Bashkim Koçi: Valentina Hysi dhe “Kthesa” në jetën e një gruaje

862
Sigal

E reja që ka prurë autorja në këtë roman është ndërthurja mjeshtërisht e jetës së saj me bashkëshortin e ndarë nga jeta

E kam takuar autoren e librit “Kthesa”, Valentina Hysin, në një çast kur ajo çfaqej e shqetësuar, krejt e përqëndruar në një gjë e që kuptohej lehtë sesi i turfullonte shpirti. Diçka kërkonte nga Xhevahir Spahiu, por njëherësh shikonte e kërkonte miratim për çka ligjëronte poeti, nga dy persona të tjerë të cilët i njihja sepse dikur kishin punuar në TVSH. E kuptova që bëhej fjalë për çështje filmi, për një dokumentar që ajo ia kushtonte bashkëshortit të saj të ndarë nga jeta, intelektualit dhe kontribuesit të zellshëm e serioz në vitet e vështira të qeverisjes së vendit pas viteve ‘90,  Vladimir Hysit. Që nga ajo ditë nuk e pashë më Valentinën. E “takova” së fundmi nëpërmjet romanit të saj “Kthesa”, i cili për nga mënyra e të shkruarit, orgjinalitetit dhe  çiltërsisë në komunikim me lexuesin ka dhe demostron vlera përgjithësuese, ashtu si të një gruaje të emancipuar që di ta trajtojë jetën si një ndeshje mes ëndrrës dhe realitetit.

Marrëdhëniet burrë-grua, sipas Biblës, të dy i përmbushin rolet përkatëse si “një mish i vetëm”, ndërsa populli e ka përjetësuar këtë me shprehjen shumë domethënëse “burrë e grua, mish e thua”. Valentina Hysi, autorja e romanit “Kthesa”, i është përmbajtur kësaj filozofie, por me një veçanti që bën pjesë tek njerëzit e letrave: E ka ndërtuar librin, nga fillimi e deri në faqen e fundit, duke iu përmbajtur e qëndruar me korrektesë jetës së saj, të trajtuar çast pas çasti, të të gjithë viteve të jetës bashkëshortore, duke hedhur dritë të fortë drejt “zemrës” së mardhënjeve në çift se “çdo gjë e imja dashuron çdo gjë tënden”. Lexuesi përjeton keq ndonjë moment, i cili ështësa njerëzor po aq edhe hyjnor. Ashtu si çdo bashkëshort që humbet gjysmën e tij, grua apo burrë qoftë, edhe Valentina sjell momente që të bëjnë pesimist për jetën, që të hutojnë për t’i dhënë drejtim makinës së Jetës që ka mbetur në “Kthesë”. Në rastin konkret personazhi i romanit të sjell trishtim teksa përshkruhet momenti kur përpara një garderobe, me veshje plot ngjyra, të përzgjedhësh për të veshur dhe për të dalë jashtë në një ditë plot diell, ato me ngjyrë të zezë. E diku ajo dialogon me të vdekurin e gjallë si Konstandini me Doruntinën.“… Të siguroj që gjithçka në shtëpi shkon mirë.Të gjitha punët e “tua” po i bëj unë. E ke idenë? Kam mësuar ku paguhen faturat e dritave, të ujit, të telefonit, kam mësuar të lyej këpucët, t’i çoj tek këpucari, kam mësuar të rregulloj çezmat kur rrjedhin…” E reja që ka prurë autorja në këtë roman është ndërthurja mjeshtërisht e jetës së saj me bashkëshortin e ndarë nga jeta, të personifikuar me dy personazhe, Evën dhe Fredin, dhe të ngjarjeve të hedhura në romanin e mbetur në sirtar, të pabotuar nga babai i saj, edhe aty të identifikuar nga dy personazhe simpatikë, AI dhe AJO. Duke ndjekur këtë “kryqëzim” jetësh në kohë të ndryshme lexuesi është në gjendje të kapë dhe të filozofojë se jeta e të vdekurve, është e vendosur në kujtesën e të gjallëve. Ngjarjet që pasqyrohen në roman, jeta plot vrull e dy të rinjëve të dashuruar,  kur çdo shpend që fluturonte mund të hahej, zhvillohen në një kohë krejt tjetër. Ishin kohëra kur një e puthur e grabitur fshehurazi, apo një kafe me shoqërinë e zemrës, të dukej sikur kishe pushtuar qiejt, sikur ato gjërat, vërtet të vogla, të dukeshin sikur ishin zbulime  të paprovuara nga të tjerë. Dhe “eksplorimet”  shoqërohen me batuta sa të natyrshme, po aq edhe të bukura e të çiltra. “Unë kam datëlindjen, ti ble gjëra të reja -thotë Fredi.”“Dua të bëhem e bukur për ditëlindjen tënde, kjo është dhurata ime për ty-ia kthen Eva.” A nuk u duket i sinqertë dhe plot aromë BIO ky bashkëbisedim të dashuruarish?

