Presidenti Meta çmon me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” regjisorë, kineastë dhe aktorë të shquar të kinematografisë shqiptare

554
Sigal

Me rastin e 69-vjetorit të krijimit të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nëpërmjet një ceremonie solemne vlerësoi sot me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” pesë korifej të kinematografisë shqiptare:

Gruan e parë regjisore shqiptare dhe themeluesen e Kinostudios shqiptare, znj.Xhanfise Keko (pas vdekjes)Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të veçantë shtetërore, si një ndër themelueset e kinematografisë shqiptare dhe një nga figurat më të shquara të saj. Për talentin e spikatur dhe krijimtarinë me nivel të lartë artistik, si regjisorja e jashtëzakonshme e filmit për fëmijë, e cila vazhdon të ushqejë ndjenja dhe virtyte te fëmijët me filmat e realizuar shumë vite më parë, si dhe për përfaqësimin dinjitoz të kinematografisë shqiptare edhe sot e kësaj dite në festivale dhe takime ndërkombëtare filmi;

Krijuesin regjisorial të filmit të parë artistik shqiptar, z.Kristaq Dhamo“Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë shtetëror për kontributin e çmuar si regjisori i filmit të parë artistik në historinë e kinematografisë shqiptare dhe autori i shumë filmave me vlera të mëdha artistike. Me mirënjohje për meritat e mëdha si udhëheqës artistik i Kinostudios ‘Shqipëria e Re’, pedagog i një plejade regjisorësh të rinj dhe përfaqësimin e denjë të kinematografisë shqiptare në arenën ndërkombëtare”;

Një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare, z.Endri Kekon (pas vdekjes)“Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të veçantë shtetërore, si një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare dhe regjisori më i shquar i filmit dokumentar, i cili ka lëvruar të gjitha gjinitë e tij. Për krijimtarinë me vlera të mëdha që na ka lënë trashëgim ku është përjetësuar jeta dhe puna e njerëzve të thjeshtë, ngjarjet madhore të vendit, rindërtimi e ndërtimi i Shqipërisë ndër vite, si dhe për përfaqësimin dinjitoz të kinematografisë shqiptare në festivale dhe takime ndërkombëtare filmi”;

Aktoren e mirënjohur, znj.Edi Luarasi“Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë shtetëror për kontributin e çmuar artistik në teatër dhe kinematografi, për interpretimet e spikatura, talentin e rrallë, zërin kumbues, karakterin e fortë dhe temperamentin plot energji  me të cilat ajo e pasuroi dhe hijeshoi skenën dhe ekranin shqiptar. Si mishërim domethënës i kurajos qytetare, dashurisë për artin, lirisë dhe vlerave njerëzore, ajo përballoi me integritet të lartë moral sfidën e diktaturës, duke triumfuar mbi privimet dhe vështirësitë e kohës, duke gdhendur emrin e saj të nderuar përjetësisht në kujtesën e artdashësve shqiptarë”;

Si dhe regjisorin legjendar Viktor Gjika (pas vdekjes) “Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë shtetëror për kontributet dhe meritat e jashtëzakonshme në kinematografinë shqiptare si operator, skenarist, regjisor e drejtues i spikatur dhe elitar i ish-Kinostudios ‘Shqipëria e Re’. Në vlerësim të vlerave kinematografike shqiptare që krijoi, si dhe përfaqësimit dinjitoz në ekranet botërore, duke ua përcjellë me një mjeshtëri të jashtëzakonshme, dashurinë dhe pasionin për filmin edhe brezave të rinj”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar familjarëve të dekoruarve, artistëve dhe personaliteteve të kinematografisë shqiptare, Presidenti i Republikës theksoi:

“Të nderuar artistë dhe personalitete të kinematografisë shqiptare, Të dashur familjarë,

Miq dhe të ftuar,

Jam shumë i lumtur të jemi sot së bashku, për të vlerësuar me rastin edhe të ditëlindjes së kinematografisë shqiptare, disa prej korifenjve dhe krijuesve të saj.

Rreth 7 dekada më parë, lindi ‘Kinostudio Shqiptare’ që shënoi jo vetëm një ngjarje historike, por edhe që solli një krijimtari të jashtëzakonshme artistike, kulturore, edukative, emancipuese dhe mbi të gjitha frymëzuese për shoqërinë tonë.

Përtej ideologjizimit të skajshëm të sistemit të kaluar, të presionit dhe të klisheve të diktaturës, kineastët, regjisorët, aktorët e skenografët e këtij vendi shënuan arritje të jashtëzakonshme profesionale dhe realizime teknike mbresëlënëse, duke krijuar një fond shumë të rëndësishëm të filmit tonë.

Kinematografia shqiptare ruan në arkivin e saj thesare mbresëlënës. Thesare që, në disa raste janë shpërfillur, anashkaluar apo kanë vuajtur nga mungesa e kujdesit dhe mirëmbajtja, gjatë këtyre 30 viteve.

Është koha për të treguar vëmendje maksimale, për ta ruajtur dhe për ta mbrojtur këtë fond të jashtëzakonshëm.

Me këtë rast dua të përshëndes për bashkëpunimin Drejtuesen e Arkivit Shtetëror të filmit zonjën Iris Elezi!

