Petro Luarasi : Përkujtojmë 125-vjetorin e lindjes së Prof. Skënder Petro Luarasit (19.1.1900-27.4.1982)

Përgjegjësia duhet të jetë individuale, sipas ligjit.
Organi ‘’Bota e Re’’ njoftoi: ‘’Mbledhja e Këshillit Antifashist për thirrjen e Asamblesë Konstituente. Mbledhja u mbajt më 25 shtator 1945 dhe vazhdoi katër ditë. Kryetari i Këshillit Dr.Ymer Nishani mbajti një referat mbi aktivitetin legjislativ të Kryesisë. Në seancat e tjera u aprovua ligji mbi thirrjen e Asamblesë Kostituente dhe ligjin mbi zgjedhjet, i cili pasi u lexua paragraf më paragraf u aprovua. Kështu Këshilli Nacionalçlirimtar hap udhën e Asamblesë konstituente, e cila do të hedhë themelet e institucioneve demokratike për të cilat populli ynë derdhi kaq gjak në Luftën e tij Nacionalçlirimtare. Në mbyllje Dr.Nishani tha: ‘’Asambleja konstituente do të dalë përpara botës me një statut demokratik nga më të përparuarit.’’
Të dielën, më 14 Tetor, u çel fushata e zgjedhjeve për në asamblenë kushtetuese. Ndërkohë mua më thirri Abdyl Këllezi e më pyeti nëse dëshiroja të vija kandidaturën për deputet të Kolonjës. Pranova. U nisa për në Kolonjë me Josif Pashkon dhe Myftar Taren. Duke udhëtuar nga Vodica për në Gostivisht anës Osumit, kur arrimë në Peras i tregova Josif Pashkos Pradellën dhe i thashë dëshirën time të trashëguar prej tim eti që të themeloja atje një shkollë bujqësore. ’’Edhe atë mund ta bësh, po tani të fitojmë fushatën e zgjedhjeve!’’- m’u përgjegj Josifi. Në Gostivisht më thanë se djalin e një ballisti nuk e kishin pranuar në festën e kremtimit të 28 Nëntorit.
Unë u thashë: ‘’Ai s’ka faj si fëmija e një ballisti. Përgjegjësia duhet të jetë individuale sipas ligjit.’’ Disave nuk u pëlqeu ky mendim.

Vajtëm në Ersekë ku u bë një mbrëmje. Atje dhashë 1000 franga për të blerë libra për bibliotekën që të lexonin të rinjtë…Edhe të tjerë kolonjarë dhuruan e mblodhën mijëra franga dhe ia dërguan Komitetit të Rrethit Kolonjë që të festohej Dita e Flamurit me madhështi, pa dallim moshe, feje, ideje. Deshën që të bëhej kjo ditë një e kremte bashkimi për të gjithë shqiptarët… Një mbledhje e madhe u bë në teqenë e Kroshovës në mes të dhjetra e dhjetra pleqve kolonjarë të dërguar si përfaqësues. Kishin ardhur ish-partizanë e ish-ballistë që rrinin të ndarë.
Tek rrinim në shesh e në muhabet të shtruar, Myftar Tare nga ana a tejme e mbledhjes në mes të djemurisë, më pyeti me zë të lartë a t’ia merrnin djelmoshat “Këngës së Safet Butkës”?
“Këngës së Gani Butkës!” iu përgjegja. Dhe ata ia filluan:
Malet e Gramozit qajnë
Dhe një zi të madhe mbajnë !
Qajnë Gani Kapedanë
Ditët e mira që u ndanë!
Në mbarim të këngës, mbretëroi heshtja. Mua më pllakosën mendime të hidhura: Ç’mall i madh për mëmëdhenë zien në zemrat e këtyre të rinjve! Ç’adhurim për nënën Shqipëri e dashuri dhe nderim për trimërinë e prindërve të tyre dëshmorë që e mbrojtën me gjak këtë pjesë kufiri të atdheut “Prakun e Shqipërisë“, sikundër quhej Kolonja në ato vite të vështira.Dhe pyeta pleqtë pranë meje: ”Pse u ndatë më dysh, pse u përçatë në luftë? Sa mirë do të kish qenë për kolonjarët që edhe kësaj here të kishin qenë të bashkuar’’! Riza Kreshova, në shtëpinë e të cilit na patën bërë konak At Paiz Vodicës dhe mua, u përgjigj ashtu pleqërisht e shtruar, me vetëdijen e një qytetari që ndoshta pati gabuar edhe vetë: ‘’Ne i kemi nderuar të parët tanë atdhetarë… Petro Nini Luarasin, Sali Butkën… i kemi dëgjuar këshillat e tyre. Sikur të ishte Petro Nini Luarasi gjallë e të na kishte thënë ‘’shkoni me Ballin’’ me Ballin do të kishim shkuar, të na kish thënë ‘’shkoni me partizanët’’, me këta do të kishim shkuar. Po të kishte qenë Sali Butka po ashtu do të kishim bërë. Këta dy njerëz kishin vdekur. Edhe i biri i Petros të na kishte këshilluar, ashtu do të kishim bërë. Po ai s’ishte. Po kush erdhi të na bëjë me Partinë? Na erdhi një Skëndi e një Samsuri. Ne e dinim se prindërit e tyre ishin tregëtarë pasanikë. Na vinte pak si turp të merrnim mendje nga bijtë e tregëtarëve si ta përdornim pushkën, nga ata që s’e dinim ç’ishin: grekomanë apo shqiptarë. I biri i Sali Butkës erdhi e na tha të shkonim me Ballin e ja që i zumë besë. Gabuam, nuk tradhëtuam. Jemi gati ta lajmë gabimin duke u bashkuar me gjithë shpirt me Frontin.’’ Të nesërmen shkuam në Ersekë. Ditën e 28 nëntorit fola përpara gjindjes në Ersekë mbi të kaluarën historike të Shqipërisë, mbi rëndësinë e ditës së zgjedhjeve dhe të Asamblesë Kushtetuese që do të përcaktonte formën e shtetit të ri shqiptar dhe drejtimin e tij politik.

