Alqi NAQELLARI: Ekonomia rritet nga prodhimi jo nga konsumi

540
Sigal

Tërmeti zbuloi sesa shumë “mendimtarë” ka Shqipëria. Tërmeti bëri që në ekranet e stacioneve televizive, prej drejtuesve të emisioneve të prezantohen me fjalët “specialist”, “ekspert” i ekonomisë, i ndërtimit, i tërmeteve, sociolog, psikolog, etj. një grup njerëzish që më shumë kanë sjellë pasoja negative te njerëzit, kanë sjellë ҫorientime dhe pesimizëm te të dëmtuarit sesa efekte pozitive. Ata, pa pikë përgjegjësie, duke harruar që janë para ekraneve ku i ndjekin me qindra apo mijëra vetë, flasin broçkulla, duke dhënë mendime për gjithçka. Dalin inxhinierët dhe japin mendime dhe diskutojnë si ekspertë ekonomie, në krahun tjetër ekonomistët flasin si inxhinierë apo sizmologë, psikologët si sociologë, si ekonomistë pa kurrfarë përgjegjësie. Tani ka dalë edhe një grup tjetër i ëndërrimeve, edhe ky i mungonte pasojave të tërmetit, numëro 5 sekonda, numëro 6 sekonda, vëre gishtin te veshi, pastaj te hunda dhe merr frymë. Njëfarë takëmi tjetër, pa pikë përgjegjësie, nën petkun e “pedagogëve” theksojnë se bëri mirë që ra tërmeti “se na shkundi”. Hajde merri vesh këta njerëz që nuk e dinë se kur bie tërmeti mendon vetëm do shpëtosh gjallë apo do vdesësh. Nga këta njerëz, që flasin me këtë gjuhë, shumë pak prej tyre i kanë ndjerë pasojat e tërmetit, shumë pak prej tyre u kanë vendosur te shtëpia letrën ku ndalohet hyrja, në këtë mënyrë ata më së shumti flasin dhe tregojnë histori me shembuj nga tërmetet e vendeve të tjera, më shumë teorikisht sesa është realiteti i prekshëm shqiptar.

Tërmeti në Shqipëri kishte karakteristika që nuk i kishin tërmete të vendeve të tjera. Për të mund të flisnin ata njerëz që e prekën atë, që e panë atë, që e ndjenë nëpërmjet intervistave pas tërmetit. Tërmeti në Shqipëri kishte dy goditje të forta shkatërrimtare, në harkun kohor të dy muajve gjë që ka ndodhur rrallë në botë. Pas tërmeti u shoqërua me mijëra lëkundje të tjera, me magnitudë, që në kohë të qetë do të quheshin të forta. Pas tërmeti u shoqërua edhe me tërmetin e Facebook-ut, që nuk ka ndodhur në vende të tjera, që një farë kohe shkaktoi dëme psikologjike të mëdha te njerëzit, lajmet e rreme për tërmete të tjera bënë që dhjetëra mijëra njerëz të dalin natën jashtë, dhjetëra mijëra të tjerë ta gdhijnë për shumë netë në makina, apo të largohen jashtë Tiranës, në rrethet që nuk u ndje shumë. Facebook-u bëri që qeveria, me shumë të drejtë të reagojë ashpër, sepse në situata të tilla duhet të ruhet qetësia dhe të pasqyrohet saktë realiteti.

Krahas këtyre karakteristikave, këta “ekspertë apo specialistë” nuk marrin në konsideratë raportin e individëve me qeverinë, raportin me botën e jashtme, raportin me komunitetin, raportin me kompanitë e siguracioneve, raportin me tregun, harrojnë se psikologjia e shqiptarëve është e ndryshme nga ajo e amerikanëve, hollandezëve, apo e neozelandezëve, ata harrojnë që jemi më të varfërit e Europës, që një në tre familje shqiptare merr borxh për tu ushqyer, që thuajse 50% e shpenzimeve të konsumit shkojnë për zërin e parë “ushqime dhe pije jo alkoolike” në përllogaritjen e IҪK-së, harrojnë që jemi nga vendet e fundit në botë për të ardhura për frymë. Dhe në këto kushte të japësh shembuj dhe të ilustrosh me eksperiencën e atyre që janë krejt ndryshe nga gjendja e shqiptarëve është një marrëzi. Këta njerëz do bënin mirë të mbyllnin gojën dhe të mos flasin as në lagje dhe jo më në televizione.

