Dorshkrimet e Lasgush Poradecit: Himni i Flamurit drejt udhëtimit të tij kombëtar panshqiptar. Pse zgjedhja e Korçës si qyteti kryesor ku duhej bërë i njohur dhe përhapur himni, kishte domethenien e saj

44
Sigal

 Himni i Flamurit drejt udhëtimit të tij kombëtar panshqiptar

Kur u bë himni shqip në rethanat që treguam më sipër, rronte dhe zotëronte me plot fuqitë e tij sulltan Abdul Hamiti në Stambollin e famshëm, nuk mendonin shqiptarët se do krijohet dhe aq shpejt Shqipërija, as shqiptarët as udhëheqësit veteranë të tyre nëpër kollonitë e ndryshme të mërgimit; i këtij mendimi qe dhe kollonija e madhe e Bukureshtit, e cila çquhej me të drejtë si qëndra e gjithë kollonive të jashtme të tjera, si veteranja e veteraneve nga shoqet e saj. Kryetarët shqiptarë e filluan lëvizjen e çlirimit me një perspektivë kohe mjaft të gjatë, përspektivë prej më shumë dhjetëvitëresh, passi populli të ishte pregatitur nga kultura dhe nga drita istorike për t’u ngritur me themel gjer në ndjenjën e domosdoshme dhe të përgjithëshme të vetëdijes së tij kombëtare. Vetëm rëkëllimi i shpejtë i ngjarjeve e nxitoj harritjen e vetëqeverimit dhe të mëkëmbjes shtetore të dëshiruar. Ku e dinim ne– më flet gjithnjë veterani Asdren mi këtë punë- se do bëhet aq shpejt Shqipërija me një Turqi të fortë!. Dhe fjala e tij e urtë pa pretendime, përforcohet vetiu në të vërtetën e fakteve të mbaruara.

Duke mos qënë Shqipërija më-vetëhe, kuptohet sheshit se himni nuk u shqipërua prej Asdrenit me qëllim pan-shqiptar, me paramendimin që ay të mbajë mi supë peshën sa të rëndë aq dhe plot përgjigjësi të një himni kombëtar zyrtarisht të shuguruar. Ay grup djaloshar i Bukureshtit e përvetësoj himnin ashtu siç e gjeti, siç i-u parashtrua, dhe në qoftë se kopja e larguar prej origjinalit në drejtim të një ideologjije së nevojshme shqiptare, në u ngrit ajo me sulm të vetin, për hir të kushteve kombëtare të veta, sipër bazës nga e cila mori fluturimin, kjo i detyrohet me mirënjohje vjershëtorit Asdren që ashtu pajosi dhe me shkronjën e bukur të origjinalitetit vetor një poezi vetijash dhe rrethanash aq të vështira.

Sikundër fjalët -me rezervat e sipërshënuara-, ashtu përvetësuan ata këngëtorë dhe melodinë e himnit, të kompozuar siç pamë enkas prej muziktarit rumun Çiprian Porumbesku. E përvetësuan dhe e lanë ashtu të paçikur, dyke menduar se me ndryshimin më të pakët ajo nuk do kishte më efektin e duhur në këndim për shqiptarët e Rumanisë, në radhën e parë për të rinjtë, të cilët ishin mësuar njëlloj si dhe veteranët më pleq po me atë melodi për t’i nxitur bashkëkombasit në flakën e atdhedashurisë.

Dhe himni në këtë mënyrë i shqipëruar, i ngjitur dhe mi krahët e lehta të muzikës fluturonjëse, u vendos të shpihet me qëllim përhapjeje në Korçë- qëndër dhe zemër e kollonive kombëtare, mëma e kryevatrës së Bukureshtit.

Himni i Flamurit drejt udhëtimit të tij kombëtar panshqiptar

Zgjedhja e Korçës si qyteti kryesor ku duhej bërë i njohur dhe përhapur himni, ka domethënien e saj shumë të veçantë në vepërimin atdhetar të kollonive, në radhë të parë për kryevatrën e Bukureshtit nga gjiri i së cilës dhe kish marë lindjen dhe udhëtimin ajo këngë flakëronjëse.

