Vota e sojlinjve përballë sojsëzve

273
Sigal

Analizë nga Prof.Dr. Nikollaq Bardhi: Zgjedhjet në varfëri dhe sondazhet e paguara janë rrezik për demokracinë. Popullit i është premtuar votime të lirë, por pas zgjedhjeve, llafomanët dhe pasuesit e tyre kanë grabitur dhe blerë votat me gjithë kutitë e votimit. Këshilltarët e ministrive janë kthyer në sekser, ndërsa “lulet e parfumosura” të zyrave kanë zëvendësuar intelektualët. Parlamenti aktual dhe cilsia e diskutimeve janë në nivelin e mediokritetit, mjafton të dëgjoni e lexoni fjalimet e Fan Nolit në 1924 dhe e kupton se kush i bënë ligjet

Gjatë viteve të demokracisë, në vendin tonë janë zhvilluar shumë herë zgjedhje për organet legjislative qendore dhe vendore. Lind pyetja: Çfarë është vota në Shqipëri? Është folur e premtuar shumë herë për: “Votime demokratike”, “Vota të lira”, “Vota të ndershme”…, por kemi parë me sytë tanë, se llafomania e liderve dhe pasuesve të tyre në fushata, ka degjeneruar deri në  vjedhje, ndërrime kutish apo votime me “grusht”…e konfrontime fizike  për të dominuar situatën.

Kjo rrjedhë e ka çvlerësuar votën qytetare dhe zgjedhësve u ka humbur besimi, duke  menduar se vota e lirë është vetëm një retorikë politikanësh e qeveritarësh. Populli ka treguar interes për rotacion politik dhe ka ushtruar të drejtën e votës duke menduar se realizon një detyrim ligjor me shpresën se do të ndryshojë të ardhmen e tij nëpërmjet një qeverisje në përmirësim e sipër e më të përgjegjëshme. A thua se i ha edhe sot e kësaj dite zgjedhësi, premtimet e liderve dhe vartësve të tyre qeveritarë apo çfarëdo qofshin? Lumi i premtimeve janë hutuese e marramendëse, saqë të duket se subjektet janë vënë në një garë mashtrimesh. Nëse Kodi zgjedhor mbetet baza ligjore dhe udhërrëfyesi i zgjedhjeve të lira e demokratike, garancia e votës së lirë, fshehtësisë dhe paprekshmërisë, zbatimi i tij mbetet në dorë të askujt.

Në kuptimin ligjor e funksional, vota është një vlerë kolosale, e pazëvendësueshme dhe e pakrahasueshme me asnjë “donacion” që synon zgjedhjen e njerëzve më të aftë e më të mirë të popullit, shprehës të vullnetit e mbrojtës të interesave të tij. Po në fakt?

Vota ka mbetur një relike pa vlerë, jo funksionale, që nuk justifikon as vlerën minimale të vetes.Vota merr vlerën e duhur kur: Shkalla e njohjes së individëve që konkurojnë për në parlament janë njerëz që kanë vlera intelektuale e morale, që njihen me “dhëmbë e dhëmballë” nga populli (nga banorët e komunitetit). Mungesa e “sitës” prej subjektit politik ndaj kandidatit ka bërë që në parlamentin tonë të “krekosen” njerëz të inkriminuar e problematik.

Çuditesh sot, kur dëgjon kryetarët e subjekteve politike që këtë fakt t’ia veshin vetëm kandidatit: “nuk paska qënë i sinqert kandidati!?”. Po Partia dhe ti si kryetar i subjektit…, pse del jashtë përgjegjësie? Ku ke jetuar, në hënë?

Praktikisht janë disa fjalë që fillojnë me gërmën “V”: “Vendlindja”, “Vendbanimi”, “Vendi i punës”,  “Vlera e individit” dhe “Varret…!”Janë shumë individë me vlera të ulta intelektuale që angazhohen në fushatën e zgjedhjeve. Ekstremisht, vijnë të tillë edhe në banesa e pyesin:

-Për kë do të votoni ju? Kuptohet që këta të “vetpunësuar” angazhohen në këmbë të urdhëruesve…që të marrin ndonjë lekë sa për një kore bukë. Shumë e rëndë është blerja e votës me lekë ose konvertimi me mjete të ndryshme ushqimore apo vende pune, ku partia punëson militantë, njerëz pa diplomë e deri tek njerëz të kriminalizuar. Madje ka pasur raste në zonat rurale që deformimin e votës së lirë skutave…u është konvertuar individëve, “të fortëve”, me vende pune. Skandaloze dhe e pafalshme. Akoma do të vazhdojmë me akuza e kundërakuza për vjedhjen e votave?

