Banorët e Golemit në Gjirokastër në protesta, për rrugën e shkatërruar

307
Sigal

 

Peticion drejtuar Pushtetit qendror egzekutiv të Republikës së Shqipërisë

K.M. Z. Edi Rama.

Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë,

Znj. Belinda Balluku.

Kryetarit të Bashkisë Gjirokastër,

  1. Flamur Golemi.

Të dashur qeveritarë të pushtetit qendror dhe vendor.

Ne që po bëjmë këtë peticion jemi Bijtë dhe Bijat e fshatit Golem të Gjirokastrës që kërkojmë të sensibilizojmë pushtetin qendror dhe vendor po ashtu edhe opinionin e gjerë publik për një problem madhor jo vetëm për fshatin tonë, por për të gjithë zonën e Kurveleshit.

Ndërtimi i rrugës së fshatit Golem me parametra normale në gjurmën egzistuese.

Golemi është fshati më i thellë në zonën e Labërisë me mbi 1,000 metra mbi nivelin e detit. Jemi një fshat që kemi historinë, kulturën zakonet dhe traditat tona shqiptare që i bashkangjiten zakoneve të gjithë zonës së Labërisë. Golemi është një fshat që kryesisht jeton me blegtori dhe turizëm malor. Në këto 30 vite “Demokraci” për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe mungesës së rrugës shumë banorë janë shpërngulur në zona të ulëta si Gjirokastër, Sarandë, Vlorë, Fier dhe Tiranë. Po ashtu ka një pjesë të madhe që kanë emigruar jashtë Shqipërisë në Greqi, Itali, Angli, Gjermani, Kanada dhe USA.

Mos pasja e një rruge funksionale e ka bërë fshatin me një potencial tregëtar dhe turistik të konsiderueshëm të ngelet i izoluar në mes të Labërisë. Janë bërë investime në infrastrukturë në të gjithë zonën e Labërisë për ta bërë këtë një qendër të turizmit malor, por asnjë investim i tillë për të lidhur me rrugë normale një fshat që lidh tre rrethe të ndryshme, Gjirokastrën, Tepelenën dhe Vlorën.

Imagjinoni një piramidë ku në majë të saj gjeografikisht gjendet Golemi dhe nga tre faqet e saj bëhet lidhja infrastrukturore tregëtaro-turistike me tre qytetet kryesore të Jugut të Shqipërisë për gjithë zonën e Kurveleshit dhe segmenti rrugor që lidh tre faqet e piramidës me majën është e pakalueshme. Një segment i bllokuar që ngadalëson dhe bllokon qarkullimin normal të njerëzve, mallrave dhe turizmit, dhe i ndalohet të shpalosë potencialin e vërtetë që ofron zona e Labërisë dhe Kurveleshit.

Golemi ka një kapacitet blegtoral prej 25,000 – 30,000 bagëti të imeta. Ka një kapacitet për turizëm malor ashtu si edhe fqinjët tanë që tashmë janë lidhur me rrjetin kombëtar infrastrukturor normal. P. Sh. Progonati, Nivica, Picari , Kolonja dhe Kuçi.

Siç e thamë edhe më lart, kemi një potencial shvillimi të madh njerëzor, kulturor, ekonomio-financiar që do t‘i shërbejë jo vetëm fshatit tonë, por gjithë zonës dhe vendit tonë: Shqipërisë.

Golemi ka nxjerre figura të ndritura për gjithë Shqipërinë dhe Kombin Shqiptar. Ashtu si edhe fqinjët tanë të nderuar edhe Golemi ka figurat e veta. Siç ka Berati Gjon Muzakën, Golemi ka Gjergj Arianitin (Komneni). Kuçi ka Zenel Gjolekën, Nivica ka Hodo Nivicën, Golemi ka Çobo Golemin.

Gjirokastra ka Dr. Skënder Sinojmerin, Golemi ka Dr. Bilal Golemin: biologun dhe themeluesin e veterinarisë shqiptare. Kemi Dr. Rushen Golemin e shumë e shumë figura të tjera që i kanë dhënë emër jo vetëm fshatit tonë, por të gjithë krahinës së Labërisë dhe Shqipërisë me punën e tyre të palodhur dhe fisnike, në emër të tyre, të Golemit dhe Shqipërisë.