Të mërguarit shqiptarë të Rumanisë, ata në Egjipt, Bullgari, Europë, Amerikë dhe Rusi, jo vetëm që në një përpjesëtim të rëndësishmë ishin nga vetë qëndra e qytetit të Korçës me pasanikët e mbëdhenj që shpesh herë kryesonin shoqërinë, po dhe gjithë ata që vinin nga qarqet e afërta ose të largëta, si për shëmbëll krahina e Pogradecit me mokrarët dhe gorarët besnikë të Nikoll Naços, themelonjësit siç u kujtua më sipër të të së parës fletore shqipe në Rumani më 1888 dhe të së parës shkollë normale shqipe më 1892,- i tërë ky varg shqiptarësh të njohur dhe të panjohur të cilët shërbenin me kushtim në falëtoren e kombit të vet, kishin për zakon të quhen me mburrje korçarë, korçarë për shumë arësye, përmi të cilat qëndronte ajo e çkëlqimit të Korçës si element kombëtar në krye të rretheve të Toskërisë ku ish filluar dhe po hiqej pa lodhur vallja e madhe e Rilindjes shqiptare së vetëdijëshme. Nikoll Naçua, nga prindër prej maleve të Pogradecit, pronjar  sipërmarrës i math dhe patriot i flaktë i Misirit, që kish vrarë me dorën e të – nipt- Vangjel Naço- konsullin grek në Mansurë për çështje kundërshtimi kombëtar, udhëheqës plot vepërim dhe dinamizmë i shoqërisë së tij së famshme Drita të Bukureshtit gjatë njëzetenëntë viteve të palodhura që më 1884 gjer në shtratin e vdekjes 1913, paraqiteshe zyrtarisht për propagandën, artikujt, pamfletet, dhe broshurat e tija me emrin e mburrur Nikoll N. Naço-Korça; doktor Spiro Maçuka prej Boboshtice, kryetar i shoqërisë së kollonisë së shqiptarëve të Rumanisë në Bukuresht prej vitit 1922 e me këtej, i çquar për merita me dekoratë prej qeverisë, i theshte vetes kudo dhe në çdo ngjarje korçar; Jan Danga i Postènanit, psalti i parë në kishën shqipe, anëtar i Korit Kishëtar dhe kryetar i Komunitetit Orthodhoks kombëtar të Bukureshtit, thuheshe përpara syve të botës gjithënjë korçar; korçar ish Kristo Luarasi që u shpërngul nga Bukureshti në Sofje për punimin e tij të paçmuar në shtypëshkronjën Mbrothësijakorçar dardhari Sotir Peci që shërbeu Shqipërinë dhe nderoj katundin e tij lindjak me zemër të pastër dhe me karakter të pathyer gjer në vdekje në arrati: korçar me plot dëshirë, aq sa qe vetë korçar korçari Thanas Tashko, kryeveterani i kuximshëm, i papërmbajtur dhe i pathyer në Faium të Egjiptit, i cili pat lënë pas, si trashëgim të pasurisë së prishur për mëmëdhenë, një familje të shtuar pa strehë shtëpiake dhe një pjellë delikate të shumëdashuruar që është bija e tij Teftë Tashko, sopranoja korçare e ëmbël e kryeqytetit.

Rezet e dritës të lëshuara rreth-e-përqark, gjer në fshatin më të mënjanuar, prej kësaj qëndre shpirtërore të Toskërisë, i këthehen kësisoj prapë me mirënjohje dyke i-a dyfishuar ndriçimin dhe prestigjin me anën e kushtimit të bijve të saj më të afërm dhe më të largët.

Dhe kësisoj pat sjellë, një shëmtë parë po jo më të parën, dhe m’i madhi vjershëtor i Rilindjes që brënda atdheut për Korçën Naim Frashëri, shëmbëll e cila përlavduron me të drejtë njëkohësisht autorin dhe qytetin traditor shumëmerituar te Jugës. Është adhurimi i kombit, i parasjellë në altarin e falëtores së Dërgimtarëve të tij nga më të parët:

            Lumja ti, moj Korça-lule,

                        Q’i le pas shoqet e tua:

                        Si trimi në ballë-u sule,

                        T’a paçim përjetë hua!

 

Në këtë Korçë pra, fole therrorije për ndriçimin kombëtar, në Korçën-plakë, u menduan kolloniasit e Bukureshtit të dërgojnë himnin e shqipëruar dhe të kompozuar gati.

Ishte viti 1908, ndërkohë gjindej aty atdhetari Tashko Ilo, një nga shokët e pasionuar të korit, si dhe poeti kryengritës Hil Mosi që kish ardhur në gji të kollonisë pak më von po gjith më 1908. Tashko Ilua përzjehej me zemër nër punët shqipe të shokëve të tij të tjerë, kurse Hil Mosi, që bënte dhe vjersha kombëtare, i sillej afër më shumë Asdrenit si përfaqësonjës poetik i kollonisë që ky kish filluar të nëmërohet veçanërisht prej zyrtare të botimit të librës Reze Dielli në Bukuresht më 1904, me parathënien e shkruar që më 1903.

