Dështimi i politikave monetare të bankës së Shqipërisë

731
Sigal

Analizë nga Prof. Alqi Naqellari: Kurthi i likuiditeteve, goditje e rëndë për ekonominë shqiptare. Gjendja e rëndë për ekonominë shqiptare. Gjendja e rëndë e treguesve, veç qeverisë ngarkon edhe Bankën Qendrore si përgjegjëse për ecurinë e dobët financiare

Kurthi i likuiditetit, goditje e rëndë për ekonominë shqiptare

Prof. Dr. Alqi NAQELLARI

 

Para disa ditësh Guvernatori Bankës Qendrore dhe Kryetari i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave raportuan në Kuvend për periudhën një vjeçare. Nga raportimi tyre rezulton se situata në ekonominë shqiptare është e mirë, ka rritje ekonomike, inflacioni është në objektiv, depozitat janë rritur, kreditimi është rritur, kreditë me problem janë ulur, është rritur numri depozitave të siguruara, është ulur norma e papunësisë etj, etj,. Pra, sipas tyre gjendja është normale dhe nuk ka ndonjë problem për t’u shqetësuar. Konkretisht Guvernatori ndër të tjera (Prezantimi RV në Kuvend 08.05.2019) ka theksuar: “Sipas të dhënave të INSTAT-it, ritmi i rritjes ekonomike u përshpejtua në 4.1% gjatë vitit 2018. Rritja ekonomike pati bazë të gjerë. Ajo pasqyroi kontribute pozitive nga zgjerimi i konsumit familjar, investimeve të biznesit dhe eksporteve… politika monetare lehtësuese ka kontribuar pozitivisht, mesatarisht me 0.5 pikë përqindje, në rritjen ekonomike të dy viteve të fundit. Gjithashtu, kursi stimulues i politikës monetare ka kontribuar në qëndrueshmërinë e monedhës vendase. Të dy këto kanale transmetimi, kanë ndihmuar e do të vijojnë të ndihmojnë stabilitetin e çmimeve në vend”.

 

A është në fakt gjendja siç e paraqiti Guvernatori dhe Kryetari ASD-së?

 

Në fakt për mendimin tim dhe mendimin e dhjetëra ekonomistëve të tjerë nuk është kështu. Gjendja e ekonomisë shqiptare nën këndvështrimin e realizimit të treguesve monetare është jo e mirë. Dhe për këtë krahas përgjegjësisë së Qeverisë, e cila për fat të keq kritikohet vend e pa vend, kanë përgjegjësi po aq sipas fushave të tyre, Banka Qendrore e Shqipërisë dhe të gjithë Entet Shtetërore të pavarura. Kanë përgjegjësi ERE, ERU, AKEP, AMF, AK, KLSH, ASD, etj sepse të gjitha këto kanë për objektiv të tyre tregjet, që momentalisht janë një nga pikat më të dobëta të ecurisë së ekonomisë shqiptare. Këta dhe të tjerë duhet ta kenë të qartë se sa më i konsoliduar e konkurrent të jetë tregu, aq më e konsoliduar është demokracia, aq më e fuqishme dhe gjithëpërfshirëse do jetë ekonomia, dhe si të jetë ekonomia do jetë edhe arsimi, edhe shëndetësia, edhe vetë politika. Janë tregjet ato ku përballet kërkesa me ofertën, ku përballen interest e konsumatorëve si subjekte dhe objekte.

Cilët janë treguesit që do analizojmë për ta nxjerrë këtë konkluzion?

 

Së pari, ekonomia shqiptare është mirëfilli në Kurth Likuiditeti. Çfarë do thotë Kurth Likuiditeti? Kurth Likuiditeti do të thotë mosfunksionim i efektit të transmisionit të politikave monetare të Bankës Qendrore, ose dështim i efektit të politikave monetare të saj. Banka Qendrore duke parë situatën monetare në vend, gjendjen e agregateve monetarë, madhësinë dhe dinamikën e treguesve kryesorë makroekonomikë harton dhe zbaton politikat e saj, në mënyrë që të realizojë objektivat përkatëse për periudha afatshkurtra dhe afatgjata si dhe të ndikojë nëpërmjet tyre në përmirësimin e treguesve të tjerë. Një nga instrumentet politik kryesorë indirekt që ajo përdor në politikat e saj është edhe Norma Bazë e Interesit ose REPO. Ulja e saj presupozon që të rritet norma e inflacionit. Banka Qendrore e ka ulur këtë instrument që nga 2008 deri sot nga 6.25% në 1%. Inflacioni që duhej të ishte rritur si pasojë e efektit të transmisionit të kësaj politike nuk është rritur, me zor kap pragun e poshtëm të objektivit të saj 1.8%. Sa i përket efekteve të tjera, si rritjes së depozitave dhe kreditimit, rezultati i politikave të saj ose është i pandjeshëm ose nuk ka efekt fare. Në një vend normal do funksiononte ky efekt transmisioni i politikave të Bankës Qendrore:

BQ→↓REPO→↓iDepozitave All →↓iKredive All→ ↑Kredisë →↑Investimeve→ ↑Prodhimit Në Shqipëri nuk ka ndodhur një efekt i tillë.

Së dyti, niveli depozitave në lekë ka ardhur në rënie për vite të tëra. Për vitin 2018, depozitat gjithsej në krahasim me vitin 2017 janë ulur me (1,001.7 – 988.8 ) 12.9 miliardë lekë.

 

Tabela Nr. 1 Dinamika e depozitave dhe kredive në lekë

Viti

 

 

Depozita me afat në mld

/All

 

Rritja

%

Kredi në

mld /AllAll

 

Rritja

%

 

Diferenca

 

2013 397,295.6 2.3 219,933.0 2.2 177,362.6
2014 369,035.0 -7.1 233,443.0 6.1 135,592.0
2015 338,847.2 -8.2 240,783.9 3.1 98,063.3
2016 301,511.7 -11.0 259,547.6 7.8 41,964.1
2017 277,349.9 -8.0 273,261.9 5.3 4,088.0
2018 252,762.5 -8.9 268,872.2 -1.57 -16,109.7

Burimi. Banka e Shqipërisë

 

Dinamika e depozitave dhe kredive në lekë.

 

Të dhënat tregojnë se depozitat në lekë kanë vite që ulen. Në 2018 në krahasim me vitin 2013 janë ulur me 144.5 miliardë lekë. Një shifër kjo e frikshme, sa 10% e PBB-së nominale. Edhe depozitat në total, ku përveç lekut përfshihet edhe valuta e huaj, kanë ardhur në vitet e fundit në rënie. Nga 1014 miliardë lekë në 2016, në 1001 miliardë lekë në 2017 dhe 988.8 miliardë lekë në 2018. Shifrat e 2019 tregojnë se trendi tyre vazhdon të jetë në rënie. Ky është një tregues shumë negativ për një ekonomi që kërkon një rritje afatgjatë e të qëndrueshme.

Është shumë interesante këtu thënia e Kryetarit të ASD-së se depozitat janë rritur, është rritur edhe përqindja e sigurimit të tyre. Në Raportin Vjetor të ASD-së thuhet: “Ashtu si në vitin e kaluar, përgjatë vitit 2018 depozitat e sistemit bankar kanë pësuar një rritje të lehtë prej 0.5%. Në fund të dhjetorit 2018, totali i depozitave në sistemin bankar arriti 1,121 miliard lekë, krahasuar me 1,115 miliard lekë që ishte një vit më parë,…”.

Pyetja ime është: kush thotë të vërtetën Raporti Statistikor i Bankës Qendrore që jep shifrën 988. 8 miliardë lekë apo Raporti ASD që e jep 1121 miliardë lekë. Diferenca është e madhe 132.2 miliardë lekë. Cilin duhet të besojmë? Për vitin 2017 Raporti Statistikor i BQ jep shifrën 1001.7 miliardë lekë.

