Flet Bujar Kapexhiu/ “Nderi i Kombit” rrëfen karierën  që nis para 6 dekadash tek “Hosteni”

439
Sigal

 

Politikanët, karikatura e parë kundër ‘imperializmit’, dhe pse e kujtoj me nostalgji rolin e parë të Bepinit tek “Dueli i heshtur”

 

Nderi i Kombit” BUJAR  KAPEXHIU: I lutem Zotit, që tabelën “Stop” ta vendosë sa më larg

Fillim të vërtetë unë quaj çastin kur, për herë të parë, hyra në redaksinë e revistës “Hosteni”, rreth 6 dekada më parë

Karikatura e parë që kam botuar në shtyp para 54 vjetësh, ka qenë një karikaturë politike, ku një grusht i stërmadh me mbishkrimin“populli”, godiste “imperializmin amerikan”

-Pothuajse të gjithë politikanët që unë kam fiksuar janë shokët e miqtë e mi

“Dueli i   heshtur” starton rolin e parë me personazhin e Bepinit që e kujtoj me nostalgji

Batutat e tij edhe sot e kësaj dite përdoren në biseda të ndryshme dhe mjedise argëtuese.

– Të them të drejtën edhe unë e kam ëndërruar Perëndimin, por asnjëherë nuk kam menduar për t’u arratisur

Fadil Shehu

Dhe pse vitet ikin, aktori, regjisori, karikaturisti, skenaristi “Mjeshtër i madh” Bujar Kapexhiu, mbetet sërish po ai, siç e kemi ndjekur me ëndje në rrugëtimin e këtyre gjinive të artit. Me të folurën e tij, që për të bërë bisedën më të këndëshme, përdor dhe pak “kripë”, nuk e ke aspak të vështirë  të depërtosh në bujarinë dhe çiltërsinë, që ai të ofron.

  1. Bujar, jeta juaj në art është përshkuar në një udhëtim maratonë 50-vjeçare, sidomos në gjininë e karikaturës. Si është fillimi i kësaj rruge deri në botimin e albumit të fundit “To Europe”?

Fillimet e krijimtarisë si karikaturist kanë qenë qysh në bankat e shkollës. Aty kishim një gazetë muri, ku me shkrime të ndryshme nxënësit trajtonin problemet e mësimit, frekuentimit dhe sjelljes në shkollë. Mbaj mend se karikatura që kishte më shumë sukses, ku të gjithë nxënësit gajaseshin së qeshuri, ishte portreti bullafiq e me mustaqe i një gjenerali, babai i shoqes sime të klasës. Edhe mësuesit, kur futeshin në klasë për të zhvilluar mësimin, qeshnin me vizatimin dhe më tej, me një buzëqeshje, urdhëronin që të pastrohej dërrasa e zezë, duke përqëndruar shikimin qortues drejt meje. Karikatura e parë që kam botuar në shtyp para 54 vjetësh, ka qenë një karikaturë politike, ku një grusht i stërmadh me mbishkrimin “populli”, godiste imperializmin amerikan dhe social- imperializmin  sovjetik, sipas ideologjisë dhe kërkesave të kohës. Me sa duket, kjo karikaturë ka paralajmëruar që në vazhdimësi të krijimtarisë sime, në qendër të saj do të jetë karikatura politike, e botuar në shtypin periodik të kohës. Fillim të vërtetë unë quaj çastin kur, për herë të parë, hyra në redaksinë e revistës “Hosteni”, e vetmja revistë prestigjioze humoristiko–satirike. Trokita në derën me tabelën “karikaturistët” dhe dorëzova vizatimin e parë me ngjyra. U botua menjëherë. Kjo karikaturë ka qenë me dy figura. Një djalë dhe një vajzë që bënin këtë dialog:

Djali:  Unë ju dashuroj!

Vajza:  Në zemrën time nuk  ka vend për ty.

Djali:  S’ka gjë, rri edhe në këmbë.

Kështu me radhë, karikaturat ndoqën njëra-tjetrën, duke paraqitur problematikën e kohës, brenda gardhit të realizmit socialist që rrethonte fushën e artit komik. Sot që po ju jap këtë intervistë, janë botuar disa libra me karikatura si ilustrime të teksteve letrare humoristike dhe satirike, tre libra me karikatura politike dhe dy albume me ngjyra. Albumi i fundit është “To Europë”, ku përmblidhet vetëm krijimtaria që pasqyron me humor marrëdhëniet e personaliteteve politike europiane dhe amerikane me politikën shqiptare. Është një botim interesant, origjinal, që është pritur me lëvdata nga të dyja palët, ndërkombëtarët dhe politikanët shqiptarë, gjë që mua më ka dhënë një kënaqësi të veçantë. Aty pasqyrohen marrëveshjet, mosmarrëveshjet, sukseset, dështimet, dredhitë, prapaskenat, përplasjet, këshillat, ultimatumet, vërejtjet, kritikat, përqafimet dhe braktisjet. Nënë Tereza thotë: “Paqja vjen me buzëqeshje.”.

Sa i vështirë ka qenë për ju depërtimi në udhët e mistershme të kupolës politike, në “barkun” e së cilës deputetët “gatuajnë”… politikë?

Si çdo krijimtari në jetën e njeriut, edhe karikatura, si gjini e artit figurativ, ka vështirësitë e veta, fillimisht për të kapur thelbin e fenomenit, të ngjarjes apo të situatës. Ta zbërthesh atë duke e këqyrur në këndin humoristik apo satirik, duke i veshur asaj mjetet origjinale artistike që godasin, tallin apo bëjnë qesharak këtë subjekt. I vështirë është hapi i parë, ai që vendos e merr drejtimin drejt politikës. Më tutje kapja e problemeve, këndvështrimi humoristik apo satirik, përpunimi artistik dhe paraqitja për lexuesin në shtypin e përditshëm, bëhet e zakonshme deri në rutinë. Veprimtaria politike është një thesar idesh, faktesh, problemesh, dukurish, subjektesh, fenomenesh, ngjarjesh e personazhesh që sillen rrotull tyre, aq sa e ke vështirë të zgjedhësh e të vendosësh se me kë do të merresh në çastin e caktuar. Nga “kazani i madh i gatimit” që përziejnë politikanët, karikaturistit i mjafton një lugë për të gatuar gjellën e tij humoristike. Një lugë e vetme, por ajo do të jetë më e zgjedhura, më e preferuara, më e shijshmja, se vetëm kështu ky gatim komik do të preferohet nga lexuesit e do të shijohet duke qeshur.

Sa është vlerësuar nga lexuesit dhe si ka qenë reagimi i politikanëve për krijesën tuaj të fundit?

Sigurisht, në qendër të trajtimit humoristik janë figurat më të larta politike, ata të cilët e rrotullojnë, e transformojnë, e përvetësojnë, e deklamojnë dhe e deformojnë politikën. Janë këta në qendër të vëmendjes së publikut e të medias, kështu detyrimisht janë në qendër të fletës së vizatimit dhe në majën e penës artistike që karikaturizon figurën e këtyre personazheve dhe bëmat e tyre. Karikaturat e tyre nuk përqëndrohen vetëm në anën e tipareve të jashtme, por paraqesin edhe thelbin e veprimtarisë së tyre nëpërmjet lentes humoristike. Kjo i bën më të veçantë, më origjinalë, më të tejdukshëm e më qesharakë. Me karikaturën time unë nuk përçmoj, nuk godas, nuk fyej e denigroj personazhe, por veprimin e tyre. Me dashamirësi, por me qëndrim kritik e të paanshëm, ironizoj e tall një veprim, një batutë apo një mendim të një politikani të caktuar, që ka “fatin” të jetë personazhi që do të përkëdhelet nga pena ime humoristike. Karikaturat e para pas fitores së demokracisë, nga politikanët shiheshin paksa me hatërmbetje. Herë pas here edhe zemëroheshin. Më vonë filluan të kuptojnë që një karikaturë e tyre në shtyp ishte një vlerësim e një reklamë për ta. Ndërsa sot, ata mërziten dhe u mbetet hatëri kur nuk shohin karikaturën e tyre në shtypin e ditës.

A mund të ketë shokë një gazetar, shkrimtar, apo karikaturist, një politikan që kritikohet nga shoku i tij?

Pothuajse të gjithë politikanët që unë kam fiksuar janë shokët e miqtë e mi. Me ndonjërin prej tyre, edhe pse nuk përqafohemi, i shtrëngojmë dorën njëri-tjetrit me dashamirësi. Mund t’ju duket e çuditshme, ndoshta e pabesueshme, por me anë të karikaturës kam fituar njohjen, simpatinë, miqësinë dhe respektin e personazhit politikan të fiksuar në karikaturën e ditës. Ashtu si gjithkush, në një bisedë me përplasje konceptesh dhe argumentesh me një politikan, duke kundërshtuar një pikëpamje nga këndvështrime të ndryshme, ashtu edhe unë ballafaqohem me një politikan duke e kundërshtuar jo me fjalë por me figurë. Pra, unë ndërhyj në bisedat politike me anë të figurës, e cila ka një përparësi nga fjala, sepse është më e lehtë për t’u kuptuar nga shikuesi. Më tej, ky ballafaqim të jep edhe një buzëqeshje.  Është e privilegjuar.  Është e preferuar.  Është vepër arti.

Zhanri i karikaturës ka qenë bashkudhëtar në krijimtarinë tuaj. Ç’do të thoshit për tipa e karaktere, karikaturat e të cilëve janë vlerësuar si punime me spec?

