Në moshën madhore, ose siç i themi, “mosha e tretë”, në kujtesën e njeriut vijnë shumë të freskëta episode të jetës së fëmijërisë e të rinisë së hershme, të cilat na bëjnë t’i jetojmë sërish e madje na përfshin dëshira për t’i hedhur në letër. Të tilla ndjesi më vijnë ndërmend edhe mua për fshatin tim të fëmijërisë, “BITAJ”. Prindërit e mi janë me origjinë nga Radeshi, fshat i Skraparit. Ata, në vitin 1944, për arsye ekonomike erdhën në Myzeqe, si vend fushor, me toka pjellore e të lira dhe jetuan në harmoni të plotë me fshatarët autoktonë të Bitajt, deri në vitin 1965, kohë e cila shënjon shpërnguljen tonë për në fshatin e madh, Kolonjë, i cili kishte kushte më të mira jetese dhe për arsye se është pranë rrugës automobilistike veri-jug, (sot autostrada veri-jug), nga ku mund të shkosh më lehtë në qytetet Fier, Lushnjë, Berat, etj.
Unë jam i datëlindjes 1944 dhe duke e njohur mirë shpërndarjen e banorëve të Bitajt dhe jetesën e tyre në dy sistemet shoqërore, u nxita të shkruaj diçka për fshatin tim, në nder të inteligjencies së fshatit, që është shpërndarë nëpër botë dhe të lexuesve të shumtë të gazetës prestigjioze “Telegraf”.
1.VENDORIGJINA E BANORËVE TË FSHATIT BITAJ
Banorët e fshatit “BITAJ” kanë ardhur nga fshatra të ndryshme të vendit tonë.
Më parë, do të rendis fiset e fshatit dhe origjinën e çdo fisi. Fshati Bitaj ka gjithsej 25 fise. Kryesisht ata kanë ardhur nga fshatra përreth Lushnjës, por edhe nga fshatra të ish-rretheve të tjera të vendit. Le t’i shikojmë më konkretisht:
Et’hem Kalemasi ka ardhur nga fshati Mëlovë i Skraparit, më 1936. Ky ishte banori i parë i Skraparit që erdhi në Bitaj. Ai erdhi me bagëtitë dhe si një djalë i shkathët e bari i zoti, dijti të sillej me fshatarët, t’u hynte në zemër e t’u shërbente me tregtinë e qumshtit të deleve, shitjen e qengjave dhe krijoi kështu përshtypje mjaft të mira në zonën tonë. Pasi u martua me vajzën Hazbie Kajmak Bejlliu, krijoi një bazë të fortë në zonë dhe nga lidhjet që mbajti me vendlindjen, nga Radëshi, pas 3-10 vjetëve erdhën në Bitaj edhe banorë të tjerë si: Hasip S. Buba, ardhur nga Blezencka Skrapar, 1939. Halim e Sefedin Sulçe, ardhur nga Radeshi, më 1944. Babai ishte borizan, rrogtar në qeverinë e Zogut në repartin e Elbasanit. Mete Koprencka ardhur nga Koprencka në vitin 1952. Fisi “Koçi” ardhur nga Bubullima e Lushnjës. Fisi “Burgjia” ardhur nga Libofsha e Fierit. Fisi “Gjolena” ardhur nga Vasjari i Tepelenës, më 1900. Fisi “Ndoni” ardhur nga fshati Pirrë i Lushnjës. Fisi “Bejlliu”, ardhur nga Imshta. Fisi ‘Xhindole”, ardhur nga Imshta. Fisi i Sali Gremit ardhur nga Belina e Fierit. Fisi “Pllana” ardhur nga Kosova, fshati Plementinë, rrethinat e Prishtinës. Fisi i Nezet Çelës, ardhur nga Mati.
Fisi i Ramadan Beqirit ardhur nga Pobrati, Berat.