Shkalla e njohjes së kandidatëve. Ka ardhur koha që të hiqet dorë prej “importit” të kandidatëve në zona të caktuara. Populli kërkon që kandidatët të jenë lindur, të kenë banuar e jetuar dhe të kenë punuar në zonat ku kandidojnë. Në shumë raste autoriteti dhe respekti i “fëmijërisë” nuk zëvëndësohet. Ai është thelbi i vazhdimësisë së jetës saqë shpesh thonë: “model ka qënë që në fëmijëri”. Për plotësimin e njohjes së individëve është dhe deklarimi i vlerave intelektuale e kontributeve shkencore e shoqërore në një fushë të caktuar. Deklarimi i këtyre vlerave merr rëndësi të veçantë kur zonat janë shumë të përhapura nga ana gjeografike. Në zonat urbane, ku dendësia e popullsisë është më e madhe, njohja është më e mundshme, se sa në zonat rurale. Për plotësimin e shkallës së njohjes dhe saktësimin e tyre jepen rekomandime edhe nga njerëz me reputacion shkencor, pedagogjik e publik. Aktualisht, këta nuk mbajnë asnjë përgjegjësi morale për lumin e fjalëve në fushatat zgjedhore. Duhet të shpallet dhe të bëhet i njohur edhe kontributi që kanë dhënë kandidatët në një fushë të caktuar.

Kur të gjitha këto mënyra të paraqitjes së personalitetit të kandidatit bëhen transparente dhe shkojnë në unison me shkallën njohëse nga ana e publikut, atëherë vota merr vlera dhe bëhet më e ndërgjegjshme dhe më e ndershme. Pa dyshim, rëndësi ka edhe opinioni e përshtypja që zgjedhësit kanë për paraardhësit e kandidatit të paraqitur: nëse: “dardha bie nën dardhë”, “i biri i babait është ai”, “fis i  ndershëm janë ata.”

Shkurt, nuk duhet të dalin sojsëzët para sojlinjve. Shqipëria ka përvojë të hidhur për këto 30 vjet. Para zgjedhjeve propogandohet se është bërë një kod zgjedhor i mirë, sipas këshillimeve të BE e SHBA, ndërsa pas zgjedhjeve, del se  ka pasur difekte e mangësi. Nuk na largohen nga kujtesa “pelivanllëqet” e pushtetarëve që prodhuan zgjedhje si ato të Dushkut, ku u prodhuan 11 deputetë me një nivel amatoresk apo rasti Libofsha etj..

Testimet, sondazhet e standartet morale, ligjore, penale e publike janë të lehta për t’u realizuar, veçse kërkojnë transparencë dhe sinqeritet të personit të testuar. Shkalla e ndërgjegjes dhe loja e “hileve” (thotë për x dhe voton për y), akoma shpërdorojnë besueshmërinë e sondazheve. Edhe sondazhet zgjedhore të ndërkombtarëve tek ne janë në diferencë të madhe krahasuar me rezultatet zgjedhore. Mund të pranohej që diferenca mes sondazhit dhe përfundimit të zgjedhjeve të ishte deri 3-5%, mirëpo, tek ne kjo i kalon mbi 15-20%. Ç’ tregon kjo? Se vota është çvlerësuar nga: vjedhja, votimi me “grusht”, blerja apo dhe nga votimi disa herë i një personi. Mos përcaktimi e mos respektimi i këtyre treguesve, kontributeve, testimeve e standarteve ka bërë që parlamenti i Shqipërisë të ketë nivel e përgjegjësi të ulët, saqë shpesh nuk mund të shikohet.

