Asije Hoxha: 29 Nëntor 1944, dita e Çlirimit të Shqipërisë nga të huajt

807
Sigal

Lufta e Lavdishme Nacional-Çlirimtare një nga epopetë historike  të kombit shqiptar

29 Nëntori 1944, çlirimi i Shqipërisë nga pushtuesit e huaj, ditë historike

Kush ishin trimat  emri i të cilëve  u skalit  në memorien e kombit  si “Pesë Heronjtë e Vigut”?

Përgatiti:  Asije Hoxha

Një nga epopetë historike  të lavdishme të kombit shqiptar është edhe Lufta  Antifashiste Nacional –Çlirimtare, e cila  më 29 nëntor 1944 i dha Shqipërisë çlirimin nga pushtuesit italo-gjermanë. Partizanë, dëshmorë dhe heronj të Luftës janë një kujtesë, që kalon brez pas brezi  për  njohjen e historisë. Një popull që nuk njeh historinë e kombit të tij, shumë shpejt mund të shuhet.  Kujtime, dekorime, këngë popullore, partizanë pjesëmarrës në këtë luftë, krijimtari letrare kanë çimentuar pavdekësinë dhe jehonën, që tingëllon edhe sot fuqishëm në shpirt duke ringjallur tek shqiptari ndjenjat atdhetare.

Në këtë histori të luftës së lavdishme Nacional-Çlirimtare mësojmë se si bien në fushën e betejës tre vëllezërit dëshmorë: Jani Thanasi, Naun Thanasi, Vangjel Thanasi.

Tre vëllezërit

Ishte tetori i vitit 1943, -“ Jani, vëllai im i vogël njëzetëvjeçar, -tregon motra Evridhiqi, – atë ditë dukej mjaft i shqetësuar. Ç’t’i kishte ndodhur vallë? Të nesërmen kuptova gjithçka. Zërat e fuqishëm të demostruesve, tingujt e këngëve revolucionare më shkëputën nga punët e shtëpisë dhe as vetë nuk e mora vesh se si u gjenda në rrugë. Po bëhej demostratë. Kudo të thirrura, britma të shoqëruara herë-herë me krisma armësh.

Në fillim u tmerrova, më hyri frika, por shumë shpejt vendin e frikës e zuri gëzimi, krenaria e një motre shqiptare, kur sheh që në ballë të demostratës është vëllai i saj. Jani shtrëngonte në duar flamurin e kuq, që valëvitej madhështor në krye. Si shqiponjë, së bashku me shokun e tij të ngushtë, Met Felahun e të tjerë, ai marshonte gjithnjë përpara. Marshonte dhe këndonte. Jehona e këngës dhe e krismave të armëve, përziheshin egër, duke shkaktuar në të katër anët e qytetit atë rropamë të fuqishme, që ndiste zjarr zemrat e patriotëve për liri. Pas demostratës Jani, anëtar i partisë komuniste shqiptare, doli partizan. Luftoi në radhët e Brigadës  III  sulmuese dhe nuk e pamë më.

Pas largimit të Janit shtëpia jonë u vu nën kontrollin e xhandarmërisë. Ajo kontrollohej rregullisht dy herë në javë dhe na kërcënonin në forma të ndryshme, që t’u tregonim se ku e kishim fshehur Janin. Miq të paftuar në shtëpinë e Thanasëve vinin vazhdimisht. Një ditë, në mes të fytyrave të egërsuara,  ishte edhe një oficer gjerman. Ata mbajtën në vërejtje xha Athanasin dhe djalin e tij të madh, Naunin. Nënën dhe mua na dërguan në një shtëpi, që përdorej si qendër internimi.

