Bashkim Koçi: Specialisti i pemtarisë, Bedri Lumani

531
Sigal

“Kontaktin” e parë me specialistin emërmadh të pemtarisë shqiptare, Bedri Lumanin (Caka), e kam patur në auditorin ku merrnim leksione në Instititin e Lartë Bujqësor, në Kamëz. Gati në çdo gjë që kërkonte interpretim praktik, profesori i lëndës të Frutikulturës u referohej dy specialistëve më me zë në të gjithë vendin, Abedin Çiçit dhe Bedri Lumanit. Kishte edhe emra të tjerë agronomësh, të cilët me punën e tyre në mbarështimin e pemëve, ullinjëve, vreshtave e agrumeve, të diktonin për t’i marë si shembull e që në këtë mënyrë ata bëheshin të ishin prezent si “mësimdhënës” në trajtimin praktik të mësimit. Në listën e specialistëve “profesorë të pemtarisë” ishin disa, si Muharrem Pengili, Taso Nini, Todo Gjermani, Nuri Vërzhezha, Novruz Kafazi, Hysen Çobani, Petraq Sotiri, Vasil Anagnosti etj. Por Bedri Lumani, për kontributin e tij në mbarështimin e pemëve, e në veçanti të ullirit, mbetet “zë i dytë” pas atij të Abedin Çiçit.

Në ata vite Bedriu punonte në fermën e Otllakut në Berat, aty ku vetëm në saje të punës dhe pasionit të tij për kultivimin e shtimin e pëmëve frutore dhe të ullirit, e kish kthyer Otllakun në një “Mekë” të vërtetë nga ku mund të merrej përvoja sesi mund të shtoheshin, sesi mund t’u shërbeje të bekuarave pemë dhe ullirit, për t’i patur si mbështetje të fortë për shtimin e të ardhurave, por edhe për të përmirësuar dukshëm të ushqyerit e njerëzve. Më binte rruga të kaloja shpesh aty në Otllakë, por profesorin e pemtarisë, Bedri Lumanin, nuk e takova kurrë. Në këtë kuptim mundësia e njohjes me të më mbeti një ëndërr e papërmbushur, dëshirë që më qëndroi e qëndron ende në zemër e në mendje. Bedri Caka u lind në fshatin Osojë të Skraparit në vitin 1905 nga dy prindër të thjeshtë, nga Lumani dhe Hakja, pjestarë të fisit të madh të Cakajve, të cilët, ashtu si gjithë të tjerët, bënin jetë të vështirë, me halle e mundime që nuk iu ndanë kurrë. Tokën e kishin të paktë, por edhe ato copëza ara ishin gurishtore, që nuk mund të prodhonin grurë e misër, aqsa i nebvoitej asaj familje të madhe. E vetmja zgjidhje ishte emigrimi në dhe të huaj, ashtu si bënin shumica e burrave të atyre anëve. Madje edhe dy nga burrat e kësaj familje, Lumani me Fejzon emigruan, nuk shpëtuan dot nga mallkimi për të marrë rrugët e botës, i pari emigroi në Selanik ndërsa tjetri, Fejzua në Stamboll. Kur ktheheshin në shtëpi mundoheshin të sillnin pako gjë, por ndjeheshin keq dhe u grryhej shpirti e zemra kur thoshnin se “fëmijët tanë nuk kanë të ardhme sepse po rriten me bukë të blerë me para kurbeti”. Bedriu qysh i vogël dha shënja të një fëmije inteligjent, fëmijë që, ashtu si sfungjeri që është i etur të thithë gjithça, edhe ai ishte kurajoz të mësonte, të eksploronte, duke vëzhguar objekte që i dukeshin se brenda tyre kishte gjëra të çuditëshme, të pazbuluara. Fantazi fëmije dhe vetëm kaq. Sepse në gjendjen ekonomike që ishte familja, copë-copë, nuk kishte asnjë mundësi apo prespektivë që të mundej të shihej ndonjë dritëz, të paktën të shkollohej, të mësonte shkrim e këndim. Nga ky fotografim që mund t’i bëje familjes Caka, shpresat ishin të vakëta, që për Bedriun e vogël do të thoshte: sot për sot kjo është jeta tënde. Por ashtu si shkretëtirën e bën të bukur fakti se diku fshihet një pus, edhe për Bedri Cakën, diku brenda tij, fshihej diçka që do të mundëte të ngjitej për të bërë një jetë ashtu si edhe e kishte ëndërrën.

