Ago Nezha: “Traktari i origjinës shqiptare” i Çlirim Hoxhës

543
Sigal

Autori i librit “Traktati i origjinës të shqiptarëve” Çlirim Hoxha, është një marathonomak që ka rendur në labirinthet e disa fushave të dijes duke prekur  historinë e shkruar e të dokumentuar, arkeologjinë, muzeologjinë, akropologjinë, gjuhësinë, letërsinë, filozofinë, epikologjinë, memoristikën e gdhëndjes në gur dhe në dru, burimet  nga antikiteti, ritualogjinë, etnografinë, gjeografinë, gojdhanat, ritet, zakonet, tregimet gojore. Ky studim dhe hulumtim multidimensional i ka çelur autorit autostradën për ta parë historinë nga shumë këndvështrime dhe dritare që kanë ndriçuar disa dritëhije të origjinës së shqiptarëve dhe gjuhës shqipe. Metoda që ka përdorur studiuesi Hoxha, është sa dialektike aq dhe racionale nëpërmjet vjeljes së fakteve konkrete historike, krahasimit, ballafaqimit dhe interpretimit shkencor. Pasi ka grumbulluar materialin historik identitar ka ndjekur rrugëtimin analitik mbi bazën e fakteve që ka grumbulluar nëpërmjet literaturës të autorëve të lashtësisë, e deri në ditët e sotme.  Historia e Europës, e veçanërisht e Ballkanit është shkruar sipas përkatësisë së më të fortit dhe më të privilegjuarit nga fuqitë e mëdha që kanë ushtruar diktat dhe kanë bërë ligjin sipas preferencave të liderëve, duke shtrëmbëruar shumë burime nacionaliste që kanë deformuar historinë dhe heroikën e vëndeve të ndryshme.

Shqetësimi i autorit në vizionin e tij historik është që të ndriçohet e vërteta në gadishullin e Ballkanit për shumë mistere të qytetërimeve të hershme, origjinës dhe  prejardhjes së kombeve, të gjuhës dhe shumë personaliteteve historik që janë  manipuluar, përvetësuar dhe pronësuar nga fqinjët tanë jugor Greqia dhe ata verior Serbia. Përpjekja dhe investimi që ka bërë autori duke ju ngjitur piramidës të së vërtetës nëpërmjet një analize shkencore duke ju referuar dokumenteve arkivore dhe autorëve të huaj albanalog dhe studiues kontaporanë, ka prodhuar një realitet të ri historik për shumë të panjohura dhe është një kontribut që meriton të vlerësohet,të pasurohet dhe interpretohet nga studiues të tjerë. Autori  synon të zgjoi ndjenjën kombëtare të studiuesve tanë se historikisht ne shqiptarëve na është mohuar, përvetësuar dhe shtrëmbëruar padrejtësisht origjina jonë pellazgjike dhe lavdia e njerëzve të shquar në shekuj. Për t’u dhënë përgjigje shumë dilemave nëpër të cilën kalon origjina e shqiptarëve autorit i është dashur që të rrëzoi perandorinë greke që ka ngritur kështjella për të errësuar lashtësinë e popullit tonë. Nuk ka qënë e lehtë. Është dashur të shfletoi shumë vepra të historianëve të shquar nga shumë vënde të botës, si dhe të grumbulloj materiale dokumentare që e përligjin me argumente origjinën e shqiptarëve dhe gjuhës shqipe. Falsifikimii historisë së shqiptarëve dhe manipulimi dhe fabrikimi i origjinës së Greqisë si kombi me prejardhje nga antikiteti e ka detyruar autorin që të vërtetoi se grekët e vjetër nuk ishin popull autokton i Greqisë veçse një popull pellazgo ilir. Grekët me strategjinë e tyre uzurpatore kanë kërcënuar identitetin e shumë hyjnive, heronjve, mitologjive, perëndive dhe historive të luftrave për liri dhe pavarësi. Autori sjell në kujtesë të lexuesit faktet historike ku mesjeta si epokë e errësirës mbuloi shumë të vërteta që kishin të bënin me prejardhjen e grekëve dhe shqiptarëve. Dihet se revolucioni i 1821 u udhëhoq nga figura të shquara arvanitase. Pas fitores së revolucionit ku lindi shteti grek, prijsat,  kapedanët arvanitas deshën që të vendosnin si gjuhë zyrtare shqipen, ose dy gjuhësinë shqip-greqisht. Por ndikimi i shtetit osman që e kishin nënshtruar dhe privuar Shqipërinë nga çdo e drejtë humane nuk lejonte që të kishte asnjë atribut historik, gjuhësor dhe identitar. Ky nënshtrim i shqiptarëve nga perandoria osmane hapi rrugën Greqisë që të manipuloi historinë për interesa e veta meskine. Për të vërtetuar prejardhjen e shqiptarëve nga pellazgët, autori ka cituar rilindasit tanë të shquar duke filluar nga Sami Frashëri, Jeronim De Rada, Xhuzepe Kripsi, Faik Konica etj. Por këtë hipotezë e kanë studiuar dhe ligjëruar dhe shumë studiues shqiptar dhe të huaj, si Profesor Spiro Konda ka një kontribut të vyer shkencor të kësaj teorie, e pasuar nga Nermin Vlora Falaski, Dhimitër Pilika, Shaban Demiraj, Aristidh Kola, Edmond Pinguli, etj.  Studiuesi Hoxha në morinë e referimeve të albanologëve të huaj një vëmëndje të veçantë ka treguar për kontributin e shquar që ka dhënë arbëreshi Xhuzepe Katapano, duke cituar interpretimet e tija shkencore, i cili mbetet i vetmi albanolog që studjoi në themel prejardhjen e racës shqiptare nga pellazgo-ilirët. Në analizën e tij dialektiko-shkencore, u orientua nëpërmjet krahasimit të materialit shkencor duke ju referuar shumë gjuhëve të lashta në të katër anët e globit. Profesor Katapano hedh poshtë apo përmbys traditën shkencore që e paraqet qytetërimin nilotik si një fryt kryqëzimesh mes katër racave. Duke u ndalur tek etimologjia e emrit të Thot-it, Profesor Katapano shpjegon se emri përkon me kuptimin e vet burimor: thot, veta e tretë e të tashmes dëftore të foljes shqipe them, thua, thot’. Thot- i, sipas Profesor Katapanos është krijuesi i hieroglifeve. Ai e ka ndërtuar alfabetin hieroglifik fonetik,  të piramidave të Egjyptit duke pasur si çelës gjuhën shqipe pellazgo-ilire.

