Evdal Nuri: “Keni të drejtë”, jeni të mërzitur

490
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Këtë shprehje e dëgjova nga Kryeministri në takimin që zhvilloi në Korçë.  Të them të drejtën më pëlqeu. Më pëlqeu në teori, se në paktikë s’na i qan hallin ! Kemi tre dekada që s’po e gjejmë “ këtë të drejtë .”  Disa herë ka theksuar :“S’jemi të rënë nga Qielli”. Këtë e dimë, por që mund të ishit  më tepër me këmbë në tokë, jo vetëm për t’na  qarë hallet në teori , por dhe për t’na i zgjidhur në praktikë  këtë s’e kuptoj !   Ai nuk e cilësoi për pensionistët , por e tha në përgjithësi. Fillova të mendoj , mbase secili thotë ‘Nëna ime “ . Që jemi të mërzitur dihet , por sa do të vazhdojë  kjo askush s’mund t’na i thotë ? Si shumë po na vazhdon kjo mërzitjë ? Kjo na ka krijuar strese , depresion , ca nga mosha , të tjerat nga  varfëria, pandemia , krimi , korrupsioni e tjerë . Para 30-vjetëve, kur u bënë ndryshimet  ishim 40-vjeç e tani 70. Shpresat ishin të mëdha e mendonim se muarrën fund vuajtjet ekonomike , shpirtërore, sociale…!   Të djathtët na kanë drejtuar 13-vjet, kurse të majtët 17. Premtimet kanë qenë të mëdha , por gjendja është kjo që jetojmë  çdo ditë. Kemi votuar herë njërën dhe herë tjetrën forcë politike. Kjo sipas bindjes , por dhe  premtimeve  që  shpesh i kemi besuar , por në fund kemi qenë të zhgënjyer. Ndjekim me vëmendje ç’thotë   njera  e si i përgjigjen të  tjera forca politike,  sidomos tani që kërkojnë t’a mbajnë e të  tjerat ta marrin pushtetin.  Një fjalë e urtë  popullore  thotë:  “Ku dhëmb dhembi vete gjuha ” Dëgjuam nga forcat politike programet për qeverisje. Është për të ardhur keq ,  por në  programin e  hapjes të fushatës  nga P.S-ja  s’dogjova asnjë fjalë për moshën e tretë . Asnjë premtim edhe pse po shkojmë në shifrën e 700.000 . Nga të djathtët boll premtime . Do Zoti i zbatojnë, por nëse marrin pushtetin .


Jo shtesë pensioni, por më pak se indeksimi i çmimev me 2.7%.                                                                                                                                                                  Shtesa e  pensioneve , gruas  400 lekë, kurse unë 700. “U gëzuam” se në xhep kishim 1100 lekë më tepër.  Paguam dritat , ujin , telefonin, na iku 1\3 e pensionit.  Filluam psonisjen. Një kg mashurka 450 lekë,  t’i marr më tha gruaja? Merr treçerek kile aq sa t’u shtua pensioni iu përgjigja. Mos u mërzit,  se tani  është  fillimi, por më vonë do të jetë më lirë . Fillimi do të jetë dhe nesër për bamjet, pastaj për qershitë, e më vonë për pjeprin, shalqinin , rrushin e kështu me rradhë .  Në Korçë , por dhe kudo  frutat perimet  po prishen e po ja japin kafshëve  si  qepët , patatet , mollët, mbase  s’kanë mundësi t’i mbajnë , por dhe transport për t’i sjellë në qytet. Hajde gjeje këtë !  Vite më parë  “shtesën”  e merrnim në korrik. Tani, filloi  nga  data 1 Prill, duket  për  t’na ” ëmbëlsuar” para zgjedhjeve të  25 –Prillit . Shitësja i lagjes Meri  më tregoi fletoren  që marrin ushqime  se s’kanë mundësi të paguajnë ! Më tej më sqaroi, që s’janë vetëm pensionistët , por dhe ata që punojnë në ndërmarje private, mbase shpesh  i paguajnë një herë në  dy – tre muaj !  Vjen fundi i muajit e ata s’kanë t’i  shlyejnë detyrimet . Jam dyqani i të varfërve më sqaroi. . Në dyqanet e shumicës janë më lirë e shumica shkojnë atje për të blerë sende ushqimore. Tek unë vijnë ata që s’kanë  lëkë e  për arsye varfërie i paguajnë në fund të muajit, por ka nga ata që i vonojnë, ose  s’i paguajnë e borxhi ndjek borxhin.                                                                                                                              