Më, 14 nëntor 1943, gjermanët mblodhën në sheshin më të madh të Kavajës, një mori njerëzish, ndërmjet të cilëve ishte Nauni 26-vjeçar dhe vëllai i tij 24-vjeçar, Vangjeli. Naunin e internuan në kampin e shfarrosjes në Mathauzen të Austrisë, prej nga s’u kthye më. Populli nuk ndenji duarkryq. I madh e i vogël  u ngrit në këmbë. Në qytet dhe në fshat populli u bë një mbështetje e fortë e çetave partizane. Lëvizjet e ilegalëve, aksionet e tyre u bënë tmerr për armiqtë. Në këtë lëvizje ilegale merrte pjesë edhe vëllai im i tretë, Vangjeli  … 5 qershor 1944. Arrestimet filluan të bëheshin edhe më të shpeshta. Bijtë tanë merreshin dhe nuk ktheheshin më, por protesta dhe hakmarrja vazhdonte. Ilegalët bënin punën e tyre!

 

6 qershor 1944. Natë!…Vonë! Ishte një natë, që të zinte frymën. Heshtja shpesh prishej nga krisma e ndonjë arme. Dhomën tonë, – vijon tregimin e saj e motra,- e ndriçonte një kandil i vogël. Vangjeli ende nuk kishte ardhur. Ardhja e tij në shtëpi shpesh shoqërohej edhe me krisma armësh. Por atë natë…  As vetë nuk po e kuptonim atë heshtje! … kur u ndje një trokitje e lehtë në formë sinjali! E njoha, ishte dora e tij. E përqafova me mall dhe i thashë të hante diçka. Pasi pushoi pak ramë të flemë. Por nuk e di, pse nuk më flihej atë natë. Nata e errët nisi të thyhej. Ishte ora katër e mëngjesit. Unë kisha humbur në ëndrrat e mia. Po mendoja ditën e fitores, ditën për të cilën po luftonim. Një zhurmë e fortë shurdhuese dhe e pandërprerë më shkëputi nga mendimet.

-Hapni derën! …të trokiturat u ndërprenë. Heshtje! …të gjithë u ngritëm në këmbë  dhe përgjonim.

-Hapeni derën! Hapeni se do t’ju djegim brenda! Shtëpia ishte e rrethuar nga të katër anët. Hapa derën dhe pashë se para nesh ndodheshin bishat me tytat e hekurta drejtuar në gjokset tona.

– Mos u mërzitni, prindër, fitorja është e jona, -tha Vangjeli , – të cilin e mbërthyen me hekura.

-Nënë, qëndro  burrëreshë! Unë s’jam i vetëm, unë do të jetoj!  Vangjelin e morën përpara. S’dihej ku do e çonin. Për një copë here motra e tre dëshmorëve heshti. Sytë e saj, fytyra e saj u drodhën lehtë, pastaj ngriti kokën dhe tha: “Ata ishin vëllezërit e mi!”

Heronjtë e Vigut

Tregimi i nanës Drande

Unë jam prej Vigut, por e martueme në Gomziqe. Kur janë vra bijtë partizanë u ndodha në Vig, tek njerëzit e mi. Si sot, më kujtohet ajo ditë e zezë. Kur dielli ishte ngritë shumë pash mbi dhe, erdhi tue vrapue, një kushërini im. – Në Buzabardh janë rrethue disa komunistë,- tha ai tue  marrë frymë thellë. Komunistë! Dhe mendja më shkoi menjëherë te Ndoc Deda me partizanë, që disa herë kanë pasë ardhë tek ne në Gomziqe. Dalë ku të dalë, thashë me vete, njëherë kam le dhe njëherë  do të vdes. Vendosa me shkue tek vendi i rrethimit.  Trimat e nanës ishin rrethue keq, në atë fushë mes malesh pa asnjë mbrojtje. Ose me u dorëzue e me u koritë, ose me vdekë e me i zbardhë faqen vetes. Rrugëdalje tjetër nuk kishte. Partizanët ishin vetëm pesë, me pesë pushkë, kurse kriminelët  ma  shumë se pesëdhjetëfish i tyne, me pushkë e fishekë sa të duesh. -Unë s’munda  me e mbajtë veten,- vazhdoi nana Drande, -dhe u drejtova nga ai za, që e njihja se ishte i Ndoc Dedës. Po bëheshin gjashtë orë që bijt e nanës ishin të rrethuem. Ishin djegë për ujë nga zhegu i madh i atij gushti të nxehtë. Buzëbardhi asht  një  tapalok pa asnjë hije, pa asnjë pemë. Tri herë ua mbusha tasin me ujë. Ndoci me shokë ishin ba gadi me vdekë. Njeni prej tyne, me flokë të zezë e kaçurela, ishte ulë ndë njunjë me pushkën e gjatë në një dorë dhe në tjetrën shtrëngonte një bombë. Pranë tij një djalë i shkurtër e i hollë vështronte rreptë nga armiqtë. Aty afër, nga faqja e malit ishte shtri me pushkë për faqe një djalë tjetër i ri, bardhosh dhe i bukur. Kurse nga faqja tjetër e malit kishte drejtue pushkën  një djalosh tjetër. Ndoci rrinte në kambë dhe fliste dhe u jepte përgjigje katilave të Gjon Marka Gjonit.

