“Sikur Shqipëria të prodhojë 2 milion ton naftë në vit me rezervat industriale “në inventor” që janë zbuluar para vitit 1990 i del për një periudhë rreth 50 vjeçare (sigurisht që është një pasuri e madhe dhe e ardhur e madhe që e kanë realizuar specialistët naftëtarë që sot nuk dihet se ku janë!).”
/Telegraf.al/ A ka pasur Shqipëria një platformë të qartë se si do menaxhohet sektori i pasurive nëntokësore dhe veçanërisht ai i naftës këto tre dekadat e fundit? Këtu do e kemi fjalën për Naftën dhe Gazin, ku mendojmë se, nëse na thuhet se ka pasur, pa e lexuar fare (deri tani nuk e kemi parë të tillë platformë ), mund të themi se mendojmë që ka qënë i pastudjuar dhe i dështuar, sepse këtë na i thonë po të lexojmë rezultatet dhe faktet konkrete që disa prej tyre do t’i prezantojmë më poshtë!
Që të kuptohem më mirë ç’po them, po japim faktet e mëposhtëme.
Para viteve 1990 në industrinë e Naftës dhe Gazit, janë zbuluar dhe vënë në shfrytëzim 12 vëndburime nafte dhe 5 vëndburime gazi natyror. Për realizimin e tyre, janë shpuar 5000 puse të thellë dhe shumë të thellë, me një metrazh shpim kërkimesh dhe shfrytëzimesh prej 7 milion metër linear. Pusi më i thellë i shpuar në vëndin tonë është Ardenica -18 me një thellësi rekord të arritur 6700m, në kushte shumë të vështira gjeollogo-teknike, dhe me mungesa të dukshme materialo teknike. Po ashtu, para vitit 1990, janë nxjerrë gjithsej 43 milion ton naftë dhe 11.8 miliard Nm3 gaz natyror dhe shoqërues. Niveli më i lartë i prodhimit të naftës arriti në vitin 1974 me rreth 2.448.227 ton në vit dhe prodhimi i gazit në vitin 1982 me 937 milion Nm3 në vit. Rezervat gjeologjike të zbuluara për gëlqerorët dhe ranorët kanë qënë 437,645,143 ton ( një shifër jo e vogël !), ndërsa rezervat industriale të nxjerrëshme kanë qënë 81,025,885 ton ( me mundësi rritje!). Pra sikur Shqipëria të prodhojë 2 milion ton naftë në vit me rezervat industriale ” në inventar “ që janë zbuluar para vitit 1990 i del për një periudhë rreth 50 vjeçare ( sigurisht që është një pasuri e madhe dhe e ardhur e madhe që e kanë realizuar specialistët naftëtarë që sot nuk dihet se ku janë!).
Po japim dy periudhat me prodhim më të lartë hidrokarburesh, gjatë një shekulli Industri Nafte në Shqipëri.

A- Periudha 1971 deri 1974
| Nr | Viti | Prodhimi i naftës | Prodhimi i gazit (000) Nm3 | Prodhimi i tonve ekujvalent të naftës , ton ekujvalent |
| 1 | 1971 | 969,727 | 126,104 | 1,095,831 |
| 2 | 1972 | 1,657,188 | 148,746 | 1,805,934 |
| 3 | 1973 | 1,928,349 | 192,346 | 2,120,695 |
| 4 | 1974 | 2,106,551 | 208,986 | 2,315,547 |
| SHUMA | 7,338,007 | |||
B- Periudha 1979 deri 1982
| Nr | Viti | Prodhimi i naftës | Prodhimi i gazit (000)Nm3 | Prodhimi i tonve ekujvalent të naftës, ton ekujvalent |
| 1 | 1979 | 1,354,240 | 438,192 | 1,792,432 |
| 2 | 1980 | 1,387,475 | 696,153 | 2,083,628 |
| 3 | 1981 | 1,351,512 | 804,172 | 2,191,762 |
| 4 | 1982 | 1,246,256 | 938,814 | 2,185,070 |
| SHUMA | 8,252,892 | |||
Diferenca midis dy periudhave në ton ekujvalent naftë ka qënë :
8,252,892-7338007= 914,885 ton ekujvalent nafte më tepër janë prodhuar në periudhën katër vjeçare 1979-1982 në krahasim me periudhën katër vjeçare 1971 – 1974.
Kësisoj periudha, (1979 deri 1982) kur Industria e naftës dhe e gazit drejtohej nga Ministria e Energjitikës, në krahasim me periudhën (1971 deri 1974) kur Industria e Naftës drejtohej nga një Drejtori operative në bazë ( DPNG), ka qënë periudha rekordmene e prodhimit industrial, në Industrinë e naftës dhe të gazit, gjatë gjithë historisë një qind vjeçare të industrisë së naftës dhe gazit në vëndin ton. Për këto arritje, jam krenar me gjithë shokët, që gjatë kësaj kohe kam qënë Drejtor i Përgjithshëm i Industrisë së Naftës dhe zëvëndës Ministër i Ministrisë së Energjitikës që mbuloja Industrinë e Naftës.
