Dhimitër Shtëmbari: Dëshmorët e Luftës së Spanjës në kujtesën e popullit shqiptar

55

“Vullnetarët e Lirisë”, që luftuan në Spanjë mbeten yje ndriçues

Sigal

Në datën 27. 10 2023, OKDA, nën drejtimin e kryetarit të kësaj Organizate, Dr. Gjergji Velo, u organizua në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave një solemnitet historik kushtuar Luftës së Vullnetarëve të Lirisë në Spanjë, ku u mbajtën 6 materiale, njëri prej të cilëve ishte dhe ai i mbajtur prej meje. Në këtë veprimtari merrnin pjesë edhe kryetari i Akademisë së Shkencave, Prof. Skënder Gjinushi, deputeti Petro Koçi, kryetari i Komitetit Kombetar të Organizatës së Veteranëve e të Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”, Prof. Hulusi Hako dhe të tjerë. Thjesht për të shuar kureshtjen e ndonjë prej miqve të mi, fjalën time po e jap në Fb. Respekte, miqtë e mi!

“Edhe pse të survejuar nga regjimi i Zogut, edhe pse të përfshirë si të kuq në listën e zezë, shumë atdhetarë shqiptarë vendosën të merrnin rrugën për në Spanjë. Nuk ishin fatalistë; ishin idealistë. Nuk ishin ëndërrimtarë; ishin guximtarë. Nuk lakmonin lavdi, ëndërronin liri, se ajo që po i ndodhte Spanjës, nesër mund t’i ndodhte edhe Shqipërisë. Ja, e gjitha kjo është futur e ka mbetur në kujtesën historike të popullit tonë”

Yjet ndriçues

Në një mbledhje të Lidhjes së shkrimtarëve të Shqipërisë aty mbas çlirimit, dikush i ardhur nga udhëheqja më e lartë e Partisë i qe drejtuar Skënder Luarasit, ish Vullnetar i Lirisë në Luftën e Spanjës:

– Në qoftë se do të ndodheshit në Shqipëri gjatë LANÇ, a do të dilnit partizan?

– Jo, – iu përgjigj menjëherë djali i Petro Nini Luarasit.

E gjithë salla heshti. Dhe çdokush shikimin e derdhi herë te ai që drejtonte mbledhjen, herë te ai që sapo kishte folur.

Në çast dëgjohet të flasë sërish Skënderi:

– Nuk do të dilja partizan, sepse do të isha vrarë që më 7 Prillin e tridhjetenëntës, ditën e agresionit fashist.

Të gjithë në atë sallë u çliruan nga ankthi, që i pat zënë. E nisa kështu këtë fjalë timen për të treguar, se ç’ideale të fuqishme fshihnin brenda shpirtit të tyre “Vullnetarët e Lirisë”, që luftuan në Spanjë e, mjaft syresh, edhe ranë atje për shfarosjen e fashizmit. Siç dihet, viteve tridhjetë në qiejt e Evropës nisën e vazhduan të endeshin retë e zeza të fashizmit. Depresioni i Madh solli në pushtet Partinë Socialiste Punëtore Gjermane (partia Naziste) me Adolf Hitlerin në krye. Evropa e çoroditur nga mosmarrveshjet dhe e hatërmbetur nga Lufta I Botërore i la mjaft kohë Hitlerit e Musolinit që të fuqizoheshin. Ahmet Zogu, i vetëquajturi Mbret i Shqiptarëve, kishte aderuar qorrazi në projektkonventën franceze për mospërzierje në punët e brendshme të Spanjës!!! S’kishte faj, e kishte vënë nën gjunjë fashizmi. Edhe pse të survejuar nga regjimi i Zogut, edhe pse të përfshirë si të kuq në listën e zezë, shumë atdhetarë shqiptarë vendosën të merrnin rrugën për në Spanjë. Nuk ishin fatalistë; ishin idealistë. Nuk ishin ëndërrimtarë; ishin guximtarë. Nuk lakmonin lavdi, ëndërronin liri, se ajo që po i ndodhte Spanjës, nesër mund t’i ndodhte edhe Shqipërisë.

Ja, e gjitha kjo është futur e ka mbetur në kujtesën historike të popullit tonë.