Fisi i Sherif Beqirit ardhur nga Çorrushi, Mallakastër, 1905. Fisi i Selim Xhaf Hoxhës, ka ardhur nga rrethi i Gramshit. Fisi i Xhaf Balit ka ardhur nga Balaj e Lushnjës. Fisi i Zenun Haxhiut, ardhur nga Lushnja. Fisi i Osmanëve, ardhur nga fshati Samaticë, Berat. Fisi i Karemanëve, ardhur nga fshati Polikësht, Berat. Fisi “Menko” ardhur nga Lenia e Gramshit. Fisi Doko, ardhur nga Mërtishi i Lushnjës. Fisi i Ramadan e Fejzi Çelës kanë adhur nga Ngurrëza. Fisi Metushi, ardhur nga fshati Gjonas i Lushnjës. Fisi i Arapëve, ardhur nga Arabia Saudite. Pra, siç vihet re, kemi të bëjmë me një fshat me popullsi heterogjene, ardhur nga fshatra të ndryshme të republikës. Ajo që vlen të vihet në dukje, lidhur me këtë popullsi është fakti se gjatë gjithë kohëve familjet e ardhura me ato autoktone kanë pasur një shkuarje mjaft të mirë dhe këtë vlerë të vyer njerëzore ua transmetuan edhe fëmijëve të tyre. Ndërkohë kjo ka forcuar edhe më shumë marrëdhëniet mes tyre si dhe ka ndikuar në ngritjen e nivelit të jetesës, të shkëmbimit të kulturave, përmes eksperiencave të çdo fisi, i cili vjen me një mentalitet që venitet para atij autokton të vendësve, ashtu si edhe merr përparësi e bëhet dominues sa i takon vlerave emancipuese të shoqërisë, familjes, informacionit, kulinarisë, vet horizontit të gruas apo në tërësi familjes e shoqërisë, e cila ka tëndencë të përkrah të renë, e të lërë pas krahëve konservatoren.
2.BITAJ, NJË FSHAT ME TRADITA
Fshati Bitaj bën pjesë në Njësinë administrative të Kolonjës, bashkia Lushnjë. Bitaj kufizohet në jug me tokat e fshatit Kolonjë, lagjja Drëngë. Në lindje kufizohet me fshatin Rrapëz, (ndarje natyrore nga kanali i madh). Në veri kufizohet me tokat e fshatit Gradishtë dhe Kaskadën e kanalit të madh. Në perëndim kufizohet me tokat e fshatit Xhepaj, Vanaj dhe Daullas. Sot ka një popullsi prej 234 banorë. Ka pasur e ka një burim ujor që fshati e ka emërtuar me toponimin “Burimi i Lajthisë”, i cili ndodhet tek shtëpia e Kadri Pllanës. Çezma e Lajthisë u ndërtua nga ushtarët italianë, më 1939, të cilët dominonin lartësitë e Ardenicës e më tej. Nga fshati Bitaj largimet e familjeve (transferimet), kanë filluar qysh herët. Aktualisht, në Bitaj kanë mbetur 80 shtëpi. (17 prej këtyre shtëpive janë të kyçura, pa njeri, për arsye nga më të ndryshmet). Në fshatin Kolonjë kanë ardhur nga viti 1963 e deri më sot, rreth 71 familje. Ka disa arsye që ka ndodhur kjo shpërndarje e popullsisë: Janë më afër rrugës automobilistike veri-jug, e krijohen lehtësi lëvizjeje për në Lushnjë Berat e në Fier, kanë punuar në punë shteti dhe shumë pak kanë punuar në kooperativën bujqësore. Sot fshatarët e Bitajt kanë marrë tokë nga reforma sipas ligjit 7501, rreth 6 dynym për frymë. Fermerët kryesisht kultivojnë drithërat e bukës, por edhe pemë e perime apo vreshta. Bitaj ka një sipërfaqe prej 282 ha, frutikulturë 65 ha, ullishte 47 ha dhe pjesa tjetër sipërfaqe toke arë. Germerët kanë një tendencë që të shtojnë sipërfaqen e ullinjve. Pak familje kanë krijuar vreshta. Mbjellin: grurë, misër, fasule, perime etj. Banorët e Bitajt pjesën më të madhe të tokës e kanë në kodër dhe fatkeqësisht ka rreth 32 vjet që nuk vadisin asnjë metër katrore tokë. Vetëm 2 vitet e fundit me kujdesin e pushtetit lokal, falë rikonstruksionit të rrjetit të kanalizimeve, ujitet rreth 80 ha tokë. Kush ka mundur, ka shpuar një pus me sondë dhe vadisin drithërat dhe ullinjtë. Bitaj ka vetëm 1 infermiere e cila kryen shërbimet më të domosdoshme, si bërjen e vaksinave të banorëve etj. Infermierja quhet Raimonda Lushi dhe vjen çdo ditë që nga fshati Kolonjë.
