Albert Habazaj: Kur Vlora nderon veteranët që bënë histori

826
Sigal

Bashkia e Vlorës nderon figurat e qytetit: Rrapo Aliaj, Namik Xhafaj, Lefter Kasneci, Manxhar Binaj e Balil Banushaj

Vlerat që krijuan histori – Kur Vlora nderon veteranët

Nga Albert HABAZAJ

1. Bashkia e Vlorës nderon figurat e qytetit

Kemi marrë pjesë në shumë takime, mbledhje pune, debate, festa, veprimtari përkujtimore apo nderimi në qytetin e Vlorës apo në krahinat e saj në Labëri, (para e pas malit) Topallti e Myzeqe, që ka realizuar Komiteti Veteranëve të LANÇ Vlorë në bashkëpunim me pushtetin vendor. Përmes nderimit dhe propagandimit të vlerave të arta të LANÇ, gjakut të dëshmorëve dhe heronjve, trimërisë partizane dhe udhëheqjes së lavdishme të kësaj lufte legjendare, veprimtaritë e lisave thinjabardhë japin brezave mesazhe për përmirësim dhe përparim. Pak kohë më parë, Bashkia e qytetit të Vlorës në bashkërendim me Organizatën e Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar për Vlorën, organizoi një veprimtari nderimi në Pallatin e Kulturës “Labëria” (Qendra Kulturore), ku u vlerësuan me medaljen “Mirënjohje e Qytetit” 5 veteranë: Rrapo Aliaj, Namik Xhafaj dhe Lefter Kasneci (të tre pas vdekjes), si dhe Manxhar Binaj (veteran) e Balil Banushaj (pasardhës veterani). Mesazhi që përçoi ky aktivitet ishte se, atje ku ka memorie, prodhohen vlera, sepse vlerësohet historia, qoftë edhe nëpërmjet stimujve moralë për figura me kontribute, që na nderojnë ne, se vetë janë të nderuar me jetën, luftën, punën dhe dinjitetin e tyre.

2. Nga veteranë si Manxhar Binaj nderohen qytete dhe krahina të tëra

Realisht, në Komitetin e Veteranëve të Vlorës, edhe për arsye të viteve, partizanë ka pak. Nga ata, të vërtetët, janë gjallë e në këmbë vetëm dy lisa të bardhë: Seit Jonuzaj dhe Manxhar Binaj, përkatësisht kryetari dhe nënkryetari i Komitetit të Veteranëve të Vlorës. Të dy i njoh dhe të dy i vlerësoj shumë për karakterin e tyre, për virtytet që mbartin, për mesazhet me dritë që na përcjellin stafetë. Në këto radhë do të ndaloj pak për xha Manxharin, sepse na gëzoi qytetarisht me festën e nderimit. Ai është dalluar për cilësi të larta morale e qytetare, aftësi të larta profesionale, për ndërtim korrekt të marrëdhënieve me njerëzit, i pastër e i mirëmbajtur, i ndershëm, parimor e i drejtë; kur duhej për përmirësimin e gjendjes edhe tolerant, pa bërë dëme në komunitet. Fajet nuk t’i falte, por s’të hidhte poshtë. Gabimet t’i bënte mësim për ty dhe për të tjerët. Nuk dinte e nuk di të mburret, të duket, edhe pse meritat e tij janë të veçanta. Ai ka botuar disa libra për Luftën e për trimat e saj. Kontributet e tij të shquara në shërbim të Atdheut kanë katër piketa të dukshme:

  • Si veprimtar aktiv i Rinisë Antifashiste deri në çlirimin e plotë të vendit nga pushtuesit e huaj dhe pas çlirimit të vendit si drejtues i rëndësishëm i forumeve të organizatës së rinisë në rrethin e Vlorës për forcimin dhe mbarëvajtjen e kësaj organizate;
  • Si kuadër i lartë politiko-ushtarak i Ushtrisë Popullore për forcimin e aftësisë mbrojtëse të vendit;
  • Si funksionar i lartë politik në rrethet Vlorë, Tepelenë e Gjirokastër ka dhënë një kontribut të vyer në zgjidhjen e problemeve dhe halleve të popullit në këto rrethe;
  • Si veteran i LANÇ-it, i zgjedhur edhe në forumet drejtuese të organizatës së veteranëve me detyrën e nënkryetarit të Komitetit të Veteranëve, ka dhënë e jep një ndihmesë të dukshme në funksionimin, zgjerimin dhe mbarëvajtjen e Organizatës së Veteranëve të Vlorës.

Një vlerë të rëndësishme në mbrojtjen dhe propagandimin e vlerave të Luftës Antifashiste Nacional – Çlirimtare kanë edhe librat dhe shkrimet e tij në gazeta. Qysh në rininë e tij, Manxhar Binaj ka punuar për t’i rritur autoritetin dhe njohjen kësaj qendre të vendosur në breg të detit Adriatik. Koha që i ka shërbyer Vlorës ka nisur sidomos pas çlirimit të Atdheut nga bishat e egra nazi-fashiste dhe bashkëpunëtorët e tyre ballisto-zogiste, më 29 Nëntor 1944. Edhe gjatë LANÇ e veçanërisht pas çlirimit ka punuar me rininë antifashiste dhe atë komuniste. Është interesante, se kur doli në pension, kishte mundësi të qëndronte në Tiranë, por, me dëshirën e tij dhe pëlqimin e fëmijëve zgjodhi Vlorën për të kaluar pleqërinë. Manxhar Binaj është një figurë e spikatur stabiliteti ndër veteranët e nderuar të qytetit tonë. Meraku i tij janë pasardhësit e veteranëve, që do të marrin e përcjellin stafetën e nderimit të Luftës lavdimadhe të Çlirimit.

