Zija Çela: Qortim dhe përqeshje pambarim

53
Sigal

Mehmet Kraja: Në romanin “Pilisama Selfie” shkrimtari Zija Çela ndërton një qytet gjysmë provincial, të mbushur deri në grykë me vanitete njerëzore autentike, të cilat marrin jetë nga përballja me marrëzitë dhe lajthitjet kolektive, ku gjedhja letrare parodiake plekset me prirjen tashmë të sprovuar të autorit për të përqeshur pa mbarim bashkëkohësit e vet. Një depërtim i hollë, alegorik, pak cinik dhe më shumë i parodizuar, në realitetin politik dhe mentalitetin e korruptuar të ditëve të sotme. Një realitet onomastik dhe topografik tërësisht i sendërgjuar, por me lidhje të forta me përditshmërinë shqiptare në të gjitha nivelet, deri edhe më i fundit, “padronazhistët” që kërkojnë diktatin e tyre mbi jetën e njerëzve. Një botë e mbyllur në iluzionet e veta, iluzione tashmë të komprometuara nga shpërputhja e madhe e ëndrrave të parealizuara dhe një jete meskine, ku çdo gjë merr pamje grotesku, veçmas projeksioni i gënjeshtërt i së ardhmes. Me një lehtësi të jashtëzakonshme, autori sjell një galeri personazhesh metaforikë, të cilët barten nëpër situata të ndryshme, gjithnjë duke manifestuar cilësi dhe karaktere njerëzore, që përfshihen në prirjen kolektive të kotësisë dhe shpresave të rreme. Një rrjet hekurudhor që duhet të kalojë pa ndërprerje në disa komunitete, pra edhe në atë pilisam, bëhet sinonim i zhgënjimit, i ëndrrave të parealizuara, mbi të gjitha sinonim i pamundësisë për të arritur hapin e prosperitetit dhe civilizimit. Duke qenë kuptim universal i shpresës dhe dështimit për Pilisamat e ngjashme të botës, ajo bëhet gjithashtu garë stigmatizuese për pushtet, prestigj e rang shoqëror, madje edhe për të arritur kuptimet e pamundura të universit.

Rexhep Qosja: Zija Çela është një shkrimtar shumë i çmuar i letërsisë shqipe, me dhunti të madhe krijuese dhe me vepra që do të jenë të gjithmonshme në historinë e kësaj letërsie. Zija Çela adhurohet prej lexuesve dhe çmohet shumë prej kritikëve dhe historianëve të letërsisë. Krijimtaria e tij është një pasuri shpirtërore me mëvetësi e origjinalitet të veçantë, është krijimtari e disallojshme e shumaspektore në të cilën me fjalët janë bërë beteja kundër të këqijave politike, shoqërore, morale e kombëtare dhe në të cilën njëkohësisht janë bërë beteja për rëndësinë, kuptimin, figurshmërinë e bukurinë e fjalës. Ajo është krijimtari me një varg romanesh e përmbledhjesh me tregime në të cilat është trajtuar e djeshmja dhe e sotmja e shoqërisë shqiptare, në të cilën janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë krijuese të fjalës shqipe dhe në të cilën janë krijuar mundësi të reja kuptimore, domethënëse, të figurshme, artistike të kësaj fjale. Qëndrimi ndaj gjuhës është në këtë krijimtari, si ka thënë për gjuhën shkrimtari i shquar Franc Kafka, dashuri deri në vdekje.

 

Oana Glasu: E dua Zija Çelën për gjithçka që është, për gjithçka që jep, duke respektuar njëkohësisht lexuesit e shkrimtarit për vlerësimet e shumta. E meriton dhe jua kam zili që e keni këtë kolos të letërsisë suaj kaq afër. Nderojeni, sepse dikush si ai nuk do të lindë më shpejt!