Konflikt i pastër interesi/ Ministria e Jashtme shpall fitues të konkursit “Ngjyrat e Shqipërisë”, fotografin personal të Olta Xhaçkës

232
Sigal

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme përfundoi  në Prishtinë konkursin e fotografisë “Colours of Albania”, një konkurs i filluar në 2015, që synon të promovojë bukuritë e Shqipërisë, me synim zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e imazhit.

Nuk ka shumë informacion për konkursin e këtij viti, madje as  website http://coloursofalbania.comnuk funksionon më, por me pak durim dhe kërkim të mirë në google, mund të gjendet një informacion mbi konkursin e vitit 2019. Ose mund të gjendet një lajm i Dosja.al, ku tregohet se si Ministrja e ka shitur si ide origjinale konkursin e themeluar ne kohën e Ditmir Bushatit. (https://dosja.al/ministrja-me-memorie-te-shkurter-xhacka-prezanton-si-risi-nismen-e-bushatit/).

Nisma “Ngjyrat e Shqipërisë”, u nis si një formë e re për të promovuar Shqipërinë, për të ndërthurur diplomacinë me dixhitalizimin, rininë me promovimin e vendit, inovacionin me të vjetrën. Të gjithë qytetarët mund të bëhen pjesë e konkursit, duke postuar fotografi në rrjetet sociale me hashtagun #coloursofalbania duke shtuar dhe vitin për tu kthyer kështu edhe në diplomatë digjital.

Por në vitin 2021 ndërsa zhvillohej mbledhja e përbashkët e dy qeverive Shqipëri-Kosovë si duket në mungesë të një bilanci real dhe mungesë imagjinate krijuese, kjo ide u prezantua si “risi”, me idenë që do përfshihej dhe Kosova në konkurs.

Pasi bëri këtë dhe u mendua që do përfundonte me kaq, Olta Xhaçka nuk mund të rrinte pa vendosur një rekord të ri, jo vetëm që e shndërroi në stil dhe modë konkursin, por çmimin e stilit dhe modës ia dha fotografit personal. Erjon Braja, një kameraman dhe fotograf me përvojë, në fakt nuk mund as të ishte pjesë e konkursit. Ai punon në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe ka konflikt të pastër interesi.

Pjesëmarrja e tij është një shkelje e ligjit, degradim i konkursit që u nis për stimulimin e turistëve shqiptarë dhe të huaj në promovimin e Shqipërisë dhe qesharakëzimin e rrëmbimit të një fondi publik, sado i vogël qoftë. Kjo zgjedhje bëhet akoma më qesharake kur krahasohet me edicionin e parë, fituesi i të cilit ka qenë Nëntor Oseku nga Kosova.

Përtej cilësisë së fotove, përtej bërjes së konkursit pa njoftime, pa website, pa asnjë impakt, Olta Xhaçka nuk lejon as që një fond simbolik për promovimin e vendit të dalë nga rrethi i saj i ngushtë. Mirë tenderat e mëdhenj, po nuk lënë as qindarkat.