Autorja e romanit “Kthesa” i ka sjellë ngjarjet, çdo episod që përcjell jetën e dy personazheve, me mendimin që lexuesit të mos injektohet me doza pesimizmi. Përkundrazi, që ajo, pra jeta, në çdo situatë që mund të gjendet të ketë kuptim.Duhet dashuruar, duhet urryer, duhet luftuar, duhet që njeriu të vlojë përbrenda. Kjo mund ta bëjë jetën të hidhur, por pa këtë, e gjithë jeta është një kotësi” –thotë Gëte. Kam mendimin që Valentina Hysi, ka mundur ta trajtojë bukur udhëtimin e saj me njeriun e zemrës, të cilit iu pre jeta në mes, ashtu si në një teatër, ku personazhin kryesor e merr vdekja. Madje ajo, për të përgjithësuar faktin se jeta e njeriut nuk është rrugë e shtruar me lule, ka mundur “të regjistrojë” një bisedë me Profesorin, siç e thërret ajo një personazh “tangent” në roman, i cili gjen rastin t’i tregojë nga jeta e tij çuditërisht shumëgjëra të ngjashme me ato të sajat. “Habitesha që e gjitha e treguar prej tij, ishte edhe  e imja, ishte e vërtetë. Rrëshqet pa dashje, ngadalë, drejt një bote tjetër ngjizur me endërra e kujtime…Fredi, puna, pasioni i tij, shërbimet e gjata, mungesat, hatërmbetjet, malli, dhimbja…”  Ja, kështu na qenkej jeta, për të gjithë.

Jeta duhet ndërtuar në një mënyrë të tillë që çdo çast të jetë i rëndësishëm. Por që të mundësh të arrish tek e rëndësishmja, duhet me patjetër t’i provosh të gjitha, ngritjen dhe rrëzimin, dhe pse jo, fatkeqësi të cilat janë pjesë e jetës. Shkrimtarja jonë në këtë këndvështrim të realitetit është e prirur të jetë optimiste, të marë përsipër për t’i çuar punët deri në fund edhe pse i mungon njëri krah, më i forti. Mesazhi që na vjen nga ky roman i shkruar me ndjenjë njerëzore e përgjegjësi intelektuale, është si një këshillë universale për ne të gjithë, për cilindo që bëhet pjesë e goditjeve të pamëshirshme që të sjell jeta. “Tashmë e di që është një luftë e madhe, e përditëshme, përballë boshësisë, dhimbjes, mallit, realitetit. Eshtë shumë e vështirë për të gjetur fjalë, për të përshkruar gjithë ato ndjesi që të ndodhin brenda vetes, por është edhe një detyrë më e madhe, të jetoj për të DY.” Kur lexon këtë rrëfim kaq të sinqertë, por edhe me ngarkesë emocionale, lexuesi  mbetet pa fjalë. Aty nuk mëson vetëm gjendjen shpirtërore të personazhit, gjë e cila të jep përshtypjen se ajo tashmë i është dorëzuar përpara një realiteti krejt pa rrugëdalje, por befas, vetëm me dy fjalë, i jep zemrës zemër –“të jetoj për të DY”.

Optimizmi është ai që autorja e romanit, i ka dhënë vendin më të rëndësishëm, duke marrë kështu përsipër diçka që e bën ta trimërojë, për ta parë botën duke qeshur.“Jam ndërgjegjësuar tashmë, deklarohet ajo në rreshtat e fundit përmbyllës të romanit, “që edhe plagët e dhimbjes mund të shërohen, mund të jesh e lumtur vetëm nëse mendon pozitivisht, nëse  e mban veten të zënë me punë të mira, nëse e jeton jetën, ashtu si e jeton gjithësecili përreth jush. Jeta është aq e bukur dhe e shkurtër. Duhet të jetojmë çdo moment.” Janë këto këshilla, sa të sinqerta po aq edhe të mençura të autores, që sipas meje, vlen të bëhet pjesë organike dhe shpirtërore nga çdo individ, i lumtur apo “i keqtrajtuar” nga fati i jetës. Dhe kjo këshillë ka forcë të pakundërshtueshme, sepse na e thotë një person, e aq më shumë një femër, e cila guxon të kërkojë lumturinë, të jetojë çdo moment,  edhe pse fati  trokiti në derën e saj jo për t’i dhuruar lule, por që t’i merrte atë më të shtrenjtin, atë që i zbukuronte jetën, të mirin Vladimir Hysi. Në këtë kuptim tek romani “Kthesa” të Valentina Hysit, lexuesi gjen rastin të “trajnohet” për t’i dhënë drejtim makinës së jetës edhe pse kthesat mund të jenë të papritura dhe të vështira.