Së treti, kredia në lekë është ulur. Për vitin 2018 kredia gjithsej, në lekë plus valutë, në krahasim me vitin 2017 është ulur (550.3 -532.8) me 17.5 miliardë lekë. Guvernatori thekson (Konferencë për shtyp 8 maj 2019 ) të kundërtën, se ka rritje të kreditimit të ekonomisë: “Në fakt, sipas tij, kreditimi është rritur në mënyrë të moderuar gjatë viteve të fundit. Por për shkak të disa faktorëve – mbiçmimi i kursit të këmbimit (portofoli shprehet në lek) dhe nxjerrja e kredive me probleme jashtë bilanceve të bankave – teprica e kredisë ka rënie. Kredia ka pasur një rritje prej 5 % vitin e kaluar dhe 6% në tremujorin e parë të viti 2019, e zhveshur nga këta faktorë. Kjo rritje ka qenë dhe më e lartë sesa niveli i rritjes së PBB-së, që ishte 4.1% për vitin 2018”. Shifrat që pasqyruam janë të Bankës Qendrore nuk janë të INSTAT apo të marra nga ndonjë burim tjetër. Guvernatori duhet të lexojë publikisht Raportin Statistikor të Vitit 2018 dhe të japi arsyet e vërteta për shkaqet e rritjes së ekonomisë shqiptare sepse, për sa i përket Bankës Qendrore jo 0.5 pikë përqindje që nuk ka ndikuar por ajo me këtë situatë të rënies së kredive dhe depozitave, ka ndikuar negativisht. Për këtë situatë sipas tij nuk janë përgjegjëse vetëm bankat tregtare por edhe vetë bizneset. Po aty thekson: “Nuk janë vetëm bankat shkaktare kryesore të situatës së kreditimit. Duhet të kuptojmë që bankat janë njëra palë, pala tjetër janë ekonomia, tregu, dhe projektet. Bankat financojnë projekte të cilat plotësojnë kriteret e financimit. Sa më shumë projekte të mira të ketë aq më shumë bankat do t’i përgjigjen këtyre projekteve”. Po BQ-ja a ka një strategji për kreditimin, apo vetëm duhet të vazhdojë t’iu bëj thirrje Bankave Tregtare që të shtojnë kredinë, a ka vetë Banka një studim mbi diversifikimin e kredive sipas individëve dhe objekteve përkatëse. E themi këtë sepse të ardhurat e Bankave Tregëtare janë ulur ndjeshëm nga normat e interesit dhe kanë kaluar në produkte të formave të tjera. Ky aspekt duhet të bëhet shqetësim i madh për Bankën Qendrore sepse paratë e shqiptarëve duhet të shkojnë në kreditimin e ekonomisë shqiptare dhe të mos rrjedhin jashtë vendit e para, dhe të mos kalojnë në produkte thjesht në interes të fitimeve të vetë bankave. Nuk është rrudhur vetëm kredia në total por është rrudhur edhe kredia sipas rretheve dhe kredia sipas sektorëve të ekonomisë: Totali kredisë sipas sektorëve të ekonomisë ka qënë për vitet 2016, 2017 dhe 2018 respektivisht 547,1; 550,3; dhe 532.8 miliardë lekë, sipas destinacioneve, bujqësi, industri, arsim etj, etj po për këto vite ka qenë 370; 355 dhe 338 miliardë lekë. Është rritur kredia për individët. Kjo kredi nuk shkon direkt për rritjen e ekonomisë por përgjithësisht shkon në formën e over-drafteve apo për blerjen e pasurive të paluajtshme që nuk rrisin ndërmarrjet që prodhojnë mjete konsumi dhe çelin vende pune të qëndrueshme.

Së katërti, agregatet monetarë tregojnë se nuk kemi rritje formale ekonomike, rritje të qëndrueshme ekonomike, rritje që të vije nga rritja e prodhimit dhe për pasojë të sjelli punë-zënie më të lartë. Këto konstatime provohen nga të dhënat e pasqyrës së mëposhtme.

 

Tabela Nr. 2 Dinamika e agregateve monetarë

Viti M3, mld All M2, mld All M1, mld All M1% %M1/M3 % M1/ M2
2012 1,123,407.8 669,577.1 281,246.6 1.6 25.0 42.0
2013 1,148,980.9 693,172.2 295,876.5 5.2 25.8 42.7
2014 1,195,086.3 722,356.7 353,321.7 19.4 29.6 48.9
2015 1,216,175.3 722,954.1 384,106.9 8.7 31.6 53.1
2016 1,263,453.8 736,944.1 435,432.3 13.4 34.5 59.1
2017 1,266,900.0 738,900.0 461,600.0 6.0 36.4 62.5
2018 1,264,100.0 731,500.0 478,700.0 3.7 37.9 65.4

Burimi. Banka e Shqipërisë

 