- BESIMI NË FE DHE INSTITUCIONET FETARE
E para gjë ku besohet se njerëzit e fshatit shkonin me dëshirë dhe bindje të brendshme, ishin: kisha dhe xhamia. Përgjithësisht ata zgjidhnin vendin e tyre të faljes, pavarësisht nëse kishte apo jo kishë fshati, sepse dikur faleshin nëpër institucionet periferike. Ajo që mbahet mend nga banorët është se ata ruanin në banesën e tyre shenjtorë në korniza dhe i mbanin si gjënë më të shënjtë në mur apo në oxhak, dhe ua trashëgonin edhe fëmijëve këtë përkujdesje. Fshati Bitaj ka patur 2 kisha. Kisha e Shenepremtes, e cila është në kufi me fshatin Daullas të Fierit dhe me tokat e fshatit Gradishtë.
Ajo ka funksionuar deri në vitin 1967. Kisha frekuentohej nga banorët e fshatrave: Bitaj, Daullas, Gradishtë, e Korie. Pas vitit 1967, si të gjitha kishat e tjera, edhe ajo pësoi fatin e simotrave…. u shembën ose u shkatërruan për t’u përdorur me të tjera funksione. Sot ajo nuk e ka më emrin “kishë”, por depo uji. Nga kjo depo furnizohen me ujë fshatrat: Gorre, Shakuj, Lumth, Bishqethëm, Rrapëz. Kisha e Bitajt është ndërtuar në vitin 1914. Pas 27 vjetësh, trualli ku ishte ndërtuar kisha pësoi rrëshqitje dhe në vitin 1941 u bë në një truall tjetër, aty ka ndodhet sot, pak më shumë se 100 metër larg vendit të mëparshëm.Kjo kishë e ka emrin “Shën Gjoni”. Ajo hapet në ditë të shënuara të kalendarit ortodoks. Kisha, festën e emrit e ka më 22 maj të çdo viti. E bukur është se ajo frekuentohet nga të dy besimet fetare, të krishterë e myslimanë. Dikur kisha varej nga Manastiri i Ardenicës. Sot celësat e kishës së Bitajt i mban prifti i kishës së Kolonjës. Ajo kishte 6 kryqe nga jashtë, por rinia e asaj kohe ia hoqi kryqet me urdhër nga lart. Edhe brenda ia hoqën të gjitha ikonat. Fillimisht u bë vatër kulture, pastaj sistemi e përdori për gatishmërinë luftarake, pra e ktheu në depo armatimi për çetën territoriale. Çeta e ruante objektin 24 orë me roje dhe ky, i armatosur. Pasi u shkrinë edhe çetat territoriale, objekti (kisha) u kthye në depo për mbajtjen e drithit të kooperativës bujqësore. Pas shndërrimit të sistemit shoqëror, (me ardhjen e demokracisë), në vitin 1990, kjo kishë u ristrukturua dhe sot është në shërbim të banorëve si një kishë e rregulltë, modestisht e pajisur me ikona dhe mjete të tjera për shërbesat fetare. Frekuentohet nga banorët më tepër në ditë festash. Ristrukturimi i kishës së Bitajt u bë nga Kisha Autoqefale Shqiptare. Ajo çelet gjatë ditëve të shënuara. Celësat e kishës së Bitajt i mban prifti i kishës së Kolonjës. Xhamia dhe kisha e Kolonjës u ndërtuan në vitin 2007.
- ARSIMI DHE MËSUESIT E PARË
Para çlirimit mbizotëronte analfabetizmi në fshat.
Qeveria e asaj kohe i premtoi popullit ngritjen e institucioneve arsimore dhe zhdukjen e analfabetizmit dhe në këtë drejtim u bënë disa gjëra me vlerë. Në fshat u ngrit grupi i personave që do të përgjigjeshin për mësimin dhe shkrimin e gjuhës shqipe. Komisioni i fshatit tonë përbëhej nga: 1.Todi Papa, nga drejtoria arsimore Lushnjë.
