Bashkim Koçi: Doktori i tokës dhe i bimëve, Lutfi Isufaj

24

“Instituti Biografik Amerikan “ABI”, e vlerëson Doktorin e Shkencave Lutfi Isufaj, si: “Mendje e ndritur e shekullit 21”, në sajë të arritjeve të jashtzakonshme dhe zotërimit të shkencës së Mbrojtjes së Bimëve”. Po kaq me vlerë është edhe medalja që i është akorduar nga Qendra ndërkombëtare e biografive të Kembrixhit, në Mbretërinë e Bashkuar, i cila e shpalli Dr. Lutfiun: “Intelektuali ndërkombëtar i vitit 2001”, duke e përfshirë në librin “2000 intelektualët e shquar të shekullit XXI”.

Sigal

Telegraf.al / Toka dhe bimët janë ashtu si frymorët. Ato marrin frymë, sëmuren, marrin të ftohtë dhe shpesh herë vuajnë edhe nga sëmundje të pashërueshme. Ashtu si njerëzit. Nëse nuk tregohet kujdes atëherë toka nuk është në gjendje të mbajë dhe të ushqejë bimët e, nëse bimët nuk janë nën kontroll të vazhdueshëm për mirërritjen e tyre, për mirëtrajtim shëndetësor, ato do të jenë shëndetliga, nuk do të japin atë çka pritet të merr et dhe, në ndonjë rast, edhe mund të zhduken pa dalë fara mbi dhé. Ja, për këtë fakt, njerëzimi ka punuar për t’ju gjendur tokës pranë, ashtu si edhe bimëve bujqësore, dhe ka përgatitur specialistë të profilizuar për ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre nga sëmundjet dhe dëmtuesit, me synimin për të marrë prodhime me cilësi dhe rendimente sa më të larta. Madje për këtë punë delikate e të përgjegjshme në Universitetet e Bujqësisë në botë janë ngritur dhe funksionojnë fakultete apo katedra të veçanta për mbrojtjen e shëndetit të bimëve. Historiku i ngritjes dhe i funksionimit të institucioneve për mbrojtjen e bimëve në vëndin tone është i lidhur me veprimtarinë e disa personaliteteve të suksesshëm të kësaj fushe, të cilët studjuan dhe u formuan si të tillë në universitete prestigjiozë të Evropës, por edhe sakrifikuan për t’i dhënë drejtimin e duhur kësaj dege të re të bujqësisë shqiptare. Tashmë ne kemi shkencëtarët tanë me emër, të cilët kanë lënë gjurmë në këtë rrugë të shtruar me beton nga ku mund të përmendim Prof. Burhan Çelo, Prof. Abdulla Kapidani, Dr. Teki Kaltani, Prof. Andon Papingji, Dr. Bajazit Habibi, apo edhe dhe ata të brezit më të ri, të cilët përgatisin specialistë të kësaj fushe si Prof. Enver Isufi, Prof. Dr. Myzejen Hasani (Jaupi), Prof. Dr. Thanas Ruci, Prof.Dr. Skënder Varaku, Prof.As.Dr Harallamb Paçe e shumë të tjerë, të cilët punojnë dhe kanë lënë emër në fushën e mbrojtjes së tokës dhe të bimëve. Por në këtë armatë specialistësh më ka rënë në sy një njeri i veçatë për punët në vite, gati për një gjysmë shekulli, si doktor i tokës dhe i bimëve. Ai, për shkak të kurajos e guximit si specialist, ka pranuar përgjegjësi për t’i çuar punët aty ku i ka menduar të jenë të suksesëshme. Dhe ky personalitet i “Mjekësisë Bujqësore” e ka emrin Lutfi Isufaj.