Por ndonjëherë kur troket e keqja duhet t’i hapësh derën. Në vitin 1914, pra kur ishte vetëm 9 -vjeç, atij i vdiq babai dhe një vit më pas, nëna. Kjo çka ndodhi për familjen Caka ishte shumë e rëndë. E rëndë dhe që i humbën shpresat, duke sjellë dëshpërim të thellë tek të katër djemtë dhe dy vajzat e Luman Osojës. Ata, mesadukej, edhe ai pak optimizëm po mbetej mes katër rrugëve. Por, siç ndodh në ato anë, njerëzit e gjakut në kësi rastesh janë të gjendur, madje herë-herë , të bëhen më shumë se prindër. Për Bedriun dhe fëmijët e tjerë u kujdesën dy vëllezërit më të mëdhenj të Lumanit, Hyseni me Asllanin, të cilët i trajtuan ashtu si fëmijët e tyre me të cilët rriteshin nën një çati. Karakteri i njeriut formohet nëpër shtrëngatat e jetës. Ashtu do të ndodhte edhe me Bedri Lumanin, i cili për të nderuar dhe për të mos e harruar babanë, emrin e tij vendosi ta mbante për mbiemër deri sa të ishte gjallë. Edhe pse ishte ende i parritur, që nuk dinte se ç’e priste deri sa të rritej e burrërohej, iu desh të bëhej “i madh” para kohe për të siguruar ca të ardhura e për të ndihmuar familjen, tashmë shumë të varfër e të këputur. E ç’mund të bënte, si mund të ishte e nesërmja nga puna që mund të bënte ky fëmijë ende i parritur? Po halli ku nuk e çon të ziun njeri. Edhe pse kalama, atij iu desh të shkonte në “kurbet”, larg shtëpisë, por aty rreth e rrotull, si hysmeqar në disa familje të kamura. Disa vite si i tillë, pra si hysmeqar, i kaloi në fshatrat Polenë, Leshnje dhe deri në fshatin Gramsh të Tomorricës.

Në këta vite disa muaj u ngrit “në përgjegjësi”, sepse pati fat t’u shërbente për një kohë të shkurtër karabinierëve italianë, të cilët gjëndeshin aty në fshatin ngjitur, në Polenë. Shkollimi dhe mësimi i abc-së ishte një tjetër ëndërr që duhej përmbushur nga Bedri Lumani. Po si, qysh? Xhaxhai i tij, Fejzua ishte sevdalli për të lexuar libra, por edhe që i pëlqente si “plaçkë” për të zbukuruar e fisnikëruar shtëpinë. Nga Stambolli, përveç të hollave, ai solli “një vandak me libra”, libra që u përpinë nga të vegjëlit, por edhe nga “burrat me mustaqe deri tek veshi” të Cakajve dhe të Osojës e fshatrave aty afër. Ai që nisi të merte dije pikë-pikë, me doza shumë të vogla, ishte edhe Bedriu. Ai, të gjithë këtë çka po ndodhte në shtëpinë e varfër të xhaxha Fejzos, e mendonte të ishte si ai qiriri që vetëm në errësirë të jep dritë. Por ai mendonte edhe tjetrën, se vetëm duke mësuar shkrim e këndim do të mund të vriste ankthin që e kish zënë, frikën për t’i bërë ballë jetës. Ishte kjo sevda e kjo dashuri e papërmbajtur dhe e papërjetuar më parë që, Bedri Lumani, kur e mori prapa xhaxhai tjetër, Asllani, për ta punësuar në murdallëkun e Kolonjës, i erdhi rasti të shihte një ëndërr tjetër, por këtë radhë syzgjuar. Sekretar i pushtetit, pra i murdallëkut, siç i thuhej turqisht zyrave të pushtetit vendor, ishte i biri i Petro Nini Luarasit, Dhimitri, i cili shtëpinë e kishte plot me libra, por edhe vend ku mund të lexonte cilido që kishte dëshirë apo ishte mik i librave. Ishte viti 1922 dhe i binte që Bedri Lumani të ishte 17 -vjeç, moshë kur njeriu mund të përpijë dhe të përballojë doza të larta për të lexuar libra. Këtu është vendi të ndalemi pak. Bedri Lumani na paskësh gjetur “pusin në shkretëtirë”.