3. Balil Banushaj është një pasardhës veterani shembullor

Është i mirënjohur emri i Balilit si pasardhës veterani, i pa lodhur, i thjeshtë, e fytyrëqeshur që punon me takt me njerëzit fshat më fshat të Qarkut të Vlorës, që nga Bashi i tij mbi Smokthinë, Kuçi e Tragjasi e gjer në Mifol e Poro.

  • Është e dukshme dhe frytdhënëse puna e tij me përkushtim për forcimin organizativ, zgjerimin me pasardhës, gjallërimin dhe funksionimin e organizatës së Veteranëve në qytet dhe në fshat.
  • Si korrespondent shumëvjeçar i disa organeve të shtypit, si gazeta “Kushtrim brezash”, “Fjala e invalidit të luftës”, revista “Pavdekësia” etj. me kronikat dhe shkrimet e botuara në to, jep një ndihmesë të veçantë në pasqyrimin e veprimtarisë së Organizatës së Veteranëve të Vlorës, si dhe në mbrojtjen e propagandimin e vlerave të LANÇ.
  • Vetëm në Vlorë, Balili ka plot 20 vjet që ka shërbyer në radhët e Ushtrisë Popullore, si oficer i devotshëm me cilësi të larta etiko-morale.

4. Rrapo Aliaj i Kuçit ka lënë emër në historinë e qarkut

Ai vërtet vlerësohet pas vdekjes me titullin “Mirënjohje e qytetit” në Vlorë, por kujtohet me nderim, nuk harrohet, se ai ka lënë emër në historinë lokale dhe s’mund t’i përkasësh harrimit, kur le gjurmë. Ato dallohen në kontributet e shquara në shërbim të atdheut si atdhetar e luftëtar në mbrojtjen dhe çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtuesit e huaj:

  • Si komandant çete atdhetare në luftë kundër pushtuesve osmanë, grekë e italianë dhe flamurmbajtës në parakalimin para qeverisë së Ismail Qemalit, më 28 Nëntor 1912;
  • Si komandant çete të Kuçit në Luftën e Vlorës, më 1920 kundër forcave italiane;
  • Si kryeplak i fshatit Kuç para Luftës së Dytë Botërore dhe si kryetar i Këshillit Nacional – Çlirimtar gjatë LANÇ;
  • Si komandant batalioni territorial në kohën e LANÇ.

5. Namik Xhafaj i Tregtares që shkëlqeu me çetën partizane “Ismail Qemali”

Është i mirënjohur emri i Namik Xhafës me rrënjë bujare nga Karbunara (Selenicë) dhe nuk i është venitur respekti, prandaj edhe u nderua me dekoratën “Mirënjohje e Qytetit”, edhe pse pas vdekjes. Ai spikati:

  • Për kontributin e dhënë në LANÇ si veprimtar i Rinisë Antifashiste të Shkollës Tregtare të Vlorës;
  • Për kryerjen me përkushtim të detyrave të rëndësishme politiko-luftarake të ngarkuara nga drejtuesit kryesorë në Qarkun e Vlorës dhe si luftëtar partizan e si komandant i çetës partizane “Ismail Qemali”;
  • Për kryerjen me përkushtim të detyrave të rëndësishme shtetërore pas çlirimit të vendit:
  • Si prokuror në Vlorë, drejtor drejtorie në Ministrinë e Punëve të Brendshme, deputet i Kuvendit Popullor, kryetar Komiteti Ekzekutiv rrethi, drejtor i Bankës së Shtetit në Vlorë;
  • Për kontribut të veçantë në krijimin, drejtimin dhe konsolidimin e Organizatës së Veteranëve të LANÇ në rrethin e Vlorës.

6. Lefter Kasneci i Bregdetit të Himarës

Qysh i vogël u rrit me ndjenjën e lirisë dhe dashurisë për atdhe. Ndër figurat më të nderurara të krahinës së Himarës e mbarë Vlorës, qe shok armësh e ideali me Zaho Kokën e pavdekshëm të Vunoit. Gëzonte autoritet të fituar me luftë e me punë, me mirësjellje e mirëbërje, edhe pse u vlerësua pas vdekjes nga pushteti vendor. Lefter Kasneci është shquar:

  • Për kontribut të veçantë të LANÇ, si antifashist i vendosur dhe veprimtar i përkushtuar në organizimin e Lëvizjes Antifashiste në fshatrat e Bregdetit të Himarës;
  • Si një nga drejtuesit e rëndësishëm të çetës partizane të Bregut dhe si luftëtar batalionit partizan të Çermenikës dhe Brigadës V Sulmuese, Heroinë e Popullit;
  • Për kontributin e dhënë pas çlirimit të vendit, duke kryer detyra të rëndësishme si oficer madhor në Drejtorinë Politike të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore;
  • Për kontributin e dhënë si drejtues i pushtetit vendor të Himarës;
  • Për kontributin e dhënën si veprimtar i spikatur politiko – shoqëror dhe veçanërisht si veprimtar i përkushtuar i Organizatës së Veteranëve, duke dhënë një ndihmesë të veçantë në forcimin dhe mbarëvajtjen e kësaj organizate në rrethin e Vlorës dhe në mbrojtjen e propagandimin e vlerave të LANÇ.

Kur nderohen luftëtarët dhe partizanët e paharruar të lirisë bashkë me veteranët e gjallë, nderohet historia dhe vijon fisnikërisht krenare stafeta e realizimit me dinjitet të detyrave nga pasardhësit e veteranëve dhe qytetarët e tjerë për ta pritur 75-vjetorin e Çlirimit të Atdheut me ballin lart e faqe të bardhë.