Dielli kish zbritë kupën e qiellit. Po afronte mesdita. Forcat e kapidan Gjonit sa vinin e shtoheshin. Ndër shtigjet e Buzëbardhit kishte ardhë bajraktari  i Kashnjetit, Jakë Froku, kryetari i komunës, Pjetër Lleshi e shumë katila  të tjerë. “Ta dini, more tradhëtarë të shitun, se na e kemi qitë cekën me vdekë për Shqipërinë e lirë. Armët mund t’i merrni vetëm kur të kaloni mbi trupat tanë të vramë”.  Kështu u përgjigj Ndoci me shokët e tij dhe, trimat u banë gati me zbrazë  pushkët. Në këtë kohë, sapo fillonte pushka, ai djali i hollë e i shkurtër që më vonë kam marrë vesh se ka qenë Ndoc Mazi, mbështeti pushkën tek kamba, nxori një letër të vogël, u ul ndë gjuj dhe filloi diçka të shkruejë. Mbasi e lexuen të gjithë së bashku, thirrën me za të naltë : “Rroftë Partia Komuniste Shqiptare”! Dhe tue ma dhanë letrën, ata më thanë:  “Amanet, moj nana Drande, këtë letër, gjallë a vdekë, me ua dorëzue shokve tanë”. Ua dhashë besën shqiptare trimave të Partisë dhe e futa letrën në gji. Nuk munda të qëndroj ma dhe, si u fala me ta për të fundit herë, u nisa. Pa mbrrijtë në Gjadër dëgjova një kangë të fortë: kangë trimash partizane. Sa kalova Gjadrin krisi pushka, që vazhdoi bukur do kohë. Ata vdiqën mes këtyre krismave dhe me këngë në gojë.

Kush ishin këta trima që emri i tyre u skalit  në memorien e kombit  “Pesë heronjtë e Vigut”?

  1. Ndoc Mazi (1920-1944) rridhte nga një familje e varfër shkodrane: anëtar i grupit komunist të Shkodrës. Me formimin e partisë komuniste u bë anëtar partie që në vitin 1942 punoi në ilegalitet në qytetin e Durrësit, më vonë në qytetin e Shkodrës dhe, mbas vitit 1943 punoi në krahinën e Mirditës.
  2. Naim Gjylbegu (1920-1944): anëtar i grupit komunist të Shkodrës; më vonë anëtar i Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste ; i arrestuar nga policia qëndroi heroikisht dhe u bë shembull vetmohimi për rininë. Posa del nga burgu shkon partizan dhe bëhet komandant çete.
  3. Ndoc Deda  (1918-1944): ishte nga Miloti. Nga viti 1943 largohet nga ushtria dhe hidhet  në radhët partizane. Nga Partia ngarkohet të punojë në zonën e Shirokës.
  4. Ahmet Haxhia (1926-1944) Anëtar i Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste. Punoi për organizimin e rinisë. Që nga dhjetori 1943 punonte në njësitin e Mirditës.
  5. Hydajet Lezha (1920-1944). Ishte anëtar i rinisë komuniste dhe nga viti 1943 u hodh në radhët partizane. Ishte nga Lezha.

