Amik Kasoruho: Historia e tradhëtive, histori e trishtë

400
Sigal

Shqipëria mes ankthit dhe ëndërrës. Asnjë histori nuk do të mund të ndeshet me një përqindje kaq të lartë tradhëtarësh apo armiqësh sa krijoi diktatura komuniste. Nga dëshmori i parë i lirisë Koci Xoxe tek ai i demokracisë Arben Broci. Ekzekutimet e intelektualve të opozitës, atyre të luftës dhe “agjentve të perëndimit”

Nga Libri “Shqipëria: Ankthi dhe ëndrra”: fragmente:

Histori e tradhtive, histori e trishtë

I pari dëshmor për lirinë e Shqipërisë nga pushtuesit nazi – fashistë, deri tani, mendohet të ketë qenë Koçi Bako, një punëtor komunist, rënë më 8 nëntor1941 në Korçë gjatë një demonstrate antifashiste. I fundit- deri më sot-është i riu Arben Broci, student i inxhinierisë, kundërshtar i Partisë Komunist dhe një ndër themeluesit e Partisë Demokratike Shqiptare, vrarë me 2 prill 1991, në Shkodër.

Ndërmjet këtyre dy datave endet historia pesëdhjetë vjeçare e vrasjeve, pushkatimeve, internimeve dhe plot mënyrave të tjera duke çvlerësuar lirinë e individit. Kjo histori fillon dhe mbaron me Enver Hoxhën. Në një periudhë prej tridhjetë vjetësh nuk nguroi të këmbente tri herë partner: në fillim duke u bashkuar me Titon, pastaj duke iu nënshtruar Moskës dhe në fund duke u lidhur me Kinën.

Mjeshtër për të thurur prapaskena dhe komplote; njeri, që nuk i besonte askujt, ai gjithmonë dhe kudo ishte i zoti të zbulonte dhe të godiste një armik: paranoik dhe galoman, të cilit i kishte hyrë vetja në qejf nga roli i tij i padiskutueshëm si prijës. Ai, si burrë shteti kishte jetuar në hijen e aleatit të radhës.

Intelektual gjysmak Enveri iu kundërvu intelektualëve të mirëfilltë gjatë gjithë kohës të qeverisjes së tij.

Me kalimin e kohës dikush filloi të afirmohej pak si tepër dhe kjo nuk mund t’i shkonte për shtat kujt pretendonte t’i shtrëngonte fort në dorë frenat e pushtetit.

Kështu që në ditët e para të rezistencës kundër fashizmit, filluan spastrimet që do të karakterizonin gjithë historinë e Partisë Komuniste Shqiptare.

Me preteksin për të dënuar një sjellje të ndaluar nga morali partizan u pushkatua Ramize Gjebrea (i dashuri i saj u vra në një mision lufte). Qe kjo një masë që synonte të kufizonte promiskuitetin ndërmjet luftëtarëve dhe mund të njihet si një farë vlere. Por në rastin e Gjebresë u zbatua me rigorozitet të tepruar. Ramize Gjebrea, një studente mjaft e bukur dhe tepër inteligjente e shkollës normale të Tiranës, po afirmohej si një organizatore e aftë e lëvizjes së rinisë (BRASH).  Në të njëjtën organizatë, një rol të barabartë si antare e Komitetit Qendror të saj, kishte edhe Nexhmije Xhuglini, e fejuara e Enver Hoxhës. Ndoshta kjo mund të ndihmojë për të kuptuar diçka më shumë.

Por rasti Gjebrea-Koka ishte i veçantë, ata duheshin, gjë që, në kushtet e jetës ndër male, vlente sa një martesë e rregullt. Zaho Koka ishte një komandant i dashur nga partizanët dhe nga populli i Bregut: i ndershëm, inteligjent dhe me kulturë.Të dy bashkë do t’u kishin nxjerrë telashe atyre që Luftën Nacionalçlirimtare e konsideronin një farë trampoline të ambicieve personale.

Vetë Nako Spiru, aso kohe Sekretar i Përgjithshëm i BRASH, pak ditë pas kësaj ngjarje, pat deklaruar se rinia nuk mund të edukohej me metoda drastike. Si duket ai e dinte lokuacionin “amor omnia vincit”,por gabohej: as ai nuk qe në gjendje të parashikonte se e gjithë jeta e vendit do të përshkohej nga kultura e urrejtjes.