Anëtarët më të nqasur me jetën vetore të Asdrenit e njihnin dhe më parë nga dorëshkrimi atë parëthënie, ku shënohet posaçërisht dobija e të pasurit të disa përkëthimeve nga këngët e huaja në gjuhën shqipe.

Miqësija e Hil Mosit me Asdrenin duket çiltazi dhe nga vjersha kushtonjëse që ka bërë Hil Mosi me rastin e endjes së tij nëpër Drenovë, katundi i freskët lindjak i Asdrenit, i frymëzuar për një kujtim të përmallshëm ndaj shokut të letrave pranë një kroj mërmëronjës:

 

                        “Ktu, afër ktij burimit…”;

ngjatjetim në të cilin vjershëtori i kollonisë së Bukureshtit i-u përgjigj me zemër të prekur dhe me vargjet e një rithmi iambik shumë hijerëndë:

 

                        “Sokol, o zog sokoli!…”

 

Këta të dy lajmëtarë të lehtë dhe të shpejtë të kollonisë i muar me vetëhe partiturat e himnit të bëra imtësisht gati me fjalë shqip- ato i mbante Hil Mosi- dhe i suall të gëzuar dhe kryelartë në Korçë ku fillonte hapin e parë qëllimi atdhesor i tyre.

Atëhere ishte shpallur përgjithërisht në Shqipëri koshtuta turke, dhe shqiptarët nga gjithë anët e organizatave të tyre në mërgim sulmonin atdhenë me një mijë lloj mënyrash propagande sgjuanjëse. Nga më të bukurat dhe më të bujëshmet vepërime të kollonisë së Bukureshtit, që si për herën e parë ashtu dhe tashi qëndronte në ballë të simotrave të saj të kudoshme, ishte ky vendimi i dërgimit dhe i përhapjes së himnit në Korçën disi të çliruar- atëhere simbol flamurtareje midis gjithë qyteteve të lëkundura prej marrjes frymë shqiptare.

Të dy kasnecët qëndruan në Korçë vëndërisht, Tashko Ilua në shtëpi të tij dhe Hil Mosi ne shqiptari i math Jovan Cico Kosturi, si nëpunës-llogaritar. Këtu në qëndrën e Toskërisë ku u rrah kaq herë mirë e paq mes valave të risgjimit, ay e ndjente vetëhen si në vatrën e vet lindore. Me Pashko Vasën dhe Filip Shirokën ay përbën trishin e pavdekur shkodran, që u pagëzua më së miri dhe u shpirtëzua e vepëroj në mezin dhe prej mezit të kollonive kryesisht toskërishte të mërgimit: Pashko Vasa në Stamboll, Filip Shiroka në Egjipt, dhe Hil Mosi në Bukuresht. Dhe kjo mbrujtje me frymën toske të Rilindjes, që është një frymë gazmore, e shpejtë, vepëronjëse, e bënte Hil Mosin- rëndë të pajosur nga natura me burrëri stërgjyshore- të hidhet i gatishmë kudo që bëhej një lëvizje patriotësh, kudo që plaste një kryengritje shqiptare: sikundër e ka pavdekësuar për hirin e këtij vepërimi të tij të shpënë gjer në pragun e therrorisë trupore At Fishta, në këngën e Ded Gjo Lulit të lahutës:

 

Lum për Ty, o i Lumi Zot,

                        Se ç’ka krisun n’at Deçiq,

                        Idhtë tue u gri turq, Grudë e Hot,

                        M’pushkë, m’singija edhè me klliç!

                        Kamë për kamë, por me malcorë,

                        M’Deçiq rra ka ‘i djalë i ri:

                        Qaj Hil Mosi, pushkën n’dorë,

                        N’parsme flamurin “kuq e zi”.

                        Se ky Hila, djalë shkodranë,

                        Per liri të ksajë Shqypnije:

                        Mbathë a dathë, ngranë e pa ngranë:

                        T’rit e jeten ba kisht’ flije!

                        Gjindja ashtu sa i’n tue u coptue,

                        Tuj u ba ata paçariz,

                        Asht turrë djali e t’ka flakrue,

                        Porsi gjarpen, mu n’mjedis;

                        E tue i dhanë aj zjarm “alltis”

                        M’ nji “manov” vjellun nga Azija,

                        Zhvillon flamrin e Shqypnis

                        E vrret t’madhe: Rrnoftë Shqypnija!

