“Na i dërgojnë në letër”/ Financimet e partive, Celibashi: Me sistemin e ri raportimet do të bëhen online

110
Sigal

Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi, mori pjesë këtë të hënë në tryezën e organizuar nga IDEA për ndryshimin e ligjit të raportimit të financimit te partive politike.

Në fjalën e mbajtur përpara të pranishmëve, kryekomisioneri deklaroi se KQZ po punon për digjitalizimin e raportimeve të financimeve të partive politike.

Ai shtoi se duke u pasqyruar në një databazë online dhe të aksesueshme për të gjithë, mund të rritet transparenca dhe standardi i procesit zgjedhor.

Fjala e plotë:

Të nderuar pjesëmarrës

Në takimin e qershorit të këtij viti në kuadër të prezantimit të projektit të IDEA dhe Qendrës për Sundim të Ligjit në Finlandë, mbi transparencën në financimin e partive politike, ne diskutuam mbi situatën aktuale të financimit të partive politike, si përsa i përket kuadrit ligjor në fuqi, ashtu edhe përsa i përket problematikave të verifikuara në praktikë.

1

Gjerësisht u dakordësuam se i gjithë sistemi i financimit të partive politike ka nevojë akoma për përmirësime. Ndryshimet e kuadrit ligjor, Kodit Zgjedhor dhe/ose ligjit për partitë politike, në thelb duhet të konsiderojnë përmirësimin e gjithë sistemit të kontrollit dhe të verifikimit real mbi atë se nga i marrin paratë partitë politike, sa para ato marrin dhe si i shpenzojnë.

Këto si për aktivitetin e tyre periodik vjetor, ashtu edhe për fushatat zgjedhore.

Gjithashtu u dakordësuam që këto ndryshime duhet të konsiderojnë vendosjen e rregullave në lidhje me financimin edhe të ashtuquajturave “palë të treta”, apo dhe të rregullave në lidhje me pasqyrimin e fushatës zgjedhore në median digitale dhe në rrjetet sociale.

Interesi i shumë aktorëve, por më së pari i publikut për një transparencë më të madhe dhe në kohë reale mbi financimin e partive politike në përgjithësi dhe të fushatave të tyre zgjedhore në veçanti, ishte gjithashtu një nga konkluzionet e diskutimeve në tryezën e qershorit.

2

KQZ prezantoi në atë tryezë objektivin e saj për të digitalizuar për aq sa është e mundur dhe e dobishme sistemin e raportimeve financiare të partive politike dhe të subjekteve zgjedhor. Përfshi këtu edhe procesin e publikimit, të konsultimit dhe të analizimit të këtyre raporteve.

Ne besojmë se ky aspekt teknik i sistemit të financimit të partive, është i lidhur drejtpërsëdrejti me rritjen e transparencës në këtë çështje të rëndësishme dhe rrjedhimisht me standardin e procesit zgjedhor.

Jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se proçesi i digitalizimit të raportimeve financiare të partive dhe të shqyrtimit e të vlerësimit të tyre nuk është një sipërmarrje e lehtë. Kërkohet kohë, ekspertizë dhe buxhet për ta realizuar atë.

Aktualisht raportimi financiar është një proces i cili kryhet tërësisht me letër.

Vetëm në mënyrë sporadike KQZ përfiton ndonjë të dhënë në formë digjitale. Mënyra aktuale e raportimit ofron shumë pak mundësi për aktorë të interesuar që të marrin informacione të

3 plota mbi të dhënat që bartin raportet financiare të partive politike dhe/ose të subjekteve zgjedhorë.

E në vijim më pas harxhohet shumë kohë dhe energji për ti analizuar të dhënat që përmbajnë këto raporte. E në fund pak kuptojmë mbi problematikën e financimit.

Angazhimi konkret i IDEA dhe i Qendrës për Sundim të Ligjit në Finlandë për ta mbështetur KQZ në realizimin e sistemit të digitalizimit të raportimeve financiare të partive, do të na ndihmojë ne si institucion që, këtë objektiv ta arrijmë në kohë dhe me standardin më të mirë ndërkombëtar.

KQZ është plotësisht e hapur dhe fton atë pjesë të shoqërisë civile, apo edhe aktorë të tjerë të interesuar që janë të përfshirë në çështjet e financimit të partive, që të kontribuojnë me mendimet dhe propozimet e veta në ndërtimin e këtij sistemi.

4 Sistemi i digitalizimit të raportimeve financiare të partive ka si qëllim uniformizimin e tyre, lehtësimin e procesit të raportimit për raportuesit, qartësi në çfarë kërkohet të raportohet, qartësi në pasqyrimin e tyre, pasqyrimin në kohë reale dhe në mënyrë dinamike të të dhënave që raportohen (si për të ardhurat/donacionet, ashtu edhe për shpenzimet), akses për të gjitha palët përfshi edhe publikun për të konsultuar raportet dhe për të bërë vlerësime mbi to në kohë reale.

Sistemi duhet të ofrojë mundësinë që palë të interesuara (shoqëri civile, parti, etj) të marrin lehtësisht, qartë dhe në mënyrë të plotë çdo të dhënë që përfitohet nga raportimet financiare.

Në lidhje me këtë funksionalitet të fundit, është me rëndësi që subjektet e interesuara të kenë mundësi që të bëjnë analiza të ndryshme të të dhënave që bartin raportet financiare. Si ato vjetore, ashtu edhe ato të periudhës zgjedhore.

Sipas mendimit tim, për analizimin e të dhënave të raporteve dhe sipas rastit krahasimin e është me dobi nëse ato të mundet të bëhen edhe direkt online në platformë. Kjo të paktën për të dhëna kryesore që përmbajnë raportet financiare të partive.

5 Përndryshe në rastin e analizimit më të thelluar të të dhënave të këtyre raporteve, subjektet e interesuara mundet ti bëjnë ato duke ju dhënë mundësia për ti shkarkuar të gjitha të dhënat nga sistemi.

E me këtë rast është me rëndësi të themi që ne synojmë që ai (sistemi) të jetë i programuar i tillë që, ti japi mundësi të interesuarve që të shkarkojnë të dhënat në formate të ndryshme dhe lehtësisht të përpunueshëm.

Sistemi, apo moduli digjital i raportimeve financiare në tërësi dhe përmbledhtas do të ketë tre komponent, apo aspekte të cilët do të adresohen:

1. procesin e raportimit (me të gjithë elementët) nga partitë dhe subjektet;

2.procesin e auditimit dhe të vlerësimit nga KQZ;

3.rocesin e publikimit, dhe aksesit nga subjekte të interesuar.

6 Stafi përkatës në KQZ prej kohësh ka filluar nga puna për të dizenjuar termat teknik dhe rrjedhën logjike të procesit të raportimit financiar, të kontrollit dhe auditimit nga KQZ dhe të publikimit të të dhënave.

IDEA dhe Qendra për Sundimin e Ligjit në Finlandë, prezantojnë sot draftin e asaj se si mundet të ndërtohet sistemi digjital i raportimit financiar të partive politike dhe subjekteve zgjedhorë.

E vlerësoj si serioz dhe profesional dokumentin në fjalë.

Kjo tryezë, por jo vetëm kjo, është një mundësi edhe për aktorë të tjerë të japin edhe ata kontributin e tyre në lidhje me përmirësimet teknike të mundshme që mundet ti bëhen këtij dokumenti dhe rrjedhimisht sistemit digjital të raportimit të financimit të partive të cilin KQZ synon ta ndërtojë.