Prof. Dr. Nikollaq Bardhi: Libri “Etnokultura e Myzeqesë”, një vlerë e shtuar për Myzeqenë

20

Studimi qysh në fillim na njeh më shtrirjen e krahinës së Myzeqesë, me emrin e saj dhe me konceptin e të qënit myzeqar. Autori, jo vetëm e argumenton shkencërisht qënien pjesëtar i një krahine, por dhe ruan e zhvillon unitetin e brendshëm të Myzeqesë të lidhur ngushtësisht në mënyrë organike me unitetin identitar kombëtar.Kapitulli i veshjes e fillon me Takijen, këtë kësulë me rrënjë para ilire, ilire e arbërore.

Sigal

 

Telegraf.al / Ka rreth 2- 3 muaj që ka dalë në botim libri studimor “Etnokultura e Myzeqesë” i autorit Maksim Zarka.

Nermin Vlora Falaski për vlerat universale dhe zhvillimore të kulturës së popujve shkruan:”Fitimet tokësore të popujve shkojnë e vijnë. Fitimet shpirtërore mbesin të vulosura në kohë si dritë e vërtetë që nuk shuhet gjatë shekujve, por bëhet energji, shkencë, dituri.”

Është kjo arsyeja, që ҫdo vend studion dhe zhvillon etnografinë e popullit të tij. Por për ne, shqiptarët, kjo është domosdoshmëri, pasi në kushtet e një pushtimi dy mijëvjeҫar, vetëm gjuha dhe kultura etnografike na ruajti shpirtin shqiptar. Edhe  Myzeqari, si pjesë organike e popullit shqiptar, për të përballuar rrebeshin e dhunshëm shumë shekullor të të huajve, forcoi traditën, ku gjeti sigurinë dhe ruajti lirinë e brendshme të shpirtit të tij iliro-shqiptar.

Për etnografinë e Myzeqesë është shkruar qysh në shek.19-të nga Z. Jubani, G. Dara i Riu, Th. Mitko, kanë shkruar të huajt, si G. Hahn, Edit Durham, Eduart Lir, Pouqueville etj., Në vitet 30të, të shek.20-të ka shkruar Kristo Vide e Jani Nushi dhe në vitet 50-të të shek.20-të studiuesi Rrok Zojzi. Pas vitit 1960, me etnografinë e Myzeqesë është marrë Adromaqi Gjergji kryesisht me veshjen. Ndërsa për traditën e riteve të dasmës dhe të lindjes është marrë posaҫërisht Llambrini Mitrushi. Në fillim të shek.21-të, me etnografinë myzeqare është marrë zj.N. Lëngu, K. Ndoni, P. Kote, F.Bufi etj. Të gjithë këta autorë janë marrë kush më shumë e kush më pak në përshkrimin e riteve  e të dokeve të Myzeqesë, gjë që ka vlerën e vet të padiskutueshme, e cila ka shërbyer si një bazë e mirë për autorin për të shkuar më tej, dua të them në semantikën dhe analizën e ҫdo riti apo simboli.

Pikërisht, ky studim theksin e ve te analiza e riteve, simboleve dhe nxjerrja e sintezave rast pas rasti. Këtu qëndron mendoj dhe vlera e këtij studimi. Etnografia myzeqarë në këtë studim del e plotë në gjerësi dhe në thellësi, e qartë dhe e kuptueshme, e argumentuar me artefakte dhe referenca, plugu është futur thellë në jetën dhe shpirtin e myzeqarit…

Autori për ritet e dasmës, lindjes, vdekjes dhe të vetë të segmentit të jetës biologjike dhe jo biologjike ka bërë analizë, ka treguar ҫfarë shprehin, pse janë bërë pjesë e shpirtit të popullit myzeqar, nga cila kohë vijnë, cilës epokë zhvillimi i përkasin, ҫfarë marrëdhënie ekzistence dhe jetese kanë pasqyruar për njeriun si individ dhe komunitet, pse janë burimore myzeqare dhe shqiptare me origjinë para ilire, ilire dhe arbërore.

Si bir i tokës së Myzeqesë, studiuesi Maksim Zarka,  në themel të këtij studimi ka vënë dashurinë, vullnetin, punën e palodhur, analizën dhe sintezën. Ai ndjen krenari për vlerat që ka krijuar populli myzeqar në kulturën shpirtërore dhe materiale si dhe në qëndrimet që ka mbajtur në ҫdo moment të historisë. Si Anteu, që forcën e gjeti te vendosja e këmbëve fort në tokë, ashtu dhe Maksi e do traditën dhe mbështetet fort te ajo, si besim sigurie dhe shenjë identiteti e kombit shqiptar. Përpjekjeve të tij studimore i nënshtrohen një vullneti këmbëngulës dhe bindës për t’i mbrojtur këto vlera identitare me rrënjë iliro-arbërore nga zvetnimi, përҫudnimi pse jo dhe rrëmbimi.

