Bashkim Koçi: Akademiku Teki Tartari, kontributi i tij në fushën e shkencës së zooveterinarisë dhe gjenetikës

458
Sigal

“Shkenca kërkon nga njeriu gjithë jetën e tij. Edhe po të kishit dy jetë, ato nuk do të mjaftonin. Shkenca kërkon nga njeriu tendosje të madhe dhe pasion të madh.”Teksa citoj këtë thënie të nobelistit të parë rus në shkencën e fiziologjisë, Ivan Pavlov (1849-1936), më shkon mendja te shkencëtari ynë punëshumë i fushës së zooteknisë dhe gjenetikës, Akademik Teki Tartari. Ai ka qenë njëkohësissht pedagogu im në vitet 1967-1971 në Institutin e Lartë Bujqësor (Sot UBT), por atë çka më del nga shpirti e që nuk nguroj ta them, është fakti se Prof. Teki Tartari qëndronte shumë më lartë se të tjerët, madje ishte kjo arsyeja që ne studentët të mbanim “distancë” ndaj tij, në kuptimin që nuk bëhej “shaka” me të sepse e dinim që kishim përballë një njeri serioz e të ditur.

“Për çka Akademik Teki Tartari ka dhënë në fushën e shkencës së zooveterinarisë dhe gjenetikës, meriton të radhitet me ata që hodhën themelet e shkencës në blegtorinë shqiptare si Bilal Golemi, Vasfi Samimi, Jani Vreto, Kristaq Vavako, Masar Dervishi, Vasil Tagari e shumë të tjerë më pas.”

Formimi arsimor e shkencor i Teki Tartarit ka ndjekur rrugën e atyre që kanë për pronë gatishmërinë përtë rrezikuar e që të mund të shkojnë shumë larg, por edhe që synojnë të zbulojnë se sa larg mund të shkojnë. Teki Tartari lindi në fshatin Vranisht të Vlorës më 16 janar të vitit 1933. Arsimin fillestar e mori në fshat, ndërsa 7-vjeçaren e mbaroi në qytetin e Vlorës. Në vijim, për t’u arsimuar edhe më tutje,  i doli e drejta për të studjuar në Teknikumin Bujqësor të Tiranës, shkollë që e përfundoi me rezultate të shkëlqyera falë edhe ekipit mësimdhënës, të cilët vinin aty të përgatitur në shkolla prestigjioze të Perëndimit. Po më tej? Kjo pyetje për djalin nga Vranishti, Teki Tartarin, e merrte përgjigjen  nga vet ai, nga karakteri i tij i vendosur e që përmblidhej në fjalët  “në se më jepet e drejta për studime të larta, kush është ai që do të më ndalojë të shkoj atje”?!

Ishin vitet kur vendi ynë vuante për specialistë të të gjitha fushave, por kishte nevoja shumë të ngutëshme edhe për ata të fushës së bujqësisë, gjë që shteti i atëhershëm, me politikat e tij për të bërë përmbysje të mëdha, mbështeti fuqishëm reformat për t’i dhenë shtysë përparimit bujqësor e blegtoral.Më prioritarja ishte dërgimi i djemve e vajzave për të studjuar në të gjitha specialitetet në shkolla të larta me emër të Evropës. Teki Tartarit i ndriti fati, si dhe shumë të tjerëve, për të vazhduar studimet në fakultetin e Zooteknisë pranë  Akademisë të Shkencave Bujqësore “Gjergj Dimitrov” në Sofje, të cilin e përmbylli me rezultate të shkëlqyera. Eshtë vendi të sjellim këtu faktin se studenti nga Shqipëria, Teki Tartari, mori guximin  që krahas fakultetit të Zooteknisë të vazhdonte, paralelisht, një fakultet të dytë, atë të Filozofisë. Ishte viti 1955 kur Teki Tartari, ashtu si ata trimat që mbajnë në brez dy kobure, u bë të kthehej në Atdhe me dy diploma.

