Qeveria i jep SPAK e BKH  akses të plotë të kontrollojnë llogaritë bankare për lëvizje të parave të dyshimta

193
Sigal

Kur kanë kaluar 6 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit për krijimin e regjistrit me llogaritë bankare në Shqipëri, qeveria miratoi në mbledhjen e fundit edhe rregulloren se si do të sigurojnë informacionin institucionet që do të kenë akses. Sipas vendimit të miratuar, SPAK apo institucionet e tjera, do të duhet të dorëzojnë një kërkesë në drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Kjo e fundit, do të gjenerojë një llogari online dhe kodin me të cilin do të futen personat e ngarkuar në institucionet përkatëse. Informacioni do të jetë kryesisht i pafiltruar dhe do të gjenerohet online, por sipas ligjit, duhet të mbahet sekret. Kodet hyrëse nuk mund t’u bëhen të ditur personave të tretë, të ndryshëm nga përdoruesit.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, garantojnë funksionimin normal, pa ndërprerje të Regjistrit Qendror të Llogarive Bankare. Subjektet që do të kenë akses janë: Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Prokuroria e juridiksionit të Përgjithshëm, SPAK, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Byroja Kombëtare e Hetimit, Shërbimi Informativ i Shtetit, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoritë e Taksave dhe Tarifave pranë njësive të vetëqeverisjes vendore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Subjektet e interesuara nuk kanë kufizime në numrin e personave që mund të autorizohen për të patur akses në regjistër, por kanë kufizime në kategorinë e punonjësve që mund të autorizojnë.