Bernar Zotaj: Për Gjeneral Telinin e misioneve ndërkombëtare

682
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

 

NOA

Vendimi për kufijtë jugorë të Shqipërisë

Caktimi i kufijve të Shqipërisë u bë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Me 22 mars 1913 u vendosën përfundimisht kufijtë veriorë dhe në qershor-gusht 1913 u morën vendimet për kufijtë jugor. Konferenca e Ambasadorëve krijoi dy komisione ndërkombëtare: njërin për kufijtë me Malin e Zi e Serbinë dhe tjetrin për kufirin me Greqinë. Gjatë punës në terren komisionet, sidomos ai i jugut, hasën në vështirësi të mëdha deri në paralizimin e punës. Për këtë ju propozua Fuqive të Mëdha një vijë e re kufiri, e cila u vendos në Firence, ku Komisioni hartoi më 17 dhjetor 1913, protokollin mbi kufijtë jugorë e juglindorë të Shqipërisë, të cilët, me disa ndryshime të vogla, janë po ato që ekzistojnë edhe sot.

Kjo padrejtësi historike ndaj një prej popujve më të vjetër të Evropës, do të sillte ndeshje, gjak, mërira, dhunë dhe lot deri në fillimin e shek. XXI. E drejta vonon, por s’mungon, shqiptarët, të drobitur nga luftërat dhe të tradhtuar, vendosën t’i zgjidhin vetë problemet, duke vënë para faktit të kryer Fuqitë e Mëdha. Lufta e Vlorës, Kongresi i Lushnjes etj, sollën pranimin e Shqipërisë më 17 dhjetor 1920 në Lidhjen e Kombeve. Në këto kushte më në fund, Konferenca e Ambasadorëve në Paris më 9 nëntor 1921 vendosi që kufijtë shqiptaro-grekë të mbeteshin po ato të caktuara nga Protokolli i Firences, kurse për kufijtë verilindore bëri përsëri ndryshime në favor të Jugosllavisë. Për caktimin e këtyre kufijve konkretisht në vend, u la të formohej një komision, me përfaqësues të Anglisë, Francës, Italisë dhe Japonisë, i cili u krijua më 8 janar 1922. Në të merrnin pjesë përfaqësuesi i Italisë Gjeneral Enriko Telini, i Anglisë kolonel Gilles, i Francës kolonel Ordion, dhe kapiten De Limperani që ishte sekretar i përgjithshëm i komisionit. Japonia nuk dërgoi delegatin e saj. Kryetar i komisionit u caktua Gjeneral Enriko Telini dhe jo rastësisht.

Gjeneral Telini (Enrico Tellini) kishte lindur, më 25 gusht 1871 në Kastelnuovo të Garfanjanës. Ai kishte marrë pjesë në luftën italo-turke dhe në Luftën e Parë Botërore. Për zotësinë e disiplinën e lartë arriti të marrë gradën e Gjeneralit të Brigadës pas shërbimit si kolonel i Shtatmadhorisë. Pranë komisionit do të punonte dhe një komitet tekniko-gjeografik. Shtetet e interesuara për kufijtë Shqipëria, Greqia dhe Jugosllavia do të kishin përfaqësuesit e tyre pranë komisionit. Përfaqësues i Shqipërisë në fillim u caktua Bajram Fevziu, i cili me pas u zëvendësua nga Dhimitër Berati, sekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Komisioni erdhi në Shqipëri në mars 1922 dhe filloi punimet në zonën kufitare nga mali Gramoz deri në pikën e kufirit greko-shqiptaro-jugosllav, për të vazhduar pastaj për më në jug.

 

Për një bashkëpunim të sinqertë

Komisioni ndeshi në pengesa të mëdha nga delegacioni grek. Në një raport të gjeneral Telinit thuhet se “Ky delegacion, nuk më jep besim për një bashkëpunim të sinqertë. Delegacioni kërkon me të gjitha mjetet dhe pretekstet për t’u larguar… Autoritetet dhe trupat greke nxjerrin pengesa nga më të ndryshmet”. Në nëntor, për shkak të këtyre pengesave dhe dimrit që po afronte, Konferenca e Ambasadorëve vendosi që punimet e caktimit të kufijve të rifillonin më 1 maj 1923. Gjeneral Telini, gjatë punës së tij, u përpoq të ishte i paanshëm në marrjen e vendimeve; sipas rastit, ai nuk kurseu as shqiptarët, as grekët, as jugosllavët. Në raportin e fundit drejtuar Konferencës së Ambasadorëve, më 26 gusht 1923, pikërisht një ditë para vrasjes, gjeneral Telini shprehet se “… vendimet e komisionit janë të paanshme” dhe ai “po kryen detyrën e tij duke u bazuar në ndërgjegjen e vet e drejtësinë”.