Bashkëshortja e dëshmorit të gjuhës shqipë, e Petro Nini Luarasit, Lina Sevo Luarasi e përkrahu si ta kishte djalin e saj dhe e nxiti që të rregjistrohej si nxënës i rregullt në shkollë. Por edhe të mos e linte punën. Në këto kushte i binte që të prishte gjumin herët, të bënte të gjitha punët si pastrimin e zyrave, të oborrit jashtë godinës, të ndiste sobat për secilin zyrtar dhe mandej të shkonte me vrap në orën e caktuar për të vijuar mësimet. Bedriu, siç ka shkruar në kujtimet e tij, ndjehej keq, i dukej vetja “me shënjë” mbasi, nëse nxënësit e tjerë ishin 9 apo 10 vjeçarë, ai ishte plot 17. Por këtë siklet ia hoqi gruaja e Petro Ninit bashkë me mësuesin e shkollës, të cilët, meqë Bedriu ishte shumë më i përgatitur se të tjerët, i dhanë mundësinë që të merrte dy klasë bashkë për t’u hedhur në klasë të tretë. Por këtu, udhëtimit për të mësuar, iu pre rruga për të ecuar më tej. Fati e solli që zyrat ku ai ishte punësuar u mbyllën. Ku të shkonte? U pajtova të punoja bari lopësh në Voskop të Korçës, shkruan ai në kujtimet e tij. Ai e kuptonte që dëshira për të vijuar shkollën tashmë mbetej ëndërr e parealizuar, por si njeri i zgjuar e optimist që ishte, bënte të ishte e të qëndronte në anën e shpresës. Ndoshta dera e “shkollës së rregullt” u mbyll dhe mori fund në Kolonjë, por disa vite më pas (1929), kur ishte 24 -vjeç, gjeti rastin të vazhdonte një kurs një vjeçar në qytetin e Lushnjes, të cilin ai e konsideroi si “mundësi për të plotësuar dituritë”. Vonë, shumë vonë, në vitet 1956-1957, iu dha e drejta për të realizuar një kurs tjetër, por këtë radhë profesional, për shkencën e bujqësisë, në shkollën me emër të mirë të Golemit. Me kaq Bedri Lumani i kish mbylluar “defterët” e shkollave, por që do të fillonte një shkollë tjetër shumë më të rëndësishme e më të vyer se të tjerat, “Universitetin e jetës”. Për Bedri Lumanin të ishe në kërkim të një jete më të mirë do të thoshte që të qëndroje gjatë gjithë kohës syzgjuar. Ishte koha që sapo kish mbaruar shërbimin ushtarak, kur guxoi të ndërmerrte aventurën për të vajtur si emigrant në kontinentin “prapa botës”, në Australi. Kish marë informacion se atje jetohej mirë, por me punë të ndershme mund të bëje shumë para. Dhe frymën e mbajti në Durrës, aty ku mund të gjente mjetin e duhur detar e që një ditë të gjendej në vendin ku paraja “mblidhej me grushte”. Por rastësia, siç thuhet, bën çudira. Në Durrës, ai fare rastësisht, takoi mikun e familjes, patriotin Maliq Skrapari, i cili në ata vite ishte funksionar i lartë në Ministrinë e Ekonomisë. I paskësh dhënë urdhër Maliq Skrapari që të mos e bënte atë marrëzi, madje i kishte dhënë edhe një copë letër ku shënonte për të filluar punë menjëherë në fidanishten shtetërore në Laprakë. Dhe ja këtu fillon maratona e Bedri Lumanit, rruga e gjatë, por shumë e suksesshme si mjeshtër i pemtarisë. Në fidanishten e Laprakës, Bedri Lumanin e pritën ashtu si mund të trajtohej një djalë i ri provincial. Ishte koha që fidanishtja e Laprakës sapo ngrihej në një sipërfaqe prej 10 hektarësh, por që kërkonte shumë punë për ta sjellë në gjendje, për të trajtuar e mbarështuar fidanë frutorë. Drejtimin e punëve e komandonte një italian, por për fatin e tij të mirë ai aty gjeti, e që do të punonte gjatë me të, mjeshtrin e madh, “gjeneralin” e pemtarisë shqiptare, Abedin Çiçin. Punën e filloi me pak druajtje, me mendimin se i duhej shumë sforcim e përpjekje për t’u bërë i zoti në profesionin tashmë të vështirë, siç ishte sektori i prodhimit të fidanave frutorë. Ndoshta ajo pak shkollë, të cilën e kish bërë disi vjedhurazi, e veçoi nga të tjerët, ndaj qysh në muajt e parë meritoi “të gradohej” dhe ta