Ëngjëll Çiraku: Mirënjohje për personalitetin Isak R.Shehu

957
Sigal

Ëngjëll Çiraku
Dragua Shehu

I S A K R. S H E H U, një nga ikonat njerëzore…
Ndërroi jetë nga Covid-19

“ Filozof i madh i Greqisë së Lashtë D I O G J E N I, me fenerin e tij, ditën me diell kërkonte NJERIUN…Njeriun e urtë, të mirin, punëtorin dhe të ndershmin…!
Dhe si ky njeri, ka dhe kishte plot… I tillë ishte dhe ISAKU…!

Isaku, lindi në Tepelenë, 80 vjet më parë, në vendin e luftrave, në atë trevë të labërisë, në një familje intelektuale dhe të pasur. Gjyshi i tij, Sheh Maksuti u zgjodh delegat për Pavarësinë në Nëntor 1912, nga Kazaja e Tepelenës. Xhaxhai i tij, Haxhi Shehu i dënuar me 101 vjet burg nga regjimi i Zogut dhe sëbashku me babanë e Isakut, Reshat Shehu u bënë pjestarë aktive në Luftën Nacional-Çlirimtare. Babai i tij Reshati ishte dhe delegat në Kongresin e Përmetit.
Isaku mbaroi shkollën shtatëvjeçare në qytetin e Tepelenës dhe pastaj me bursë shteti shkollën e mesme, degën mekanike në Politeknikumin në Tiranë. Mbasi bëri 3 vjet stazh në minierën e Memaliaj, filloi po me bursë shteti, Universitetin e Tiranës, dega Ing. Mekanike, ku mbaroi me rezultate shumë të mira. U emërua ing. mekanik në Uzinën e Autotraktorëve Tiranë dhe mbas dy- tre vjet pune shumë të mirë, u emërua shef reparti. U specializua në RP të Kinës për një vit në qytetin Llojan. Mbas disa vjetësh kolektivi i kësaj uzine së bashku edhe me kontributin e ing. Isakut, bënë të mundur prodhimin e traktorit të parë bujëqësor në vendin tonë. Kjo ishte një fitore e madhe dhe meritë e inxhinierëve, teknikëve dhe e punëtorëve të kësaj Uzine. Për punë shumë të mirë në drejtim dhe organizim në këtë uzinë, Isakun e transferojnë në Komitetin e Partisë, që në atë kohë drejtonte gjithë problemet ekonomike të rrethit të Tiranës. Isaku tashmë ing. me eksperiencë, njihte mirë problemet dhe hallet familjare që kishin punëtorët si strehimin, punësimin e familjarëve dhe shkollimin, etj., etj.

 


Nëpër rajonet në të cilat ka punuar, ai ka bërë një punë të lavdërueshme, për hapjen e fronteve të punës, për punësimin e vajzave dhe djemve, për shtimin e kapacitetit të prodhimit, për strehimin, si dhe për shkollimin e tyre.
Isaku kishte cilwsi tw veçanta si NJERI. Ishte gojëmbël, human, i qeshur dhe gjithmonë e ka karakterizuar ndershmëria, komunikimi, drejtësia dhe edukata shembullore. Isaku ishte tip i thellë në mendime dhe shumë i gjykueshëm. Konseguent për mbrojtjen e parimeve të drejta të Luftës Nacional -Çlirimtare. Isaku nuk i ka pranuar kurrë deformimet që i bëhen kësaj lufte nga ballistët e atëhershëm dhe neoballistët e rinj, por i ka demaskuar me fakte konkrete, si pasardhës veterani dhe si njeri që ka punuar në mbrojtje të kësaj kauze.
Për Isakun dhe familjen e tij kanë shkruar dhe folur shumë në media, gazeta dhe libra. Sevo Tarifa shoku i hershëm i Isakut, në librin, “Luftëtarë të Tepelenës të pushkës e të penës”, në disa dhjetra faqe ia kushton kësaj familje, kurse për Isakun e hap shkrimin me titullin: “Lumit i ka hije vala, kurse burrit fjala” !
Për Isakun, kanë folur dhe shkruar edhe shumë të tjerë, si Gramoz Ruçi, Skënder Alikaj, Niko Ligori, Islam Hameti, Shyqyri Ruçi, Naim Saraçi, Nesip Ibrahimi, prof. Bashkim LLeshi, prof. Aleks Vranaj, Lumturi Rexha, prof. Anastas Dodona, prof. Llambi Langora, e shumë të tjerë.
Në vitin 1958, udhëheqesi i asaj kohe, Enver Hoxha vizitoi Tepelenën, u sistemua në shtëpinë e Reshat Shehut …Ndër të tjera ai pyeti Reshatin për fëmijët. Ai i tha se kam dy vajza dhe pesë djem, katër djem i kam në shkollë me bursë dhe jashtë shtetit, vajzat e martuara dhe djalin e madh, të voglin 6 vjeç, ai e përgëzoi për qenien arsimdashës…