Treguesi M2 është i pa stabilizuar. Ai përbëhet nga paratë jashtë banke, depozitat rrjedhëse dhe depozitat me afat. Ky agregat është rritur vetëm 2 mld në 2017 në krahasim me 2016 dhe është ulur në 2018 me 5.4 mld. Kjo tregon se janë ulur depozitat me afat ndërsa janë rritur paratë jashtë banke dhe llogaritë rrjedhëse. Agregati M3 në 2018 në krahasim me vitin 2017 është ulur me 2.8 miliardë lekë. Ky është një tregues shumë domethënës sepse në të përfshihen përveç paraja në lekë edhe depozitat në valutë. Ky është treguesi në bazë të të cilit bëhet llogaritja e shpejtësisë së qarkullimit të parasë. Sipas teorisë monetariste teorikisht duhet të kemi V *M = P/D*PBBr. Krahu i djathtë duhet të jetë i barabartë me krahun e majtë. Krahu i majtë ka Ofertën Monetare që shumëzon V shpejtësinë e qarkullimit të Parasë, krahu i djathtë ka Prodhimin e Brendshëm Bruto nominal. PBBn rezulton nga çmimi deflatorit që shumëzon PBB reale. Në rastin e ekonomisë shqiptare, sipas INSTAT, për vitin 2018 është rritur PBB reale me 4.1%, inflacioni me 1.8% ndërsa, sipas Bankës së Shqipërisë agregati M3 është më i vogël se viti kaluar me 0.23%. A mund të ndodhi kjo? Përgjigjen duhej ta jepte zoti Guvernator dhe përfaqësuesit e tjerë të Bankës sepse është lehtë të thuash se politika monetare ka ndikuar pozitivisht në rritjen ekonomike por, me këta tregues monetarë që rezultojnë është shumë e vështirë ta argumentosh atë. Me këtë nivel M3 duhet të ishte 10% më i madh nga sa është sot, sepse shpejtësia e qarkullimit të parasë nuk ka ndonjë motiv të brendshëm të ketë ndryshuar. jashtë

Së pesti, është rritur me ritme të shpejta qarkullimi i parave jashtë banke. Kjo do të thotë se ekonomia vepron në rritje në informalitet. Duke vepruar në rritje ekonomia informale ka ndikim negativ në një sërë treguesish të tjerë.

Dinamika e parave bankare në raport me agregatet monetarë

Ky konkluzion provohet nëpërmjet raportit të M1 me M2 dhe M3. Në Agregatin M1 përfshihet paraja që qarkullon jashtë banke, llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat. Sa më shumë para të qarkullojë jashtë banke kaq më shumë rritet informaliteti në ekonomi. Ky tregues i lartë është i zakonshëm për ekonomi të pa stabilizuara dhe në tranzicion siç është ekonomia shqiptare. Për këtë është e nevojshme dhe e domosdoshme formalizimi i ekonomisë dhe Banka Qëndrore në këtë nismë duhet të luajë rolin e saj kryesor.

Së gjashti, është ulur numri bankave nga 16 në 12 banka tregtare të nivelit të dytë. Po këtu Guvernatori thekson:“Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë që gjatë këtyre viteve kemi pasur një ristrukturim të sistemit bankar dhe së fundmi ne kemi konsoliduar numrin e bankave në sistem si pasojë e ndryshimeve strukturore në aksionerë të bankave. Sot kemi 12 banka nga 16 banka që kemi pasur vitin e kaluar. Ne presim që ky konsolidim të ndikojë në përmirësimin e situatës financiare në vend dhe stimulimin e kreditimit si pasojë e konkurrencës së shtuar, por dhe e strategjive të aksionerëve të rinj”. Është shumë interesante ti lexosh këto reshta, sepse kur janë çelur këto banka është thënë se do rritet tregu monetar, do rriten shërbimet dhe produktet dhe janë bërë shumë elozhe mbi bankat mëma që ato përfaqësonin. Sot pas kaq vitesh, thuhet përsëri që jemi mirë, nuk ka ndonjë problem me sistemin bankar, ka likuiditete, treguesit e sigurisë dhe stabilitetit janë të lartë etj, etj. Për mendimin tim ulja e numrit të bankave e bën tregun bankar më të centralizuar, e kthen në një treg oligopolistik. Kthimi në treg oligopolistik do të sjellë për pasojë centralizimin e mëtejshëm të depozitave, kredive dhe aktiveve kryesore në një numër të vogël bankash, të cilat do të kontrollojnë gjithë tregun. Ky do jetë problem, sepse do thellojë problemet me konkurrencën në tregun bankar.

Përfundimisht mendoj që: Ka ardhur koha që Qeveria Shqiptare, për nxitjen e një rritjeje të qëndrueshme Ekonomike të krijojë një Bankë Tregtare me Kapital Tërësisht Shtetëror. Një bankë e tillë do mbështesë politikat ekonomike të qeverisë dhe do sigurojë një konkurrencë të ndershme në tregun bankar. Vetëm qeveria nuk mund të realizojë rritjen ekonomike pa u mbështetur nga institucionet e tjera të lidhura me tregun.