Sulejman Mato: Sindikata e kontrollorëve të Rinasit…

412
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Një mesazh sindikalist.

Ajo çka ndodhi disa ditë më parë në aerodromin e Rinasit me vuri në mendime për të sjellë në vëmendje një problem shumë sensibël që është harruar në ndërmarrjet private dhe institucionet shtetërore: mungesa e sindikatave . E themi qysh në fillim se kemi të bëjmë me një lloj punonjësish, të cilët paguheshin si në perëndim e ndofta dhe më mirë, me katër mijë euro në muaj, ndërkohë që asnjë punonjës i shtetit shqipar nuk e ka ëndërruar këtë lloj page, madje do ta kishin zili të gjithë punonjësit e shumë institucioneve shtetërore. Pikërisht prej saj erdhi dhe zilia, denigrimi, jo vetëm i ministres dhe kryeministrit, por edhe i njerëzve të thjeshtë, që marrin paga , jo më të larta se 300 euro në muaj. Pas bojkotimit që ata i bënë detyrës së tyre duke u solidarizuar së bashku në një vendim të sindikatës së tyre , dhe pas lajmit të bujshëm se ata po kryenin një krim , një tradhti kombëtare madje dhe më tepër, një puç shteti, një puç i kryer politikisht dhe pikërisht , në ditët e fushatës elektorale, puç i cili shkonte në interes të partive opozitare, dhe njerëzit më të thjeshtë nisën të nervozoheshin. Si ka mundësi? Si ka mundësi të bëjë grevë një grup punonjësish të përkëdhelur nga sistemi, të cilët dhe kualifikimin e tyre me dhjetra mijëra euro e kanë kryer me subvestim shtetëror, punonjës të privilegjuar, të lidhur me pushtetin dhe pinjollë të pushtetarëve, të cilët paguhen me paga shumë herë të larta?

Si ka mundësi që fëmijët e disa liderve të pushtetit në fuqi, siç është fjala, për djalin e Gramos Ruçit, të solidarizohet me simpatizantë të LSI së dhe PD-së?

Duke hyrë më në brendësi të këtij fenomeni, marrim vesh se pagesat variojnë mbi 4000 euro në muaj . Po emërtimet e tyre a u janë nëështruar konkurseve dhe a janë vlerësuar sipas CV ve, siç trumbetohet me të madhe sot që vendet e punës fitohen me konkurencë të lirë?

Nga personat që punojnë në atë sipërmarrje kuptohet lehtë që konkurimet në Shqipëri janë një fasadë , se s’ka si të ndodhë ndryshe që në vende të tilla pune me paga të tilla, mund të fitojë një person i cili nuk ka qenë apo nuk është pjesë e familjeve të pushtetarëve.

Punonjësit e kontrollit në Rinas kanë qenë persona të privilegjuar. Janë jo vetëm shpatullat e ngrohta, por edhe pagat e larta u kanë krijuar mendësi dhe kushte për pavarësi dhe liri shprehjeje..

Janë pagat e larta ato që u kanë mundësuar lirinë e fjalës dhe lirinë e kërkesave të tyre legjitime.

Të frikur se mund të ndodhnin ulje të pagave në raste të veçanta, ashtu siç ndodhi, në kuadrin e pandemisë ata shfrytëzuan sindikatën, si të vetmin organizëm ligjor ,në mbrojtje të të drejtave të tyre ekonomike.. Pritën një vit që të zgjidheshin kërkesat e tyre në rrugë administrative, Më së fundi vendosën t’i bëjnë karshillëk punëdhënësve dhe shtetit, duke bojkotuar punën…

Ky vendim, pavarësisht nga iniciatorët e tyre, u miratua unanimisht nga sindikata e tyre e përbërë prej më shumë se 70 punonjësish.

E them dhe njëherë, liria e vërtetë lind nga siguria e pagave të larta.

Sindikata e kontrollorëve është e para sindikatë në Shqipëri me paga të nivelit europian…Pagat e tyre europiane u krijuan mundësi të jetojnë si europianë, të mendojnë si europianë dhe të veprojnë si europianë. Ndryshe nga të tjerët ata kishin rezerva ekonomike dhe mundësi për ta mbrojtur veten në kuadër të një sindikate, si europianë. Në qoftë se do të kërkonim një insitucion tjetër të ngrinte krye dhe të kërkonte të drejtat  legjitime, ai do të ishte një institucion i tillë i paguar me paga të tilla europiane. Sindikata me punonjës me paga 300 euro e 400 euro nuk do të mund ta bënin dot kurrë një veprim të tillë pasi me pushimin nga puna u rrezikohej jetesa e tyre. E keqja e këtij vendi ka ardhur nga pengu i pagave minimale që nuk përballojnë dot as ekzistencën e tyre. Nga kjo pikëpamje kotrollorët e Rinasit si avangarda e një sindikate dhanë shembullin se si mund të organizohen dhe si mund t’i kundërvihen shtetit, se si mund të organizohen punonjësit e një shoqërie private, rreth një sindikate, e cila mbron të drejtat e tyre të ligjshme. Bojkotin Rama e quajti “Grusht shteti nga ana e liderve të opozitës, ndërsa Basha e quajti lojë të Ramës në ikje. Punonjësit e kësaj kompanie edhe pse mund të kenë prirje partiake të ndryshme, qëndruan solidarë ndaj kërkesave të tyre ekonomike. Bojkotimi ose greva e tyre ishte një veprim i drejtë dhe një shembull dhe për të tjerat sindikata të vendit, në qoftë se ekzistojnë të tilla. Ajo që më nxiti të shkruaj këtë shkrim ishte solidariteti i kësaj sindikate, e cila mbronte të drejtat e veta ekonomike dhe që kjo ndodh pikërisht tek ata punonjës të specializuar, të cilët edhe pse kishin paga shumëfish më të larta se punonjësit e tjerë të këtij vendi, dhe pse kishin pikëpamje të ndryshme partiake u solidarizuan në mbrojtje të të drejtave të tyre ekonomike. Këto ditë pati disa politikanë dhe analistë, të cilët në vend që ta përkrahnin këtë lëvizje sindikaliste, e keqkuptuan, e patën zili, madje e denigruan duke e quajtur:”grusht shteti” dhe ‘tradhti kombëtare”.

Ndërkohë që patëm të bënim me njo grevë 24 orëshe, një grevë e zakonshme, e cila bëhet në çdo vend të botës kur preken të drejtat legjitime të punonjësve. Kjo lloj greve ishte pionierja e parë e grevave të tjera që duhet të pasojnë , në një vend që jo vetëm nuk ka sindikata, por edhe shteti ndërhyn me një arrogancë të paparë, me fletpushime dhe ndjekje penale.Unë kam pritur që të zgjohen punonjësit e këtij vendi, të kuptojnë se jetojnë në një shtet demokratik që kanë të njejtat të drejta legjitime, si në të gjitha shtetet e tjera demokratike. Brenda kompanive private dhe shtetërore duhet të funksionojnë sindikatat si shpresa e vetme e mbojtjes të të drejtave të punonjësve. Vetëm të bashkuar në sindikata punonjësit e këtij vendi mund t’i mbrojnë të drejtat e tyre ekonomike. Le të konsiderohet ky bojkotim si një sinjal ogurmirë për lindjen e sindikatave, të cilat do të krijojnë një klimë të re demokratike në vendin tonë, që punonjësit të mos presin zgjidhjet e problemeve të tyre ekonomike prej partive, por prej sindikatave të tyre të punës.