Më 28 nëntor gazeta ‘’Bashkimi‘’ më botoi artikullin ‘’Në gjurmët e patriotëve’’.
Më 2 dhjetor kolonjarët votuan të bashkuar, pothuajse të gjithë votën e dhanë për mua, kandidatin e Frontit. Votoi edhe e shoqja e Cute Selenicës me të bijën. E hodhi votën në kutinë e Frontit e tha: ‘’Më mundi gjaku i tim biri’’ (njëri djalë iu vra si partizan, i shoqi iu ekzekutua nga partizanët). Me këtë rast ‘’Bota e Re’’ më botoi artikullin’’2 dhjetor 1945’’. Gruaja shqiptare, e cila në kohën e robërisë së gjatë na shpëtoi dy nga thesaret tanë kombëtarë, gjuhën dhe shpirtin demokratik, me rastin e zgjedhjeve tregoi cilësitë e saja të rralla si qytetare. Për ta dëshmuar urtësinë dhe mëndjen e çelur drejt së vërtetës dhe së drejtës, po shpreh nja dy shëmbuj prej atyre zgjedhësve: Në një krahinë të Shqipërisë së Jugut, në një shtëpi patriarkale, që pati humbur disa veta si ballistë, vëllai i një të ekzekutuari pyeti të ëmën a të vinte në mbrëmjen gazmore të 28 Nëntorit. ‘’Posi të mos vesh, mor bir! Dita e Flamurit është për të gjithë shqiptarët. Gëzohu edhe ti me shokët!’’ Kjo nënë theu zinë për të birin dhe me të gjithë të shtëpisë votoi për Frontin. Në një tjetër fshat e veja e një kryetari të ekzekutuar të Ballit, duke hedhur kokrën në kuti të Frontit tha: ‘’Jam e zonja të harroj hidhërimin tim për të mirën e Shqipërisë. Të më rrojnë fëmija dhe ta gëzojnë tok me të tjerët’’. Forcën me të cilën brezi i ri po pushton zëmrat e lënduara të nënave e tregon qëndrimi i një gruaje, së cilës i biri i vdiq në radhët e partizanëve, porse të shoqin ja ekzekutuan… Në orën e fundit, me tërë zinë e saj, erdhi në qëndrën e votimit hodhi kokrën në kutinë e Frontit dhe psherëtiti si me vete: “Më mundi dashuria e djalit!”. Tapitë e Shqipërisë që i rifituam me luftra të gjakta dhe dhjatën e dëshmorëve të Atdheut, populli i ka siguruar në Parlamentin dhe në përfaqësonjësit q’i zgjodhi ay vetë. Dhe këta do të kenë parasysh përherë shëndetin e popullit.’’ (Fragmente)
Skënder Luarasi, Bota e Re, Dhjetor, 1945






