Së fundi dëgjova një emision ku inxhinierët për të dalë nga kjo situatë, për llogari të anës financiare bërtisnin “konsumoni, konsumoni”, mos e ulni konsumin, “në ekonomi nuk ka tërmet”, tërmeti në turizëm ishte vetëm “psikologjik”, ekonomia do ketë “rritje” etj, etj. Pikërisht nga këto emisione marr shkas që të vazhdoj të jap mendimet e mia. Unë nuk do flas as për ndërtimet, as për tërmetet por për ekonominë, sepse atë sektor njoh, nuk njoh as tërmetet, as arkitekturën dhe as ndërtimet që të jap mendimet si “ekspert” i tyre.

Konsumoni, konsumoni, theksuan jo ekonomistët, “ekspertë” sepse duke konsumuar ekonomia do stabilizohet. Atëherë unë pyes, çfarë kuptojnë këta njerëz me konsum, të konsumojnë njerëzit më shumë domate, patate, ushqime, të drekojnë dhe darkojnë në restorante, të flenë në hotele dhe motele? Si e kuptojnë konsumin, të blejnë pantallona, këmisha e kostume të tjera të reja, të blejnë elektroshtëpiake, automjete, duke shtuar inventarin e tyre në shtëpi?

Rritja e konsumit realisht vjen nga rritja ekonomike, nga rritja e prodhimit të të mirave, të mallrave, vjen nga rritja e konsumit për frymë e cila është e lidhur me rritjen ekonomike, vjen nga rritja e numrit të popullsisë. Rritja e të ardhurave për frymë sjell rritjen e mallrave normale në krahasim me mallrat inferiore, që në përgjithësi nuk ka ndonjë ndikim të dukshëm në konsum. Cili nga këta faktorë ka ndryshuar që të rritet konsumi? Konsumin e rrit shtresa e ulët dhe e mesme, nuk e rrit shtresa e pasur, prej shtresës së pasur pritet të rriten kursimet dhe jo konsumi. Pjesa e pasur ka shumicën e depozitave në Shqipëri, ka shumicën e kredive dhe shumicën e pasurisë. Ajo nxjerr jashtë një pjesë të madhe të valutës, për depozita, investime apo turizëm jashtë Shqipërisë. Atëherë i takon që fukarenjtë të konsumojnë më shumë domate e patate, që të ruajnë stabilitetin sepse në restorante e hotele as kanë shkuar dhe as do shkojnë!!! Këtë do t’u kërkojmë këtyre njerëzve? Do tu kërkojmë të blejnë apartamente? Nëse ata do kishin të ardhura do ti kishin blerë më parë dhe nuk do ta kishin lënë ti blinin në kohë tërmetesh. Popullsia si faktor i dytë, nuk është rritur, por përkundrazi vazhdimisht vjen në ulje aq sa po thuhet se nuk ka fuqi punëtore për firmat e ndërtimit, atëherë kush do ta rrisë konsumin? Do ta rrisin shpenzimet e konsumit të pensionistëve, që pas dhjetë vitesh do zënë gjysmën e popullsisë në Shqipëri?

A e rrit turizmi dhe remitancat ekonominë? Ndokush mund të theksojë se janë turistët ata që e rrisin ekonominë, janë remitancat ato që rrisin ekonominë, pra “është paraja” që vjen nga jashtë e pa shoqëruar me mall. Në këtë mënyrë mund të thonë që unë nuk kam të drejtë për ato që them. Në fakt nuk është kështu.

