Emin Musliu: Në Fierzë u hodhën 400 000 kg dinamit

861
Sigal

Flet Ing. Emin Muliu: Sot 65 nga krijimi i Ndërmarrjes Hidroelektro shqiptare

 

-Në Fierzë u hodhën afërsiht 400 000 kg dinamit, sa u raportua si një tërmet 4.3 ballë

-Sot nuk mund të ndërtohet një Fierzë e dytë, ajo kërkon njerëz të aftë dhe punë kolosale

– Në Fierzë punuan 11 mijë punëtorë ku nata ishte më e bardhë se dita

-Një shofer i Centaurit merrte 20 mijë lekë, rroga e Kryeministrit 14 mijë lekë

-Në periudhën periudhën 1945-1986,  energjia elektrike u rrit mbi 1000 herë

– Më 25 tetor 1970 u realizua elektrifikimi në të gjithë territorin e vendit

-Nga viti 1912 e deri në vitin 1949, nuk u mor asnjë nismë për ndërtimin e veprave hidroenergjetike

– Nga viti 1912 e deri në vitin 1949, për gati 37 vjet, nuk u mor asnjë nismë për ndërtimin e veprave hidroenergjetike

 

Albert Z. ZHOLI

 

Takimi me Ing Emin Musliu dhe me Aklademik Edmond Pinguli ishte një kënaqësi e veçantë. Në bisedën me ta mësova shumë gjëra që për mua ishin utopi për shumë vite. Të dy ata ishin encikolpedi me vete. Të ditur, kurajoz, plot virtyte, prej tyre mësova se si mund të jetë i thjeshtë dhe njëherësh i madh një intelektual i vërtetë. Realizimet e tyre hidroenergjitike, kryesisht marrja pjesë në ndërtimin e hidrocentralit më të madh të “Fierzës”, më krijoi bindjen se me të vërtetë inxhinierët tanë nuk kanë pse të ulin kokën (përkundrazi) por të qëndrojnë ballë lartë përballë inxhinierëve më të zotë të ndërtimeve hidro-energjitike kudo në botë. Edhe sot “Fierza” qëndron ashtu krenare për të treguar gjenialitetin e inxhinierëve tanë të mrekullueshëm të një vendi të vogël. Edhe sot, ky hidrocentral për  lartësinë e digës qëndron ndër hidrocentralet më të mëdhenj në botë (ndoshta sot i dhjeti), duke i rezistuar kohës dhe lartësuar emrin e inxhinierëve shqiptarë që sot kërkohen në çdo skaj të globit.

 

Sot mbushen 65 vjet nga krijimi i Ndërmarrjes Hidroelektro

Më 1 tetor 2014 mbushen 65 vjet nga krijimi i Ndërmarrjes Hidroelektro, e cila u bë promotori i tërë zhvillimit të sektorit hidroenergjetik të Shqipërisë. Ndërmarrja Hidroelektro u krijua më 1 tetor 1949. Në respekt të punës krijuese të të gjithë punonjësve të studimit, projektimet dhe ndërtim- montimet e hidrocentraleve, L.T.N. dhe nënstacionet përkatëse, u bë e mundur që prodhimi i energjisë elektrike për periudhën 1945-1986 të rritet në mbi 1000 herë. Më 25 tetor 1970 u realizua elektrifikimi në të gjithë territorin e vendit, deri në fshatin më të thellë. Shqipëria bëri hapa të rëndësishëm në këtë sektor, duke krijuar strukturën e nevojshme organizative, sipas përvojës së fituar nga shtetet e zhvilluara. Në nëntor të vitit 1969, në konferencën e parë shkencore të ndërtimit, punonjësit e studimit, projektimit dhe ndërtimit të veprave hidroenergjetike, bazuar në një studim disavjeçar, deklaruan njëzëri se ata janë në gjendje të ndërtojnë të gjitha veprat hidroenergjetike me sukses dhe siguri të plotë. Këtë angazhim ata e plotësuan me ndërtimin e tre hidrocentraleve madhështore në lumin Drin (Vau i Dejës, Fierzë dhe Koman), të cilat po i rezistojnë në mënyrë shembullore kohës, pa krijuar asnjë problem. Në kujtim e respekt të krijimtarisë dhe vendosmërisë shembullore të punonjësve të veprave të hidrocentraleve, vendosa të shkruaj historikun e kësaj fushe të rëndësishme të zhvillimit të vendit tonë. Gjithashtu, këto kujtime do t’u shërbejnë dhe brezave të rinj, të cilët, me guxim, duhet të aktivizohen në studimin, projektimin dhe ndërtimin e veprave hidroenergjetike sot e në të ardhmen.

Është për të ardhur keq që në vitin 1992 u prish e gjithë infrastruktura e studimit, projektimit dhe e ndërtim-montimit të veprave (Instituti i Studimit dhe Projektimit të Hidrocentraleve, Ndërmarrja Gjeologji Gjeodezi, Laboratori i modelimeve hidraulike, Laboratori i analizave të dheut e të shkëmbit, Laboratori i modelimeve statike dhe dinamike të digave prej betoni, Ndërmarrja Hidroelektro dhe e montimit), duke e çuar në zero këtë sektor jetik të vendit.

 

Gjendja e energjisë elektrike para çlirimit të vendit

Për shkak të sundimit otoman, që zgjati prej gati pesë shekujsh, si dhe kushteve të tjera historike, shpallja e pavarësisë më 28 nëntor 1912 e gjeti Shqipërinë një vend agrar të prapambetur, të varfër me rreth 90% analfabetizëm e pa asnjë lloj industrie.

Edhe në periudhën e mbretërisë së Zogut, Shqipëria mbeti një vend i prapambetur agrar dhe në këto kushte as që bëhej fjalë për zhvillimin e energjisë elektrike. Nga viti 1912 e deri në vitin 1949, për gati 37 vjet, nuk u mor asnjë nismë për ndërtimin e veprave hidroenergjetike. Kjo periudhë ishte shumë e dhimbshme për popullin dhe vendin tonë.

Nga viti 1939 deri në vitin 1944, për rreth 6 vjet, vendi ishte nën pushtimin e Italisë dhe Gjermanisë e as që bëhej fjalë për ndërtimin e veprave hidroenergjetike. Arsyet janë të shumta e të ditura.

Në këtë fushë, vetëm pas çlirimit të vendit, u krijuan kushtet dhe mundësitë për të ecur përpara, duke bërë të mundur që më 1 tetor 1949 të krijohet Ndërmarrja Hidroelektro dhe të fillojë ndërtimi i hidrocentralit të Selitës (Lanabregas).

Këtë vit, më 1 tetor 2014, përmbushen 65 vjet që nga koha e fillimit të ndërtimit të veprave hidroenergjetike në Shqipëri. Centralet e para diesel të ndërtuara në vend filluan të japin energji elektrike në vitin 1925 në Korçë, në vitin 1927 në Tiranë e kështu me radhë në disa qytete e qendra kryesore.

Kjo energji elektrike e prodhuar me gjeneratorë shërbente për ndriçim të institucioneve shtetërore dhe të familjeve në gjendje të mirë ekonomike. Shpenzimet për instalimin e saj ishin të mëdha dhe 1 kwh kushtonte 4.5 lekë, në një kohë kur paga e punëtorit nuk kalonte 3-4 lekë/ditë.

Prodhimi i energjisë elektrike në të gjithë vendin në vitin 1938 ishte rreth 8 milionë kwh ose rreth 8 kwh për banor.

Me përjashtim të një sasie të vogël të energjisë elektrike që prodhohej nga hidrocentrali i Vithkuqit (Korçë) me fuqi 600 kë, e gjithë energjia elektrike prodhohej me gjeneratorë. Shqipëria në këtë periudhë ishte një vend, ku familjet përdornin për ndriçim llamba vajguri, kandila me vaj dhe me pishë.

Pas pushtimit të vendit më 7 prill 1939 nga Italia fashiste, për shkak të luftës (që zgjati rreth 6 vjet) dhe shkatërrimit të centraleve diesel nga pushtuesit, prodhimi i energjisë elektrike në vitin 1945 ishte vetëm 5.4 milionë këh ose rreth 5 kwh për person në vit.