Ishte rast i veçantë që studenti i porsa diplomuar të ishte përzgjedhur qysh më përpara për të filluar punën si pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor, në shkollën tonë të parë të lartë, e cila kishte vetëm 5 vjet që ishte çelur. Në pozicionin e pedagogut qëndroi për një kohë të shkurtër, por edhe pse nuk iu dha kohë të “ngrohte” as karrigen e pedagogut, ai dha shenja pozitive, të një intelektuali me vizion, që ishte i aftë për të kryer detyra më të larta. Sigurisht që ishte shumë i ri, rreth 24 vjeç, kur u caktua në detyrën e Dekanit të Fakultetit të Zooteknisë.

Aftësi e njeriut, i cili është i përkushtuar për të bërë shkencë, është të shikojë aty ku nuk ta kap dot as syri e as veshi, pra atë që konsiderohet e panjohur. Kjo për Teki Tartarin ishte dhunti më vete. Në vitet ’60, kur ishte pedagog dhe njëherësh dekan  Fakultetit të Zooteknisë,  realizoi dhe zbatoi në leksionet e tij me studentët metoda të përparuara mësimdhënjeje, duke kaluar në analiza të përgjithëshme bashkëkohore, të pa aplikuara deri atëherë në auditorët mësimdhënës të atij Instituti. Mbaj mend që ai ishte talent për aftësitë që kish kur zhvillonte leksionet në lëndën e gjenetikës. Leksionet i bënte të ishin të kuptueshëm dhe që të bënin të futeshë në brendi të çështjeve për shkak të argumentimit shkencor. Në auditorët ku jepeshin leksionet, në laboratorët shkencorë, në stallat ku rriteshin e mbarshtohej gjedhi, Prof. Teki Tartarin e kanë ndjekur më shumë se 20 mijë studentë.

Prof. Teki Tartari kishte lidhje të pazakonta me jetën jashtë auditoreve. Ai jetonte “në simbiozë” me atë çka ndodhte në prodhim. Nga ajo ç’ndodhte në jetë, aty ku mbarshtohej gjedhi për qumësht apo për prodhim mishi, ai nuk hedhte poshtë asgjë. Gjithçka e shikonte me syrin e studiuesit, të shkencëtarit, me mendimin që faktet t’i merrte dhe t’i  përpunonte sipas mënyrës së vet, duke ballafaquar kështu teorinë me praktikën.

Mendja e fuqishme dhe produktive e tij dallohej pikërisht nga një forcë e brendëshme që i jepte mundësi për të mos iu nënështruar pikpamjeve dhe sistemeve të gatshme në blegtori. Dhe me këtë intensitet të menduari e vepruari, në vitin 1962 mbrojti i pari në vendin tonë desertacionin me temë: veçoritë biologjike dhe ekonomike të lopëve të vendit dhe për kryqëzimin e tyre me rracën me tregues të lartë, Xhersej. Prof. Teki Tartari, falë intuitës së tij si studiues, ish i bindur se kish të bënte me një rracë që përshtatej lehtësisht me kushtet klimatike të vendit tonë. Për më tepër qumështi ishte produktiv dhe cilësor. Shumica e individëve të Xhersit, sipas studjuesit Teki Tartari, jepnin 13 herë më shumë qumësht se pesha trupore në një periudhë laktacioni.

Prof. Teki Tartari njohuritë  e tij i kish të gjëra dhe të thella teorikisht, por edhe të lidhura me përvojën dhe punën shumëvjeçare në terren. Atë e gjeje aty ku çdo gjë ishte e thjeshtë dhe e pastër, por edhe ku mund të gjeje mjedis për të nxjerrë përfundime të sakta shkencore. Ishte mundi dhe kujdesi i tij që gjërat të merrnin drejtimin e duhur dhe vet ai të bëhej kompetent dhe ditur. Po sjellim një fakt nga puna e tij plot pasion  si shkencëtar dhe si gjenetist. Më 1967, vit kur u zhvillua Konferenca Kombëtare për mbarshtimin e lopës, bashkë me Prof.Andrea Shundin dhe zooteknikun me emër të madh për kohën,  Ahmet Çelon, shkuan në trevën e Dukagjinit për të parë  e studiuar në vend treguesit gjenetikë të rracës së lopës të vendit e që rritej në zona të thella malore.