Turistët sjellin para në Shqipëri, euro që e përdorin për të blerë direkt ose e këmbejnë me lekë. Pra ata mbushin kanalet e qarkullimit me euro, që ndikon në zhvlerësimin e saj dhe ndikojnë në rritjen e kërkesës në shërbime. Me këtë veprim ata ndikojnë negativisht në rritjen e ekonomisë vendase, ndikojnë negativisht në rritjen e eksporteve dhe pozitivisht në rritjen e importeve. Prurjet e tyre ndikojnë në rritjen e çmimeve në hoteleri, në restorante e bare, prurjet e tyre ndikojnë në rritjen e çmimeve të shërbimeve të tjera siç janë ato shëndetësore. Kujtoni dentistrinë. Turistët kanë ndikuar në rritjen e çmimeve ne fushën e produkteve stomatologjike, duke u sjellë dëm qytetarëve të thjeshtë shqiptarë, kanë sjellë rritje çmimesh në produktet e tjera që ata konsumojnë ose blejnë. Por nëse kanë sjellë rritje çmimesh në hoteleri në bregdetin shqiptar, ato nuk kanë asnjë ndikim në produktet e përditshme të konsumit. Ato kanë ndikuar pozitivisht vetëm për pronarët e resorteve. Çmimet e mallrave realë të tregëtueshëm i rrit vetëm rritja e kërkesës së pjesës së varfër dhe të mesme dhe jo prurjet e turistëve. Në këtë mënyrë turistët nuk ndikojnë në rritjen e produktit real të tregëtueshëm por të mallrave dhe shërbimeve të pa tregëtueshme. Turistët në restorante konsumojnë dhe nuk marrin qofte apo ndonjë xhep me patate me vete, apo ndonjë krevat gjumi. Ata hyjnë në resort me para dhe dalin pa para. Pra ata realizojnë produkte dhe shërbime të pa tregëtueshme. Por ekonomia zhvillohet nga produktet e tregëtueshme dhe jo nga produktet e pa tregëtueshme. Produktet e pa tregëtueshme i kanë tregjet të kufizuara, një restorant është një treg, një motel është një treg, dhe të gjitha këto pre supozojnë klientë të përcaktuar dhe jo klientë të zakonshëm, që konsumojnë patate dhe domate, që blejnë mall në treg dhe gatuajnë në shtëpi. Të ardhurat e këtyre tregjeve, hotelerisë dhe resorteve kalojnë në një dorë e cila produktet që shërben i ka përgjithësisht të huaja. Kështu që eurot që hyjnë në resort dalin përsëri jashtë për pije alkoolike dhe produkte të tjera që preferojnë të huajt. Shumë pak janë ata turistë që frekuentojnë zonat malore dhe turistët e aventurës. Shpenzimet më të mëdha në Shqipëri i bëjnë turistët shqiptarë sesa turistët “elitarë”. Këta të fundit vijnë dhe largohen shpejt, pa shpenzuar ashtu siç ne presim dhe shpresojmë. Tangërllikun e kanë pasanikët shqiptarë që harxhojnë qindra milionë euro jashtë Shqipërisë që nga Dubai, Antalia, dhe deri në Karaibe e Honolulu. Të ardhurat neto nga turizmi janë mjaftë të ulëta, vetëm në vitet e fundit kanë qenë pozitive. Kështu që këto shpenzime nuk ndikojnë ashtu siç pretendohet; në rritje të madhe të ekonomisë shqiptare. Ato ndikojnë në zhvillimin e zonave të bregdetit, pa ndonjë ndikim të dukshëm në zonat e tjera. Mendoni për një moment sikur ekonomia shqiptare të kishte vetëm sektor shërbimi, me produkte të pa tregëtueshme se çfarë do ndodhte, sikur të kishte, dhjetëra kinema moderne, dhjetëra teatro moderne, mijëra restorante, hotele dhe motele, dhjetëra librari, mijëra berberhane dhe floktore moderne, qindra shkolla dhe universitete, etj etj çfarë do ndodhte? A mund të konceptohet një ekonomi e tillë? Pa prodhim bujqësor, pa prodhim të industrisë së lehtë dhe ushqimore, pa agroturizëm, pa sektor energjetik, pa sektor nxjerrës e përpunues nuk ka ekonomi efiçente dhe rritje ekonomike të qëndrueshme. Nuk mund të konsiderohet e qëndrueshme një ekonomi si Shqipëria që pret nga investimet e huaja, kur ka miliarda lekë depozita që shkojnë për instrumente borxhi dhe nuk shkojnë për kredi.