Ndërkohë, në prag të Luftës së Dytë Botërore, prodhimi i energjisë elektrike në shumë vende të Europës kishte arritur nivele mjaft të larta. Kështu p.sh., në vitin 1939 disa vende të Ballkanit, si: Bullgaria, Rumania, Jugosllavia, shtete fqinjë me ne, prodhonin respektivisht 40 kwh, 72.5 kwh dhe 75 kwh energji elektrike për person në vit.

Në këtë periudhë vendet e tjera evropiane, si Anglia dhe Çekosllovakia prodhonin respektivisht 620 kwh dhe 500 kwh për banor në vit. Ndërsa po të flasim për vendet nordike dhe veçanërisht për Norvegjinë, që zinte vendin e parë në botë për prodhimin e energjisë elektrike për frymë, impiantin e parë hidroenergjetik ajo e vuri në shfrytëzim në vitin 1885 dhe në vitin 1922 kishte ndërtuar 1000 hidrocentrale të vogla e të mesme me fuqi të përgjithshme të instaluar prej 1350000 kë. Në vitin 1939, në fillim të Luftës së Dytë Botërore, kishte 2100000 kë fuqi të instaluar dhe prodhohej 10 miliardë kwh energji elektrike ose rreth 2 800 kwh për banor. Pra, praktikisht ne fillonim ndërtimin e veprave energjetike 50-60 vjet më vonë se vendet e tjera të Europës.

Në mesin e shekullit XX, kur popujt dhe vendet e tjera të kontinentit kishin arritur të prodhonin ato sasi të energjisë elektrike për frymë që përmendëm më sipër, ne prodhonim vetëm 5 kwh për frymë ose 10-15 herë më pak se vendet e Ballkanit dhe mesatarisht 100-300 herë më pak se vendet e tjera të zhvilluara të Europës.

Asgjë nuk u trashëgua në këtë fushë, as kuadro të lartë, as teknikë, as specialistë dhe as traditë.

Çdo gjë duhet të fillonte nga e para. Dhe Shqipëria e pishës, qiririt, kandilit dhe llambës me vajgur, brenda një periudhe të shkurtër, u shndërrua në një vend plotësisht të elektrifikuar (25 tetor 1970) dhe që me pjekurinë, mençurinë, guximin dhe aftësinë tekniko-shkencore të studiuesve, projektuesve, ndërtuesve dhe montatorëve tanë të talentuar realizoi vepra hidroenergjetike të nivelit evropian e botëror.

Ndërtimi i tre hidrocentraleve mbi lumin Drin gjatë viteve 1967-1986, Vau i Dejës, Fierzë, Koman me fuqi të përgjithshme të instaluar 1350000 kë dhe prodhim vjetor të energjisë rreth 5 miliardë këh, janë vepra që flasin për arritje të shkëlqyera të njerëzve tanë në këtë fushë.

Pikërisht, tani, pas 65-vjetesh të krijimit të Ndërmarrjes Hidroelektro, e cila u bë shkolla e madhe e përgatitjes dhe specializimit për të gjithë studiuesit, projektuesit, ndërtuesit e montatorët e ndërtimit të të gjitha hidrocentraleve, linjave të tensionit të lartë dhe nënstacioneve të ndërtuara në Shqipëri, mund të themi se progresi në këtë fushë është lavdërues.

Prodhimi i energjisë elektrike vetëm nga hidrocentralet, në krahasim me vitin 1945, është rritur 1000 herë.

Aq sa prodhohej energji elektrike në vitin 1945, aq prodhon në një ditë hidrocentrali i Fierzës. Shekulli XX është quajtur me të drejtë shekulli i energjisë elektrike. Zbulimi dhe fillimi i përdorimit të saj i dha mundësi të reja zhvillimi dhe progres të jashtëzakonshëm njerëzimit.

Prodhimi i energjisë elektrike dhe përdorimi i saj u bë një nga çështjet e mëdha të shkencës dhe teknikës botërore. Shkencëtarë të ndryshëm studiuan dhe zgjidhën me sukses mënyrat për prodhimin e energjisë elektrike me anë të centraleve, me lëndë djegëse, qymyr, naftë, gaz, si dhe me anë të hidrocentraleve dhe së fundi me anë të centraleve atomike.