Shkrimtari Kolë Jakova shkroi poemën historiko-letrare “Heronjt e Vigut”. Një pjesë e madhe e Shqipërisë ishte çliuar. Ishte çliruar edhe Mati. Në Mirditë komunistët Bardhok Biba, Ndrec Ndue Gjoka po punonin për të ndërgjegjësuar popullin se çlirimi i Shqipërisë po vinte.  Njësiti i  përbërë nga 5 të rinj komunistë, niset drejt Mirditës. Një spiun i Gjon Marka Gjonit tregon se ku gjendet Ndoc Deda vetë i pestë. Njësiti rrethohet në Vig.

Ushton Vigu gur e zall. / S’lidhen burrat për të gjallë./ S’lidhet Ndoci me gjithë shokë, / për pa i shkue gjaku përtokë./ Dyqind vetë  i kan‘ rrethue./ Vdesin burrat pa u pague…

Çou o Ndoc , nuk ka  hije,/ para burrash me ndej shtrie./ Para burrash n’armë shtrëngue,/ që njëmijë luftash kanë kalue/ dhe, njëmijë lufta kanë fitue

Shkrimtari Kolë Jakova shkroi poemën historiko-letrare “Heronjt e Vigut”. Një pjesë e madhe e Shqipërisë ishte çliuar. Ishte çliruar edhe Mati. Në Mirditë komunistët Bardhok Biba, Ndrec Ndue Gjoka po punonin për të ndërgjegjësuar popullin se çlirimi i Shqipërisë po vinte.  Njësiti i  përbërë nga 5 të rinj komunistë, niset drejt Mirditës. Një spiun i Gjon Marka Gjonit tregon se ku gjendet Ndoc Deda vetë i pestë. Njësiti rrethohet në Vig.

Ushton Vigu gur e zall.

S’lidhen burrat për të gjallë.

S’lidhet Ndoci me gjithë shokë,

për pa i shkue gjaku përtokë.

Dyqind vetë  i kan‘ rrethue.

Vdesin burrat pa u pague…

 

Çou o Ndoc , nuk ka  hije,

para burrash me ndej shtrie.

Para burrash n’armë shtrëngue,

që njëmijë luftash kanë kalue

dhe, njëmijë lufta kanë fitue

Çou Naim e çou Ahmet,

Ndoc i vogël Hydajet!

Shifni ushtrinë, po ju pret.

Çohi djem, falniu me ne,

na uroni ditn e re.

Poeti partizan Memo Meto

Ecte, Memo Meto rrugës me pushkën hedhur në sup dhe me çantën e tij krahëqafë. Ecte poeti, partizani. Ecte dhe mendonte, ndofta për ndonjë vjershë që do të bënte për t’ia thënë këngës së tij rrëzë rrepeve, apo te kroi ku mbliheshin partizanët dhe rinia e fshatit. Dëgjohet një krismë dhe poeti, dhe partizani trim bie përtokë. Dora e tradhtisë e shkëputi atë nga gjiri i popullit, por zëri i këngës së tij jehoi thellë grykave e shpateve, shtegtoi shtigjeve të Atdheut  bashkë me çetat partizane. Meto Meto  armiqtë i qëllonte jo vetëm si agjitator, por edhe si poet duke përdorur mençurinë popullore.

 

Nënë moj, do pres gërshetin

Nënë moj, do pres gërshetin,

e do marr malin përpjetë.

Shokë e shoqe po më presin,

n’ato bjeshkë ku puthin retë.

 

Dil moj nënë, lajmëro dasmorët,

se do shkoj unë partizane.

Mos më bëj nuse zakoni,

do marr pushkë, në mal do dal.

 

Në m’u kalbtë rripi i pushkës,

nënë moj, në shi e në erë,

do ta lidh në ballë të luftës,

me gërshetin tim të prerë.

 

Në të martë malli për mua,

dil dëgjo krisma nga mali,

mbi lirinë asgjë nuk dua,

se jam vajzë partizane…

Memo Meto

 

Dhe kënga popullore për trimat e luftës Nacional-Çlirimtare vazhdon…

U plagose nuk e pe?

Ndë mes të kobureve.

Mbat anë pallaskave,

t’u derdh gjaku kallcave.

Seç t’u derdh gjaku rrëke…