 


Është e vështirë, tani po dhe atëhere të gjesh një njeri tjetër që të ketë vlerat njerëzore si të Isakut. Isaku ishte tepër i veçantë, nuk mbante kur mëri nuk ishte kurrë hakmarrës, por i drejtë dhe bujar. Kur një person rom nga lagjja ‘Kala’, komshi që banonte me familjen e Isakut në Tepelenë, ishte anëtar i Pleniumit të Partisë të rrethit. Babai i tij, në Reformën Agrare kishte përfituar nga familja e Isakut, rreth 20 dynym tokë pemishtete të cilat i zotëron dhe sot, i bën një letër zv. kryeministrit të atëhershëm Manush Myftiut, ku i shpjegon se janë shkelur parimet e Partisë, duke mbajtur në funksione të rëndësishme djemtë e Reshat Shehut, si Isak Shehun, Kryetar i Komitetit Ekzekutiv në Durrës, djalin e madh Draguan, Kryetar Dege në Kuvendin Popullor, kurse Fizionin Drejtor Drejtorie në Ministrinë e Ndërtimit…etj. Kur i thirri në zyrë Manushi ndër të tjera u tha: “…Pse mërziteni ju, ju ja keni thënë Partisë…në Vlorë. Më të pasur se mua nuk jeni…!?… Vazhdoni të punoni. …” Dhe e grisi letrën.
Pas disa vitesh, letërshkruesi i kërkoi të falur Isakut, jo vetëm kaq, po i kërkoi të ndërhynte për një padrejtësi që i është bërë familjes së tij. Isaku për disa vjet u transferua Kryetar i Komitetit Ekzekutiv në Durrës, ku me punën e tij të palodhur u bë shembull në drejtim dhe në organizim në këtë rreth me probleme të shumta ekonomike, që po shkonte drejt varfërimit, sidomos kooperativat bujqësore të rrethit, por ai diti të komunikojë me njerëzit, për vështirësitë e krijuara dhe asnjëherë nuk shkoi në ekstrem.
Nga Durrësi u largua me dashuri nga banorët, por dhe nga drejtuesit e ekonomisë e të kooperativave bujqësore të rrethit, si dhe nga administrata. Për punë shumë të mirë në Durrës, u dekorua nga Presidenti i asaj kohe me “Urdhrin për shërbime të shquara Shtetërore dhe Shoqërore” të Kl. l.
Si drejtues Partie në Rajonin 2, ka lënë gjurmë që kujtohen edhe sot. Po përmendim rastin kur në vitin 1992, mijëra të rinj dhe të reja u drejtuan ambasadave të huaja dhe porteve detare, për t’i shpëtuar gjendjes së keqe ekonomike. Po disa ekstremistë të asaj kohe morën masë ndaj Isakut, sepse ata nuk i ndaluan me çdo kusht, duke aluduar deri në përdorimin e armëve për të ndalur eksodin…!? Po Isaku nuk e humbi drejtimin, ruajti parimet njerëzore.\

 


Edhe pas daljes në pension, Isaku ngeli një aktivist i shquar i pasardhësve veteranë. Prandaj ai është bërë njësh me historinë dhe mbarti me vete atdhedashurinë. Patriotizmi i tij ka ndritur me gjithë shkëlqimin e vet, për mbrojtjen e luftrave të popullit tonë për liri e pavarësi, të Dëshmorëve dhe Heronjve të Atdheut.
Në vitin 1972, në Uzinën e Autotraktorëve, Isaku u njoh me Zana Voglin, vajzë tiranase e autoktone e Bilal Voglit, një çift i përsosur, model e shembullor, që lindën një vajzë dhe një djalë, Inën dhe Erjonin, të martuar dhe me fëmijë.
Figura dhe personalitete të tilla si Isak Shehu, i kanë bërë vend vetes gjatë gjithë jetës së tyre, kanë ngelur të ngulitur në mendjen dhe në zemrat e atyre, që e kanë njohur dhe kanë punuar me të, veçanërisht në Tiranë dhe në Durrës. Me këtë rast po përmendim telefonatat, emailet dhe mesazhet e shumta, të ardhur në adresë të familjes, nga e gjithë Shqipëria, në ditën e vdekjes dhe më pas.
Zana dhe fëmijët, u kujdesën dhe bënë çmos për Isakun e sëmurë nga
Covid-19. U kujdesën mjekët dhe sidomos ata në Spitalin Amerikan, po nuk e shkëputën dot nga kthetrat e Covid-19. Isaku u nda nga jeta, por nuk u nda nga familja, nga të afërmit, shokët dhe shumë të njohur të tij. Ekzistenca e Covid-19, bëri që familja e tij me mirëkuptim të kufizojë përcjelljen e tij në banesën e fundit.
I paharruar do të ngelesh o shok, o vëlla, Isak Shehu!