 

Dërgimi i himnit në Shqipëri me anën e Hil Mosit ka qënë një fakt i rëndësisë më së parë për shoqërinë e Bukureshtit, dhe një ndodhje fatmirë për çështjen kombëtare. Sepse Hil Mosi që në atë kohë patrioti më i shënjuar që të plotësojë një detyrë aq të lartë po dhe aq të mbushur me vështirësi, të mbushur me njëqind vështirësira siç isht përhapja e himnit. Përhapja parashikonte në krye të të gjithave mësimin e këngës, që duhej bërë prej një njeriu të aftë dhe të përshtatur i cili për veç talentit muzikor të domosdoshmë të zotëronte dhe mjeshtërinë e mënyrave të njëmijëllojshme për të tërhequr miqësinë- për të fituar simpathinë dhe besimin e atyre që do t’a nxinin himnin me qëllim përhapjeje. Dhe Hil Mosi qe pajosur për bukuri me këto cilësira të nevojitura të rrethanave të kohës. Me burrërinë hijerëndë të vëndlindjes veriore, të trashëguar nga atavizma e fisit, ay kish përvetësuar siç u tha më sipër dhe naturën e tij të dytë gazmore, shoqërimtare, të hepurshme, të bashkëjetesës me elementin tosk, aq e duhur për vepërim dhe ndikim në gjirin e turmës. Aq më tepër kur kjo turmë, nërmes së cilës duhej vepëruar, është lehtë e ekzaltuarshme po dhe kryefortë sepse fare e pavarrur në mëndësinë e lirë të vendimeve të saj.

Hil Mosit i pëlqenin këngët shqip, të cilat i këndonte ditën si dhe nër nete ay vetë, sepse kish edhe zë të mirë. Disa këngë shqip të kënduara brenda rretheve ku mblidheshin mëmëdhetarët në Korçë ishin të futura prej tij, nga ndonjëherë me tekst të improvizuar midis enthusiazmës. Kështu këndohej vjersha Drenova– e kushtuar siç pamë Asdrenit- dhe në këndim-e-sipër këngëtorët ndizeshin ca më shumë në strofën e fundme të saj ku ishte fjala për atdhe:

“Ktu, prane kishs tuj ndejun,

                        Shof fshatin ku kè lè;

                        Sesa nji fshat i bukur!

                        Sa i dashtun ky atdhè!”

           

Këndohej dhe kënga e tij që fillon me vargjet:

“Male dhe fusha ushtojnë sot,

                        Zëri- i atdheut po digjohet”,

e bërë enkas për Bandën e Lirisë në Korçë, trupi i së cilës më 1909 përbëheshe prej 25 vetash, me flikorn, pistone, base, kundërbase, një fyell, dy daullka dhe katër gërneta.

Për sa i përket melodisë së këngëve, autorët e tyre si dhe populli nuk çanin kryet dhe aq shumë për origjinalitet ose huarjes; i-a ngjitnin zërin këngës siç i-u tekej se vinte më mirë dhe atje ku e gjenin, nër këngët e tjera ballkanike ose evropjane: përsëritnin dhe ata një fenomen të përbashkët në procesin e përhapjes së këngëve popullore të melodijuara- të përbashkët dhe me kombet më të mbëdhenj të botës: melodinë e një kënge, qoftë dhe së huaj së vet siç mirnin dhe vjershat e poetëve të kohës, të rastit, vjersha kulte më shumë ose më pak, dhe i këndonin, i-u ndryshonin tekstin sipas kujtesës dhe nevojës, pas një intuite intime të ligjës së poetikës popullore.

Kjo ngjau dhe me himnin e Asdrenit:

Rreth flamurit të përbashkuar”,

Pranë flamurit të bashkuar”,

Flamurit pranë të bashkuar”,

që të trija këto varijime, të bëra prej popullit këngëtor, janë, për këtë, të njëvleftëshme. Populli desh të këndojë këngë shqipe me çdo mënyrë, e mori tekstin e këngës atje ku e gjeti, e ndryshoj siç i ardhi më mirë dhe më lehtë në vetëdije, dhe më në fund e zëvendësoj vargun origjinal:

Rreth flamurit të përbashkuar”

me vargun e vet popullor siç këndohet ky në përqindjen më të madhe prej të gjithëve dyke mos u përjashtuar krejt as elementi shkollor:

                        “Flamurit pranë të bashkuar”…

 

Nesër do lexoni:

 Dhe në se himni u përhap në tërë Shqipërinë dyke zotëruar zemrat shqiptare, kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer

– Kur u bë himni jonë i flamurit, askujt si shkonte ndërmënd se do krijohej  aq shpejt Shqipërija

­ Shugurimi popullor i himnit të Asdrenit si Himn Kombëtar

– Prej Kol Rodhes dual të nënëshkruar artikujt në Gazetën e Korçës përkrah dhe me shënimet e Branko Merxhanit

– Himni Flamurit pranë të bashkuar ka, si poezi, frymën e tij që e përshkon fund-e-krejt