Mustafa Gjinishi intelektuali idealist

Në rrethana, që nuk u sqaruan kurrë u eleminua një figurë tjetër e shquar e PKSH dhe e Frontit Mustafa Gjinishi. Intelektual, idealist, zotërues i mirë i anglishtes ( meqë kishte kryer studimet në Institutin Teknik Amerikan të Tiranës), një ditë u gjet i vrarë shumë larg, vijës së zjarrit. Nuk u mësua as nga kush dhe as si! Deri sa zgjati lufta, partia dhe fronti e konsideruan një dëshmor. Veç në ditët e para pas çlirimit në fillim u pëshpërit, pastaj filloi të flitej me këmbëngulje, deri sa Hoxha e tha haptas, se Gjinishi kishte qenë një spiun i anglo-amerikanëve. Hapi nga dëshmor në tradhtar, kishte qenë shumë i shkurtër dhe nuk kushtoi gjë: të vdekurit nuk mund të kenë të drejtë. Në vitet e mëpasme, gati të gjithë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Hoxhës ose “ u pushkatuan” ose “u spastruan”.

 

Kadri Hoxha komandant i njësive partizane…

Kadri Hoxha një nga komandantët e njësive partizane, komunist i orëve të para, që kishte njohur burgun dhe internimin fashist. Në vitin 1945, me gradën kolonel, ishte përfaqësuesi i qeverisë shqiptare pranë autoriteteve ushtarake anglo-amerikane për Mesdheun në Bari të Italisë. Pak kohë më vonë u burgos përsëri, por kësaj radhe nga vetë shteti, për themelimin e të cilit kishte kontribuar, i akuzuar se kishte qenë një spiun i amerikanëve apo anglezëve ( dhe bashkë me të u arrestuan edhe ish luftëtarë të tjerë, ndërmjet të cilëve për formacionet partizane, duke e paraqitur si sabotues të luftës antifashiste, majori Spiro Dhima. Kadri Hoxha ishte dëshmitar i fushatës nënvleftësuese e të gënjeshtërt, që pat filluar me urdhër të Enver Hoxhës në lidhje me ndihmën që kishin dhënë anglo-amerikanët për formacionet partizane, duke i paraqitur si sabotues të Luftës. Ata paskeshin parashutuar armë pa municione apo municione të papërshtatëshme, këpucë vetëm të njërës këmbë, veshmathje masash shumë të vogla apo të dëmtuara, barna të skaduara dhe të papërdorshme. Episode këto që edhe mund të kenë ngjarë,por që me siguri nuk përbënin të zakonshmen. Si provë e mungesës së sinqeritetit të aleatëve sillej fakti se në të njëjtën kohë përfaqësues të tyre ishin të akredituar pranë Legalitetit (gjenerali Davis), sikundër edhe pranë frontit Antifashist Nacionalçlirimtar.

U likuiduan liderat potencialë Anastas Lula…

U ashpërsua rivaliteti ndaj rrymave të tjera politike të brendshme dhe të jashtme. Kundër kryetarëve të grupeve të ndryshme, që nuk ishin shkrirë plotësisht me PKSH u morën masa drastike. U likuiduan në këtë mënyrë liderët potencialë: Anastas Lulo, Sadik Premte, Zoi Fundo dhe të tjerë. Edhe ata që aderuan në puritanizmin komunis të Enver Hoxhës, nuk ia dolën të fshihnin  nga kujtesa e të tjerëve faktin që kishin bërë pjesë në grupe të tjera. Një shembull mes sa e sa të tjerëve:-Zef Mala, militant i orëve të para të lëvizjes komuniste në Shqipëri, i konsideruar në kohën e Zogut: si një subversiv i rrezikshëm komunist dhe bëri pjesë që në fillim në Partinë Komuniste u persekutua nga fashizmi. Por pak kohë mbas çlirimit u dënua dhe deri pak kohë po mbushte, edhe pse thuajse krejt i verbër, dhjetëvjeçarin e tretë të burgimit.

