Dossier/ Rëfimi i agjentit të sigurimit të shtetit, Cufe Mullai

31
Sigal

Flet Çano Nora/ Ja intervista me Cufe Mullai, personazhit të romanit “Mërgata e qyqeve” të shkrimtarit Nasho Jorgaqi, që u botua në 100 mijë kopje dhe fitoi çmimin e parë, në 1979. Pse s’pranoi Kadri Hazbiu të shkonte te Enver Hoxha për Cufen? Si u realizua arratisja në Greqi, pse nuk i tregova familjes dhe burgosja në Janinë. Si arriti Cufja që të hynte në oborrin mbretëror në Belgjikë, duke jetuar mbi 10 vite në emigracion. Vdekja e Ahmet Zogut dhe pse ju besua fjala e lamtumirës, në varrimin e tij.

Rëfen agjenti i sigurimit të shtetit, Cufe Mullai, për përballjen me zbulimin grek

Pse s’ pranoi Kadri Hazbiu që për punën e Cufes të shkonte te Enver Hoxha?

Cufja, personazhi kryesor i romanit “Mërgata e qyqeve” të shkrimtarit

Nasho Jorgaqi, që u botua në 100  mijë kopje. Për misionin tonë s’e kishim ne në dorë për çdo gjë, edhe mund të më vrisnin, edhe mund të më torturonin familja ime nuk dinte gjë.

Çufe Mullai, në vitet e diktaturës komuniste, u bë një emër shumë i njohur. Emrin i tij do ta çonin gjer tek Enver Hoxha.Fushëbardhasi, Çufe Mullai, u përgatit si agjent nga sigurimi i shtetit, për tre vite rresht dhe pastaj u përfol se nuk donte të bashkpunonte me të huajt. Çufja një ditë do të bëhej një nga zërat më të njohur të Shërbimit Sekret Shqiptar nëpër disa vënde të botës, për të marrë të dhëna prej atyre që cilësoheshin armiq të popullit dhe të partisë. Por një ditë për qëndrimin e Cufes, u rrebelua dhe vet Kadri Hazbiu, që në atë kohë s’pranoi që për punën e këtij agjenti të shkonte deri tek Enver Hoxha. Kadri Hazbiu do të shprehej:”Unë te shoku Enver nuk vete, që t’i them se edhe një zbulues, i cili na mori të gjitha sekretet, për tre vite rresht ia kemi thënë të gjitha ato që kemi mësuar në Bashkimin Sovjetik dhe tani ai s’pranon që të bashkpunojë me ta.

Zoti Cufe, arratisja juaj ndodhi siç e kishit menduar ju më parë?

 

Çdo gjë e kishim menduar gjatë, që tre muaj më parë. Ishte një grup i tërë që punonte për këtë. Këtu u bëmë bashkë dhe me ata që na erdhën nga Tirana. Në datën 7 gusht do niseshim për të kaluar kufirin me grekun, por ne u takuam që një ditë para. E kisha mbledhur mëndjen “top” dhe s’e ktheja më. Këtë as që e shkoja ndërmënd. Ajo arratisje nuk ishte pa rrisqe, por unë e kisha vendosur, kisha tre vite që përgatitesha për këtë gjë. Nga shtëpia s’isha larguar ndonjëherë më parë. S’ishte e lehtë t’i thoshje”lamtumirë!” vëndit jot, familjes, të afërmve. Ndihesha i dëshpëruar se po lija gjithçka që e kisha ndërtuar vet nga e para. Për misionin tonë s’e kishim ne në dorë për çdo gjë, edhe mund të më vrisnin, edhe mund të më torturonin si të ishte shkruar fati im. Kur ika, as te familja ime nuk rashë në sy. Në çdo lëvizje duhej të isha i kujdesshëm. Ika me shokët e m’i për në festë, që të tjerët të kuptonin se do ktheheshim prapë. Kështu u përpunua opinioni. Dy oficerët e sigurimit erdhën më takuan dhe më paisën dhe me një biletë kamioni për në festën që bëhej atë ditë në Libohovë, në 7 gusht. U konsultova dhe me ata të sigurimit që erdhën me mua, diskutuam për orën dhe për vëndin se ku do të kaloja kufirin. Folëm për çdo të papritur. Të kaloje kufirin atëherë do mendoheshe mirë se mund të lije dhe kokën buzë tij. Rreziqet ishin me ty, ashtu siç është një mish i huaj në trupin e njeriut. Edhe brënda sekondës të ndodhte e keqja. Aty ku do kaloja kufirin, dheu ishte i punuar dhe kishte hekura me korent si dhe zile, që kushdo që do të kalonte këtu, do të linte gjurmë. Në anë të lumit do kaloja, kjo gjë dihej. Atje menduam se s’do diktohesha. Shfrytëzova ca ferra që ishin pranë lumit. Ngrita telin lart dhe kalova nën të. Shpëtova paq, por aventura sa kishte filluar. Duhej të përballesha çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë me të keqen, me frikën, me panikun, të cilat ishin brënda meje. Lëvizjet që do të kryeja i kisha të përcaktuara në një hartë, që e kisha marrë me vete. E hodha lumin, siç ju thashë, pastaj do të ngjitesha drejt një kodre përpjetë. Në atë kodër që më shfaqej përpara ishte dhe një postë greke. Në zonën e ruajtur, nëpër ca ferra të dëndura vazhdova të ecja në tokën greke. Posta greke ishte lartë sipër kodrës. Që të veja gjer aty më duhej të bëja dhe disa kilometra të tjerë. U nisa në orën dymbëdhjetë të natës dhe afër mëngjesit arrita në postë. Atje,siç e kisha dhe në hartë ,duhej të dorzohesha.Sapo ju afrova postës , më erdhi një civil grek.Isha grisur prej ferrave kur kalova kufirin dhe isha bërë gjithë gjak, edhe rrobat më ishin lagur kur hodha lumin. Greku më pa nga veshja që s’isha grek, m’u qas pranë dhe më tha që të ndaloja. Ai e dinte mirë dhe gjuhën tonë.

– Çfarë doni? – i thashë atij.

– Prit aty ku je!- m’u përgjigj greku i armatosur.

Isha vetëm pesë metra larg nga ai.

– Nga vjen , dhe ku kalove?- më pyeti këtë herë.

Nga Shqipëria po vij!- iu përgjigja përsëri unë. Atje poshtë kalova kufirin. Natë ishte, ku e di unë. Dua që të shkoj në një postë të policisë, e sqarova grekun. Postë kufiri apo çfardo qoftë. E pyeta kot atë, se unë e dija të sigurtë, që posta ishte vetëm një kilometër larg. Grekut i thashë që s’e di vëndin, kot eci, të dalë ku të dalë.

– S’ka problem, -të çoj unë më tha greku. Ai ngaqë edhe u tremb nga unë, i foli një greku tjetër që të vinte me ne. Edhe ai me automatik në krahë ishte. Të dy grekët, civilë ishin. Njeri prej tyre ecte përpara, unë në mes dhe tjetri në fund. Kur vajtëm tek posta , njeri nga grekët u tha:”U kemi sjellë një shqiptar, një shqiptar të arratisur”! Një marshall më urdhëroi që të hyja brënda. Sapo vajta, më pyeti:”Si je? Si shkon? Nga vjen? Më futën në një dhomë, sa të lajmëronin ata të kufirit. Do t’i pyesnin ata të kufirit, se iu erdhi çudi që s’më kishin diktuar dot kur kalova matanë.

Si vajti puna jote më tej?

Lajmëruan repartin e zbulimit grek. Për pak erdhi një major me një qen me vete. Majori kishte dhe dy ushtarë në krahë, që të dy të armatosur.

– Ku është diversanti? – pyeti majori. E keni kontrolluar?

– Jo,- i thanë ata.

Unë rrija në një krevat. Për çfarë të më kontrollonin! S’kisha gjë me vete. Edhe majori, edhe ata që ishin në postë, u sollën mirë me mua. Greku që dinte shqip më përktheu urdhërin e tyre:- Hiqi rrobat!

I hoqa rrobat, lakuriq fare, siç më kishte bërë nëna. Më kontrolluan. Rrobat e mia i dërguan në një vënd tjetër dhe më veshën me rroba ushtari. Edhe pse ato ishin të përdorura nga ushtarët grekë, merri vishi më thanë. Më dhanë edhe kapele greke. Më kontrolluan rrobat dhe mbajtën një proçes – verbal: “Nga erdhe dhe nga shkove?”

Por unë e dija përmëndësh, si një faqe gramafoni. Atë do të thoshja edhe 100 herë po të më pyesnin.Të pyet 100 herë, që të të kap në një vënd, që nuk ishte njëlloj thënia jote me njera – tjetrën. Më kontrolluan në xhep dhe më gjetën një biletë kamioni. Atë e kisha marrë me qëllim, për t’i mashtruar, se shkova në Delvinë për t’u shpëtuar komunistëve, se mos më ndiqnin dhe prej andej gjeta një kamion dhe erdha gjer në Jorgucat, tek kryqëzimi që kthehesh për në qytetin e Libohovës. Nga Libohova eca rrugës për në Greqi. E morën biletën, e panë që ajo ishte e një dite më parë. Me rroba ushtari, së bashku me dy ushtarët grekë dhe qenin me një xhip më çuan në divizionin grek në Kalivaç, i cili ishte një përrua. Nga udhëtimi më zuri makina dhe u bëra shumë keq. Më sistemuan në një çadër dhe më ruanin me 4 roje. Në atë moment u thashë:- Kam ardhur për të ndenjur, në daç ikni, në daç më lini vetëm.