Remitancat, në përgjithësi janë përdorur për meremetimin e shtëpive në fshat apo bërjen e shtëpive të reja, të ndërtimit të serave, të blloqeve me pemë frutore, vreshta e ullishte. Në qytet janë përdorur për blerje apartamentesh dhe për konsum. Sot zakonisht përdoren edhe si depozita.

Konsumi është pasojë dhe nuk është shkak i rritjes ekonomike. Konsumi është materializmi i prodhimit, është zhdukja e tij. Pa prodhim nuk ka konsum. Kjo lidhje ilustrohet edhe nga skema e lidhjes midis mallit dhe parasë sipas materializmit.

Prodhimi = Para → Faktor → Kombinim → Mall → Para’ ose P-M-P’ që do të thotë se në sektorin e prodhimit me para blihen faktorë. Këta faktorë futen në procesin e prodhimit dhe prodhojnë mall. Ky mall shitet dhe pronari merr përsëri para, por të shtuara. Në këtë mënyrë ky është një model prodhimi dhe jo model konsumi.

Konsumi = Mall → Para → Mall ose M-P-M që do të thotë se qytetari që nuk ka as tokë as kapital ka vetëm fuqinë punëtore fizike dhe mendore. E shet këtë mall që ja ka dhënë zoti. Me paratë që merr blen mall dhe e asgjëson për ta mirëmbajtur këtë mall dhe për ta riprodhuar atë. Pra nuk ka konsum pa pasur mall. Është malli i pari – shkaku pastaj është konsumi – pasoja. Konsumi si i tillë është materializim i mallit, asgjësimi i tij për krijimin e mallit tjetër, pra është një pasojë e domosdoshme. Pa prodhim nuk ka konsum, por edhe pa konsum nuk ka ripërtëritje të vetë mallit.  Në këtë mënyrë nuk mund të flitet konsum – konsum pa thënë më parë produkt – produkt.

Si mund të përballohet nga ana monetare kjo situatë? Kolegët e mi Prof. Civici, Prof. Gajo, Prof. Shehu, etj, etj kanë dhënë mendimet e tyre, duke theksuar si burim fondesh; buxhetin, organizmat financiare ndërkombëtare si BB, FMN, vende të tjera si bllokun e BE, Turqinë, vendet arabe, OJF-të etj etj. Unë nuk jam kundër këtyre burimeve të financimit, por nuk kemi pse të marrim borxh te të huajt, aq më keq në valutë, kur kemi mundësi që këtë veprim ta bëjmë me Bankën Qendrore. Banka Qendrore me një vendim Parlamenti, dhe me një miratim të Këshillit të Mbikëqyrjes të miratojë prerjen e deri në 50 miliardë lekë, si sinjorazhe dhe t’ia japë “borxh” buxhetit. Kjo sasi të disbursohet në mënyrë periodike sipas situacioneve përkatëse të punimeve të firmave për ndërtimin e banesave të reja.

