Ariol Haxhillari, Menaxher i Përgjithshëm në hotelet e “FAFA Group”: Është rritur frekuentimi, preferohen paketat ‘half board’

207
Sigal

 

“Fafa Group”, pionierja e turizmit modern shqiptar

Është mars, por bregdeti i Durrësit është tejet i gjallëruar, diçka e pazakontë kur mendon se dimri dhe deti nuk lidhen shumë bashkë si destinacion tradicional pushimesh në vendin tonë. Shtetasit e Kosovës, të cilët mbajtën peshën kryesore të turizmit në dy vitet e pandemisë, janë rikthyer edhe këtë vit, duke rritur frekuentimin sidomos në fundjavë në destinacionin më të preferuar në hotelin “FAFA Group”. Ariol Haxhillari, Menaxher i Përgjithshëm në hotelet e “FAFA Group”, pohon se në fundjavë, zënia e dhomave arrin deri në 50% të kapacitetit, ndërkohë që rezervimet vijnë kryesisht për paketat me fjetje mëngjes dhe darkë.

Bregdeti ka pasur gjallëri edhe në muajt e dimrit. Ju si strukturë si e vlerësoni, a ka me të vërtetë një rritje të numrit të pushuesve?

Po ka pasur rezervime dhe rritje të frekuentimit në shkurt. Ka qenë edhe kampionati botëror i Taekëondo dhe ka pasur një numër jo të vogël turistësh, pjesë e këtij aktiviteti, por peshën kryesore e mban Kosova.Të paktën 50% e pushuesve që vijnë në strukturën tonë janë nga Kosova, 20% janë vendas dhe pjesa tjetër të ndryshëm. Fluksi është kryesisht në fundjavë ku okupanca (zënia e dhomave) është 50% e kapacitetit të hotelit, ndërkohë që gjatë javës, kjo shifër është më e ulët, në 10%.

Cilat janë paketat që preferojnë ata që ju vizitojnë në fundjavë?

Zakonisht kanë ardhur me fjetje, mëngjes dhe darkë, apo siç njihet “half board” ose vetëm me mëngjes dhe fjetje. Kjo zgjedhje bëhet më shumë, pasi u krijon mundësi të udhëtojnë. Turistët nga Kosova zgjedhin t’i drejtohen Durrësit në qytet, Tiranës në qendrat tregtare, por ka raste kur shëtitjet janë drejt Beratit, apo zonave turistike më afër.

Janë rritur çmimet në disa segmente si energji, ushqime. A ju ka prekur kjo në kostot tuaja dhe si po e përballoni?

Sot që flasim, ushqimet janë rritur minimalisht me 20%. Për të mbajtur në punë stafin për të cilin kemi investuar dhe trajnuar jemi detyruar të bëjmë edhe rritje pagash me 20%.

Arsyeja është se po hapen shumë struktura të reja, por nuk është shumë e lehtë të gjesh edhe punonjës. Energjia na është dyfishuar. Ne jemi të lidhur në tension 20 kilovolt dhe aktualisht po furnizohemi me çmimin 18.8 lekë nga 11 lekë më parë.Ne jemi përpjekur të minimizojmë disi ndikimin e energjisë, duke instaluar impiante fotovoltaike me kapacitet 350 kwp dhe një tjetër 500 kwp. Këto mbulojnë 70% të nevojës kur situata është e favorshme. Pjesa tjetër mbulohet me çmimet që na vijnë nga tregu, të cilat janë rritur.

Turistët që prisni në strukturat tuaja, vijnë me agjenci apo individualisht?

Ne kemi bashkëpunim edhe me agjenci, por nëse flasim për Kosovën të paktën 20% e tyre vijnë me agjenci. Pjesa tjetër janë klientë besnikë, që na kanë vizituar ndër vite dhe zgjedhin të rikthehen herë pas here.

Nga sinjalet që shihni në horizont aktualisht si e parashikoni të jetë ky vit për turizmin?

Pritshmëria është që të jemi më mirë sesa viti i kaluar. Kontratat që kemi tani në fuqi janë me garanci dhe jo allotment (paguaj sa zë) sikurse ishin më herët. Presim që pas dy viteve mungesë të rikthehet tregu nordik, me peshë të rëndësishme.

Po sa u takon plazheve, a i keni bërë aplikimet për ndarjen, të cilat kanë nisur më herët?

Ne kemi një kontratë 5-vjeçare për plazhin dhe kjo na e ka lehtësuar punën me procedurat.

Cilët janë grupet e turistëve që nisin më herët ardhjen drejt Shqipërisë në mënyrë të organizuar, sipas rezervimeve që keni?

Zakonisht më herët nisin turistët francezë. Vijnë nëpërmjet “Travel Europe” dhe janë të interesuar kryesisht për turizëm kulturor. Nisin gjatë prillit e majit, ndërkohë që në fund të majit vijnë polakët dhe nordikët.

A mendoni se situata në Ukrainë mund të ndikojë turizmin në vend?

Nuk e di, pasi nga ajo që kemi parë viteve të fundit nuk kemi më garanci për mënyrën sesi mund të zhvillohen ngjarjet. Mbetet për t’u parë.