“Sipas raportimeve, u harxhuan rreth 400 milion dollar dhe nuk u raportua as një ton rezervë e re nafte apo gazi e zbuluar. Vetëm në vitin 2002 kompania OÇSIDENTAL shpalli zbulimin e naftës me rezultatin e pusit Shpirag -1, por deri më sot nuk dihet rëndësia industriale e këtij zbulimi”
Në këto dy periudha vërehet: Në periudhën e parë ka rritje rekorde sasia e naftës ( duhet thënë se rritja rekorde e sasisë së naftës në periudhën 1971-1974 është kontestuar me shfrytëzimin jashtë rregullave teknike të vëndburimit të sapo zbuluar – naftës Gorisht Kocul – , gjë që çoi në një inondim të parakohshëm të këtij vëndburimi, që ishte dhe një nga akuzat që ju bë ish drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës dhe Gazit ( DPNG) Fier; ndërsa në periudhën e dytë ka rritje rekorde sasia e gazit. Periudha e dytë faktikisht, rezulton me një prodhim më të madh industriale në pikëpamje të hidrokarbureve (naftë plus gas!). Po ashtu duhet theksuar se në periudhën e dytë, prodhimi i naftës u mbajt me masa të gjithanëshme, pak a shumë i qëndrueshëm, duke i shfrytëzuar vëndburimet e naftës me projekt të posaçëm të përpunimit të vëndburimeve të naftës hartuar nga grupi i specialistëve që bënin pjesë në kabinetin e përpunimit të vëndburimeve në Institutin e Naftës.

Nuk po flasim më tej për këtë periudhë se zëmë hapësirat e këtij shkrimi.
Ndërsa po të shohim rezultatet e industrisë së naftës dhe të gazit mbas vitit 1990 mund të themi:
Në fushën e shfrytëzimit të rezervave të gjetura para vitit 1990, Albpetroli dhe kompanitë koncesionare të shfrytëzimit nga viti 1990 e deri në vitin 2011 kanë nxjerrë një sasi nafte prej 8,917,684 ton ose 17.4% të sasisë totale të nxjerrë deri më sot dhe një sasi gazi prej 659.925 milion Nm3 ose 0.0055 % e sasisë totale të nxjerrë deri më sot.
Gjatë viteve 1992-1997 në fushën e shfrytëzimit të rezervave të gjetura në inventar u nënshkruan 8 kontrata bashkëpunimi me kompanitë e huaja si: Premier Oil ( që dukesh më serjozja), Fountan Oil, Ina-Naftaplin, MOL, Alliance Resources dhe ishte në përfundim marrveshja për bllokun e kërkimit të Velçës (Vlorë) dhe për zhvillimin e atij të Delvinës. Ngjarjet e vitit 1997 u shoqëruan me shkatërrime dhe me tërheqjen e kompanive të huaja. Pas marrjes së pushtetit nga P.S. u tërhoqën nga marreveshja kompanitë Fountan Oil për vëndburimin e Gorisht –Koculit, MOL- Hungarez nga kërkimet në Velçë, dhe Alliance Resources nga vëndburimi i gazokondensatit të Delvinës. U ndërpre aktiviteti i kërkimeve nëDumre, nga ana e AAP –sëpërshkak se nuk u afrua as nje partner tjetër i huaj për të qënë ortak investimesh. Aktualisht, blloku që ka në përmbajtjen e tijë edhe Dumrenë, është marrë në koncesion nga ana e kompanisë italiane ENI.
Kompania Premier OIL si pjesë e J-V me Albpetrolin programoi të rriste prodhimin në zonën e Patos –Marinzës në vlerën 700 ton në ditë brenda dy viteve të para dhe 2000-2500 ton në ditë pas 4 vjetëve nëpërmjet injektimit të avullit. Rezultatet e provave të kryera gjatë viteve 1995-1997 për injektimin e avullit treguan paefektivitet të kësaj teknologjie, sepse puset ekzistues s’ishin të përshtatshëm për të lejuar aplikimin e kësaj metode të veprimit në shtresë, prandaj duheshin shpuar puse të rinj gjë që kompania s’e quajti me interes. Siç dihet dhe kjo kompani që dukesh premtuese krisi dhe iku.
Vlen të përmëndet se shpenzimet e Operatorit AAP në zbatim të Marrveshjes Hidrokarbure për vëndburimin Patos –Marinëz që nga fillimi i projektit ( 25-09-1994) deri në fund të muajit janar 2003 ishin 73,083,681.84 USD. dhe sasia shtesë e naftës ishte 35,016 ton, pra një sasi shumë e vogël. Kësisoj mund të themi se rezultatet ekonomiko-financiare të kësaj ndërmarje ishin shumë negative.
Po kështu mendojmë që është e pafalshme që të vonohet vënja në shfrytëzim i vëndburimit të zbuluar të gazokondensatit të Delvinës, i cili ka kaluar dorë më dorë, si dhe kërkim -konturimi i mëtejshëm i vëndburimit të gazit metan të Panajasë. Që të dy këto vëndburime me rëndësi të madhe për ekonominë që janë zbuluar që para vitit 1990, nuk duhen lejuar që të jenë të stakuar nga nevojat e ekonomisë tonë. Ato mund të konsiderohen një Bankë e dobishme!.
Kompanitë që janë futur kohët e fundit në fushën e shfrytëzimit të rezervave “në inventar dmth të njohura e të zbuluara para vitit 1990 ” si Bankers Petroleum etj po evidentojnë një rritje prodhimi duke futur teknologjinë e shpimit të puseve horizontal dhe të pompave me burmë ( teknologji këto që janë njohur dhe janë bërë përpjekje për t’u futur në vëndin tonë që në vitin 1982). Theksojmë se në lidhje me aplikimin e teknologjisë së pompave me burmë kemi rezervat tona në pikpamjen e mënyrës së aplikimit të tyre për të siguruar një shfrytëzim racional të rezervave ekzistente si dhe të masave që duhen marrë për ruajtjen e nëntokës dhe qëndrushmërisë së saj!!.
Në fushën e zbulimit të rezervave të reja që mendojmë si dhe shumë specialistë shqiptar të gjeologjisë, se janë shumë potenciale për teritorin tonë, as që mund të bëhet fjalë pavarësisht se janë kryer një volum relativisht i madh kërkimesh si në tokë (on shore) dhe në akuarjum ( off shore ). Në vitin 1991 kompanitë e para që nënshkruan kontratën për kërkime nafte në Shqipëri ishin: DEMINEX, OMË, OÇIDENTAL Co, CHEVRON , HAMILTON OIL, AGIP. Këto kompani qëllimin kryesor të kërkimeve e kishin në det ( off shore) dhe më pak në tokë. Sipas raportimeve, u harxhuan rreth 400 milion dollar dhe nuk u raportua as një ton rezervë e re nafte apo gazi e zbuluar. Ndër specialistët dhe ekspertët tanë që janë stakuar tashmë nga aktiviteti në industrinë e naftës , ekziston dilema: kanë zbuluar dhe s’tregojnë, apo nuk kanë zbuluar?! Nëse kanë zbuluar dhe s’tregojnë ( sepse ato kanë në radhë të parë interesat e tyre) është një sakrilegj për Shqipërinë dhe popullin shqiptar që u dha besimin që të kontrollojnë “ zorrët e barkut të nëntokës sonë”. Vetëm në vitin 2002 kompania OÇSIDENTAL shpalli zbulimin e naftës me rezultatin e pusit Shpirag -1, por deri më sot nuk dihet rëndësia industriale e këtij zbulimi. Presim ndonjë raportim nga kompania Shell që mbasi mori gjithë aksionet e kompanive të më parshme që operonin për vlerësimin e këtij vëndburimi tashmë të zbuluar ka shpuar puse vlerësimi si dhe ka bërë studime të tjera të nevojshme. Këtu mendojmë të themi se koha relativisht e gjatë nga zbulimi i këtij vëndburimi ( 2002 ) e deri më sot që akoma nuk është vënë në shfrytëzim, nuk është normale për një ekonomi si e Shqipërisë, që kërkon pa tjetër trasfuzion të fuqishëm të një gjaku financiar.
Duhet thënë se që kur jepen të drejtat koncesionare duhet të ketë klauzola që shteti jonë të ketë akses të plotë në aktivitetin e çdo kompanie koncesionare, sidomos në fushën e zbulimit të rezervave të reja, sepse nafta dhe gazi janë pasuri që jo vetëm t’i gjëjmë sa më shpejt, por me një strategji mirë të përpunuar të sigurojmë shfrytëzimin e tyre në interes të brezit tonë, por më shumë duhet menduar për brezat e ardhshëm. Është e domosdoshme që shteti ynë për çdo kontratë që do bëjë me palë të huaja duhet të ketë të ashtuquajturën “aksionin e artë” ( Golden Share), i cili e bën vendim marrës absolut në marrdhënje me të tjerët.