Autori në librin e tij ka një shtrirje të gjërë dhe rrok një mori çështjes që kanë të bëjnë me  mite, perëndi dhe heronj antik. Aty trajtohen mitet e orakullit të Delfit dhe të Dodonës, që janë të patolerueshëm kur flitet për shumë nga çështjet e interpretimeve historike, mitike, qytetëruese, mbi të vërtetat e kësaj periudhe. Gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare shumë filozofë të kësaj periudhe hodhën hipoteza dilematike. Një version që i përkon shekullit të XX-të thotë se: Dodona, ose njëra prej disa Dodonave që kanë ekzistuar, ndodhej në Malin e Tomorit në Shqipëri. Kjo hipotezë interpretohej se ka të bëjë me përqasjen e Malit Tomar të Epirit me emrin Tomorr të Shqipërisë, për të cilin ka dhe shumë legjenda për praninë e një orakulli në të. Rilindasi ynë i shquar Jani Vreto në veprën e tij “Apologjia”, botuar në vitin 1878 thotë se: “Nga të dhënat e autorëve antikë rezulton që kanë qenë shumë Dodona”. Kështu Dodona e mirëfilltë ndodhet pranë Janinës, ndërsa Dodona që ndodhet në Tomorin Shqiptar në Berat, është ajo që përputhet me Psyka Dodonën (Dodonën e ftohtë) që është përshkruar nga Homeri. Edhe studiuesi tjetër shqiptar i gjysmës së parë të shekullit të XX-të, Mehdi Frashëri, ka hedhur idenë se kanë ekzistuar dy Tomorë dhe dy Dodona. Njëra në Malin e Tomorit të Beratit dhe tjetra midis Malësisë së Çamërisë dhe Pellgut të Janinës, në krahinën e quajtur dikur me emrin Hellopia (Dodona e sotme). Këtë tezë e përligj edhe studiuesi arvanitas Aristidh Kola, në veprën e tij  “Arvanitasit dhe prejardhja e Grekëve”, ku thekson se Dodona, ajo e madhja duhet kërkuar në Malin e Tomorit në Shqipëri, aty ku ruhet edhe sot e gjallë tradita e orakullit të famshëm.