caktonin kryepunëtor. Edhe paga, për të cilën ai kishte nevoja të ngutëshme, për vete dhe familjen, ishte më e madhe. Problemi që e linte pa gjumë Bedri Lumanin ishte meraku nëse do të arrinte të përshtatej dhe të dilte faqebardhë për besimin që i ishte dhënë. Ishte vërtet punë e vështirë dhe si një ekuacion me shumë të panjohura. Por njerëzit e tij, kur punonte si hysmeqar në fshatrat e Skraparit, i kishin dhënë porosinë, të cilën ai nuk do ta harronte e që e kujtonte shpesh sepse “e zgjonte nga gjumi”: për të përballuar jetën mos u lut, po puno! Dhe ai e lidhi “besën” me punën. Viti 1929 konsiderohet si vit kur u fillua të ngrihej e të formatohej fidanishtja e Laprakës. Si fillim u mbollën farërat në farishte dhe u krijua “pemtorja meme”, nga ku do të merreshin sythat si material shartimi e më pas të përfundohej cikli i prodhimit të fidanit frutor. Fidanët që do të mbilleshin në pemtoren mëmë ishin sjellë nga Italia, madje të përzgjedhura me merakun e Abedin Çiçit, i cili kishte gjykuar se më të domosdoshmit ishin 20 kultivarë, kryesisht pjeshkë, mollë, dardhë, kumbulla, kajsi, qershi etj. Fidanët e parë “Madein Albania” u prodhuan dhe u shpërndanë nëpër Shqipëri në vjeshtën e vitit 1931. Vitet rrodhën dhe puna në fidanishte shkoi me të përpjeta e të tatëpjeta, deri sa një ditë u mor vendimi që të administrohej nga Shkolla Teknike, por që përsëri punët nuk gjetën karar e që më pas u mor vendimi që të administrohej nga Ministria e Ekonomisë. Por fidanishtja, gati në të gjitha hallkat dhe proceset e prodhimit të fidanave, kishte marë rrëkëllimën. Vetëm në vitin 1939, atëherë kur administrator i saj u emërua agronomi Abedin Çiçi, gjërat ndryshuan si me magji. E di pse? Sepse për njeriun me talent dhe me dashuri për punën, siç ishte ai, nuk ekzistojnë pengesa. Bashkë me Bedri Lumanin u bënë si “një pendë qé” nga ku do të nxirrnin punë shumë të mira. Por të gjithë atë mbarësi e prishi sapo filloi lufta. Abenin Çiçi doli ilegal, ndërsa Bedri Lumani u sëmur rëndë dhe, pasi doli nga spitali, në gusht të vitit 1944 u hodh në zonën e lirë të Dajtit. Pas çlirimit të vendit Bedri Lumani u kthye aty ku e kish lënë punën, por pa kaluar shumë kohë, i erdhi një sihariq të madh. I dhanë detyrën e përgjegjësit të fidanishtes të Laprakës. Komunikimin ia bëri Prof. Gaqo Tashko, i cili në ato ditë ishte në pritje të emërimit si ministër i Bujqësisë dhe i Pyjeve. E nisi punën aty ku e kishin lënë, bashkë me Abedin Çiçin. Kishin vendosur të mos linin njeri që të fuste hundët në punën e tyre. Por ja që nuk ndodhi kështu. Për “kokëfortësi”, çfaqje që tek Bedri Lumani ngrinte krye kur prekej e drejta, me urdhër “nga lart” u pushua nga puna. Dhe Bedriu i mbajti këmbët në Skrapar, në Osojë, atje pranë familjes. Ishte muaji nëntor i vitit 1946. Një ftesë e papritur i erdhi nga organet e pushtetit të rrethit të Beratit, e cila i komunikonte emërimin si përgjegjës të Stacionit Bujqësor të Otllakës. Rrufe në qiell të hapët ishte kjo detyrë për Bedri Lumanin. Nuk e refuzoi. Pas disa ditësh u gjend në Otllakë, në vendin ku çdo gjë ishte e shpërfytyruar, toka pa fund të lëna në mëshirë të natyrës. Dora e njeriut nuk ishte parë ndonjëherë, në mos indiferentizmi kishte ndikuar për ta nxjerrë jashtë përdorimit si tokë bujqësore. Por për Bedri Lumanin nuk kishte tokë të keqe, por bujq të këqij. I vetdishëm për këtë mblodhi veten, bëri bilancin se çfarë duhej dhe si një mjek i mirë filloi “kurimin” për të shpëtuar tokat e Otllakut të cilat, sipas tij, ishin në lëngim. Hapi i parë ish udhëtimi për në Laprakë ku siguroi 150 fidanë për t’i patur bazë për ngritjen e “pemtores meme”. I përzgjodhi varietet me merak