Suplementi Pena Shqiptare/ Ergys Alushi: Petro Marko, një nga më të mëdhenjtë e letrave shqipe

570
Sigal

25 Nëntor, është ditëlindja e Petro Markos

Një nga më të mëdhenjtë e letrave shqipe.

Njeriu që luftoi me pushkë e me penë për lirinë e popujve.

krenar për fshatin e tij më të bukur në botë Dhërmiun, student i Tregtares të Vlorës, gazetar, luftëtar antifashist, shok i Heminguejt, hartues traktesh, themelues i gazetës “Bashkimi”, i arrestuar nga fashistët dhe komunistët, shkrimtar i denjë i letërsisë moderne.

Jeta e Petro Markos

Petro Marko ka lindur më 25 nëntor në Dhërmi më 1913. Fëmijërinë e  ka kaluar në fshatin e tij të lindjes, për të cilin ai thotë se “Dhërmiu është fshati më i bukur në botë”.
I edukuar nga familje e njohur dhe patriotike himariotase, Petroja më pas do të ndiqte studimet në Shkollën Tregtare të Vlorës. Pasi mbaroi shkollën në vitet ‘30-të, atë e caktojnë mësues të gjuhës shqipe në zonën e Dropullit. Pikërisht në ato vite Petroja filloi të shfaqte talent në fushën e shkrimeve dhe të gazetarisë. Në atë kohë Petroja kujtonte me respekt Branko Merxhanin, nga i cili u lidh në fushën e botimeve.
“Ora” do të ishte gazeta e parë ku Petro Marko 25 vjeç do të fillonte të shkruante shkrimet e para të cilat sulmonin regjimin e Zogut për prapambetje shoqërore kulturore dhe ekonomike në të cilën ndodhej vendi. Më pas me gazetën tjetër “ABC”, Petro Marko do të shtonte talentin e tij në formimin intelektual, sidomos kundër frymës së re që sapo kishte sunduar në Europë, atë të fashizmit. Për disa shkrime të botuara, ai u burgos disa herë nën censurën e fortë të regjimit të Zogut. Petro u shkëput herët nga Himara dhe kontaktet me familjen e tij i mbante për së largu. Atë kohë ishte vendosur në Tiranë dhe rreth viteve 1934-‘35 ai përfitoi një bursë për të ndjekur studimet në Paris, ku veçanërisht ministri i atëhershëm i Arsimit të Mbretërisë së Zogut, Hilë Mosi e ka ndihmuar duke parë penën e fortë të Petros, për të vazhduar studimet jashtë shtetit. Petro Marko do të detyrohej të ndërpriste studimet kur filloi lufta në Spanjë. Në atë kohë ai u bashkua me patriotë dhe revolucionarë, siç thoshte ai në atë kohë që “Të gjithë ishin komunistë të vendosur” për të luftuar ndaj fashizmit. Pikërisht në vitin 1936, Petro Marko së bashku me shumë shqiptarë të tjerë regjistrohet në Brigadat e forcave vullnetare të Spanjës. Atje veç luftëtarëve të të gjitha vendeve ai njohu dhe të famshmin Ernest Heminguej, për të cilin ai thoshte se ishte një kolos i përmasave të mëdha. Ngjarjet e Spanjës Petro do t’i hidhte në letër dhe do t’i botonte në kohën e Diktaturës së Hoxhës, por me një natyrë krejt të veçantë, atë të censurës, të ndalimit të veprave dhe vargjeve dhe të diktuara prej propagandës komuniste e asaj kohe.
Pushtimi i Italisë fashiste e gjeti Petron në mërgim në Francë, i cili ishte kthyer pas Luftës së Spanjës. Në Shqipëri vjen menjëherë dhe takohet me patriotë dhe komunistë përfshi Nako Spiron, Sejfulla Malëshovën, Skënder Luarasin, Mehmet Shehun, Koçi Xoxen, etj., dhe merr pjesë në rezistencën guerilje kundër fashizmit. Në vitin 1941, kur vepronte në Tiranë arrestohet dhe çohet në Burgjet e Ustikas në Itali, nga ku lirohet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Petro Marko

MUNGESA E LIRISË

Ti ishe
Një mëngjes i freskët
Që lëshonte
Tinguj të kthjellët

Dhe ishe një kopsht i derdhur
Zot sa i derdhur
Me erë me ngjyrë
Mbytje çdo gjë përreth

Nga duart nga yjet
Si nga një libër i hapur
Mund të parathoshe çdo gjë

Si fatthënë e ngrysur që ishe

Po jepeshe lehtë
Si një kafshë
E lodhur nga ndjekjet
Se në flokë
Në ballë
Në sy
Kudo
Të vihej re
Mungesa e lirisë

DHE IKIM, IKIM, IKIM…

Mbase ikim, ikim, ikim,
Nga dhomat e mbushura ofshamë
Dhe dalim shesheve
Po sheshet janë të lara në gjak

Ndodh largohemi nga rrugët
Që klithin në fytyra fëmijësh
Dhe i mbyllim sytë

Kur Mezia i ngul ushtën
Demit tonë të Zi
Në Mozomazinë e përhumbur
Dheu na rrëshqet nën këmbë