Studimi qysh në fillim na njeh më shtrirjen e krahinës së Myzeqesë, me emrin e saj dhe me konceptin e të qënit myzeqar. Autori, jo vetëm e argumenton shkencërisht qënien pjesëtar i një krahine, por dhe ruan e zhvillon unitetin e brendshëm të Myzeqesë të lidhur ngushtësisht në mënyrë organike me unitetin identitar kombëtar.

Veҫ traditave të njohura, autori ka qëmtuar dhe “zbuluar” disa tradita të veҫanta si “Myzeqari, Bukëdhënësi i Zogjve”; “Pelikani, simbol njohje dhe rezistence ndaj shtypjes turke”; Tradita e “Kafes me rërë të nxehtë”; Tradita e Pajtimit; Tradita e Korrjes së grurit; Festa e Mëmës-Tokë që shoqërohet me larjen në det; Dysheku me trëndelinë i dhëndrit  etj.

Kapitulli i veshjes e fillon me Takijen, këtë kësulë me rrënjë para ilire, ilire e arbërore. Takijen e ka mbajtur gjithë Toskëria, por e ka ruajtur Myzeqeja. Duke ecur nëpër histori, atë (takijen) e kanë mbajtur në kokë perënditë Pellazge, Zeusi, Odiseu, vëllezërit Kastori etj.

Autori njeh, pranon dhe gëzon, se krahas Takijes, perënditë dhe heronjtë e antikitetit kanë mbajtur në kokë dhe Plisin Dardan. Tajkijen dhe Plisin Dardan, autori i quan dy gjysma të vezës kozmike.

Vëmëndje i ka kushtuar fustanellës, si një veshje panshqiptare me rrënjë burimorë ilire-arbërore, por që shoqëria e sotme shqiptare herë pas here “shket” drejt kulturës së huaj duke e zëvëndësuar atë me poture…

Duke folur për jelekun me mëngë, autori e quan atë me një emër sa realist aq dhe artistik. “Mëngorja me flatra”. Ai analizon dhe tregon se ҫfarë janë flatrat e mëngores, pse i mban jeleku në shpinë, nga vijnë ato. Ai e nxjerr mëngoren me flatra panshqiptare, si një traditë burimore myzeqare-shqiptare, gjë që asnjë studiues  nuk ka arritur t’i shpjegojë këto detaje shumë të rëndësishme. Më tej ndalet në pjesë të tjera të veshjes siҫ janë kalcet dhe topthi kuq në majën e opingës, duke na sjellë në vëmendje traditën e nderimit dhe të besimit të perëndisë Diell.

Një vend ze dhe “Dasma Myzeqare”. Ky rit gëzimi dhe përjetimi i martesës është trajtuar në tërësi dhe në detaj, veҫanërisht te “Darka e Janҫes” , te “Flamëri me mollë”, dhe te pirja e rakisë me dolli “Oli”. Janë këto tre artefakte materiale dhe shpirtërore që e bëjnë dasmën myzeqare unike dhe të veҫantë në Shqipëri dhe jashtë trojeve shqiptare. Me të drejtë autori ritin e “Dasmës Myzeqare” e quan një pasuri me vlera kombëtare, pse jo dhe botërore, pasi nuk gjen një rit të dytë që t’i ngjajë sadopak asaj.

Ritet e lindjes dhe të vdekjes, jo vetëm janë trajtuar shkencërisht si dukuri kulturore me identitet shqiptar, ku gërshetohet një pjesë e botës materiale dhe shpirtërore e myzeqarit, por autori na jep sesi sot duhet të veprojë njeriu modern për të ruajtur traditën në kushtet e sotme të kohës, duke i ardhur në ndihmë ҫdo familjeje. Interesant është dhe kompozimi i varrezave myzeqare në kishë që autori e quan një ‘Tumë” myzeqare pas Krishtit.

Studimi i kushton rëndësi dhe onomastikës, vendosjes së emrave. Emrat e Myzeqesë, -thekson autori–vijnë nga lashtësia me origjinë hyjnore vendore dhe janë iliro-shqiptar, si emri Afërdita, Ndini, Vida, Akil (Arqile), Gjergj, Agron, Arben, Dhimitër, Pirro, Ilir (Lili), Themi, Trifon, Gjena, Diella, Teuta, Donika etj, të cilët u pasuruan me emrat Flamur, Bashkim, Kujtim, Shpëtim, Liri, Shpresa etj.