Nëse për botën e qytetëruar të falurit e fajeve është shenjë shpirtmadhësie dhe force morale, për filozofinë e partisë komuniste falja ishte e papranueshme. Dhe kjo urrejtje e pashuar ndaj kundërshtarëve politik ; ky mosbesim ndaj të penduarve, bënë që partia të mbante të ndezur zjarrin e çnjerëzores dhe të absurdes : luftë klase.

 

Ymer Dishnica pagoi gjithë jetën…

Ymer Dishnica pagoi gjithë jetën, sepse bashkë me Mustafa Gjinishin, në Konferencën e Mukjes (mbajtur në vitin 1943 midis përfaqësuesve të të dyja grupimeve kryesore politike: Frontit dhe Ballit Kombëtar),  përkrahu pikëpamjen e Ballit mbi probleme të ndryshme (eliminimi i rolit të komisarëve politikë nga radhët e partizanëve, përkatësia e Kosovës Shqipërisë etj).

Manol Konomi ministër i Drejtësisë dha dorëheqjen…

Terrori ushtruar nga shteti arriti një egërsi të skajshme: më 1951, mbas pushkatimit të dhjetëra qytetarëve tiranas doli ligji kundër veprimtarive terroriste. Sipas tij edhe thjesht të dyshuarit mund të ekzekutoheshin pa gjyq. Manol Konomi, anëtar i Komitetit Qendror dhe ministër i Drejtësisë, në 1951 dha dorëheqjen, sepse nuk deshi të mbante përgjegjësi për pushkatimin pa gjyq të dhjetëra qytetarëve tiranas dhe është një mrekulli që ai vetë, nuk përfundoi në burg: për 39 vjet jetoi pa mësuar gjë për të...

Sejfulla Malëshova u zhduk në errësirë…

Sejfulla Malëshova, intelektual komunist poet me vlerë dhe ministër i Arsimit dhe Kulturës u zhduk në errësirë, u internua në provincë dhe u detyrua të bënte një punë magazinieri, sepse nuk kishte miratuar persekutimet kundër intelektualëve dhe propagandën shpifëse kundër perëndimorëve.

Nako Spiru ndoshta vrau veten…

Nako Spiru ndoshta vrau veten…(po të mos e kenë vrarë, si mendojnë të tjerë), sepse nuk mundi t’i bëjë ballë akuzës për tradhti.

Shqipëria nuk ishte çliruar e gjitha ( ishte tetori 1944) kur në Berat, ku ishte vendosur përkohësisht qeveria (nënkuptohet edhe Komiteti Qendror) lufta për pushtet arriti një ashpërsi të paparë ndonjëherë. Miladin Popoviçi ishte zëvendësuar nga Vukmanoviç Tempo dhe nga emisarë të tjerë të Titos. Tito nuk donte të krijohej përshtypja se i manipulonte ai kukulllat e PKSH, por në asnjë moment nuk kishte ndërmend ta linte të fluturonte zogun që kishte shtruar ai vetë. Askush, as Popoviçi nuk duhej t’i ushqenin Enver Hoxhës mendime autonomie. Prandaj u zëvendësua Popoviçi. Në sytë e partisë Komuniste Jugoslllave fituan simpati Koçi Xoxe dhe Nako Spiru. Situata po ndërlikohej. Hoxhës nuk i mjaftonte më të ishte krahu i djathtë i Titos në Shqipëri. Tani që sllavët e kishin ngjitur në majë të piramidës së Komunistëve shqiptarë, mund t’ia lejonte vetes ta kundërshtonte. Në këtë mënyrë u arrit në ngjarjen e Beratit: i akuzuar nga Xoxe dhe Spiru si mosmirënjohës ndaj Titos dhe si megaloman. Enver Hoxhe bëri një autokritikë bolshevike dhe ia doli të ruante vendin e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë. Duke patur për kundërshtarë Spirun, një  djalë të ri, fort të zgjuar, por të padjallëzuar dhe Xoxen një fanatik dinak por të paditur, aftësitë e Hoxhës për të ndërthurur komplote, i dhanë dorë ta fitonte betejën. Më vonë këto ngjarje  u futën në historinë e PPSH me emërtimin “Prapaskena e Beratit”.

Urrejtje në vend të ligjit.