2.Isuf. S. Gjolena, kryetar i këshillit të fshatit.
3.Vezire S. Sulçe,mësuesja e kursit kundër analfabetizmit.
Prej motrës kam si një kujtim të bukur edhe listën e personave që kanë frekuentuar kursin për zhdukjen e analfabetizmit: Ata janë: File Beqiri, Bajame Karemani, Xhemile Çela, Sheqere Gjolena, Xheka Gjolena, Salushe Pllana, Nekie Arapi, Gjena Burgjia, Lefteri Koçi, Hava Beqiri, Mile Pllana, Hysnie Çela, Razie Çela, Hatixhe Beqiri, Xhevahire Gjolena, Vita Burgjia, Zare Haxhiu, Kadrie Çela, Hedie Beqiri, Pavlina Rista, Tefta Velo, Dafina Çili, Shaqe Arapi, Ngjelina Koçi dhe Llamba Doko.
Shkolla e fshatit Bitaj u çel në vitin 1953. Shkolla ka qënë me klasa kolektive deri më 29 shtator 2019, vit që iu vu kyçi. Mësueset e para kanë qënë:

1.Aneta Bushamaku, nga qyteti i Beratit, e cila ishte transferuar me gjithë bashkëshortin, Cacin, në rrethin e Lushnjës. I shoqi i saj ishte me detyrë në administratën drejtuese të arsimit të rrethit të Lushnjës. Në vitet ’60, ai ishte kujdestar i konviktit të shkollës së mesme pedagogjike “Babë Dudë Karbunara”, Berat. Aneta ka marrë pjesë në LANC, e inkuadruar në Brigadën e VII, Sulmuese dhe tregonte se ka luftuar për çlirimin nga nazizmi deri në tokat e Jugosllavisë. Mbas çlirimit të vendit, ajo u emërua në Lushnjë për mësimin dhe edukimin e brezit të ri. Në vitin 1953, Aneta ka qënë mësuese në shkollën e ciklit të ultë të fshatit Bitaj. Atëhere mësuesit e ardhur nga rrethet e tjera sistemoheshin në fshat dhe jetonin e flinin në bazë. Ajo flinte në shtëpinë e Rrapo Toku Koçit. Mësues të tjerë të atyre viteve kanë qënë edhe:
2.Ndine Ndoni Koçi nga fshati Bitaj.
3.Gjergj Kola, “Mësues i merituar” i cili ishte nga Lumthi.
4.Vangjel Bardhi nga Bubullima.
- Zyra Ahmet Çela nga Bitaj.
- Kudret Bejlliu nga Imshta.
7.Dhimitër Shtëmbari nga Pirra.
8.Fatbardha Kurti nga Kolonja.
9.Ana Bushi nga Kolonja.
10.Zarik Ndreçka nga Kolonja.
11.Llambër Hila nga Kolonja.
12.Dafina Hoxha nga Kolonja.
13.Rrapi Xheka, nga Kolonja.
14.Jolanda Gjini nga Kolonja.
15.Drita Sema nga Kolonja.
16.Matilda Prishka nga Kolonja.
17.Rajmonda Kola nga Kolonja.
18.Roza Bejlliu nga Kolonja.
Znj. Rozeta Bejlliu sot është drejtore e shkollës së mesme të bashkuar të Kolonjës. Shkolla e fshatit Bitaj është mbyllur në shtator të vitit 2019 për shkak të numrit të paktë të nxënësve. Nxënësit e këtij fshati tani frekuentojnë shkollën e Kolonjës dhe udhëtimin banorët e kanë zgjidhur privatisht me një mikrobuz. Kopsht për edukimin parashkollor nuk ka në fshat.Ka disa vite që ai është mbyllur për shumë arsye që i nxori reforma në arsim.
Kurse çerdhja e fshatit nuk mbahet mend se para sa vitesh është mbyllur. Është për të ardhur keq që fshati është katandisur në këtë gjendje, por ky është realitet i dhimbshëm, që s’dihet se kur do t’i dalë krisma…!