Siç e thamë më lart kemi traditat tona: këngët, vallet dhe humorin e hollë, që rrallë e gjen në Shqipëri.

Të gjitha këto po rrezikohen të shuhen, dhe Fshati të humbasi nga harta gjeografike vetëm për 7KM rrugë që qeveria nuk po e nderton dot në këto 30 vjetët e fundit.

  1. K.M Edi Rama flet per Ballkanin e hapur dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe bumin turistik, por si i bëhet kur nuk kemi Zona të Hapura Brenda vendit tonë për shkak të mungesës së rrugës….?!

Nëse do të bëhet ky segment rrugor produktet blegtorale arrijnë në derën e konsumatorit të Gjirokastrës, Delvinës, Sarandës, Tepelenës, Vlorës, për 1 oro. Përse e privojmë konsumatorin tonë në këto qytete të ketë akses tek produktet tona bio vetëm për 7KM rrugë të asfaltuar…?!

Përse e privojmë bujkun dhe blegtorin Golemas të ketë akses dhe të zhvillojë turizmin malor…?! Përse e privojmë turistin vendas dhe të huaj të ketë akses të vizitojë këtë zonë turistike apo të kalojë tranzit nga Progonati në Gjirokastër dhe Sarandë për një orë, apo nga Gjirokastra dhe Saranda nëpërmjet Golemit në Progonat, në Kuç dhe zbret në Vlorë. Distanca për të arritur nga Gjirokastra, Saranda apo Delvina nëpërmjet Kurveleshit në Himarë apo Vlorë shkurtohet me 1-2 orë nëse ndërtohet rruga e Golemit.

Këto janë të gjitha gjëra të prekshme nëse ndërtohet rruga e shumëpritur për 30 vjet.

Kjo është një e drejtë njerëzore, një e drejtë universale dhe ligjore që kërkojmë dhe jo luks të nderuar pushtetarë qëndrorë dhe vendorë.

Kemi bërë shumë kërkesa dhe çdo herë jemi kthyer me duar bosh për ndërtimin e rrugës, por shpresa nuk na është vrarë. Keni mundësinë të na bëni të ndihemi Shqiptarë- Evropianë zotërinj qeveritarë qëndrorë dhe vendorë në këtë shekull të 21-të ashtu siç na takon. Me rrugën egzistuese ndihemi më shumë pjestarë të një principate të Arbërisë në shekullin e 15-të.

Është i njejti zhgënjim lodhës që ndjejmë çdo herë që marrim përgjigje negative, apo shumë herë asnjë përgjigje kur e çojmë zërin për ndërtimin e rrugës. Të njëjtin zhgënjim siç ndjeni edhe ju Z. K.M Edi Rama kur sa here shkoni në Bruksel për të kërkuar hapjen e negociatave për pranimin e Shqipërisë në BE, ata ju thonë nuk keni plotësuar kushtet apo nuk do ky apo ai vend anëtar për huqet e tyre.

Mos ndoshta duhet të plotësojmë edhe ne disa kushte për të na e ndërtuar rrugën…? Të paktën na thoni çfarë kushtesh duhet të plotësojmë që t‘i dimë edhe ne standartet e kërkuara dhe t‘i plotësojmë ato. Ne jemi shqiptarë dhe bij shqiptarësh që kërkojmë atë që na takon as më pak as më shumë.

Me hulumtimin tonë kemi mësuar që projekti është gati dhe fle në sirtaret e Bashkisë Gjirokastër i bërë nga Komiteti Shqiptar për Zhvillim. Përse nuk vihet në zbatim ky projekt? Këto para që do shpenzohen për rrugen do t’i paguajnë taksapaguesit vendas me shumë dëshirë çdo muaj, sepse bizneset do lulëzojnë, turizmi malor do rritet ashtu edhe buxheti i shtetit do rritet, sepse do shkojnë më shumë taksa në arkën e shtetit nga rritja ekonomike.

Urojmë që këtë herë kërkesat tona dhe këmbanat e alarmit të dëgjohen në të gjitha instancat e larta shtetërore qendrore dhe lokale, për të vënë në lëvizje dhe për të përfunduar një projekt që është gati për zbatim për ndërtimin e rrugës së fshatit tonë.

Me respekt,

Bijtë dhe Bijat e Fshatit Golem të Gjirokastrës