Dhe është ruajtur aty, në kujtesë, e sot përcillet si mesazh. Kujtesa kolektive e popullit tonë është arkivë e gjallë. Ajo është protokoll i pashkruar. Edhe pse kanë kaluar afro nëntëdhjetë vjet nga ajo kohë e Luftës së Spanjës, jehona e lavdisë së asaj lufte kundër fashizmit ka lënë gjurmë në rrugën e kujtesës. Disave iu këndohen këngë. Të tjerëve iu ngrihen buste. Dikujt i shkruhet monografi. Ndërkohë, përkujtohet një ngjarje, një datë e shënuar, një figurë lavdie e asaj epopeje heroike. Shkurt, mbahet e freskët kujtesa historike. Madje, pasurohet më tej. Me fjalë të tjera, madhështohet ajo çka na bën krenarë. Dhe Petro Marko, Skënder Luarasi, Mehmet Shehu, Mane Nishova, Musa Puka, Veli Dedi, Iljaz Pashaj, tërë shokët e tyre trima qëndrojnë përherë të gjallë mes nesh. Mjaft nga trimat e Luftës së Spanjës vërtet ishin ushtarakë, si Mehmet Shehu, Veli Dedi, Xhemal Kada, Ramiz Varvarica, Dhimitër Lito, Urfi Agolli, Zef Hoti, Xhelal Bajrami, por urdhrin për të shkuar atje ku po digjej edhe toka s’e morën nga ndonjë Komandë; e morën nga ndërgjegjia e vet. Vullnetarët e Lirisë ishin sa atdhetarë, aq edhe antifashistë të lindur. Kështu i kemi pas mësuar, të tillë na i sjellë kujtesa. U nis nga Korça Teni Konomi edhe pse autoritetet vendase e kërcënuan duke i thënë “nuk e njihni ju ligjin e mosndërhyrjes?!” U nisën nga Dibra e Madhe Zihni e Urfi Agolli. Nga Parga e Çamërisë Thimio Gogozoto. Nga Malësia e Madhe Zef Hoti. E kështu me radhë e me radhë. Rreth 60 të tillë morën rrugën nga Elbasani, Kosova, Kolonja, Puka, Përmeti, Dibra, Çamëria, Malësia e Madhe për në Spanjën e gjakosur rëndë. Shkonin në fund të dynjasë për Republikën e dalë prej zgjedhjeve. Populli ynë e ka ruajtur dhe vazhdon ta ruajë përherë të freskët kujtesën historike, sepse ai e ka provuar në shpinën e vet çdo të thotë harresë kombëtare. S’ka pritur t’i vijë lufta te dera. E ka nuhatur erën e barutit ende pa u shkrepur pushka. Lufta kundër fashizmit atje në Spanjë ishte një kauzë që frymëzoi, por edhe paralajmëroi çdo popull. Doemos edhe popullin shqiptar. Është shumë kuptimplote ajo çka shkruante Mehmet Shehu në parathënien e një libri, botuar në vitin 1959: “Lufta e Spanjës ishte parathënia e Luftës së Dytë Botërore”. Të rënët në frontet e ndryshme të luftës në Spanjë kundër forcave frankiste mbeten pjesë e pandarë e lavdisë shqiptare. Asnjëherë populli ynë s’i ka veçuar këta martirë nga bijtë e tjerë, rënë në Shqipëri. I ka njësoj në kujtesën e vet. Ranë në krahinat e Madridit, Malagës, Hueskës Albacetes, Barcelonës, Valencies, Aragonës, Ebros, Katalonjës etj., në kujtesën e vet populli ynë i njehson njëlloj si të kenë rënë në Shqipëri, apo në Kosovë. I kujton të tillë, sepse kauza për të cilën ranë është po e njëjtë, aspak e ndryshme me atë të atyre që ranë në trojet shqiptare. Ajo kauzë lindi, u forcua dhe mbeti thellësisht antifashiste. Asim Vokshi me Teni Konomin udhëtonin me një anije nga Franca për në Spanjë. Një skuadrilje avionësh fashiste qëlloi mbi anije, duke e ndarë më dysh! Dhe Teni mbeti i vrarë! Vërtet s’arriti të zbres në tokën spanjolle e s’u përballë me frankistë, apo anarkistë, por ai ra dhe mbeti në kujtesën tonë luftëtar i një ideali të madh: antifashizmit. Gjaku i Asim Vokshit, Hero i Popullit, u derdh dhe u përzje me atë të shumë të tjerëve, por me atë gjak ai nënshkroi ëndrrën e vet. S’i kishte mbushur tridhjetë e tetë vjeç Ramiz Varvarica, djalosh nga Peshkopia, kur do të binte duke luftuar në Kaspa të krahinës së Aragonës në Spanjë. Në familje, në fis e shumë më gjerë emri i tij ende thërret.