Kjo sasi monedhe të përcaktohet mbi bazë të kërkesës përfundimtare për fonde duke përjashtuar sasinë e fondeve që do rezultojë nga burimet e tjera. Pra kjo do jetë sasia që do mbulojë përfundimisht nevojat e rindërtimit. Mund të jetë edhe 20-30 miliardë. Më e thjeshtë do jetë në aspektin psikologjik. Them psikologjik sepse nëse ndokujt i jep këtë mendim puna e parë që ai të thotë është se inflacioni do rritet. Në këtë rast inflacioni është fjala e fundit që duhet thënë sepse nuk do rritet. Inflacioni nuk do rritet sepse;

Nëse blihen banesat gjendje që janë me mijëra me koston e tyre plus një fitim normal do kemi efektin e kalimit nga njëri zë i GDP, nga I në zërin e C, pra nuk do kemi ndryshim të saj. Do kemi plotësim ose realizim të ofertës , pa dalë në sferën e konsumit. Lidhja realizohet me këtë skemë:

Borxh

 

 

Banka Qëndrore              BiznesiNdërtimit                 Qeveri

 

 

Detyrime

Banka

Tregtare                Nd.Inerte                  M.Elektrike              M.hidraulike

 

Fondet e marra nga Firmat ndërtuese do shpërndahen jo te konsumatori që të provokojë rritjen e nivelit të çmimeve por do ju kalojnë si detyrime ndërmarrjeve furnitorë që firma ju ka detyrim, do ti kalojnë Bankave tregtare, firmave të inerteve, të prodhimit të betonit, firmave të duraluminit, firmave të furnizimit me material hidraulike dhe elektrike, firmave të mobilimit etj. Në këtë mënyrë një sasi e vogël monedhe do dali në qarkullim. Kjo sasi nëse marrim në konsideratë rritjen e sasisë së parave jashtë banke në raport me normën e inflacionit, në vitet e fundit,  nuk do ketë asnjë ndikim në treg. Çdo vit PJB janë rritur nga 20-30 mld, kështu që kjo rritje nuk  ka për të pasur asnjë ndikim, përkundrazi do ketë ndikim në freskimin e stoqeve të firmave ndërtuese, sepse do realizohen investimet stok në formën e banesave. Këtyre firmave që do t’ia shesin shtetit me çmime të ulëta t’ju jepet mundësia të ndërtojnë banesat e reja që do parashikohen. Në këtë mënyrë atë që do humbasin me shitjen e parë do ta fitojnë me ndërtimin e banesave të reja. Në këto ndërtime të përfshihen shumë firma në mënyrë që jo vetëm të ndërtohen shpejt por edhe të ketë konkurrencë midis tyre dhe të përdoret plotësisht fuqia punëtore që mungon në kryeqytet.

Dalja e parasë në qarkullim do jetë në sektorin e investimeve dhe nuk do jetë si pasojë e rritjes së pagave nga ana e qeverisë. Eksperienca ka treguar se edhe kur kemi pasur rritje të pagave që zakonisht realizohet në periudhën e verës nuk ka pasur rritje të çmimeve. Tregtarët shqiptarë zakonisht i rritin çmimet në rastin e festive sesa kur ka rritje pagash apo pensionesh.

Duhet të kihet parasysh se inflacioni në Shqipëri nuk është inflacion nga prodhimi, në Shqipëri vetë qeveria në shumë raste ka provokuar rritje çmimesh në transport, në energjinë elektrike, në çmimin e ujit, të arsimit etj sesa ka ardhur si pasojë e rritjes së kostove të brendshme të firmave. Inflacioni në Shqipëri nuk është i tipit monetar edhe sepse, gjysma e tregut zihet nga qarkullimi i valutës dhe jo nga qarkullimi i lekut shqiptar. Në këtë mënyrë mundësitë për ta realizuar një veprim të tillë janë plotësisht të mundshme me pasoja pozitive, më shumë sesa negative. Për ketë duhet guxim dhe përgjegjësi nga ana e Bankës Qendrore dhe e vetë Qeverisë. Sa i përket shlyerjes së këtij borxhi nga ana e qeverisë mendoj se nuk është fare problem sepse mund të jepet si borxh i ngrirë me 0.5% që të fillojë shlyerjen pas 10 vitesh. Kjo mënyrë e sigurimit të fondeve është më e mirë sesa marrja borxh në institucionet financiare ndërkombëtare. Le ta kemi borxh të brendshëm dhe të mos kemi ndonjë detyrim ndaj të huajve.