Ishte ky autoritet shkencor që një ditë do t’i besohej të drejtonte teknologjinë për ngritjen e kompleksit më të madh dhe më modern të kohës me një mijë krerë lopë të rracës Laramane e zezë të Kamzës. Në vitin 1872,  Prof. Teki Tartari mori emërimin si drejtor i Institutit të Zooteknisë në Tiranë (1972-1975), institucion me shumë përgjegjësi dhe që i duhej të investonte të gjithë aftësitë e tij si drejtues e si shkencëtar. Pas 6 vitesh, më 1978, falë pjekurisë dhe bagazhit të akumuluar gjatë jetës me  punë sistematike për të bërë shkencë, arriti të themelonte Institutin e Biologjisë (1975-1978) mbi parime e metoda tekniko-shkencore të kohës, duke qenë edhe drejtor i këtij Instituti.

Specialisti i shquar i gjenetikës dhe i blegtorisë shqiptare, pedagog me botëkuptim perëndimor, Prof. Teki Tartari, kontributin më të madh e ka dhënë në fushën e botimeve. Për çka ai ka dhënë në fushën e shkencës së zooveterinarisë dhe gjenetikës, meriton të radhitet me ata që hodhën themelet e shkencës në blegtorinë shqiptare si Bilal Golemi, Vasfi Samimi, Jani Vreto, Kristaq Vavako, Masar Dervishi, Vasil Tagari e shumë të tjerë më pas.

Detyra e shkencës është t’u shërbejë njerëzve, ka thënë Leon Tolstoi. Prof. Teki Tartari, i bindur se në veprimtarinë e tij teorike dhe praktike, bënte më të mirën e mundëshme, forcat më të mëdha intelektuale ua kushtoi botimeve në fushën e gjenetikës. Ai është autor i tekstit “Gjenetika” të përmirësuar e ribotuar disa herë (1961, 1967, 1972, 1984), “Hibridizimi për prodhim mishi në gjedhë, dhen e shpendë” (1984), “Gjenetika e tipareve sasiore” (1987), “Transformimi gjenetik i kulturave bujqësore” (2002, bashkautor) dhe i librit “Rritja e gjedhit” (1964, bashkautor).Në vitin 1996, vit kur u botua libri “Historia e Bujqësisë dhe e Agroindustrisë Shqiptare”, Akademik Teki Tartari dha një ndihmesë të jashtëzakonëshme. Në këtë rrjedhë të punës së tij shkencore ka studiuar dhe zbatuar në praktikën blegtorale të vendit kryqëzimet për prodhimin e qumështit tek lopët dhe kryqëzimet industriale për prodhim mishi tek gjedhët e dhentë, për krijimin dhe përhapjen e grurit transformant në disa mijëra ha.

Teki Tartari është një nga figurat më të spikatura, jo vetëm për kontributin në shkencën bujqësore shqiptare, por dhe në përgatitjen e brezave të tërë specialistësh të rinj dhe në modernzimin e prodhimit bujqësor e blegtoral. Si njeri me kulturë të lartë, dhe që ponoi me shumë dashuri në profesionin e tij, është nderuar e vlerësuar si një dijetar i nivelit të lartë i fushës së bujqësisë. Në vitin 1985 iu dha titulli Profesor, ndërsa 12 vite më pas, në vitin 1988, iu dha titulli Akademik, duke u radhitur krah dy personaliteteve të tjerë të bujqësisë, Zef Kakariqit, Ahmet Osjes dhe akademikut më të ri, Nazmi Gruda.

Prof. Teki Tartari është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”, ka marrë titullin “Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës” dhe “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë.