Si u krijua “Komisioni nismëtar për mbrojtjen e interesave të popullit”,
Me 20 shkurt të vitit 1991 shtatorja e Enver Hoxhës njeriut, i cili për më tepër se 45 vjet kishte drejtuar dhe qeverisur Shqipërinë, u shtri rrugëve të Tiranës, duke u tërhequr zvarrë nga po ata njerëz, që vite më parë e kishin duartrokitur. Askush nuk mundi t’a ndalte atë çast. Por, një ndryshim i tillë dhe kaq drastik, që do të sillte shndërrimin e të gjithë sistemit politik në vend, nuk mund të konceptohej njëlloj nga të gjithë qytetarët. Shqipëria ishte përballë një ballafaqimi serioz, i cili mund ta çonte në një luftë të pakontrolluar civile. Lëvizja më e rrezikshme ishte ajo e nisur në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, që mbante emrin e Hoxhës.
Të gjithë pa përjashtim, gjeneralët e sotëm të Ushtrisë, deputetët ish-ushtarakë, edhe ish-presidenti Nishani, ishin aty kur u krijua “Komisioni nismëtar për mbrojtjen e interesave të popullit”, i cili u bënte thirrje partive politike, presidentit Ramiz Alia e popullit shqiptar, duke kërkuar vlerësimin e figurës së Enver Hoxhës.
Kiço Mustaqi ish-Ministër i Mbrojtjes në kujtimet e tij, ka pohuar se ka urdhëruar që, në asnjë mënyrë nuk duhej që studentët të dilnin jashtë garnizonit të shkollave. Ushtria ishte edukuar që ta donte popullin dhe gjithashtu, edhe ajo e priste ndryshimin, madje e pranoi atë. Nëse studentët ushtarakë, do të kishin dalë nga ambientet e shkollës, me siguri do të ishte një katastrofë. Mustaqi fajëson Ramiz Alinë, teksa i është referuar atyre ditëve; “Unë as sot e kësaj dite nuk e kuptoj urdhrin për të mobilizuar 15 brigadat që do të marshonin drejt Tiranës. Ashtu sikurse u urdhërua për shumë kompani të specializuara që, erdhën në Tiranë pa asnjë qëllim e objektiv e pastaj u kthyen. Për këto të fundit ekzistojnë urdhra të arkivuar. Të tillë urdhra e lëvizje ushtarake nuk vlejnë as për veprime demonstrative e psikologjike, por ato, ama, vlejnë për të akuzuar”.
Ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Halim Abazi, është shprehur se; “Në orën 21:00 të mbrëmjes thirra Komandantin e Shkollës, Komandantin e Akademisë, Drejtorin e Drejtorisë së Xhenios dhe Komandantin e Regjimentit të Fortifikimit në Ministri. U dhashë urdhër t’a hiqnin monumentin, t’a largonin dhe të shmangnin ndonjë incident provokativ. Për çudinë time, të nesërmen në mëngjes busti ishte në vend”. Ato ditë Ministër i Mbrojtjes u emërua, Perikli Teta. Më vonë si Komandant i Akademisë Abazi i ka kërkuar Ministrit heqjen e bustit dhe ai ka pranuar. Busti është hequr me shumë lehtësi gjatë natës, duke i zbërthyer vidat që e mbanin dhe është dërguar në një prej magazinave të ushtrisë. Në mëngjes nuk pati asnjë reagim dhe gjithçka u mbyll me aq.
Ata që, konsiderohen si pjestarët dhe mbështetësit e “Komisionit nismëtar për mbrojtjen e interesave të popullit”, shpresonin që studentët ushtarakë të dilnin jashtë mureve. Enveristët e shumtë ndërmjet oficerëve të shkollave ushtarake, krijuan një atmosferë histerie në mjedisin e studentëve, të cilët, të indoktrinuar nga shefat, kaluan në ekstazë duke brohoritur për udhëheqësin gjenial të PPSH-së, e duke afishuar vendosmërinë e tyre për t’ia rikthyer nderin diktatorit të zvarritur nëpër rrugët e Tiranës. Brohoritjeve brenda shkollës u përgjigjeshin brohoritjet jashtë saj, sigurisht me një përmbajtje të përmbysur. Djemtë e lagjes nisën të qëllojnë me gurë e objekte të tjera studentët, që kishin kaluar në gjendje acarimi brenda mureve të shkollës. Pasditen e 21 shkurtit 1991, breshëri automatiku u zbraz drejt civilëve të lagjes përballë. Motivi i zjarrit ishte thjeshtë një provokacion. Përballë shkollës kishte kaluar një veturë e kuqe dhe nga ajo veturë dikush paskësh qëlluar në drejtim të studentëve ushtarakë.Një oficer, ulur në shtëpinë e tij, u plagos në krahë, një fëmijë disamuajsh u plagos në ballë nga një plumb që bëri rikoshetë, kurse një djalë i ri vdiq në spital. Rebelimi i ushtarakëve brenda shkollës, shoqërohej me breshëri të pakontrolluara, ndërsa në muret e shkollës elementi antikomunist ishte tejet i irrituar me masën e verbër enveriste.
Ushtarakët, përgjithësisht një masë, tejet e politizuar, u armatosën, krijuan “Komisionin nismëtar të lëvizjes për mbrojtjen e interesave të popullit” me kryetar Agim Bajraktarin dhe filluan të kërcënojnë në mbrojtje të emrit të diktatorit. Tirana në të vërtetë, i’u nënshtrua një shtetrrethimi dhe në rrethe të tjera filloi mobilizimi i rezervistëve. Por të mos harrojmë që, në masë studentët ushtarakë u treguan gjakftohtë edhe pse, përmbajtja e thirrjes së “Komisionit nismëtar për mbrojtjen e interesave të popullit”, tingëllonte si ultimatum. Gjyqi, për “neglizhencë në kryerjen e detyrës, për armatosjen e oficerëve, për mosshmangie të zbrazjes së armëve dhe plagosjen e dy vetave e vdekjen e një të treti”, dënoi me burg: ish-ministrin e Mbrojtjes, Kiço Mustaqi, 5 vjet; ish-komisarin e Shkollës se Lartë të Oficerëve, Ksenofon Çoni, 4 vjet; ish-komandantin, Arseni Stroka, 3 vjet. Për t’i shpëtuar vuajtjes së dënimit ata shkuan ilegalisht në Greqi, provuan jetën e emigrantit dhe u kthyen kur u shpall amnistia e përgjithshme në vitin 1997.
Peticioni
“Efektivi i shkollave ushtarake Tiranë, bij të punëtorëve, fshatarëve dhe intelektualëve të ndershëm, të shqetësuar seriozisht dhe të indinjuar thellë nga veprimet kriminale dhe forcave të errëta, ndaj të cilëve partitë politike dhe shoqatat e ndryshme me deklarata janë distancuar prej tyre publikisht, por fatkeqësisht jashtë dëshirës dhe kërkesave të panumërta të popullit shqiptar, gjendja në vend jo vetëm nuk po qetësohet, por keqësohet gjithnjë e më shumë, ndaj kërkojmë;
- Figura e Enver Hoxhës të vendoset menjëherë me anën e një referendumi mbarëpopullor, dhe ajo të vlerësohet ashtu siç e do populli.
- Në kushte të demokratizimit të mëtejshëm të vendit dhe të pluralizmit politik, kërkojmë departizimin e ushtrisë.
- Kërkojmë që figura e ushtarakut të mbrohet me ligj, ajo të jetë e paprekshme.
- Të zbatohet me rreptësi ligji për mbrojtjen e objekteve që kanë vlera ekonomike, sociale, kulturore, historike, që janë ndërtuar me gjakun dhe djersën e popullit.
- Kërkojmë që sot, më datën 22.2 1991, ora 17.00 përfaqësues të Presidiumit, të partive politike, të Ministrive të Mbrojtjes e të Punëve të Brendshme, si dhe të mjeteve të propagandës, Radiotelevizionit, organeve të shtypit të takohen me studentët dhe kuadrot e shkollave ushtarake. Takimi do të bëhet në sheshin e Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”.
- Radio-Televizioni të kalojë nën drejtimin e Këshillit Presidencial dhe të japë informacion të plotë për gjendjen në shkallë vendi dhe jo vetëm për ato çka zhvillohen në Tiranë.
- Efektivat e shkollave ushtarake në Tiranë u bëjnë thirrje të gjitha partive politike, organizatave dhe subjekteve të ndryshme të largohen nga fjalët e deklaratat e mëdha dhe të ulen me masat e popullit për t’u siguruar atyre qetësinë dhe stabilitetin në vend, për t’i ndërgjegjësuar me qëllim që të kapërcehet pa dhimbje e gjak situata e rëndë që është krijuar.