Specialisti Lutfi Isufaj ka lindur në fshatin Ngraçan të Mallakastrës në vitin 1942. Janë vite kur arsimimi i fëmijëve, sidomos në zona fshatare të lëna pas dore, bëhej me mundime të mëdha. Ishin prindërit ata që kujdeseshin të ishin zotërues të rrjedhës së jetës për fëmijën, ashtu si ndodhi edhe me Lutfi Isufajn. Ai e mbaroi ciklin e ulët dhe 7-vjeçaren me rezultate të admirueshme, për të qenë i aftë të vijonte më tej, për të ngjitur me guxim e kurajo shkallët e diturisë. Nuk se e kërkoi, por nevojat e ngutshme të bujqësisë për kuadro e specialistë në ata vite, vunë “në rrjesht” edhe Lutfiun për të studjuar për bujqësi në njërën nga shkollat më të mira të kohës, siç ishte Teknikumi Bujqësor i Fierit. E vërteta, siç thotë ai, specialitetin për të cilin do të studionte e mori me sevda. Admirimi dhe kurioziteti për të eksploruar “të padukshmet” e tokës dhe bimëve bujqësore e lidhën aq shumë me programet mësimorë sa do ta veçonin nga nxënësit e tjerë. Eshte rast i rrallë që një nxënës i shkollës së mesme të merrej me eksperimentim shkencor. Por ja që Lutfi Isufaj ishte një i tillë. Ai, mesa duket, parashikimin e së ardhmes së tij në fushën e bujqësisë po e krijonte me mundin dhe zgjuarësinë e vet. Falë këtij mundi dhe pune ai u përzgjodh nga organet kompetente të kohës që, pasi mbaroi Teknikumin Bujqësor në Fier me nota të shkëlqyera, t’i miratohej bursë e plotë studimi, për të ndjekur udhën e dijes në Institutin e lartë Bujqësor “Gjergj Dimitrov” në Bullgari, në degën më të vështirë, në atë të mbrojtjes së bimëve. Instituti i Lartë Bujqësor “Gjergj Dimitrov” ishte dhe mbetet ende një nga shkollat më të mira të larta të bujqësisë në Evropë. Studenti Lutfi Isufaj e mori me shumë zell fillimin e studimeve, madje “u piketua” si një nga studentët elitë e që premtonte të ishte nga më të mirët e Universitetit. Por fati solli një gjë që nuk pritej, gati-gati të paparashikur. Pas një viti, (për probleme të politikës shqiptare të asaj kohe), të gjithë studentët shqiptarë, të cilët studjonin në degë të ndryshne dhe ishin të shpërndarë në disa universitete të Bullgarisës, u kthyen në atdhe dhe, bashkë me ta, edhe Lutfi Isufaj. Por studimet nuk u ndërprenë. Ai dhe studentët e tjerë vijuan të studjonin sipas fakulteteve pranë Institutit të Lartë Bujqësor në Kamëz (sot Universiteti Bujqësor), periudhë që përkon me vitet 1861-1965.

Për faktin që ai ishte student serioz dhe sistematik në ndjekjen e mësimeve, në të gjitha shkencat bujqësore, mundi të shkëlqente dhe të diplomohej me rezultate shumë të larta. Tashmë “Mjeku i bimëve” Lutfi Isufaj do të kishte si fushbetëjë arat e mbjella me drithra, perime e foragjere. Me tej akoma do t’i çfaqeshin sipërfaqe të tëra me vreshta, pemtore e ullinj për t’i trajtuar me preparate kimikë, nga ata që deri atëherë nuk njiheshin nga bujku shqiptar. Por ai e dinte dhe e kuptonte (filozofi të mësuar në libra), se suksesi ishte i lidhur me veprimin, se specialisti i mire, në mënyrë të veçantë ai i bujqësisë, duhet të ishte në lëvizje vazhdimisht, për një fakt fare të “vockël”, që të kishte kontakte të pandërprera me kultivuesit e bimëve bujqësore. Falë pasionit dhe aftësive si “Mjeku i bimëve”, në disa rrethe të vendit ku u dërgua të shërbente, si në Krujë, Korçë, Pogradec, Dibër e Shkodër, specialisti Lutfi Isufaj u çfaq si njeri i përgjegjshëm dhe me simtomat e specialistit “të sëmurë” për korrektësinë në zbatimin e të dhënave të shkencës. Ai u përkiste asaj kategorie njerëzish që i bënte pyetje vetes: Çfarë progresi kam bërë në zbatimin e teknologjive të reja për mbrojtjen e bimëve? Si mund të shtrihet dhe të zbatohet në të gjithë sipërfaqet e mbjella me bimë bujqësore shërbimi që ka të bëjë me shërimin e tokës, bimëve, të pemtoreve, vreshtave e ullinjve me preparate që u dhurojnë shëndet? Dhe përgjigjen e kthente vet. Duhet të jem i motivuar, më duhet të lëviz përpara pavarësisht pengesave. Ai u përkiste atyre specialistëve që motivimin për të bërë punë të paqme nuk do të thoshte që të mos ballafaqoheshe  me disfata apo dështime në process të kryerjes të një detyre ku dilnin probleme me shumë të panjohura. E në veçanti këto janë të shumta dhe shpesh të padukshme kur të duhet të trajtosh tokën apo bimët për probleme sëmundjesh e dëmtuesish. Por specialisti Lutfi Isufaj kishte bindjen e brendshme se për të ecur përpara, për të konfiguruar jetën si njeri i kompletuar në fushën që kish marrë përsipër të përballonte i duhej, veç përgatitjes për të vënë në zbatim praktikat më të përparuara, edhe barrën e përgjegjësisë për të ndryshuar gjendjen në favor të shëndetit të bimës. Më duhet ta them, edhe në shenjë respekti për këtë specialist të shquar të bujqësisë të punëve të mira, se mendja dhe ndërgjegja e tij e ka patur të gjithë fuqinë për të kaluar çdo sfidë. Eshtë ligjësi për cilindo që, nëse nuk e dëshiron dështimin aty ku punon, të duhet të zotërosh rrjedhën e jetës, t’u përshtatesh kushteve dhe zhvillimeve në kohë dhe hapsirë. Në të kundërtën prezenca tënde në një punë të rëndësishme është aksidentale. Edhe për “mjekun e tokës dhe të bimëve” Lutfi Isufaj çështjet që kishin të bënin me përgatitjen teorike dhe në veçanti me njohjen e praktikave bashkëkohore në shkallë botërore, ishin “ëndërra të vogla”, por me ndikim të madh në zbatimin praktik të mbrojtjes së bimëve. Ndoshta ky “boshllëk” diktoi që në vitin 1972 të shkonte për të kryer studimet pasuniversitare pranë Institutit të Mbrojtjes së Bimëve në Bukuresht, në Rumani. Ishin vitet kur Lutfi Isufaj, falë përvojës dhe formimit të tij si specialist, të zinte faqet e shtypit bujqësor, të përgatitjes së broshurave për përdorim të përditshëm ku bëhej fjalë për probleme të mbrojtjes së bimëve. Nëse do të na duhej një personazh nga fusha e bujqësisë, i cili të ketë karakteristikat e njeriut punëtor, të papajtueshëm me të keqen, të ndershëm dhe “budalla” për të marrë përsipër punë që duan sakrificë e shpatulla, ndër të tjerë duhet të jetë edhe Lutfi Isufaj. E gjithë jeta e tij, nga fillimi e deri më sot që po u afrohet të 80-tave, është një “libër” që mban në çdo faqe të shkruar shumë shqetësime, shumë përpjekje, pengesa e përplasje ku fushëbetejat kanë qënë dikasteret, ekonomitë bujqësore, instucionet shkencorë, mvartës e eprore, me këdo që i është dashur të ndeshet për të mirën e punës. Por “libri i jetës” i këtij specialisti “të dënuar” për t’ju gjendur pranë tokës dhe bimëve të sëmura, është edhe me plot zhgënjime, me detaje që përshkruajnë vështirësitë në realizimin e detyrave apo projekteve. Por “faqet e librit të jetës” që hedhin dritë dhe mirësi tek figura e Lutfiut janë njerzit e punës, dje punonjësit e kooperativave e fermave bujqësore, e sot fermerët në të gjitha anët e vendit, e madje edhe jashtë tij si në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi. Eshtë vendi të sjellim edhe një “pasuri” tjetër të rëndësishme të Lutfi Isufajt: Aftësia e tij për të komunikuar me kolegët të profileve të tjerë dhe mirënjohja e gatishmëria për t’u shrbyer me dashuri njerëzve të thjeshtë, bujq, specialistë dhe kuadro të prodhimit. Në këtë këndvështrim Lutfi Isufaj është pasuri më vete, ishte një aset nga ku mund të merret shembull nga kushdo që ka për mision të arrijë suksesin.