Studiuesi Hoxha ka trajtuar dhe luftën e Trojës sipas veprës madhore të Homerit “Iliada”. Sipas hulumtimeve të tij hedh hipotezën se Troja nuk ka si vendbanim Azinë e Vogël duke hedhur disa variante që duhen provuar shkencërisht.  Një tjetër trajtesë interesante është dhe  lidhja Etruskëve me pellazgo-ilirët. Autori me të drejtë citon argumentet që sjell Nermin Vlora Falaski në veprën e saj  mbi Etruskët. Në tërë studimet e albanologëve të huaj rezulton se pellazgët janë një nga popujt më të lashtë, që për rrjedhojë trakasit, frigasit, lidët, karientët, etruskët, epirotët, italiotët dhe shqiptarët e sotëm të domenit të lashtë pellazg. Pellazgët kanë pasur një shtrirje të gjerë deri në gadishullin Apenin, që çon deri në substratin e lashtë etrusk. Herodoti, autor i njohur i lashtësisë ka shkruar se: “Etruskët flisnin gjuhën e një populli të lashtë, që jetonte në krahinën e Mesdheut para ardhjes së grekëve”, gjë që tregon se etruskët ishin pellazgë. Duke qenë toskë, ku jetuan etruskët u quajt Toskanë, për të cilën flet Seneka, ndërsa gjuhën e tyre e shënon edhe Tit Livi, ku shkruan: “Kam arësye të besoj se në atë periudhë, fëmijëve romakë u mësohej letërsia etruske, ashtu siç u mësohet sot ajo greke”. Homeri te vepra e tij madhore “Iliada”, jep shumë shpjegime me fjalë pellazge që sot i gjejmë te gjuha shqipe siç janë fjalët:  Pyll, Mal, Gur, etj.

Autori Çlirim Hoxha, në rrugëtimin e tij në labirithet e historisë duke startuar nga pellazgët, ilirët, dardanët dhe duke ardhur te shqiptarët e sotëm, nuk mund të anashkalonte dhe shumë figura historike,  siç është dhe Aleksandri i Madh, për të cilin ka shumë deformime të vendorigjinës së tij me prejardhje, sllavomaqedonase, greke apo shqiptare. Po të shfletosh shumë vepra të autorëve të huaj dhe shqiptar dhe biografëve të dëgjuar, që autori i ka cituar në ligjëratë të drejtë, do gjesh të vërtetën se Aleksandri i Madh e ka prejardhjen prej të atit Filipit të dytë dhe prej të ëmës Olimpisë. Pirrua i Epirit e quante veten trashëgimtar të Aleksandrit të Madh. Heroi ynë kombëtar  Skënderbeu, e quante Lekën e Madh udhëheqësin e tij shpirtëror. Mbreti Zog, jo rastësisht i vendosi monedhës shqiptare emrin Lek, ku ishin të pasqyruar në faqet e monedhës fytyra e Aleksandrit të Madh. Pirron e Epirit, Herkulin dhe stërgjyshin e tyre Akilin. Autori e ka argumentuar dhe ilustruar me shumë fakte të autorëve të huaj në periudha të ndryshme që vërteton prejardhjen e origjinës ilire të Aleksandrit të Madh.

Në librin “Traktati i origjinës së shqiptarëve” autori Çlirim Hoxha, ka trajtesa që prekin shumë arterie të lashtësisë së origjinës së shqiptarëve, duke startuar nga pellazgët, ilirët, etruskët e gërshetuar me maqedonasit, grekët, dardanët dhe trojanët duke iu referuar gjuhës shqipe si mëma e shumë gjuhëve indoevropiane.

Ky libër është një kontribut që parashtron shumë fakte dhe teori që shërbejnë për studiues e historianë të kohës së sotme dhe të nesërmen për t’u thelluar dhe interpretuar dokumenta arkivore të huaja dhe vendase si dhe literaturën e shumë studiusëve që qarkullon në biblioteka të pasura të botës.

Autori ka bërë një punë të lavdërueshme hulumtuese dhe studiuese disa vjeçare që meriton të përshëndetet dhe përgëzohet nga klasa e historianëve dhe më gjerë.