Në përgjithësi çdo karikaturë, me karakter humoristik apo satirik, aq më tepër ato me prirje politike, e kanë brenda sasinë e specit. Njëra më pak e tjetra më shumë të japin, në mos djegien e padurueshme, të shkaktojnë avullin e nxehtë, këtë radhë jo në gojë, por në mendje. Ka nga ata politikanë që, edhe pse u djeg, e durojnë dhe e përballojnë djegien. Ka edhe të tjerë, injorantë e mediokër, të cilëve u djeg çdo lloj sasie e varieteti i specit satirik. Në përgjithësi, satira sasinë dhe djegien e specit e ka më dukshme e më të efektshme. Është një mendim: “Për një politikan, një karikaturë është e rrezikshme, por më e rrezikshme është kur nuk ka asnjë karikaturë.”. Është pikërisht speci që i jep shijen e veçantë e të preferuar karikaturës politike.

Mendoni se njerëzit që merren me politikë mbeten “miniera” e frymëzimit në krijimet tuaja?

Me politikën direkt, nëpërmjet karikaturës, krijimtaria ime përmblidhet në këto 25 vjetët e fundit. Mendoj që, në ditët e para të demokracisë, unë dhe kolegët e mi humoristë zbuluam thesarin e çmuar në “minierën” e politikës. Ngjarje, dukuri, fenomene, fakte e personazhe pa fund, që shtyhen e grinden në grumbullin e madh të tyre, që kush e kush më parë të zërë vendin e merituar në kornizat humoristike të shtypit periodik. Mos u çudisni! Sot kemi edhe politikanë që në shenjë miqësie më tërheqin vëmendjen duke më thënë: “Eh, mua s’më bëre një karikaturë në gazetë.”. Dhe pret buzëqeshjen time si një premtim për të ardhmen…

Njiheni si skenarist i disa prej filmave humoristikë. Ndoshta aroma e specit djegës ndaj politikanëve do të zërë një ditë vendin e vet përkrah filmave të tillë?

Meqë jemi akoma te speci, e për më tepër ju ngulni këmbë për këtë zarzavat pak delikat në prodhimin e humorit, mendoj se këtë do mund ta përdor kryesisht në filmat e animuar, që trajtojnë subjekte të politikës me personazhet përkatëse.

 

Profesor, ju jeni marrë me politikë?

Dikur është marrë politika me mua dhe e kam pësuar prej saj, tani merrem unë me politikën që ta “pësojë” ajo nga unë. Një “hakmarrje” që, duke u treguar modest, them se i bën mirë politikës. Vetëm me një ndryshim: Unë jam politikan BIO, ndërsa të gjithë të tjerët që kanë mbirë në kopshtin e politikës janë OMGJ, sepse janë të stimuluar me medikamente për rritjen artificiale, të menjëhershme të famës e të mirëqënies së tyre. Janë krijesa të pasura me plehra kimike.

Ndër vite keni lëvruar me sukses aktrimin, regjisurën, skenaristin, karikaturistin. Cili prej këtyre profesioneve ju ka sjellë  më shumë kënaqësi?

Çdo veprimtari artistike ku unë kam vënë në punë mendjen dhe shpirtin tim më ka dhënë një kënaqësi të veçantë. Tek unë të gjitha veprimtaritë kanë ndihmuar njëra–tjetrën. Kur në një vepër arti bashkohen të gjitha aftësitë, është një lloj si një koktej i mirë e i shijshëm, që pëlqehet nga të gjithë. Filmin e ka ndihmuar karikatura, karikaturën e ka ndihmuar aktori dhe regjisori, aktorin dhe regjisorin e ndihmon skenaristi. Pra, siç e shikoni, është një kontribut i të gjithëve që punojnë për suksesin e një vepre artistike. Me një fjalë, janë një grup i vogël artistësh që kanë miqësi, respekt për njëri–tjetrin dhe që punojnë me pasion e përkushtim që vepra artistike të dalë sa më dinjitoze. E veçanta e këtij grupi është se ka vetëm një emër: Bujar Kapexhiu. Dhe unë i dua e i respektoj të gjithë njëlloj. Ky është kyçi dhe sekreti i suksesit, kur ai është real. Kur krijimtaria është e pasuksesshme, për të mos thënë fjalën e ashpër “e dështuar”, fajin nuk ia hedhin njëri–tjetrit, por e ndajnë të gjithë së bashku, duke e bërë kështu më të lehtë e më kalimtare periudhën dështake.

 

Ndonëse keni ngjitur suksesshëm shkallët e karrierës suaj artistike, ka pasur raste që keni pësuar incidente, që ju kanë “rrëzuar” nga këto shkallë, duke punuar në bazë.  Është e vërtetë?