Me sa kam dëgjuar juve edhe ju burgosën

Po e vërtetë. Më burgosën në burgun e Janinës. Atje bëra 5 muaj. Më vinin ata të hetuesisë në çdo kohë. Më pyesnin se mos isha dërguar nga sigurimi. Edhe pse iu thoshja që s’është e vërtetë, ata nuk hiqnin dorë nga bindjet e tyre:”Kemi të

dhëna, që ti je i dërguar prej tyre, më thoshnin”. Dhe kur isha në dhomën e atij hetuesit, kapitenit grek, më vinin edhe anglezë, edhe amerikanë, por kryesinë e kishin grekët. Në dhomë, e gjithë faqja e murit ishte me hartë tërë krahina ime, me lumenj, me fshatra dhe gurët i kishin. Unë isha radio telegrafist dhe më thoshte, që ti i di këto dhe i binte me mors “52- in”. Këtë e kishte të shënuar në hartë dhe ishte krahina ime, fshati im. Thashë me vete:”Ky ka shkuar në Fushëbardhë, e ka mësuar mirë biografinë ime, po më mirë të tregoj.

Nga burgu i Janinës më çuan në burgun e Athinës, atje ku ishte komanda e zbulimit grek. Më thanë me ne mbarove dhe tani do të shkosh në Athinë. Atje ishte një himariot që bënte punën e përkthyesit. Në kohën e Zogut, këtu, ai ishte avokat. Ishte mik me babain tim. Ishin njohur kur punonte në Tepelenë dhe në Tiranë. Misto Papadhimo e quanin. Koloneli grek i zbulimit urdhëroi që të më çonin aty. Dosjen time e kishte mbi tavolinë. Filloi nga pyetjet. Greqisht nuk dija. Më dukej se më bënte pyetje identike me ato që më kishin bërë ata të Janinës.

Bo – bo, thashë me vete, ç’kam për të hequr!

E hapi të gjithë jetëshkrimin tim.

– Ore, ti më thua që je himariot! Çfarë e ke Tefikun?

– Babai im është,- ia ktheva menjëherë.

– Po ku është ?- më pyeti.

 

– Është i sëmurë. Ka tre vjet si i tillë,vuan nga reumatizma.

– Po i bënë gjë Atij?

– I bënë të gjitha ,- e sqarova. Pensionin ia prenë. Vetëm në burg nuk e futën. Edhe në hetuesi e morën, por e liruan prapë.

– Po unë e kam si burazer,- më tha Mistua, përkthyesi. Është si vëllai im, miku im i ngushtë.

Që ishte miku i tij i ngushtë, këtë ia tregonte dhe kolonelit grek.

Pasi biseduan dhjetë minuta bashkë në praninë time, i tregonte se kjo është familje e mirë dhe e njohur. Pasi përkthyesi kryesor i zbulimit grek, i tregonte këto, koloneli mbeti pa fjalë.

Në një moment u shpreh:” E paskan torturuar kot ata të Janinës”

Dhe më pas vazhdoi duke u drejtuar nga unë:- Këtu kanë ardhur zogistë e ballistë, të gjitha llojet i ke këtu në Greqi. Po të flas si me njeriun e familjes time. Do të të çojmë në kamp përqëndrimi. Nuk është burg, por je i izoluar. Shiko punën tënde, se atje ke të hurit dhe të litarit”.

Cufja arriti që të hynte në oborrin mbretëror në  Belgjikë. Në vdekjen e Ahmet Zogut, ai mbajti dhe fjalën e lamtumirës, në varrimin e tij. Duke jetuar mbi 10 vite në emigracion, duke kaluar nëpër kalvaret e zbulimeve të huaja ishte vendosur në Belgjikë, ku arriti që të bënte edhe karrierën e tij.

Romani i shkrimtarit Nasho Jorgaqi,”Mërgata e Qyqeve”, ku personazhi kryesor ishte Cufe Mullai, u vlerësua me çmimin e parë, në konkursin kombëtar të vitit 1979, si romani më i mirë dhe që njohu tre botime me një tirazh, që sot është i pakonceptueshëm, në 100 mijë kopje.