Ahmet Demaj: Avni Rustemi, heroi që nderon Vlorën

846
Sigal

Si po pastronin bustin e Avni Rustemit Durim Lika dhe Edmond Veizaj

 

Heronjtë dalin nga populli, i përkasin atij

“O hero për këto troje, Shqipja do të bëj roje”

Populli.

 

 

 

Ahmet Demaj

Kryetar i Shoqatës “Labëria” “Nderi i Kombit”,  dega Vlorë

 

Nga fillim shekulli XX gazetat e kohës shkruanin: “Vlorën e ngroh dielli”. Kështu ndodh këto ditë 1, 2, 3 , 4 janar 2020. Ndaj në një status shkrova: “O vlonjatë duajeni Shqipërinë, por në zemër mbani Vlorën, dielli i saj të ngroh më shumë se në çdo vend tjetër.” Por thelbi i këtij shkrimi qe një ngacmim nga xhirot e mëngjesit në Bulevardin kryevepër të Vlorës nga Skela drejt Sheshit të Flamurit ku shumë afër Teatrit “Petro Marko” ndodhet busti i Heroit të Popullit AVNI RUSTEMI.            Dy qytetarë: Durim Lika dhe Edmond Veizaj, me shkallë, me furça, me pastruese, te busti Avni Rustemit, po e pastronin. I përshëndeta dhe iu thashë:

“Ju lumshin duart! Bravo ju qoftë! Një akt qytetarie që flet më shumë se leksione të tëra!” A e dini çfarë më thanë? Kjo që bëjmë ne dhe s’e kemi bërë vetëm sivjet, është më e pakta që mund të bëjmë në krahasim me aktin e madh që bëri Ai. Ai shpëtoi popullin nga një tradhtar që donte të na shiste.” Kuptova që po e bënin vullnetarisht.   Kaq thanë dhe vazhduan punën. Gjatë gjithë ditës mendja më ndenji aty. Te ata dy qytetarë që kujdesin për Heroin Avni Rustemin e quanin detyrim të tyre, edhe pse ishte ftohtë, edhe pse shpenzonin kohën, edhe pse shpenzonin bazë materiale e vlera monetare. Dhe më shumë se kaq, edhe pse nga ndonjë pseudohistorian, heronjtë na i kthejnë në kriminelë. Jo ata janë qytetar, popull i zakonshëm. Dhe që këtej del një e vërtetë e madhe që heronjtë dalin nga populli, i përkasin atij. Sidoqoftë mund të vazhdosh të shkruash, por të ndalemi te AVNI RUSTEMI. Vendlindja e tij “Libohova shumë e mirë/ Që lindi djalë Avninë”. Aty mori arsimin fillor. Më tej arsimohet në Janinë. Përgatitet si mësues në Normalen e Elbasanit. Specializohet në Shën Dhimitër Korona në Itali. Ju kushtua mësuesisë. Magjepsej pas citatit të Aleksandërit të Madh kur e pyetën: Shumë e do mësuesin tënd, Aristotelin? Më shumë se babain: …babai më zbriti nga qielli në tokë, me hir të Perëndisë, ndërsa mësuesi më ngjiti nga toka në qiell.

       

 

Avni Rustemi punoi si mësues në Tepelenë, por më shumë në Vlorë

 

Ndofta këtu gjeti shtratin e ngrohtë për t’u zhvilluar vet si revolucionar dhe punoi aq fortë sa u bë Hero dhe një revolucionar i vërtetë. Nuk ka shqiptar të mos njohë Aktin e Madh të tij që kreu në PARIS më 1920-n. Janë bërë këngë, janë bërë filma, janë shkruar romane. Por dramatizimi i Aktit heroik të tij dhe kënga:

Kush e vrau Esat Pashanë

Unë e vrava qerratanë

Se më kish shitur vatan

… u kthye në hit në Labëri dhe këndohej e kërcehej në çdo sebep. Aktiviteti i Avni Rustemit në Vlorë është kaq i dendur sa një shkrim gazete nuk mjafton, por është e bashkëngjitur në mbi 25 historikë fshatrash që unë kam lexuar. Ka një rol dallues në shumë organizata, si organizator e drejtues që nga “Klubi Labëria”, 1908 si bërthamë e ngjarjeve që do të vinin njëra pas tjetrës në Vlorë, solli Lidhjen për përhapjen e shkollave shqipe. Pavarësinë e vitit 1912. Këto e brumosën Avniun që të bëhej i veçantë nga të tjerët. Në Vlorë si mësues, në Tragjas, në qytet e fshat ku kish miq Ai shprehej: Më pushtojnë zemrën sukseset e Atdheut. Ai, Avniu ngrinte zërin: “Në qoftë se nuk i japim rëndësi arsimit kombëtar çdo gjë do të jetë pa fuqi. Ndaj autoriteti i tij u rrit aq shpejt dhe zuri aq vend në zemrat e patriotëve vlonjatë sa bashkëpunëtorët dhe ndjekësit e tij për fjalën e lirë, për shkollat shqipe, për Mësuesit Shëtitës u kthyen në batalione të zhvillimit kombëtar.”