Të parët që u pushkatuan kur Lufta donte edhe pak orë të përfundonte, qenë disa intelektualë të kryeqytetit, të arrestuar gjatë luftimeve për çlirimin e Tiranës.

I ngritën nga shtrati dhe po atë natë, pa gjyq, i pushkatuan dhe i hodhën në një gropë të përbashkët. Zalli i Herrit, ku filluan të kryheshin masakrat, do të mbetej në histori si sinonim i pafuqisë së shtetit për të vepruar ditën me diell. Dhjetra  qytetarë u pushkatuan në breg të lumit. Midis tyre ishin dhe dy shokë fëmijërie të Hoxhës, vëllezërit Kokalari, librashitës: fajtorë, sepse kishin mbajtur anën e Ballit Kombëtar. Dy vjet më vonë do të dënohej edhe motra e tyre, Musine Kokalari, shkrimtare e talentuar. Kështu filloi në shumë qytete (për shembull në Shkodër) zakoni për të pushkatuar të dënuarit brigjeve të lumenjve, aq sa në Shqipëri shprehja “ në breg të lumit” u bë sinonim i dënimit me vdekje.

Në asnjë vend tjetër të botës, në një kohë kaq të shkurtër, nga nëntori 1944 deri në fund të 1848 u arrestuan, u internuan apo u pushkatuan aq shumë qytetarë, në përpjestim me tërësinë e popullsisë. Në muajt e parë pas vendosjes së “pushtetit të popullit”  para gjykatave ushtarake kaluan me mijëra vetë, një pjesë e të cilëve u dënuan me vdekje. Nuk mund të flitet për shifra: ato nuk u njoftuan kurrrë.

Në të njëjtën bankë të akuzuarish u panë ish kryeministri i qeverisë së formuar në kohë të gjermanëve Ibrahim Biçaku, por edhe Luigj Filaj përkthyes i thjeshtë pranë komandës ushtarake gjermane në Tiranë.

I pari duhej të përgjigjej për kolaboracionizëm, i dyti për faktin se dinte gjermanisht! Në atë proces kryetar gjykate ishte Koci Xoxe, prokuror Bedri Spahiu, dy “të egër “ të regjimit. Mes dhjetra të pandehurve ishte edhe Mihal Zalllari, profesor historie që, mbas kapitullimit të Italisë fashiste ishte zgjedhur kryetar i Asamblesë Kombëtare (parlamenti i ri shqiptar formuar me kooptim). Si gjithë të tjerët Zallari u gjykua fajtor. Kur i dhanë të drejtën e fjalës së fundit, iu drejtua Koçi Xoxes e i tha:-“Bijtë e mi”…( për një çast kujtoi se ishte akoma përpara studentëve të vet, siç kishte bërë gjithë jetën) nuk më duket se e nderojmë atdheun duke shpallur kaq shumë tradhtarë, kur në historinë e saj Shqipëria ka njohur vetëm dy të tillë: Hamza Kastriotin dhe Balllaban Pashën. Ne nuk jemi tradhtarë: s’kemi tradhtuar askënd. Jemi vetëm  kundërshtarët tuaj.” U dënua me tridhjetë vjet burg.

Duke filluar nga viti 1946 u konsideruan agjentë të shërbimeve të fshehta të perëndimit të gjithë ata që, në një mënyrë apo një tjetër, kishin patur kontakte me çfarëdolloj institucioni anglez apo amerikan. Studentët dhe profesorët e Institutit Teknik të drejtuar nga amerikanët ( me drejtor Harry Fultz) dhe të shkollës Bujqësore amerikane në Golem (Kavajë), qendra tepër të rëndësishme për formimin e teknikëve të përgatitur, u arrestuan dhe u dënuan. Kështu e pësuan profesorët: Ali Cungu dhe Reshat Asllani apo studentët Ramazan Stërmasi, Gjon Rama, Ndoc Qeraxhi, Jahja Baçaj, Ndoc Rama Qazim Baçaj, Stavri Frashëri dhe shumë të tjerë.

Në mbarim të vitit të parë të jetës së shtetit, mbas përfundimit të Luftës akoma nuk ishte e mundur të parashikohej e ardhmja e vendit. Një gjë, veç, shihej qartë: Shqipërisë kishte filluar t’i mungonte oksigjeni.