Fakti që në këto 30 vjet në parlamentin tonë është përdorur dhunë fizike e verbale, duke pasur “mburojë” sloganin “deputeti s’mban përgjegjësi për çka thotë e bën”, nuk përkthehet në veti cilësore e morale, nuk edukon, nuk mirëpritet në popull, sepse nuk tregon kulturë, qytetërim, etikë apo vlerë intelektuale të deputetit. Duhet të ndryshojë kryekëput statusi intelektual i personalitetit të deputetit. Nuk e çon dhuna Shqipërinë në Evropë.

Le të shikojmë pjesëmarrjen fizike të deputetëve në sallën e parlamentit. Për të ardhur keq! Pjesëmarrja nuk ka qënë përgjegjshmëri e një niveli të lartë. Pjesëmarrja ka qënë 100% vetëm kur janë miratuar ligjet për trajtimin e interesave të deputetëve dhe familjeve të tyre dhe kur kanë marrë urdhër nga strukturat qeveritare apo “këshillat” e ndërkombëtare. Mendoj, se votimi i ministrave në parlament është bërë apriori dhe jashtë standarteve duke abuzuar me termin: “poste politike”. Ministrat e ekonomisë, të financave, shëndetësisë, bujqësisë, mjedisit e arsimit… janë profesional, ndërkohë që është deformuar institucioni duke vënë në këto poste njerëz jashtë profilit, inkompetentë e amatorë, jo figura me kontribute në fushat përkatëse.

Janë bërë eksperimentime që kanë pësuar veç dështime. Është skandaloze të vendosësh sot mësuesin e anglishtes, ministër të financave, apo ministrat e shëndetësisë, që shpesh janë vënë jashtë fushe. Kjo ka bërë që këta ministra të merren me tenderat apo e me restaurimin e bojatisjen e fasadave të institucioneve(!) Perëndimi i shpall pasuri kombëtare vlerat intelektuale të të gjithë të rinjve që përfundojnë të gjitha ciklet shkollore me notë mesatare mbi 9,5 kurse ne ua japim gratis dyerve të botës këtë pasuri  të çmuar. Edhe Hondurasi e aplikon një praktikë të tillë inkurajuese, kurse ne justifikohemi se “lëvizja e lirë i ka këto probleme”.

Tek ne nuk evidentohen talentet dhe nuk ju krijohen kushte kultivimi e mirëtrajtimi. Shpeshherë në universitete merren pedagogë me notë mesatare të ulët dhe nuk merren ata që shpallen ekselent. Më tej. Këshilltarët e ministrave kanë qënë më shumë sekserë se sa këshilltar. Nuk mund të këshilloj një 25 vjeçar, një ministër. Në ministritë ka shumë “lule” e “parfume” në vend që të kishte profesorë të mirëfilltë. Cilësia e diskutimeve në parlament ka qenë e dobët dhe nuk përfaqëson as nivelin mediokër të intelektualëve të Shqipërisë. Ndoshta, për mësim, ju duhet të dëgjoni diskutimin e Nolit në parlamentin e Shqipërisë, tetor 1924.

Shumë e rëndë është akuza e marrjes së gradave nga disa deputetë. Atyre duhet urgjent t’u hiqet grada, por edhe udhëheqësit shkencor duhet të dalin përpara ligjit. Plagjiatura ëshë e dënueshme kudo në botë, si për doktorantin, ashtu edhe për udhëheqësin. Kemi përjetuar raste flagrante të shpërdorimit të kritereve për të fituar gradat e titujt shkencorë. Nuk mund të pranohet që 54 vjeçari të mbarojë masterin e nivelit të dytë ose doktoraturën, 59 vjeçari mbron doktoraturën, 62 vjeçari merr titullin “Profesor i Assocuar” dhe 64 vjeç merr titullin “Profesor”(!). A ka përgjegjësi politika dhe strukturat shtetërore këtu? Hyni në Google dhe shikoni se për ta ka, pak, ose aspak publikime.

Simbolika e dorëheqjes nuk egziston në Shqipëri, normat e parimet demokratike nuk janë respektuar, dobësimi i ligjit dhe mungesa e pavarësisë reale të pushteteve ka ndikuar negativisht në funksionimin e institucioneve dhe të gjithë shoqërisë shqiptare, duke sjellë probleme jo të vogla dhe në mënyrë të vazhdueshme. Vetingu duhet të bëhet për të gjithë intelektualët.-0-0-0-