Autori më tej shkruan se “Emri ka të bëje me shpirtin, me qumështin e mëmës që e mëkoi qysh në djep”.

Veҫ traditave të njohura, autori ka qëmtuar dhe “zbuluar” disa tradita të veҫanta si “Myzeqari, Bukëdhënësi i Zogjve”; “Pelikani, simbol njohje dhe rezistence ndaj shtypjes turke”; Tradita e “Kafes me rërë të nxehtë”; Tradita e Pajtimit; Tradita e Korrjes së grurit; Festa e Mëmës-Tokë që shoqërohet me larjen në det; Dysheku me trëndelinë i dhëndrit  etj.

Të njëjtën gjë ka bërë dhe me kapitullin “Mallkimet”, ku nxjerr në dritë veҫoritë  e mallkimit të nënës e gruas myzeqare, ku më pikante është mallkimi i heqjes së unazës,  apo mallkimi me kripë që u bëri fashistëve italianë.

Autori e quan me të drejtë pjesë të kulturës luftën për mëvetësi, që nis me mbrojtjen e përhapjen e gjuhës shqipe, duke i dhënë një vend të merituar kontributit të klerit ortodoks në zhvillimin e nacionalizmit gjuhësor shqiptar, kontributi i të cilit shpesh lihet në harresë. Ai evidenton se kleri jo vetëm ka shërbyer shqiptarisht, por ka derdhur edhe gjak për këtë Shqipëri që gëzojmë sot. Kleri ortodoks ka kontributin e tij të dallueshëm në shtetformimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar.


Një vend në këtë studim ze dhe lufta e zhvilluar nga populli i Myzeqesë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Autori nuk merret me përshkrime ngjarjesh historike, por me vlerat dhe veҫantitë e kësaj lufte. Pasi  trajton në mënyrë   brilante vlerat e LANC-it, i kthehet veҫorive të luftës në Myzeqe, të zhvilluar nga populli i saj. Autori evidenton në këtë luftë karakterin masiv të myzeqarëve, përfshirjen në masë e vajzave myzeqare, guximin dhe menҫurinë e myzeqarëve për t’u ndeshur me armikun në terren të hapur, mungesën e formacioneve kolaboracioniste dhe drejt-orjentimin përherë në krah të Shqipërisë dhe vlerave  europiane.

Nëpërmjet studimit të etnografisë së Myzeqesë, autori ka zbuluar se ka një unicitet ndërkrahinor me karakter kombëtar si në kohën e lashtë edhe sot. Sintezën e unicitetit kombëtar e shohim dhe te emrat Vida, Ndin, Dada, Gjergj, ku thekson se tre emrat e parë janë dhe emra hyjnish ilire të zbuluar në trojet shqiptare në Kosove e gjetkë.

Ky studim etnografik i Myzeqesë ka dhe një vlerë të veҫantë. Autori merr guximin dhe lëvron kritikën për qëndrime të veҫanta në fushën e etnografisë e më gjerë. Ai e shpreh mendimin kritik drejtpërdrejtë për disa dukuri të veshjes, për “Dasmën Myzeqare”, për “Flamërin me mollë”, si dhe për termologjinë e përdorur.

Në këtë mendim kritik ze vend dhe lufta që i bën autori shfaqjeve të bulizmit krahinor, duke u ndalur për disa vargje përҫmuese në muze, për opinionin e gabuar, për malarian si një sëmundje krahinore, kur e vërteta ka qënë ndryshe. Pra, mendimi kritik është një pasuri, një vlerë e shtuar  e këtij studimi.

Kapitulli i fundit është psikologjia, ku autori nuk merret me trajtim teorik se ҫfarë është dhe shpreh psikologjia, por duke njohur AND e myzeqarit, e ka dhënë atë të koncentruar në formatin e sintezave, ku ҫdo myzeqar gjen veten dhe shpirtin e tij.

Maksi tashmë është një qiri ndezur, që përpiqet të bëjë dritë në një kohë kur përditë po zvenitet apo po zhduket trashëgimia kulturore myzeqare, është një shërbestar i përunjur para popullit të tij. Ai me këtë studim ka marrë statusin e një kryegardiani të traditës myzeqare dhe vlerave që ka krijuar populli i kësaj krahine. Eshtë një studiues me logjikë bindëse, i aftë për analiza e sinteza të guximshme dhe shpesh dhe interesante.

Mendoj se ky studim është një arritje, çel një dritare për diskutime e krijon hapësira të reja, do t’i rezistojë kohës dhe do të shërbejë si një bazë referimi për studiuesit e ardhëshëm.