Ky specialist i kalibrit të lartë kam mendimin se është një ndër kampjonët si njohës i vendeve ku mbillet e korret, në të gjithë Shqipërinë. Nuk ka krahinë, nuk ka zonë, fushë apo mal, ku të mos ketë zënë vend fjala dhe këshillat e këtij doktori bimësh mendjendritur. Por Lutfi Isufaj ka edhe një pasuri tjetër, aftësinë për të ndjekur ndryshimin. Pas viteve ’90, falë inteligjencës dhe nuhatjes për zhvillimet që priteshin në përputhje me ekonominë e tregut, ai bëri lëvizjet e duhura. Udhëtimet për çështje pune në shumë vende të botës, si Gjermani, SHBA e gjetkë, shërbyen si leksione, por edhe si “heqje veshi” për të vlerësuar e sjellë ndryshe me dijet dhe pronën. Në këtë vështrim ai bën pjesë tek ata intelektualë të fushës së bujqësisë që përqafojnë ndryshimin, nxjerrin më të mirën nga ai dhe e përdorin për ta përmirësuar veten dhe të tjerët. Është vërtet një rekord, nëse sjellim shifrën prej 100 mijë fermerësh, brenda dhe jashtë kufijve shtetrorë, të cilët kanë qënë klientë të farmacisë së tij, por që shumica kanë udhëtuar deri tek ai për të marrë këshilla teknike, të interesuar për literaturë si broshura, katalogë, fletë-palosje dhe udhëzime se si duhet sjellë me bimët në parcelat e mbjella.

Dr. Lutfi Isufaj është një misionar i vërtetë për mbrojtjen e tokës dhe bimëve bujqësore. Për këtë kontribut të madh ai ka marrë edhe vlerësime të merituara, gjë që e veçon si të tillë nga të tjerët, duke e radhitur tek ata specialistë ndaj të cilëve duhet të përulemi me respekt. Vlerësim që duhet shënuar është ai i bërë nga Instituti Biografik Amerikan “ABI”, i cili e vlerëson Doktorin e Shkencave Lutfi Isufaj, si: “Mendje e ndritur e shekullit 21”, në saje të arritjeve të jashtëzakonshme dhe zotërimit të shkencës së Mbrojtjes së Bimëve”. Po kaq me vlerë është edhe medalja që i është dhënë nga “Qendra ndërkombëtare e biografive të Kembrixhit, në Mbretërinë e Bashkuar”, e cila e shpalli Dr. Lutfiun: “Intelektuali ndërkombëtar i vitit 2001”, duke e përfshiët në librin “2000 intelektualët e shquar të shekullit XXI”.