dhe mori nga ata që kish sjellë në Shqipëri Abedin Çiçi në vitet 1928 dhe ata të dorës tjetër, që i kish sjellë po nga Italia, në vitin 1933. Vetëm katër vjet u deshën që Otllaka të kthehej në një qytezë bujqësore e zhurmëshme, ku gjithçka kish dalë në dritë. U vunë në punë mekanizma bujqësorë, u ngrit brigata e ndërtimit, ajo e aktiviteteve ndihmëse, furra e bukës, infermjeria, gjithçka që duhej për një qëndër banimi. Por Bedri Lumani shpirtin e kishte tek fidanishtja, tek ajo sipërfaqe nga do të prodhoheshin mijra fidanë frutorë e dhjetra mijë fidanë ullinj. Dhe të gjithë këtë punë me shumë përgjegjësi do ta bënin njerëzit, ata që kishin ardhur aty nga fshatrat e Beratit dhe të Skraparit, pa asnjë përvojë për të kryer procese aq delikate, të cilat kishin të bënin kryesisht me farishtet për prodhimin e nënshatesave dhe kryerjen e aktit të shartimit. Të mësoje se si të kryeje një shartim, për Bedri Lumanin, ishte po aq i vështirë e delikat, sa nuk ishte teprim po ta krahasoje me mjekun që operonte një njeri. “Sallë operacioni” e quante ky specialist kompetent të gjithë fushën e mbjellë me nënshartesa e që andej, pasi të shartoheshin, do të merreshin fidanat, tashmë të transformuar në variete të llojeve të ndryshme, nga më të mirët që kultivonte bota. Ja, për këto punë kaq delikate, ai ngriti skuadra të veçanta me djem e vajza të reja. I mësoi me shumë durim, i praktikoi dhe u dha këshilla, deri sa iu krijua besimi se punët kishin marrë rrugë të mbarë, pa kthim prapa. Specialistit mendjendrtur dhe duarartë Bedri Lumani monumentin ia ngriti puna kolosale që bëri me bimën e ullirit. Ai edhe mund t’ja kishte nxirë faqen, por përvoja, dashuria për këtë bimë të uruar, të cilin ai e quante “ilaçi magjik që të zgjat jetën”, por edhe karakteri i tij i fortë, bëri që emri i tij të mbetet symbol i njeriut që di të bëjë punë të mëdha. Ai e nisi me 45 ha në Otllakë në viti 1953, ku u mbollën 8 mijë rrënjë ullinj dhe në vitet në vazhdim, vetëm një këmbëngulje si ajo e Bedri Lumanit, arriti të gjelbërojë kodrat që shoqërojnë rrjedhjën e lumit Osum, që nga Ura e Kuçit, Qafa e Sqepurit, kodrat e Kutallisë, kodrat e Kuçovës, të Perondisë e të Lapardhasë e deri në Lumas e kodrat e Starovës. Por fuqia e këtij burri të lindur për punë të bukura i kapërceu kufijtë e Shqipërisë, madje kaloi dete e oqeane, deri në Kinë. Ishte janari i vitit 1964 kur Bedri Lumani, në një delegacion qeveritar, përfaqësoi specialistin e bimës së ullirit sepse, në shënjë miqësie, kryeministri shqiptar do t’i dhuronte kryeministrit kinez 10800 rrënjë ullinj. Rrugëti për në Kinë zgjati shumë, 23 ditë, por ai u kujdes për fidanët jo si të ishin bimë, por sikur të ishin fëmijë. Një nga këta fidanë Bedri Lumani e mbolli në Junan të Kinës, në prezencë të kryeministrit Çu En Laj, duke dhënë edhe mendim specialisti se edhe në atë kontinent mund të të kultivohej bima e ullirit. Fidani që mbolli Bedri Lumani, varietet “Kokërr madhi i Beratit”, sot është 56 -vjeç, në moshën e rinisë të kësaj peme jetëgjatë. Kodrat që gjelbërojnë dimër-verë, e që janë privilegj për qytetin e Beratit, janë ndërkoh një monument që gjallon e do të gjallojë në shekuj, edhe për atë që i mbolli e i rriti, Bedri Lumanin. Për kontributin e madh në fushën e pemtarisë ai është dekoruar me “Çmimin e Republikës të klasit të III-të”, por edhe me urdhëra e medalje të tjera për kontributin që dha për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashtë. Bashkëpuntori i tij i ngushtë, Prof. Resmi Osmani i ka dedikuar një monografi, libër ku hidhet dritë për këtë specialist “kompleks e të ndërlikuar”, ashtu siç janë realisht njerëzit e punëve të mëdha. .