Pas Butrintit sallameri “Hako” pushton edhe 4.6 ha park buzë Vjosës për resort e fermë derrash

179
Sigal

Edhe kompania e sallameve “Hako” sponsor aktiv i PS, është shpallur Investitor Strategjik, pas pazarit të pronarit Adnand Hako me kryeministrin Edi Rama, i cili vuri në rresht për të firmosur edhe 4 ministret: Ibrahimaj, Kumbaron, Krifcën e Ballukun.

Babloku i ka dhënë 47 mijë m2 pronë shtetërore, në parkun kombëtar buzë lumit Vjosë në fshatin Peshtan të Tepelenës, me afat për 99 vite, ku prodhuesi i sallameve me logon “Hako”, do të ndërtojë resortin “Zagroturizëm” me hotele, fabrikë pijesh, pulari e stallë derrash.

Këto sipërfaqe natyrale, ende të paprekura as 1 gjethe dhe asnjë cm2 tokë nga dora e njeriut, i janë dhënë falas me Vendim Nr. 17/5, datë 18 korrik 2022 nga Komiteti i Investimeve Strategjike, ku Edi Rama është kryetar, nën maskën e Investitorit Strategjik.

Në këtë zonë park kombëtar, falsifikatori, prodhuesi i sallameve “Hako”, pazarxhiu Adnand Hako, do ndërtojë një hotel 4 kate mbi tokë e 3 kate nën tokë, rrethuar nga një kompleks tjetër me shërbime të ndryshme në sipërfaqe totale 14 mijë e 404 m2.

Po kështu, projekti parashikon në total 30 mijë m2 kantinë për prodhimin e verës, pulari e stallë derrash; pemëtore, vresht, terrene sportive pishinë e jashtme dhe pesë vila druri me sipërfaqe  nga 350 m2 etj.

Skandali thellohet, kur mëson se vendimi për lejen Investitor Strategjik është dhënë më 18 korrik 2022; leja e ndërtimit “Z-LNM01042021” qysh më 10.06.2021, ndërsa lejet e shfrytëzimit të sipërfaqeve buzë Vjosës, i ka marrë që me 5 prill 2021 nga Bashkia e Tepelenës.

Pra, kompania “Hako” ka filluar ndërtimin 1 vit para shpalljes Investitor Strategjik i këtij resorti, për të cilin mes të tjerash, kryeministri Rama i ka dhuruar edhe këto sipërfaqe: 9200 m2 pyll, 1800 m2 kullotë, 12 mijë e 300 m2 lëndinë e arë dhe 15000 m2 pemëtore. Këto sipërfaqe pronë shtetërore në vartësi të ministrisë së Ekonomisë, Bujqësisë e Turizmit, brenda 10 ditësh i kanë kaluar në pronësi Bashkisë Tepelenë, ndërsa Bashkia ia dha firmës “Hako”. Çudi është fakti, se grabitjen e 4.6 hektarë park dhe ndërtimet prej betoni nga firma sallameri “Hako” në fshatin Peshtan, nuk i ka zbuluar akoma as kolegu Mero Baze, bir i këtij fshati sipas pamfletit.

Përveç firmës për këtë resort, Mirela Kumbaro kur ka qenë ministre e Kulturës, në muajin tetor 2015 i ka dhuruar firmës së sallameri “Hako” edhe 2000 m2 brenda Parkut të Butrintit me afat 99 vite, ku ka ndërtuar hotele e qepabtore prej betoni.

Më 9 tetor 2022, drejtori Artan Lame, pronari Adnand Hako dhe kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi, kanë qenë në zonën ku po ndërtohet resorti “Zagroturizëm- Peshtan”.