Agustin Gjinaj/ Mesarete Imeraj- Faiku, simbol i femrës shqiptare në LANÇ. Si u përjetësua në personazhin e Lilo Labes nga Yllka Mujo

249
Sigal

Plagosja në Fterrë, ndodhitë përgjatë 6 ditëve pa ndjenja, dhe si Babaçe Faiku shkoi për ta parë në spital dhe i kërkoi dorën

  •  -U nda nga jeta “Lilo Labja” e filmit shqiptar “Malet me blerim mbuluar”.
  • -Nesareti ra në dashuri me pilotin Babaçe Faiku me shikim të parë.
  • -Kur ajo u plagos nuk mendonte më se do bëhej gruaja e komandantit të aviacionit, pasi fytyra i ishte tjetërsuar nga plumbat.
  • – U plagos në Operacionin e Qershorit ku 6 ditë e netë qëndroi pa ndjenja në fshatin Fterrë ku 17 dhëmbë ju hoqën nga plagët.
  • – Në vitet e LANÇ-it, ishte një partizane e vogël, 16 -17 vjeçe që kishte braktisur gjimnazin e Gjirokastrës.
  • – Kur Mesarete u plagos, Babaçe Faiku, shkoi për ta parë në spital dhe i kërkoi dorën. “Mesaret ti do të jesh gruaja ime.
  • – Kinematografia shqiptare  e përjetësoi figurën e saj në personazhin e Lilo Labes interpretuar nga Yllka Mujo te filmi “Shtigje Lufte”.

 Në vitin 2002, kur Akademia e Forcave Ajrore do të festonte 40 vjetorin e krijimit të saj, si redaktor i gazetës “Ushtria”, u caktova me shërbim në qytetin e Vlorës. Kur shkoje në reparte ushtarake, së pari duhej zgjidhur problemi i udhëtimit, pasi në gazetë kishte vetëm një veturë të vjetër. Më e mira punë ishte të interesoheshe për listën e të ftuarve, që shkojnë në ceremonitë larg kryeqytetit, për të siguruar një vend në makinën e ndonjërit prej tyre, pasi drejtorët i merrnin gazetarët me një gatishmëri të dukshme.

Pasi sigurova mjetin e udhëtimit nxitova për të siguruar edhe tekstin e fjalimit të  ministrit, të cilin, Gazeta “Ushtria” si një gazetë zyrtare e ka për merak ta botojë të plotë të shoqëruar me një foto të madhe të titullarit. Një kafe me zëdhënësin e dikasterit të mbrojtjes e bënte gjithnjë të mundur sigurimin e këtij fjalimi.

Gjatë një ceremonie …

Kur arrita në Vlorë, u përpoqa të takoj komandantin e Akademisë se mbase i marr tekstin e fjalës përshëndetëse dhe “kryej” në një farë mënyre “punën” që jam caktuar të bëj për këtë përvjetor. Është e vështirë të gjesh rast ta takosh komandantin në zallamahinë para ceremonisë, pasi atëherë është koha kur ai merret me studentët që kanë rreth  dy orë që presin në rresht, kur interesohet nëse logjistika i ka siguruar pijet, frutat e mezet modeste, a janë ndarë ftesat dhe a kanë konfirmuar ardhjen e tyre VIP-at, kush do vijë e kush jo, gjë që e bën të marrë masa për ndryshimin e njerëzve që do të vendosen në tribunë.

Ndërkohë ai është i lodhur nga punët e shumta dhe fondet e pakta, i emocionuar nga ardhja e drejtuesve të rinj nga ministria si dhe i veteranëve të paktë, që dikur e ka patur mësues. Komandanti është në hall se kujt t’i kushtojë më tepër vëmendje; një ish-veterani, që i mbetet hatri e s’do t’i flasë nesër në qytet, apo një nëpunësi të ri që ta mban inatin gjatë e di t’i shkruajë fort bukur raportet e hidhura për mossukseset!? Të vënë në siklet nga shkurtimet e pritshme të oficerëve e nënoficerëve ( ku në listat fantazëm qarkullon edhe emri i vetë komandantëve), me preokupimin se ç’do t’u thotë vartësve të sotëm studentë e ish-komandantëve të djeshëm veteranë, jo rrallë qëllon që fjalimet e mbajtura nga komandantët e reparteve janë shumë më të bukura se ato të të deleguarve nga qendra; sidomos në përvjetorët jubilarë.

