Evdal Nuri: Libri i veteranit Orhan Frashëri, “Shpiragu i trimërisë”                                                                                   

654
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kush ishte Orhan Frashëri ?                                                           

Shokët e tij tregojnë. Aktivitetin e tij nё fillim e nisi me rininё e shkollёs qytetёse tё Kuçovёs, gjatë pjesmarrjes në LANÇl,  ku ishte njё nga kryesorёt. Mori pjesё nё prerjen e linjave telefonike etj. Veprimtaria e tij ra në sy dhe kuestura nxori urdhrin pёr arrestimin e tij, ndaj mё 4 shkurt 1942 doli partizan. Ai bashkё me K. Yllin, I. Sevranin, N. Dobrushёn, morёn takim me patriotin Mestan Ujaniku, tё cilin e bindёn dhe çeta e tij u kthye nё çetё partizane. Mё 14 mars 1942 u bё inagurimi i kësaj çete me komandant M.Ujanikun dhe komisar Gjin Markun, e cila u bё çeta e dytё nё Shqipёri, pas asaj tё Pezёs. Ky moment u pёrjetua nё kёngёn: “Nё Tomorr ku shkelin retё/ Ç’u mblodhёn trimat me fletё…”. Njё nga trimat me fletё, tё orёve tё para, do tё ishte edhe Orhan Frashёri. Tani ndjekja nga pushtuesit dhe qeveritё kuislinge do tё ishte e vazhdueshme. Shtёpia e tij ra nё sy tё spiunёve, disa herё u bastis, ndërsa njerëzit e shtёpisё u kёrcёnuan dhe u torturuan. Kёshtu, nё gusht tё 1942, nё befasi, forca tё shumta rrethuan dhe bastisën shtёpinё e tij, si dhe arrestuan 30 tё rinj e tё reja, midis tyre edhe Alqi Kondin dhe Hajdar Dushin. Me ta ishte edhe Orhani, por falё aftёsisё dhe zotёsisё sё tij, si edhe zgjuarsisё sё izraelitit Nikolla, që banonte nё katin e dytë, arritën të ikin. Kryetar i komitetit të veteranëve të rrethit Berat dhe anëtar i komitetit kombëtar të luftës së popullit shqiptar, Orhan Frashëri është autor i dhjetëra shkrimeve, opinioneve, portreteve e intervistave në mbrojtje të LANÇ-it dhe njëherësh, autor i disa librave me temë nga lufta. Tashmë janë të njohur librat e tij si: “Si bilbil, si shqiponjë” kushtuar Heroit të Popullit Ramiz Aranitasi; “Vite që flasin”; “Historiku i LANÇ-it të rrethit të Beratit”; “Udhëtim përmes plumbave” dhe “Shpiragu i trimërisë”. Orhan Frashëri mban titullin “Qytetar Nderi” i Beratit, Skraparit, Mallakastrës dhe komunës Frashër, në Përmet.

Orhan Frashëri

Libri i tij “Shpiragu i trimërisë”   

Ai s’jeton, por kujtimet, artikujt që ka shkruar, i ka paraqitur saktë e në mënyrë kronologjike në librin e tij “Shpiragu i trimërisë”. E kam njohur, ishte natyrë e qetë, por bindës në ato ç’ka të thoshte. Të 566 faqet e këtij libri janë një pasqyrë e gjallë e luftës e sakrificave që ka zhvilluar popullsia e krahinës patriotike të Shpiragut. Analiza e thellë që i bën  ish veteran, Ohran  Frashëri, të krijojnë një respekt të veçantë për krahinën e Shpiragut. Me fakte, ngjarje, emra, beteja, autori të bind për heroizmin e dhjetra fshatrave të Shpiragut historikisht, por sidomos gjatë LNÇl. Pas një udhëtimi të gjatë përmes “shiut”, të plumbave në udhën e kalldrëmtë mes gëzhojave, autori u rikthehet kujtimeve të tij  me një tjetër, pas atij, “Udhëtim përmes plumbave” monografi, mjaft tërheqës e bindës. Kemi të bëjmë me një “skenar”, cilësisht të pastër me materiale, ngjarje, dokumente, episode, luftëtarë, dëshmorë, heronj, drejtues, që të gjithë të arshivuara në arkiva dhe në memorien fantastike të aurorit. Ka qenë i kthjellët mendërisht, duke sfiduar pleqërinë, 90 e kusur vjeç! “Shpiragu i  trimërisë”, në analizën historike që autori bën, nuk është një krahinë apo një trevë që thjesht rrëmbeu një pushkë dhe hyri në histori si shumë krahina të tjera të Shqiperisë. Jo! Shpiragu ndryshe nga shuma krahina e treva, jo vetëm gjeografikisht, por edhe historikisht ndryshon dhe ka të veçantat e tij. Krahina e Shpiragut dhe shpiragasit, janë kampionë të luftëtarëve të lirisë. Liria në fakt, është “karta e identitetit” të vetë shpiragasve. Nuk gjen një vatër apo një oxhak autokton shpiragas, që të ketë “mbjellë” e  “ngrohur” virusin e pabesisë e tradhëtisë. Për këtë krahinë nuk mungojnë dhe legjendat. Legjendën, ndonjëherë e quajmë muza historike e historisë. Ajo lind mes një realiteti të ashpër që i jep rreptësinë, merr optimizmin dhe i jep jetë historisë.

Legjenda

Një herë jetonin dy trima. Ata quheshin Tomorr e Shpirag. Tomorri ishte shumë fisnik dhe i dukej vetja i ri. Shpiragu, s’ishte kaq i prirur pas ëndrrës, por i ndjeshëm ndaj entuziazmit. Midis tyre jetonte një vajzë e bukur, Kala. Bukuria e saj të mahniste. Edhe lulet më të bukura ulnin kokën para saj. Të dy ranë në dashuri me të njëjtën  vajzë. Miqësia e tyre po kthehej në urrejtje.  Të dy vendosën të luftonin.

Berati plak me nam,/ Çup të vetme  ka Kalanë
Tomorri me Shpiragë,/ Dy  male  vëllezër  janë.
Me Kalanë hodhën  sevdanë/ Bënë  sherr e bën’ hatanë,
Me njëri – tjetrin u vranë/ Shpiragu ‘bum’ me çomangë,
Në barkut i hapi plagë/ Tomorri  me  jataganë,
Fije-fije brinjët i ndanë/ Nga helmi e nga hataja,
Gurrë e shkëmb u bë Kalaja/ Tomorri kokën te qielli,
Shpiragu  nga  fshihet Dielli/ Kalaja  dit’ e nat’ qaj,/
Osumi lotët e saj.

Betejat

Ndër shekuj, grykat e Shpiragut kanë qenë vend betejash, por dhe vend  lotësh. Në këto gryka janë bërë luftime të shumta e të përgjakëshme me zaptuesit e huaj. Në lashtësi ne kujtojmë me krenari  historinë e të kaluarës së lashtë, ku janë hedhur copëza të historisë të kësaj krahine, që dëshmojnë për historinë e këtij populli elitë, por edhe për prejardhjen e tyre. Si rezultat i rrebeshëve e të luftrave grabitqare, ata kanë patur një emigrim ekonomik nëpër shtete të huaja, sidomos në ato ku kishin mundësi të siguronin jetesën për vetë familjen. Çdo shpiragas  që jeton sot  i moshuar  apo  dhe i ri, grua apo burrë, duhet të ndiejë veten krenar që është pasardhësi i atij populli, i cili që prej kohëve më të lashta, në bazë të dokumentave që përveç që janë bërë të njohura më pare, edhe në këtë libër historik. Populli i zonës ka luftuar me armë në dorë për çështjen kombëtare, duke qenë i rradhitur gjithmonë në krahun e lavdishëm.

Pjesmarrja e shpiragasve në luftën për liri dhe pavarësi kombëtare, sidomos gjatë periudhës së pushtimit osman, është një faqe e ndritur e historisë dhe e jetës së tij. Bashkëpunimi me kryengritësit e Mallakastrës dhe Labërisë, të komanduar nga Rrapo Hekali e Tafil Buzi, është një tregues pozitiv i qëndrimit atdhetar e luftarak i kryengritësve shpiragas. Mbi bazën e analizës historike autori përpiqet të zbulojë gjenezën e procesit historik, forcat lëvizëse, tendencat e prirjet e tyre. Këto janë vlërësuar vetëm në prizmin kombëtar. Sa dhe si i kanë shërbyer ato  interesit kombëtar. E kanë ndihmuar ato zhvillimin e vendit dhe të kombit në tërësi ? Autori i ka vendosur dhe analizuar ngjarjet, dukuritë, fenomenet, dhe proceset  politiko –shoqërore e ushtarake në shtratin historik të periudhës që ato kanë lindur, si përgjithësi e angazhim për zgjedhjen që diktonin interesat e atdheut dhe të kombit. Në libër pasqyrohet me vërtetësi madhësia e vendosmërisë  së shpiragasve përballë operacioneve fashiste. Ndonëse fashistët me zjarr dhe hekur, ushtruan terror, dogjën fshatra, grabitën pasuritë duke vrarë mjaftë  banorë, shpiragasit nuk u tutën, nuk u tërhoqën nga lufta e tyre e drejtë. Duhet theksuar se, krahina e Shpiragut ishte ndër të parat e çliruar,  nën pushtetin e Këshillave Antifashiste NacionalÇlirimtare. Është fakt historik shumë domëthënës që, shpiragasit në të gjitha përpjekjet politike e ushtarake apo dhe  sociale, kanë qenë të ashpër e të vendosur me armikun, por asnjeherë armën nuk ia kanë drejtuar fshatarit të krahinës. Nuk janë  vrarë me njeri- tjetrin. Fakti më i freskët në këtë drejtim ka qenë LANÇl. Periudha e LANÇl-së, e ngriti në majat më të larta këtë krahinë, pasi vuri në dispozion të kësaj, gjithë patriotizmin e tij, duke formuar dy çeta partizane dhe dy batalione. Djemtë, vajzat, e burrat më të mirë të tij, dhanë jetën për çlirimin e Atdheut. Brezi i moshuar që jeton akoma, veteranët e LANÇl-it, i  bëjnë apel brezit të pasardhësve, që duke mëshiruar ato virtyte të parardhësve të tyre, jo vetëm t’i ruajnë ato, por t’i çojnë pëpara, me atë vendosmëri e forcë dhe ndershmëri në kushte të reja te pluralizmit, duke nderuar veten për dhe gjithë ata që kanë punuar, e sakrifikuar për këtë krahinë. Shpiragasit në luftën për liri e pavarësi e liri kombëtare më të drejtë  i kujtojnë këto ngjarje, sepse ‘besa e burrit dhe pesha e gurit’, i takon përjetësisht trimërisë së shqiptarëve në ruajtjen e nderit e Flamurit.  Prandaj, vetë historia do si vulë të vërtetën, që në Shpirag janë rritur burra që nuk njohin dy flamurë. Ky libër jep një mesazh brezave të të gjitha kohërave, për t’u bashkuar rreth idesë kombëtare, të gatshëm për t’i shërbyer Atdheut e Kombit.