“Duhet thënë se që kur jepen të drejtat koncesionare duhet të ketë klauzola që shteti jonë të ketë akses të plotë në aktivitetin e çdo kompanie koncesionare, sidomos në fushën e zbulimit të rezervave të reja, sepse nafta dhe gazi janë pasuri që jo vetëm t’i gjëjmë sa më shpejt, por me një strategji mirë të përpunuar të sigurojmë shfrytëzimin e tyre në interes të brezit tonë”

Edhe në fushën e organizimit dhe të menaxhimit të industrisë së naftës mendojmë se ka pasur mjaft të meta. Një vendim i këshillit të ministrave që mban datën 26 Nëndor 1998, për ristrukturimin e Albpetrolit në tre kompani nafte, ngjalli një reagim të ashpër tek naftëtarët sidomos të kombinatit të përpunimit të naftës Ballsh, të cilët e quajtën vehten të diskriminuar, sepse ky vendim i shkëpuste nga lënda e parë e vëndit, duke i lënë si peshku pa ujë. Dhe jo vetëm nga ata.
Riorganizimi i Industrisë së Naftës në tre kompani, që u aplikua në vitin 1999, jo vetëm që s’dha rezultat, por dështoi katastrofikisht, sepse prodhimi i naftës dhe i gazit ra dukshëm dhe ajo që ka shumë rëndësi, një vendim i tillë e shkatërroi totalisht entitetin e Albpetrolit, i cili ishte një organizim shumë modern i krijuar nga ekspertët më të mirë që kish Nafta, në prag të ardhjes së Demokracisë me konceptet bashkëkohore të ekonomisë së tregut, që po të menexhohej siç duhej, i adoptohesh shumë shpejt ekonomisë së tregut; sigurisht në bazë të mendimit dhe ekspertizës të atyre që e njohin dhe e kanë krijuar këtë industri kompleks ! Nëse Albpetroli do të ruante strukturën që ju dha që në fillim , nga ekspertët e industrisë së naftës, që i vunë dhe emrin Albpetrol, kjo Kompani edhe si një kompani , do të kishte potenciale të shumfishta, që ishin në interes të ekonomisë. Me gjithë atë, duhet konsideruar me argumenta të plota në drejtim të asaj që Albpetroli duhet të jetë një kompani, e cila duhet të përfaqësojë shtetin në çdo aktivitet, që bëhet në Industrinë tonë të naftës, e cila mund të ketë marrdhënije me të huajt , por si përfaqësuese e shtetit, paketën kontrolluese të aksioneve ( Golden share ) duhet ta dispononte vetë.
Gjatë viteve 1992-1996 prodhimi i naftës mbulonte 65 % të nevojave të vëndit; kurse sot, shumë herë më pak dhe më pakë. Për vitin 2023 Kompania e Naftës Albpetrol ka prodhuar 68,958 ton naftë dhe gas (?) dhe në këtë dhjetvjeçarin e fundit në mesatare, ka prodhuar më pak se 100 mijë ton naftë në vit!…Kjo shifër prodhimi, mund (them mund, se ky vlerësim nga ana ime, është intuitive, sepse nuk kam gjetur ndonjë analizë të plotë dhe të saktë) ta klasifikoj Albpetrolin si një kompani që nuk mban dot veten, pale të mbajë shtetin si kompani shtetërore që është. Kam lexuar që kompania INA Naftaplin e Kroacisë , gjatë luftës që bëri kur fitoi Pavarësinë nga Jugosllavia , suportoi gjithë harxhimet e luftës. Kësaj i thonë kompani shtetërore, që të mbështesi hallet e shtetit sidomos një kompani që ka në dorë një pasuri kolosale që është nafta dhe gazi, që po të angazhohet siç duhet, kemi bindjen se i ka të plota mundësitë që të jetë një bazë e sigurtë financuese e shtetit. Për këtë mendim që jap këtu, kam botuar një artkull më të plotë, në gazetën ‘Telegraf’ vitin e kalua , në lidhje se si duhet të ishte (jetë) performanca e Albpetrolit në kuadrin e ekonomisë së tregut.
Është krejt e pakonceptueshme nëse flitet në kuadrin e interesave që ka shteti, që nafta që nxirret nga nëntoka shqiptare tshitet në tregjet e jashtme si lëndë e parë dhe sigurisht me një fitim relativisht të vogël për ekonominë, sepse shitja si lëndë e parë të klasifikon në nivel kolonial, kur para 30 vjetësh e gjithë nafta që nxirresh përpunohej në vënd. Kjo çon në rritjen e çmimit të karburanteve dhe automatikisht, në shtrënjtimin e produktit shoqëror në vënd. Të blesh njëmiliard e më shumë euro karburante në vit, kur i ke mundësitë që ato t’i sigurosh në vënd ( se e disponon lëndën e parë) është një katastrofë e vërtetë.
vijon






















