Ëngjëll Musai: Mbi 3 mijë vipa me kollare shteti, ”lubi” të korrupsionit

164
Sigal

Regjistrimi i pronave në kolaps, 80% kanë gabime. Ndërkohë që 1/10 e territorit mbetet jashtë hartave kadastrale milionerët e korrupsionit ‘u shulen’ bankave dhe ‘hipotekave’ duke regjistruar pronat dhe hapur depozitat në emër të të afërmve. Rreth 3 mijë tapi pronash, si vila, dyqane, troje, objekte luksi dhe biznesi janë tjetërsuar nga pushtetarët. Milionat e trafikantëve të hashashit dhe kokainës, që kanë përfituar prona, pritet të hidhen në fushata për blerje votash.

“Milionerët e korrupsionit ‘u sulen’ bankave dhe ‘hipotekave’. Pronat regjistrojnë në emër të afërmve, ndërkohë që  ndryshojnë edhe  emrat e qindra depozitave bankare. Milionat e trafikantëve të kokainës dhe hashashit, do të hidheshin për fushatat elektorale dhe blerjen e votive.”

 

Ëngjëll Musai
Drejtor i “Telegraf”

Frika e zbulimit, arrestimit dhe dënimit publik, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Vettingun duket se u ka kallur datën disa milionerëve të korrupsionit, të cilët muajt e fundit u janë sulur bankave, hipotekave dhe zyrave noteriale. Kjo për faktin, sepse milionat e lekëve dhe eurove, që kanë zhvatur duke abuzuar me postin; pronat e shumta që kanë në bregdet, male dhe fusha, nuk do të mund t’i justifikojnë në asnjë formë apo formulë ditën kur t’u kërkohet llogari. Dhe kjo duhet të ndodhë sa më pare! Në rast të kundërt milionerët e korrupsionit, do të dalin një ditë “të pastër” nga biografia e tyre e nxirë dhe do të jenë të barabartë mes të barabartëve. Në zyra noteriale, hipoteka dhe banka janë sulur ata që në gjithë këto vite dhe veçanërisht ata, që në 3 vitet e fundit, grabitën, shitën dhe përvetësuan, qindra hektarë toka, qindra objekte publike edhe ata, që e kanë një pronar të ligjshëm, ata që në çdo tender marrin 20 deri 35 për qind të vlerës së investimit, duke ndryshuar tapi dhe depozita bankare. Burime nga zyrat noteriale, bankat dhe hipotekat bëjnë me dije se: “në zyrat tona janë paraqitur në çdo orë të ditës (por veçanërisht pasditeve) zyrtarë të lartë dhe të mesëm, ligjvënës dhe drejtues institucionesh, madje ka prej tyre që veprimet po i kryejnë edhe përmes prokurave, duke ndryshuar tapi dhe çertifikata pronash nga emri i tyre, në emra të tjerë familjarësh, krushqish dhe miqsh”.