Pse kaq reputacion?

Ka një arsye tjetër. Ai diti të zgjidhte bashkëpunëtorët e tij, diti kujt i dha besë dhe pati arsyen e vetme t’ju qëndronte BESNIK vetëm një: Luftës ndaj prapambetjes kombëtare. Me këtë ideal në mendje e me zemër Avniu përkrahu parullat e për revolucion të 1920. Avni Rustemi, Halim Xhelo, Jani Minga, Hamit Lumi etj. frymëzuan mësuesit dhe ata popullin që ta kthejnë Luftën e 1920 në Vlorë në një Epope të kthesës së madhe për të ruajtur shtetin dhe shtetformistët. Arrihet në një konkluzion: “Se LIRIA u arrit me Grykën e pushkës, por edhe me Majën e penës”. Shembulli më i mirë – Çfarë thoshte Avniu. Çfarë bëri Avni. Çfarë shkroi Avniu.

Ai tha: Toka e bukur e Vlorës… është e jona

Ai më 1920 nënshkroi me revolverin e tij ndaj Esat Pashës në Paris: Himnin e trimërisë Vlonjate. Sepse u kthye në TRIBU, më 1924 kriminelët siç i njeh populli shqiptar, morën hak.

Duke kaluar në rrjedhën e shkrimit kuptohen vargjet: “Kush vdes për Atdhe/ Nuk ka vdekur por ka le”. Sa u futëm në vitin 2020. Plot ngjarje siç është angazhimi për ta festuar madhërishëm 100 vjetorin e Luftës së Vlorës, të Kongresit të Leshnjes. Por ky shembulli i këtyre dy qytetarëve vlonjat për mirëmbajtjen e bustit të Heroit Avni Rustemi duhet të na shtyjë për veprimtari përkujtimore në këtë 100 vjetor, edhe të kësaj figure. Po të propagandosh gjithë veprimtarinë e tij gjen vlerësime maksimale nga bashkëkohësit e tij, të lëna me shkrim apo proces – verbale të ngjarjeve. Interesant është që të gjithë nxjerrin në plan të parë idealizmin e tij. Një nxënës i tij kujton. Në shkollë kishim dhe një mësues italian. Avniu na mësonte këngët: “Për Mëmëdhenë”, “Himnin e flamurit”, “Na thërret nderi”. Kurse mësuesi italian (RIÇARA) pyet Avniun:

-Pse këngët tuaja fëmijët i këndojnë kaq mirë, kurse tonat jo? – dhe vazhdon, – unë ua mësoj më mirë, se marr vesh nga muzika.

Avniu përgjigjet: – Pyet gjyshin tënd: Pse italianët këndonin këngët e tyre më mirë se ato austriaket para rilindjes së shtetit tuaj. Italiani e qepi.

Avniu thoshte: “Mësuesi është ciceroni i Atdheut.” Të tilla mund të shkruash me dhjetëra. Po për mbyllje të këtij shkrimi që i shkon për shtat shkakut, pse shkrova për këto dy qytetarë është një parashikim që bën RAPSODI – POPULL, 100 vjet më parë, i cili këndonte duke parashikuar:

Një djalë nga Libohova

I mbaruari në shkolla…

O hero për këto troje

Shqipja do të bëjë roje.

Vlorë, veç e deshe vend

Roje rrinë malet rëndë

Dhe Sazani me shkëmbinj…

Që nga 1924 e deri pak vite më parë zemrën e Avni Rustemit vlonjatët s’e varrosën, e mbajtën si premtim të pavdekësisë së tij. Kanë kaluar 100 vjet dhe këto dy qytetarë vlonjatë po i bëjnë më shumë se roje. Ju lumtë! Ju u jepni një mësim pushtetarëve dhe qytetarëve të pakujdesshëm që dëmtojnë shpesh herë këto monumente duke heq shkronjat, duke bërë me bojë etj., veprime që veç kulturë qytetare nuk tregojnë.