Agron Mema: Fundi i padrejtësisë ndaj partizanit Hulë si Dizdari

685
Sigal

Dokumentet,  dëshmitarët e kohës si dhe vet i biri, Limozi, thonë se e vranë shokët prapa krahëve në pabesi

FUNDI  I  PADREJTËSISË NDAJ PARTIZANIT HULËSI  DIZDARI

Nga Agron MEMA

Ngrënia e “kokave” brenda llojit filloi që nga LANÇ-i e deri ditët e sotme në pushtetin dhe qeverisjen e PKSH. Rruga drejt pushtetit mesa duket, për këtë forcë politike që qeverisi 50 vjet këtu në Shqipëri , 70 vjet në gjysmën e botës dhe vijon edhe sot në disa shtete, udhëton përmes krimit. U vranë e u shpallën tradhtar bashkëluftëtarët e tyre, u burgos dhe u internua një pjesë e madhe e njerëzimit pa asnjë faj, u shpronësuan të pasur dhe të varfër. U zhdukën edhe pa varre dhe ende të afërmit rropaten për të gjetur eshtrat e tyre. Një rast i tillë është edhe ai i Hulësi Dizdarit, babait të artistit Limoz Dizdari. Hulësiu këtë 5 maj 2020, pas shumë vitesh heshtjeje nëpër labirinte enigmash, u rreshtua në listën e dëshmorëve të atdheut, ndonëse propozimi ishte bërë vite më parë nga vet Sulo Gradeci si ish partizan i Brigjatës së Shtatë S, përsëri u vonua shpallja e tij Dëshmor i Atdheut.

Po ç’farë ndodhi me Hulësiun dhe djalin e tij, të dy partizanë?

Atij me të vërtetë i takojnë vargjet e këngës “Ç’është kështu dëshmorë me ju/ Vitet tutje e ju tëhu”. Sepse, sado vite që kaluan nuk e zbehën dhe as e fshehën dot të vërtetën ndaj Hulësi Dizdarit. Në moshën 43 vjeçare doli partizan së bashku me djalin e tij, Basharin, duke u rreshtuar në Brigadën e VII  partizane dhe lënë nga pas gruan, Myzejenin 35 vjeçare me 5 fëmijë. Për ta mbrojtur familjen e tij nga persekucionet e pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, e strehoi tek miku i tij në Fushë-Bardhë në familjen Çarçani. Myzejen Dizdari qe rrobaqepëse dhe u aktivizua duke qepur rroba për partizanët e Zonës së Parë Operative, kështu që rreshtohet si aktiviste e LANÇ-it. Data fatkeqe e Hulësiut do vinte më 15 korrik 1944 në luftimet e Therpelit të Skraparit. Dokumentet dhe dëshmitarët e kohës si dhe vet i biri, Limozi, thonë dhe flasin me ashpërsi se e vranë shokët prapa krahëve në pabesi. Ndaj vite më vonë deri në 5 maj 2020 ai u mbulua me heshtje. Limozi dhe miqtë bashkëkohës kanë sjellë një shembull si fakt për të argumentuar vrasjen e pabesë të Hulësiut. Ata thonë se para se të vritej Hulësiu, shtabi i brigadës e transferon djalin e tij Basharin për në Brigatën e 19 S. Ndoshta ka qenë pjesë e skenarit për të mos parë vrasjen e të atit. Bashari nuk deshi të ikte dhe qëndroi i fshehur nga partizanët në kundërshtim të urdhrit të firmosur nga zv/ komandant i shtabit të brigadës. Qëndroi dhe pa babain të vrarë në rrethana të dyshimta, ashtu si koha në vitet më pas do të vërtetonte këto dyshime të vrasjes së pabesë dhe pas krahëve. Por një fat akoma më i keq e ndoqi Basharin, të birin e Hulësiut dhe vëllain e artistit Limoz Dizdari, ndonëse ai kish dalë partizan që 15 vjeç. Çlirimi i Shqipërisë e gjeti 16 vjeçar. Në 1945 u hap shkolla “ Pionierët e Luftës”, e kadetëve dhe më pas u quajt shkolla “Skënderbej”. Kërkoi të shkonte të studionte në këtë shkollë, por nuk e çuan. Këtu fillon dhe kalavari i madh dhe fati që do t’i nënshtrohej pabesisë si i ati. Në vitin 1964 arrin të realizojë ëndrrën e tij për t’u arsimuar si ushtarak . Futet në shkollën ushtarake ku diplomohet me nota të shkëlqyera. E emërojnë në Shkodër. Por çuditërisht aty e lanë për pak kohë se në mënyrë qesharake e emërojnë n/drejtor të shkollës pyjore. E mori si tallje , por nuk e dha veten. Ç’farë i duhej shkollës pyjore një oficer i lartë? Diskriminim. Dhe më 19 janar 1970, pas kthimit nga Tirana ku qe dërguar të merrte mjete mësimore për shkollën si makete armësh me kallama bambu, shoferi gaboi dhe ndërroi rrugë, makina del nga rruga dhe përmbyset në Bunë. Shoferi ja doli mbanë, ndërsa Bashari humbi pa gjurmë e nuk u gjet kurrë më. Artisti Limoz Dizdari na thotë se për neve dhe vet logjikën, vëllain na i vranë. As për ngushëllim nuk na erdhi njeri. Vajta vet, vijon Limozi, në Ministri të Mbrojtjes. Takova Dilaver Poçin. I thashë pse kjo heshtje nga Ministria dhe komanda. Pse nuk bien as pagën e tij tek familja, as edhe një gjë a send të tija që ka lënë këtu. Përgjigja e Dilaver Poçit qe e thatë dhe plot enigma. Ka një rregull,-më tha,-që për ushtarakët që nuk u gjendet trupi, nuk lejohen ceremoni. Me kaq u ndamë. Por dua të shtoj edhe një fakt tjetër. Dikur në vitin 1963-1964, ka qenë një n/kolonel i Ministrisë së Brendshme, Haxhi Hajdari. Ky qe edhe deputet i Malësisë së Madhe. U ngujua në një shpellë dhe nuk e kapnin dot. U detyruan ta qëllojnë me top. U caktua Bashari si artiljer i zoti dhe i besuar i partisë si anëtar i saj që 15 vjeç. Kjo është e gjitha historia e Hulusi dhe Bashar Dizdarit mes enigmave dhe pluhurit të heshtjes. Kohë më parë ai i është drejtuar kryeministrit Rama të mbrojë vlerat kombëtar se edhe Qendra Kulturore “DEA” e Ksamilit është e tillë dhe nga mbi 140 të tilla që u trashëguan nga sistemi socialist, sot vetëm kjo ekziston me një funksion të tillë. Artisti Limoz Dizdari, me rastin e shpalljes së babait të tij dëshmor, ka marrë shumë urime dhe vlerësime. Ai mes një letre publike u jep falënderimet atyre që mbi emrin e babait të tij, vunë kurorën e lavdisë dhe lulet e krenarisë mes fjalëve si nderim.

LETRA:

“ Dje në FB të bashkëshortes sime, Adrianës, lexova mirëkuptimet shpirtërore të një grupimi të shumtë njerëzish që me fjalë të zgjedhura shpirti, me rastin e 5 majit më uronin për vlerësimin e Hulësi Dizdarit, babait tim, si Dëshmor i Atdheut, i vrarë në LANÇ nga vet shokët e tij të Brig. 7-të S. Ishte me të vërtetë shumë emociononte për mua ky gjest spontan i  Adrianës që mori një vlerësim të posaçëm të një rrethi të gjerë njerëzish, që matanë brengës që na ka shoqëruar, të gjej frazën dhe fjalën e duhur t’u falenderoj të gjithëve për gjestin tuaj fisnik që flet shumë e më shumë nga sa thotë…I mësuar me urdhrin të mos flisja e as të komentoja, ju të dashur miq e njerëz të mirë, me të cilët bashkudhëtoj, u bëtë në këtë 5 maj shumë të zhurmshëm, me dritë dhe me emocion. Një jetë kam heshtur e kam buzëqeshur. Nëna ishte zmadhuar. Ishte baba , ishte dhe nënë. Ishte nënë e butë, por duhej të ishte dhe e fortë. Ajo që më ka habitur më shumë në gjithshka tek ajo grua, ka qenë përgjigja e pyetjes se, si ka përballuar tërë atë trysni të ushtruar nga e liga: Nga familja e saj prej 6 personash, nga të cilët tre veta dolën në mal për të qenë zot në vendin e tyre; ajo vet, burri i saj dhe djali i madh, Bashari, burrin ja vranë, djalin ja zhdukën, atë vet e mbuluan me heshtje. E sikur të mos mjaftonin këto, në ditët e fundit të luftës i vranë edhe djalin e xhaxhait, Nebil Çikën, ku është rritur si e mbetur jetime që i dha emrin Myzejen dhe emri i përkushtohet “Pou-pai” e që të gjithë kështu i flisnin Pepe-kukull. Edhe kur u rrita i flisja kështu nënës dhe nuk mendoja se sa ironik kish qenë fati i jetës së saj me të, por lumturohesha se xhaxhai i saj i mirë, Nuredini, e trajtonte mbesën e tij të dhimbsur si kukull, pa menduar se jeta e saj më shumë do t’i ngjante në fatin e jetimit e pothuaj asfare me atë të ëndërrimtares që dhe pse i flisnim Pou-pai—Pepe—kukull, ajo e jetoi jetën si jetime. Çdo fjalë falënderimi për ju, o njerëz të mirë, është e vobektë të shprehë respektin tim që kam. Ju jam mirënjohës. ..!  Ju me siguri e thatë me këtë rast nderimin dhe respektin, dhe unë do ju dua më shumë kur lexoj shpirtin e atyre që vlerësuan këtë akt shumë të vonuar dhe zunë një hapësirë të gjerë përfaqësimi shoqëror. Ju falënderoj shumë e plot brengë të gjithë juve kolegë kompozitor, artist, nga do që vini me urimet tuaja nga vendet e shumta e të ndryshme të botës. Me kënaqësi të falënderoj, o mikja ime Hebraike e mençur, e talentuar dhe plot virtyte me bollëk. Falënderoj të gjithë ju ushtarakë që fati na afron shumë me njëri-tjetrin e që na imponojnë të bëjmë vazhdimisht pyetjen “…Po nesër…???”. Ju faleminderit shumë juve të nderuar diplomat, politikanë e njerëz të thjeshtë, të qartë e të kthjellët që më uroni me shpirt për këtë vlerësim të vonuar…të vonuar shumë nga shteti im apo juaji, që edhe pse i tillë, vrastar, i papërgjegjshëm, i heshtur e pa zë e të kuq në fytyrë, u mundova të këndoja, jo pa sukses…nuk isha i vetëm, kishte shumë të tjerë hallexhinj, por ngushëllohem se dhe bylbylat që këndojnë në zabelet e këtij vendi e të këtij populli, janë bashkë. Me siguri, të gjithë ju që po ju kthej falënderimin, bëni të njëjtën pyetje: “Po nesër…?” Ju pyesni se do të jetë nesër ai njeri që do të respektojë datën e respektimit të të rënëve të gjeneratës së re? A do të jetë i ndërgjegjshëm e i virtytshëm, patriot si Ismail Qemali, apo oligark e i pasur, i shitur apo i importuar, i veshur me kostume të kushtueshme e me makina jashtë serie? Sidoqoftë, 5 maji, kjo ditë me dritë e me dhimbje njerëzore, është një pikë referimi e popujve, por jo e qeverive antikombëtare. Dita e Dëshmorëve as nuk mësohet e as nuk diktohet, ajo është vetëm pjesë e një ndërgjegje të madhe kombëtare. Unë e di mirë dhe dua t’u bëj me dije se vlerësimi i Hulësiut është vetëm një akt administrativ që pothuaj nuk ka asnjë vlerë sa kohë që fakti i së vërtetës vazhdon të dergjet nën dhe’ duke mbajtur peshën e baltës më të rëndë të kohës dhe vlerën e njeriut si jo ndonjëherë. Përsëri, sidoqoftë, 5 maji si Dita e Dëshmorëve dhe afrimi i njerëzve rreth kësaj date, pavarësisht shkakut, është një vijë kufiri ndarës midis së mirës dhe së keqes, midis atyre që e duan vendin dhe shkojnë me qejf në luftë për të mbrojtur familjen dhe atdheun dhe atyre që shesin lehtësisht interesat e vendit në këmbim të sigurimit të një vendi diku poshtë instinktit të një lope a të një kali të përkëdhelur përditë nga parfumet që përdoron ajo zonë e vendqëndrimit të tyre…Me respekt Limoz Dizdari, Ksamil, maj 2020”.