Horizonte të pakufizuara u hapën me përdorimin e saj në të gjitha fushat: në industri, ndërtime, bujqësi, në të gjitha llojet e transportit, në shërbimet komunale të popullsisë etj. U krijuan kushte për automatizimin e proceseve të punës në të gjithë sektorët, për industrializimin e prodhimit, shpejtimin e tij, rritjen e rendimentit të punës, lehtësimin e punës fizike etj.

Përdorimi i energjisë elektrike i dha mundësi njerëzimit për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe rritjen e nivelit kulturor e arsimor të shoqërisë në përgjithësi.

Shqipëria, për arsye të kushteve historike që dihen, filloi ndërtimin e veprave për prodhimin e energjisë elektrike në mesin e shekullit XX ose rreth 60 vjet më vonë se vendet e tjera evropiane. fushën e studimit, projektimit dhe ndërtim- montimit të veprave hidroenergjetike.

Lexuesi do të njihet me realizimin e veprave hidroenergjetike, duke nisur që nga hidrocentrali i Selitës (Tiranë), që u vu në shfrytëzim në nëntor 1951, me fuqi 5000 kë dhe prodhim vjetor të energjisë elektrike 20 milionë këh deri në ndërtimin dhe vënien në shfrytëzim të hidrocentralit të Komanit në vitin 1986 me fuqi 600000 kë dhe prodhim vjetor të energjisë elektrike rreth 2 miliardë kwh. Gjithashtu, u projektuan dhe u ndërtuan rreth 3680 km L.T.N. 35 kv, 110 kv, 150 kv, 220 kv dhe 400 kv, si dhe nënstacionet përkatëse me fuqi e tensione të ndryshme. Me përjashtim të L.T.N. 35 kv, nga hidrocentrali i Selitës deri në qendër të Tiranës, me gjatësi rreth 12 km, shtyllat metalike erdhën të gatshme nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1951, pasi nuk ishim në gjendje t’i prodhonim vetë.

Më vonë të gjitha L.T.N. dhe nënstacionet, si për projektim, ashtu dhe për ndërtim, u realizuan në vend. Në këtë proces dhanë kontribut sektori përkatës e në mënyrë të veçantë ing. Leo Çani, ing. Leka Hito, ing. Eqerem Babameto, ing. Thoma Meksi, si dhe këshilltarët sovjetikë Libin dhe Viktor.

Ndërkohë, për ndërtim-montimin e tyre kanë punuar me përkushtim punonjësit e ndërmarrjes së ndërtim- montimit, si dhe Mehmet Ali Shehu, drejtor i ndërmarrjes, ing. Ibrahim Seriani, ing. Minella Papo Kostandini etj.

Duke ndjekur rrjedhën kronologjike në vite, studimi, projektimi dhe ndërtimi i hidrocentraleve ka ndjekur renditjen si më poshtë:

Hidrocentrali i Selitës

Me fuqi 5000 kë dhe me prodhim vjetor 20 milionë këh. Ndërtimi i tij filloi në vitin 1949 dhe u vu në shfrytëzim më 7 nëntor 1951. Ky hidrocentral kishte dy funksione kryesore: të prodhonte energji elektrike dhe të furnizonte me ujë Tiranën. Projektimi u bë nga Instituti Lengidep i Leningradit, sot San Petersburg. Ndërtimi u krye nga Ndërmarrja Hidroelektro, drejtor i së cilës ishte Rrahman Hanku, kryeinxhinier Kristaq Gliozheni, ing. Fori Stasa etj. Unë kam punuar përgjegjës teknik i kantierit të parë në kete hidrocentral. Në çdo kohë është punuar me shumë përkushtim nga ana e punonjësve Ndihmë të veçantë dhanë edhe specialistët sovjetikë, si: Gregori Petrenko, Sulivanov, Proçuhan etj., të cilëve u jemi mirënjohës. Pajisjet dhe materialet teknologjike erdhën nga Bashkimi Sovjetik.