Sikur të mos mjaftonin të gjithë këto, tamam në momentin e fundit, nga protokolli i ministrisë njoftojnë se, pritjen për përvjetorin do ta organizojë një firmë, apo restorant krejt i panjohur diku andej nga fundi i qytetit. Kjo e kompleton katrahurën.

 

Në vitet e LANÇ-it, ishte një partizane e vogël, 16 -17

Diku në një qoshe të ish-akademisë, syri më zuri një grua të vjetër, të veshur me të zeza. E njoha menjëherë dhe u nisa drejt saj i pasuar nga një grup gazetarësh.

-“Çfarë ju lidh ju me këtë shkollë, zonjë?“ -ishte pyetja e një gazetari lokal.

E vendosur në qendër të një grupi njerëzish, zonja e vjetër e pa që dikush ishte kujtuar për të, ndërsa kasetofonët e drejtuar, blloqet e shënimeve apo kamerat, që filluan të filmojnë, si duket e kujtuan se diçka duhej të fliste.

-“Jeta ime, biro”, – tha zonja plakë.

Gazetarët e panë pak me habi,e ndërkohë që një gazetar po matej të bënte një pyetje të dytë, zonja plakë vazhdoi:

-“Në vitet e LANÇ-it, isha një partizane e vogël, 16 -17 vjeçe që kisha braktisur gjimnazin e Gjirokastrës. Në luftë ndjeva se isha e dashuruar me njërin nga djemtë më trima nga partizanët, me Babaçe Faikun, por tamam kur ndjeja se kisha tërhequr vëmëndjen e tij, u plagosa në Operacionin e Qershorit. Gjashtë ditë e netë qëndrova  pa ndjenja në fshatin Fterrë ku 17 dhëmbë m’u hoqën nga plagët e sharapnelit. Në fytyrë më  ngelën shenja të pariparueshme gjë që më shqetësoi pa masë për fatin e dashurisë sime të pashprehur.”

Ajo vuri instiktivisht dorën përmbi buzën e saj. U duk se për një moment edhe gazetarët ndjenë një dhembje pothuaj fizike nga dora e saj e vënë mbi plagën e vjetër. Zonja plakë uli dorën dhe vazhdoi:

“ I humba të gjithë shpresat për dashurinë time të jetës, në fund të fundit ne nuk kishim biseduar e as premtuar asgjë për njëri-tjetrin…

Por Babaçe Faiku, erdhi për të më parë në spitalin partizan së bashku me disa shokë dhe në sy të tyre më kërkoi dorën. “Mesaret ti do të jesh gruaja ime”- më tha ai, -ndërsa unë fshihnja fytyrën dhe lotët mes duarve.

Babaçe Faiku u bë më vonë burri im dhe komandant i Akademisë së Aviacionit. Unë dhe aviacioni u bëmë dy dashuritë e mëdha të jetës së tij, por kurrë nuk u bëra xheloze për dashurinë e madhe që kishte ai për ajrin, fluturimet dhe akademinë”.

Pasi psherëtiu thellë, shtoi.

-“Të tillë ishin ushtarakët dhe aviatorët. Ndaj mendoj se, jo vetëm sa kohë ka drejtuar në këtë akademi burri im, por edhe të gjithë shokët e pasuesit e tij, unë kam qenë e bindur se në këtë shkollë do të mësohej sesi të jetosh si njeri, por edhe të dish të vdesësh si hero”.

 

Babaçe Faiku si Kostandini i legjendave shqiptare

Babaçe Faiku ishte njeri e burrë i besës, si Kostandini i legjendave shqiptare, që kur premtonte e mbante fjalën. Kështu bëri ai me gruan e tij të jetës, Mesaretin, e mori për bashkëshorte kur ajo “ishte në pikë të hallit”, e plagosur, e dërmuar, e sakatuar, e pavarësisht se nuk kishin patur asnjë premtim a lidhje fizike, ai mbajti “premtimin” e shikimeve të dashurisë së tyre të pastër e të çlirët. Mesareti ishte në një farë mënyre simboli i femrës shqiptare që në Luftën e Dytë Botërore, pas pushtimit të vendit braktisi ëndrrat rinore dhe mori pushkën e doli në mal për lirinë e vendit.

Kinematografia shqiptare e përjetësoi figurën e saj në personazhin e Lilo Labes interpretuar nga Yllka Mujo te filmi ‘Shtigje Lufte”.