“Asnjëherë populli ynë s’i ka veçuar këta martirë nga bijtë e tjerë, rënë në Shqipëri. I ka njësoj në kujtesën e vet. Ranë në krahinat e Madridit, Malagës, Hueskës Albacetes, Barcelonës, Valencies, Aragonës, Ebros, Katalonjës etj., në kujtesën e vet populli ynë i njehson njëlloj si të kenë rënë në Shqipëri, apo në Kosovë. I kujton të tillë, sepse kauza për të cilën ranë është po e njëjtë, aspak e ndryshme me atë të atyre që ranë në trojet shqiptare. Ajo kauzë lindi, u forcua dhe mbeti thellësisht antifashiste”

Sepse është emër që madhështon lirinë, që lartëson Shqipërinë.

Ra në dhe të huaj, mbiu në truallin shqiptar, Xhemal Kada. Ishte vetëm njëzetegjashtëvjeçar. I arsimuar në vendlindje, i përgatitur si ushtarak në Torino, i provuar në Tiranë dhe i sprovuar në Kryengritjen e Fierit, djaloshi kosovar la pas fragmentin e tij të lavdisë shqiptare. Dhe populli e ka ruajtur atë aty ku mban gjallë njerëzit më të shquar: në zemër. Dhimitër Kosta, biri i paharruar i Leskovikut, u plagos në frontin e Madridit. Në rrapullimën e luftës u zhduk kampeve të përqendrimit të Gjermanisë dhe s’dihet ku përfundoi. Gjithsesi, emri i tij i ndritur erdhi në Leskovik, mbeti në Shqipëri, u fut në kujtesën e popullit dhe përfundoi në histori. Thimio Gogozoto, biri i paharruar i Çamërisë martire nga fshatrat e Pargës, kur iu tha familjarëve që të mos tregonin se për ku po nisej, ata i qenë drejtuar: Përse të mos tregojmë? “Sepse mund të më pengojnë të shkoj atje ku është ndezur zjarri kundër fashizmit”. Dhe shkoi, luftoi dhe ra si luftëtar internacionalist i Brigadës XII “Garibaldi”. Thimion e kujton Shqipëria, s’e harron Çamëria, e mban lart lavdia.

Vetëm njëzet e tre vjeç ishte Urfi Agolli nga Dibra e Madhe dhe ra krahas edhe dhjetë shqiptarëve të tjerë në brigjet e lumit Ebro, siç ra tridhjetëvjeçari Zef Hoti nga Malësia e Shkodrës në janarin e vitit 1937. S’patën familjar pranë; patën vëllezërit e tyre antifashistë shqiptarë, italianë, spanjollë, francezë, amerikanë. Dhe sot na flasin nga historia. Nisur nga Lufta e Spanjës, ecur drejt nesh nëpërmjet rrugës së kujtesës, dëshmorët e rënë nga radhët e Vullnetarëve të Lirisë sot i kemi mes nesh. E teksa mendon, se si një shqiptar shkon vullnetarisht kundër bishës gjakatare, s’ke se si të mos i kushtosh himn antifashizmit.

Dhe le të zbresim në vite, të dashur miq, e të mendojmë ditët tona, kur retë e fashizmit e të terrorizmit sërish enden qiejve të Evropës e më gjerë. Ndërsa kujtojmë e nderojmë Dëshmorët e rënë në Spanjë dhe tërë vullnetarët shqiptarë të lirisë, natyrshëm na del shprehja: në krah të partnerëve strategjikë, kurdoherë të gatshëm për të luftuar që në rrënjë çdo shfaqje të fashizmit e të terrorizmit!