 

Hidrocentrali i Ulzës

 

 

 

 

Me fuqi 25 000 kë dhe prodhim vjetor të energjisë elektrike prej 120 milionë kwh. Ndërtimi filloi në vitin 1954 dhe u vu në shfrytëzim më 11 janar 1958. Edhe projekti i këtij hidrocentrali u realizua nga Instituti Lengidep i Leningradit. Ndërtimi u realizua nga Ndërmarrja Hidroelektro, drejtor i së cilës ishte Rahman Hanku, kryeinxhinier Hysni Dino, ndërsa unë isha drejtor i ndërtimit të digës. Edhe në këtë hidrocentral dhanë ndihmë me këshillat e tyre Ivan Fumiç, Ivan Stepanoviç Kornejevski etj., të cilëve u jemi i mirënjojtes. Pajisjet dhe materialet teknologjike erdhën nga Bashkimi Sovjetik.

 

Hidrocentrali i Shkopetit mbi lumin Mat

 

Me fuqi 24000 kë dhe prodhim vjetor të energjisë elektrike prej 94 milionë kwh. Ndërtimi i tij filloi pas vënies në shfrytëzim të hidrocentralit të Ulzës në vitin 1958 dhe u vu në shfrytëzim më 10 korrik 1963. Projektet e këtij hidrocentrali u realizuan nga grupi i projektimit e më vonë Drejtoria e Projektimit dhe Zbatimit të Veprave Hidroenergjetike, drejtor i së cilës isha unë (nga 1 janari 1961), kryeinxhinier për projektin, Javer Çobani dhe për zbatimin, Enver Preza. Një kontribut të veçantë ka dhënë inxhinieret e projektimit: Petrit Radovicka, Pandi Çezmaxhi, Egon Gjadri, Ferit Shehu, Stefan Gjini, Iljaz Këllezi, Vlash Daka, Bestar Dokja etj. Drejtor i Ndërmarrjes së Ndërtimit u emërua Sabri Shini dhe kryeinxhinier Nuri Muço dhe shumë inxhinierë, teknikë e specialistë të talentuar punuan me përkushtim.

 

Hidrocentrali i Bistricës 1

Mbi lumin Bistricë në jug të vendit – me fuqi të vendosur prej 22500 kë dhe prodhim vjetor të energjisë elektrike prej 100 milionë këh. Ndërtimi i tij filloi në vitin1958; u vu në shfrytëzim në maj 1964.

 

 

Hidrocentrali i Bistricës 2

 

Mbi lumin Bistricë – me fuqi 5 000 kw dhe prodhim vjetor të energjisë elektrike prej 35 milionë këh; u vu në shfrytëzim në vitin 1966. (Foto 37)

Edhe projektimi i këtyre dy hidrocentraleve u bë nga Drejtoria e Projektimit dhe Zbatimit të Hidrocentraleve, siç i përmendëm më lart. Drejtor i ndërmarrjes për të dy hidrocentralet u emërua Koli Bozo dhe kryeinxhinier Muedin Muço. Kontribut të veçantë dhanë ing. Sokrat Kalivopulli, ing. Napolon Qendro, ing. Robert Plumb i, ing. Mane Lulaj etj. Pajisjet e materialet teknologjike u porositën në Çekosllovaki.

Gjatë viteve 1959-1961 u realizuan dy takime në Çekosllovaki për lidhjen e kontratave përkatëse, si dhe u vizituan hidrocentrale të ndërtuara, ndërmjet të cilave dhe hidrocentrali Orlik, krenaria e Çekosllovakisë për atë kohë.

Nga pala çekosllovake dhe veçanërisht nga ing. Kubish, Sazima, Hniliçkova dhe specialistët e tjerë çekosllovakë, që morën pjesë në montime, është ofruar bashkëpunim në mënyrë të shkëlqyer. Të gjitha studimet gjeologjike dhe topografike për të pesë hidrocentralet e lartpërmendura u kryen nga Ndërmarrja Gjeologji Gjeodezi me drejtor Anesti Lubonjën, kryetopograf Seit Dyrzi e gjeologë, si: Kostandin Goga, Nuro Dhima, Abdulla Zeqo, Lili Dhima etj…

(Intervista e zhvilluar në 1 tetor 2014)