Gjatë qëndrimit në zonat shqiptare, gjeneral Telini u prit si mik dhe u respektua për punën që po bënte. Shpesh i shoqëruar nga delegati shqiptar dhe nga anëtarë të tjerë të komisionit, ai bëri vizita në fshatrat shqiptare. Banorët sa herë që e takonin në rrugët e Korçës, në koncertet e Bandës Kombëtare “Vatra” apo në kinema Modern, ku shëtiste lirisht, e përshëndesnin me gëzim e dashuri të dukshme. Krejt e kundërta ndodhte në shtetin fqinj, ku ndaj punës së komisionit kishte një qëndrim agresiv e sabotues. Sipas një raporti të Konsullatës italiane në Janinë, gjatë një diskutimi në një moment rrëmbimi, përfaqësuesi grek kishte thënë për gjeneral Telinin “duhet vrarë”. Këtë frazë ky kolonel e ka përsëritur edhe në një lokal publik. Më 27 gusht 1923 komisioni i kufirit do të shkonte nga Janina në Kakavijë, ku do të përfundonte vendosjen e disa gurëve kufitarë atje. Herët në mëngjes, u nisën nga Janina automobilat e delegatëve shqiptarë, grekë e italianë. Automobili i përfaqësuesve grekë pësoi një “defekt”. Automobili i italianëve parakaloi atë grek, duke ndjekur automobilin shqiptar. Gjeneral Telini ishte 30 minuta larg përfaqësisë shqiptare. Pasi kaloi automobili i komisionit shqiptar, në afërsi të Janinës, në vendin e quajtur Zepe (54-55 km larg Janinës), 4 km larg Delviqanit dhe 10 km larg kufirit shqiptar, midis Delviqanit dhe Arnishtes, rruga ishte e bllokuar me drurë të mëdhenj. Vendi i zgjedhur ishte shumë i përshtatshëm për pusi, në bërrylin e një kthese. Kur arriti automobili i gjeneralit, shoferi Renixho Farneti dhe përkthyesi shqiptar Thanas Kraveri (Leskoviku), zbritën për të larguar drurët nga rruga, por u qëlluan prej personave që kishin zënë pusi dhe mbetën të vdekur që të dy. U vra dhe doktori Luixhi Korti që ndodhej brenda në makinë. Adjutanti Mario Bonaçini sapo doli prej automobilit, u plagos rëndë e mbeti nën të. Gjenerali u hodh nga makina dhe pasi u largua rreth 20 m mbeti i vrarë me revolver në dorë. Delegati shqiptar, i mbështetur nga dr. Xhioti (i Institutit Gjeografik italian), kërkoi sërish që të shkonte në ndihmë të gjeneral Telinit, por përsëri nuk u lejua një gjë e tillë. Trupat ishin transportuar në Janinë e në vendin e ngjarjes kishin mbetur vetëm disa gjurmë gjaku.

Vrasja e komisionit italian shkaktoi krizë në marrëdhëniet italo-greke. Qeveria italiane bëri përgjegjëse palën greke dhe kërkoi dëmshpërblim për këtë vrasje. Kjo krizë solli edhe pushtimin e përkohshëm të Korfuzit nga ana e italianëve. Kush ishte vrasësi i misionit italian? Komisioni i hetimit nuk dha përfundime. Por një gjë ishte e sigurt, krimi u krye për motive politike. Autorë të tij ishin ato forca, të cilave u prishte punë korrektesa dhe paanësia e gjeneral Telinit dhe delegacionit italian.

Mirënjohja shqiptare

Kjo vrasje shkaktoi një reagim të fortë në Shqipëri. Opinioni publik shqiptar i konsideroi viktimat “theror për të drejtat ndërkombëtare”. Parlamenti shqiptar në shenjë zie ndërpreu punimet e tij për 24 orë. Autoritetet më të larta shqiptare i dërguan telegrame ngushëllimi personaliteteve italiane dhe familjeve të viktimave. Telegrame dërguan dhe bashkitë dhe populli i të gjitha qyteteve shqiptare. Në Korçë, në kishën e Shën Gjergjit, u bë një përshpirtje për gjeneralin e shokët e tij, ku merrnin pjesë autoritetet më të larta të qytetit. Populli i Vlorës ditën e 3 shtatorit, kur do të përkujtonte me festime 3-vjetorin e çlirimit të qytetit nga forcat italiane, vendosi të shfaqë hidhërimin e tij për vrasjen çnjerëzore me anë manifestimesh. Manifestuesit që arrinin në 3-4 mijë vetë u drejtuan në konsullatën italiane ku i shprehën ngushëllimet konsullit italian. Që andej vajtën në kishën katolike ku u bë një përshpirtje. Po ashtu në Tiranë, në kishën katolike, në atë ortodokse dhe në xhami u kryen gjithashtu shërbesa fetare për shpirtin e të ndjerëve të komisionit Italian

Gazeta e Korçës, më 1 shtator 1923, e vlerëson kështu gjeneral Telinin: “Emri i tij do të mbetet i paharruar për popullin shqiptar. Historia e rilindjes tonë kombëtare, emrin e këtij gjenerali të nderuar, së bashku me atë të kolonel Tomson, do ta përmendë me një nderim të madh, për shërbimet që i solli Kombit tonë të shumëvuajtur”. Gazeta “Vatra Shqiptare” do të shkruante: “Gjeneral Telini për ne përfaqëson, njëkohësisht idenë e drejtësisë dhe atë të mbrojtjes të interesave tona”.

Për vlerësim dhe nderim të veprës së Gjeneral Enriko Telini, më 1933 në qendër të Tiranës qeveria shqiptare emërtoi një rrugë të re “Rruga Gjeneral Enriko Telini” dhe në krye të saj u vendosi bustin e Telinit, i bërë nga skulptori Odhise Paskali, te sheshi ku sot është Akademia e Shkencave, në vitin 1941. Gjenerali italian Enriko Telini që ka dhënë kontribut unikal në historinë e Shqipërisë. Ai gjithmonë do të përkujtohet dhe do të nderohet nga shqiptarët.