E tërë veprimtaria artistike, për secilin artist, pa përjashtim, është e fokusuar në dëshirën, punën, pasionin, përkushtimin dhe pikësynimin që emri i tij të ngjitet në majat më të larta të suksesit. Por duhet të themi që kjo nuk është një ngjitje alpinistike, por me shkallë, që quhen shkallët e karrierës e padyshim cilësohen si shkallët më delikate. Duhet kujdes kur mbështet këmbën e më pas kur hedh hapin, duhet ekuilibër. E keqja vjen kur këmba të mbetet në ajër, nuk ke mbështetje, në çastin që humbet ekuilibrin dhe me siguri rrëzohesh. Është më e rrezikshme kur je ngjitur në majë, rrëzohesh dhe e shikon veten në fund. Është e dhimbshme. Unë jam rrëzuar njëherë nga shkallët, jo për faj të shkallës, as për faj të atij që mbante shkallën, por nga një mendje perverse në çast çmendurie. Iu tek të na heqë shkallët dhe ne ramë të tërë. Unë bashkë me të tjerë. Fatmirësisht nuk thyem qafën, por na detyruan të thyejmë koncepte dhe format e krijimtarisë.

Nëse do të ktheheshim paksa në retrospektivë, në filmin “Dueli i   heshtur” starton roli juaj i parë si aktor, me personazhin e Bepinit. Ishte periudha kur ju ishit ende student. Përse ky personazh ngjiti aq shumë te spektatori?

Është një nga rolet dhe kujtimet më të bukura e të veçanta të jetës sime artistike. Më pëlqen dhe e dua atë personazh, njëkohësisht më vjen keq se nuk mundi ta realizojë ëndrrën e tij. Atë ëndërr që kish Bepini për një jetë në botën e lirë, e kishim pothuajse të gjithë ne të rinjtë e asaj kohe. Dhe kjo ëndërr, u bë realitet me ardhjen e demokracisë mbas viteve ’90. Në një intervistë, në një program televiziv, jam shprehur, sigurisht me shaka, që filmi “Duel i heshtur” në atë kohë ka qenë një film frymëzues, që ne e trajtuam si një kurs kualifikimi, për t’u treguar të rinjve sesi të arratisesh jashtë shtetit. Ndoshta kemi profetizuar, për të dëshmuar se e ardhmja e largimit do të jetë me anije dhe ashtu ndodhi. Në atë kohë diktature, personazhet e ashtuquajtura negative pëlqeheshin e simpatizoheshin, sepse veprimet dhe batutat e tyre ishin brenda qenies së çdo njeriu të asaj kohe. Kështu ndodhi edhe me Bepinin e “Duelit të heshtur”. Batutat e tij edhe sot e kësaj dite përdoren në biseda të ndryshme dhe mjedise argëtuese.

Bepini u vlerësua si binjakëzim me dëshirën e jo pak njerëzve që tentonin të arratiseshin. E menduat ndonjëherë veten si pjesëtar të armatës së këtyre njerëzve, për t’u larguar edhe ju një ditë nga Shqipëria

Kjo që thoni ju është e vërtetë. Të rinjtë e asaj kohe sytë dhe dëshirat i kishin nga Perëndimi. Ishin të shumta rastet e tentativave nga të rinjtë, të cilët, edhe duke e ditur rrezikun e madh që i priste, kalimi i kufirit qe burg ose vrasje, i morën parasysh këto dhe tentonin ta kalonin kufirin, për të kapur “botën e lirë”, të cilën aq shumë e kishin ëndërruar. Të them të drejtën edhe unë e kam ëndërruar Perëndimin, por asnjëherë nuk kam menduar për t’u arratisur. Asnjëherë nuk kam menduar për të shkuar unë vetë atje, por kam  ëndërruar e dëshiruar me “Ah, sikur!” Perëndimi të vijë te ne. Para ardhjes së demokracisë dhe në ditët e para të saj, asnjëherë nuk kam menduar të qëndroj atje, megjithëse kam pasur oferta me vlerë banimi e punësimi. Nuk dua të mburrem këtu, duke thënë se e bëra për patriotizëm. Jo. Ndoshta natyra ime paksa sentimentale, e lidhur ngushtë me familjen, me shoqërinë, me mjedisin. Dhe, për të mos harruar, për ta thënë haptas, mungesa e kurajës, bënë që unë të refuzoja qëndrimin dhe të kthehesha në vatrën time. Shumë të tjerë, ndryshe nga unë, guxuan, u larguan dhe fituan. Mirë bënë. Ishin trima. I admiroj, edhe pse një pjesë e tyre nuk punojnë në profesionet për të cilat u shkolluan, por i admiroj për dëshirën e tyre për të ndryshuar, për të kërkuar më të mirën, më të bukurën, për të sakrifikuar edhe humbjen e profesionit të tyre. Liria më e shtrenjtë se gjithçka!