Tjetërsohen 2980 tapi pronash, si vila, dyqane, troje, objekte luksi dhe biznesi 

Brenda muajve të fundit në disa qytete kryesore të vendit, si në Tiranë, Elbasan, Durrës, Korçë, Vlorë e Shkodër, janë tjetërsuar mbi 2980 tapi pronash, si vila, dyqane, troje, objekte luksi dhe biznesi, dhe depozita bankare, duke i kaluar ato në emra ose fiktivë ose familjarësh. Kështu nga 3-4 apartamente dhe 3-4 dyqane, në tapinë e re të milionerit të korruptuar, sot rezultojnë “një apartament, një dyqan, dhe kredi bankare e pashlyer”, ose nga pesë depozita bankare që ka patur, sot ata rezultojnë të kenë vetëm 1 ose 2, dhe me vlera 10 deri 15 milionë lekë, kurse pjesën e “luanit” ja kanë kaluar në emra të tjerë. Fshehja e pasurive jo të ligjshme, e pronave të grabitura, e trojeve të zhvatura nga gjobëvëniet, e milionave të vjedhura nga tenderat dhe sekserllëqet, mbetet krimi më i rëndë, që po kryhet ditën me diell në shkallë vendi, nga ata që duhej të kishin dalë para ligjit. Përpara kësaj maskarade dhe këtij krimi të rëndë institucional që po kryhet në prani edhe të zyrtarëve të shtetit si në hipoteka, kadastra, banka e zyra noteriale, qëndron neglizhenca dhe ftohtësia e organeve kompetente, i organeve të hetimit dhe kontrollit të pasurive. Kjo ka bërë që kollaret e shtetit, lubitë e korrupsionit; ata që nuk lindën, por u bënë në pak vite milionerë dhe pronarë tokash; ata që nuk i trashëguan nga gjyshërit dhe stërgjyshërit, por i grabitën dhe i zhvatën nën hundën e ligjit, të tallen me forcën e tij. Ata janë sulur dhe po “pastrojnë” gjithçka të pisët nga vetja e tyre, po pastrohen nga akuzat, denoncimet, penalitetet, dhe po shkelin sërish hapur ligjet e këtij vendi. Duke dashur të bëjnë “catharsis” mbi gjithçka të keqe që kanë brenda vetes, ata po gënjejnë veten duke menduar se “ligji nuk do t’i prekë”. Në rast se ndodh kështu, atëhere duhet thënë se reforma në drejtësi, ka dështuar ende pa u tharë boja e miratimit nga ky parlament. Por në vorbullën e kësaj maskarade, janë edhe mjaft ligjvënës, ministra dhe drejtues të tjerë më minorë se ata, që kanë mbushur xhepat dhe thasët me para koncesionesh, tenderash dhe investimesh, me para pronash të shitura dhe të blera për një copë bukë, madje edhe me para trafiqesh, sekserësh dhe droge si përdorues dhe përfitues. Reforma në drejtësi, duhet t’u nxjerrë “ujin e zi” lubive të dhjamosur me milionat e korrupsionit, kurse organet kompetente të mos mbyllin sytë dhe të mos bëjnë sehir, tek shohin lëvizjet e fundit dëshpëruese të atyre që prej kohësh duhet të ishin prapa hekurave, dhe që fatkeqësisht kapardisen akoma majë posteve të Rilindjes. Nëse duam që të vërtetojmë se sa të korruptuar dhe të lidhur më krimin janë deputetët aktualë dhe ata që do të zgjidhen pas 8 muajsh duhet padiskutim që të bëhet testi i drogës. Atëherë do të kuptojmë se ku e kanë gjetur drogën që kanë përdorur dhe pse këta deputetë, kryebashkiakë, politikanë dhe funksionarë të së drejtës janë të varur nga krimi që posedon dhe u shet atyre pluhurin e bardhë. Ja kjo quhet drejtësi dhe se parimi “të gjithë të barabartë përpara ligjit”, të mos zëvendësohet si më sot me parimin “mos bëni si bëj unë, por bëni si themë unë”…

Regjistrimi i pronave në kolaps, 80% me gabime

Deputeti i PD, Gazment Bardhi deklaroi se vijon të jetë një shqetësim ende i pa adresuar në mënyrë përfundimtare, duke cituar progres raportin e rezolutës së PE, mbeten të drejtat e pronësisë. Ai tha se procesi i regjistrimit digjital i të dhënave digjitale, jo vetëm që nuk ishte i kënaqshëm, por prirej drejt korrupsionit.

“Procesi i regjistrimit digjital i të dhënave kadastrale jo vetëm nuk është i kënaqshëm, por mbetet i prirur ndaj korrupsionit. Po ashtu procesi i kompensimit për pronat e shpronësuara padrejtësisht përgjatë regjimit komunist është ngadalësuar gjatë vitit, në pritje të ndryshimeve në legjislacion. Vetë procesi i regjistrimit sipas progres raportit është thuajse në kolaps, ku 80% e regjistrimeve kanë gabime dhe ku 1 e 10 e të gjithë territorit mbetet ende jashtë hartave kadastrale. Kjo gjendje vijon të mbajë peng gëzimin e të drejtës së pronësisë për qytetarët shqiptarë si dhe zvarrit procesin e kompensimit”-tha Bardhi.