora ziente nga lëvizja për liri e pavarësi, “… thika e të huajit nuk e la. Një dentist grek nga Selaniku e provokoi duke i sharë gjuhën e kombësi dhe u zunë. Të nesërmen ai dhe njerëzit e tij e gjejnë dhe e vrasin në moshën 40 vjeçare”.  Sot, është dita për të përkujtuar edhe patriot të tjerë si, Xhafer Drashovica, Hamit Lumi, Abzs Mezini, Jani Minga, Leonidha Naçi Dush Strati e të tjerë, të cilët dhanë jetën e shkrinë pasurinë për të mbrojtur e përhapur gjuhën shqipe, për të hapur shkolla shqipe. Sot, është dita, për të reflektuar mbi deformimet që po i bëhen gjuhës shqipe, për të shkruajturit gjithnjë e më keq të ssaj, për vëmendjen gjithnjë e më të pakët.
Historia vazhdon….