E meriton ta përgëzoj dhe njëkohësisht, ta inkurajoj në misionin e saj institucional të ruajtjes së kësaj trashëgimie mjaft të vyer filmike, që nuk është vetëm e jona, por e mbarë historisë filmike botërore, siç po vërtetohet dita-ditës nga shfaqja e filmave për fëmijë të së parës regjisore grua shqiptare, Xhanfise Kekos edhe në ekranet italiane, britanike, amerikane e më tej.

Viti 2022 do të shënojë shtatë dekada që nga dita kur filmi shqiptar nisi rrugëtimin e tij, duke prezantuar në ekran më 10 korrik 1952 të parin krijim të realizuar tërësisht nga kineastë shqiptarë, regjisori Endri Keko, operatorët Hamdi Ferhati, Mandi Koçi, Jani Nano e Sokrat Musha dhe montazhierja Xhanfise Keko.

Nga ajo ditë, kinemaja shqiptare do të prezantonte përpara njerëzve, në qytet e fshatrat më të largëta, qindra tituj filmash dokumentarë e po qindra tituj filmash artistikë.

Bashkë me ta, edhe emrat e regjisorëve, të skenaristëve, operatorëve, piktorëve, kompozitorëve dhe aktorëve që gradualisht, falë talentit, kurajës, pasionit, përkushtimit dhe dashurisë për filmin shqiptar, krijuan dhe shpalosën individualitete të spikatura dhe të adhuruara artistike.

Ndaj duke u bashkuar tërësisht me vlerësimet e profesor Mevlanit edhe unë kam kënaqësinë të shpreh edhe njëherë mirënjohjen më të thellë për këto personalitete, për këto korifenj dhe të nderojmë sot:

Regjisoren Xhanfise Çipi (Keko) – një ndër themelueset e Kinostudios

Regjisorin Kristaq Dhamo – i cili është regjisori i të parit film artistik me metrazh të gjatë në vitin 1956;

Regjisorin Endri Keko – një ndër themeluesit në vitin 1952 të Kinostudios;

Zonjën  Edi Luarasi – Aktoren e talentuar, e cila jo vetëm sfidoi diktaturën, por triumfoi duke vazhduar të jetë një dëshmitare e gjallë e padrejtësive absurde të regjimit të kaluar, por edhe një figurë frymëzuese për të gjitha vajzat dhe gratë shqiptare;

Regjisorin Viktor Gjika – Dekanin e filmit shqiptar, apo majën e epërme të ekranit siç e vlerësoi profesor Mevlani,  i cili  gjithashtu ka filluar kontributet e tij si regjisor që në vitin 1962, për të na dhënë aq shumë filma, të cilat janë gdhendur fort në kujtesën e të gjithë qytetarëve dhe teleshikuesve;

Personalitetet e sipërpërmendura, falë talentit të tyre, megjithëse punuan dhe krijuan në një regjim plot kufizime, arritën të jepnin mesazhe të jashtëzakonshme frymëzuese, njerëzore, sociale, përtej fasadave të rreme ideologjike.

Ata iu paraqitën publikut me filma cilësorë, që kanë mbetur edhe sot pas kaq vitesh, ndër më të shikuarit nga publiku shqiptar, por mbi të gjitha nga më të pëlqyerit, të gdhendur përjetësisht në kujtesën e artdashësve sqimatarë.

Krijimtaria e tyre ka simpatizantët e vet besnikë në shijet dhe kërkesat e tyre artistike. Ajo ka mbetur e dashur sipas vlerësimeve artistike dhe ende e shumëkërkuar edhe në ditët e sotme.

Në pamundësi për t’i përmendur të gjithë titujt e krijuar në vite prej tyre, le të kujtojmë sot disa prej tyre. Filmat artistikë ‘Tana’, ‘Vitet e para’, ‘Vendimi’ e ‘Qortimet e vjeshtës’ të regjisorit Kristaq Dhamo’ ‘Rrugë të bardha’, ‘I teti në bronz’, ‘Komisari i dritës’ e ‘Gjeneral Gramafoni’ të regjisorit Viktor Gjika, ‘Beni ecën vetë’, ‘Tomka dhe shokët e tij’, ‘Kur xhirohej një film’ e ‘Taulanti kërkon një motër’ të regjisores Xhanfise Keko, filmat dokumentarë ‘Letër nga fshati’, ‘Në shtigjet malore’, ‘Pranvera e nëntë’, ‘Ringjallje’ e ‘Rruga jote shok’ të regjisorit Endri Keko.

Në përfundim, do të theksoja se vitin e ardhshëm kemi 70-vjetorin e themelimit të Kinostudios.

Prandaj kjo është një ngjarje mjaft e rëndësishme dhe është një përgjegjësi e të gjithë institucioneve dhe jo vetëm e komunitetit artdashës, për të bërë më të mirën, në mënyrë, që ne të mbrojmë vlerat më të mira të krijuara nga artistët, regjisorët tanë, për gati 7 dekada dhe njëkohësisht të kemi mundësi t’ua lëmë si trashëgimi gjeneratave më të reja në të ardhmen.

Në mënyrë që këto themele të forta që ka vendosur kinematografia jonë të vazhdojnë të jenë një element shumë i rëndësishëm i identitetit tonë kulturor dhe kombëtar.

Njëkohësisht të jenë një motiv edhe për krijimtarinë e re dhe moderne, që të orientohet më shumë nga mesazhet edukative sesa thjesht nga komercializmi. Edhe njëherë shumë faleminderit dhe ju uroj të gjithë artistëve që na  nderojnë këtu suksese për kinematografinë tonë dhe artin tonë në të ardhmen.

Faleminderit!”