Kishte shumë kohë e vite që kur Divat e Kinematografisë shqiptare nuk kishin ardhur në këtë formë dhe prezantim të lirë në Teatrin Petro Marko në Vlorë. Sigurisht Vlora është ndër qytetet e përzgjedhura për turizëm dhe e parapëlqyer në stinën e Verës, por ky qytet kaloi një natë të mrekullueshme në prezencën e Dhimitër dhe Roza Anagnosti, Timo Flloko, Rajmonda Bulku, Ndriçim Xhepa dhe Kristaq Skrami. Sigurisht edhe orkestra nën drejtimin e Oleg Arapit. Atë natë teatri ngjante me një tempull.

Këto figura nuk vijnë çdo ditë mes nesh, por brezat tanë i njohin në çdo film që kanë luajtur, në çdo personazh, karakter, batutë, frymëmarrje, trishtim, gëzim. Por tashmë ata afrohen ashtu, madhështore, të thjeshtë, fjalë urtë, të bukur e viganë! Teatri ynë është gjithmonë i hapur e plot aktivitete, por ja! Atë mbrëmje ishte mbrëmja e e Divave! Në fakt personazhi që i mbledh të gjithë këta artistë dhe i vë në rolet më të bukura e që kanë mbetur e depërtuar në memorien e këtij populli është njeriu i rrallë i mendimit të lirë, i vlerave të mëdha artistike, regjizor, kineast, autor, ideator dhe krijues shumëdimensional z. Dhimitër Anagnosti. Dhimitër Anagnosti shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme të përgjithshme i kreu në Vlorë. Më 1954 – 1960 ndoqi Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperator. Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.

Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”. Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. Anagnosti është njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve. Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”.

Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali. Tek e sheh që ngjit shkallët e Teatrit Petro Marko ashtu ngadalë, sikur mat çdo hap, me një modesti madhështore dhe emocion të papërshkrueshëm, kupton se njerëzit e mëdhenj janë të thjeshtë e janë gjigantë në modestinë e tyre. E sytë të mbushen me lotë. Njerëz kaq të mëdhenj rrallë ka historia. Ata janë një në një milion. Dhe hesht… Nuk e di nëse do kemi më nderin të kemi midis nesh njerëz kaq të mëdhenj, të bukur e të mënçur, ata, ikona të artit. Nëse i shihje kur hidhnin hapat të heshtur, flisnin me zërin e butë e kumbues, flisnin me mimika e trup, flisnin me shpirt. Se ishin në Vlorë. E Vlora ka art edhe në det, edhe në ajër. Njerëzit këtu marrin frymë me artin. I mban në jetë, u jep kurajo, ringritje për kohë më të mira. Pa art këtu vdes! Nuk di nëse e ndien të gjithë këtë. Edhe pse munguan lulet e nderet dekorative, Netë të tilla mund të quhen hyjnore .