Pensionet dhe inflacioni

Pensionistët i mbajnë fëmijët, sidomos ata që janë  jashtë, ndryshe do kishin marrë rrugët. Në treg çmimet janë rritur kudo. Edhe pse ti mund të kesh më tepër lekë në xhep siguron më pak të mira materiale ! Kur mendon se norma e inflacionit rritet, kjo shifër  zvogëlohet. Ai ndikon në mënyra të ndryshme te njerëzit. Disa vuajnë dhe të tjerët përfitojnë. Nga inflacioni vuajnë njerëzit që jetojnë me të ardhura fikse, mbase çmimet rriten. Kjo çon në rritjen e kostos së jetesës. Për këtë arsye qeveria e ka për detyrë  në pamundësi të rriti pensionet,  të mbajë të pandryshueshëm standartin e jetesës,  të paktën sa është dhe norma e inflacionit. Me fjalë të tjera, një person që merr 20.000 lekë në muaj e inflacioni rritet me 5%, për të ruajtur të njëjtin nivel jetese , duhet të marri 21.000 lekë . Këtu ndikon pagë nominale, por dhe ajo reale. Paga nominale  quajmë pagën që marrim me lekë në dorë. Kuptohet sa më shumë të marrim aq më mirë do të jetojmë. Por kjo është relative. Ajo nuk përcakton standartin e jetesës. Edhe pse paga nominale  rriten çdo vit, niveli i jetesës ulet. Arsyeja është se çmimet rriten me një përqindje më të madhe sa përqindja e rritjes së pensionit , kështu që niveli i jetesës ulet ! Paga reale është sasia e të mirave materiale që siguron me pagën nominale. Rritja e çmimeve më tepër se paga nominale ul ndjeshëm standartin e jetesës s’i po ndodh këtë vit ! Si pasojë, të ardhurat reale ulen. Nga rritja e pensioneve tek ne përfitojnë  700 mijë persona . Në  Shqipëri, aktualisht  ka vetëm mbi  12% të popullsisë mbi moshën 65 vjeçare. Por numri i të moshuarve në Shqipëri tani po  rritet më shumë se dyfish. Të dhënat tregojnë se, plakja në Shqipëri po ndodh edhe më shpejt se në vende  të  tilla si: Franca, Suedia, Serbia, Mali i Zi, kjo për arsye të emigracionit masiv  të moshave të reja.

A janë pensionistët harraq , të rrjedhur, siç kemi dëgjuar  shpesh?

Po kush janë këta  “ haraq “?   Ja! Ai atje që i bije kryq e tërthor Tiranës në vapë e në të ftohtë është një ish mësues me dy universitete. Ka punuar 40 vjet në arsim. Ka mësuar mijëra nxënës , që sot janë mjekë, bizesmenë, politikanë, petagogë e të tjerë. Ky tjetri është një ish oficer, që  ka mbrojtur atdheun në shi e dëborë, kurse  tani punon si kambist. I treti në minierë,  në naftë, tjetri në shëndetësi etj. Punojnë se nuk i del pensioni. Pra, pensionistët e sotëm kanë qenë  arsimtarë , mjekë , ekonomistë , inxhinierë të nderuar e respektuar, që kanë drejtuar shkolla, ndërrmarje,  klinika e dikastere. Shumë nga ata kanë qenë profesorë e doktorë të shkencave. Tani s’i mos më keq ! Është e kuptueshme që pleqëria bën punën e saj, por një i moshuar është mbartës i një përvoje shumë vjeçare profesionale dhe jetësore, që i transmetohet të rinjve në forma nga më të ndryshmet dhe që i bën ata më të nderuar e respektuar për gjithë shoqërinë. Në dialektikë funksionon një ligj sipas të cilit e reja e mohon të vjetrën , por nuk e asgjëson plotësisht,  merr pozitivet e të vjetrës dhe këto i çon përpara. Pra, brezi i ri, ka çfarë merr nga paraardhësit . Këto i ka për detyrë t’i çojë më tej, ndryshe do mohonin zhvillimin. Gjithmonë e më shumë sot po bëhet e domosdoshme  rritja dhe interesimi i shoqërisë për të moshuarit. Ashtu si dhe fëmijët, edhe të moshuarit kanë nevojë për një shërbim në strukturë. Pra, krijimi i një rrjeti profesional bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare me fokus të moshuarit, do të ishte gjithashtu një tjetër arsye e fortë për përmirësimin e jetës së pensionistëve . Plakja është një fenomen shumëformësh, e në qoftë se vdekja është e paevitueshme, plakja  e  kujdesi  për të moshuar është përgjegjësi e shtetit , por dhe e shoqërisë civile që e ka përjashtuar veten nga kjo detyrë .  Ne s’kemi nevojë që njëherë në vit, ditën e të moshuarve t’na vini e t’na jepni një garuzhde supë . Jo ne duam një përkujdesje të vazhdueshme. Të nderuar  pushtetarë ! Keni hipur mbi shpatullat tona dhe po shihni me larg, ndryshe dhe ju do të kishit mbetur në vend.  Shoqëria e sotme është me e emancipuar. Humanizmi dhe mundësia ekonomike është në një shkallë më të lartë, prandaj mos na nënvlerësoni se do t’ju dënojnë brezat e ardhshëm. Kujdesi për pensionistët do t’ju pasurojë më tepër shpirtin . Do të vijë një ditë e një kohë që dhe ju do të plakeni. Duke u menduar ( pasi do të keni shumë kohë të lirë) do të kujtoni e të penduar do të thoni : Si nuk i ndihmuam më tepër pensionistët kur mundësitë i kishim ?  Por atëhere do të jetë shumë vonë, pasi ne do të jemi të gjithë në Botën tjetër. E për këtë do t’ju vrasi ndërgjegja , nëse ju ka mbetur sado pak !